| E shtune, 25.07.2020, 09:44 AM |
Kuvendi tavolinë e pingpongut politik!
Shkruan:
Florim Zeqa
Zhvillimet
e fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës flasin qartë për pozitën në të
cilën është katandisur klasa jonë plitike, e në veçanti parlamenti ynë. Niveli
i ulët arsimor dhe mungesa e zhvillimit ekonomik janë dy faktor kyq që kanë
ndikuar në mosngritjen e vetëdijes qytetare.
Pozicionimet e dyfishta
të personaliteteve të dyshimta
Partitë
politike janë shndërruar në korporata fitimprurëse për liderët dhe vartësit e
tyre, kurse liderët partiak dhe sejmenët e tyre janë bërë shkelës dhe abuzues
te besimit të qytetarëve.
Duke
u ngritur në karrierë politike dhe pasuruar nga mashtrimet dhe kauzat e
rrejshme, klasa aktuale politike (pushtet dhe opozitë) modelin e abuzimit e
kanë ngritur në standard të politikës ditore.
Avancimi
i agjendave partiake në Kuvend është në plan të parë, ndërsa mbrojtja e
interesit të qytetarëve është vetëm sllogan mashtrues dhe hipokrizi e
politikanëve të papërgjegjshëm.
Thënë
të vërtetën, nëpër të gjitha partitë tona politike ka politikan të mirë dhe të
përgjegjshëm, por numri i tyre është i vogël dhe nuk është në proporcion me
numrin e anëtarësive të partive politike.
Protagonizmi
dhe tendenca e personalizimit të çdo gjëje nga një pjesë e politikanëve të
papërgjegjshëm, ka bërë që të bie imazhi i politikanëve të mirë në vendin tonë.
Gjuha
denigruese dhe fjalori i papastër politik i përdorur nga ana e disa deputetëve
në Kuendin e Republikës së Kosovës, po bëhet gjithnjë e më e neveritshme, e
padurueshme dhe e padëgjueshme për veshin e qytetarëve të ndershëm të këtij
vendi.
Thirrja
në parime dhe mosmbajtja e tyre janë bërë dukuri e shëmtuar e klasës politike.
Pozicionimi
pro dhe kundër personaliteteve të caktuara politike i disa deputetëve në
kuvend, e ka kthyer kuvendin në tavolinë pingpongu dhe në "mishmash"
parlamentarizmin kosovar, saqë më nuk po dihet më, se kush është pozitë dhe
opozitë, kush i djathtë e kush tjetër i majtë në parlamentin e Kosovës.
Kur
të djathtët bëhen të majtë dhe anasjelltas, kur të majtët bëhen të djathtë,
është e njejtë sikur një makinë në lëvizje në komunikacion, që e jepë sinjalin
për t'u kthyer në të djathtë, ndërsa në momentin e fundit kthehet në të majtë!
Për
aq sa është e rrezikshme të ndjekësh në komunikacion një makinë me orientim të
paqartë, po aq është sfiduese të mbështetës një politikan në skenën aktuale
politike.
Mungesa
e profilizimit të qartë politik dhe futja e disa politikanëve në rrugën e
gabuar njëkahëshe, i ka vënë ne lajthitje qytetarët e vendit, e aq më tepër do
i vë në lajthitje elektoratin kosovar në zgjedhjet e parakoshme, ngase nuk do
dinë se si t'i votojnë politikanët e djathtë në subjektin e majtë politik dhe
anasjelltas!?
Përderisa
pasqyra më reale e politikbërjes kosovare është Kuvendi i Kosovës, marja e
secilit me politikë e dëshmon katandisjen e shoqërisë sonë, ku të gjithë
mendojnë se janë politikbërës të mirë, pa ofruar asnjë ide për zgjidhjen e
problemeve të grumbulluara.
Pozicioni apartiak, arma
më e fuqishme e një analisti politik
Pozicioni
apartiak në njërën ane dhe paanësia në gjykime anën tjetër, më bëjnë të ndjehem
komod dhe pa asnjë ngarkese gjatë vleresimit të zhvillimeve politike.
Ndjehem
me fat që nuk jam i varur nga politika dhe i pa ndikuar nga egoja për pushtet
dhe privilegje pushtetore.
Kjo
më bën të jam i lirë dhe i pavarur në mendime dhe vlerësimin e ngjarjeve.
Për
dallim nga një pjesë e opinionistëve dhe analisteve, që e mbeshtesin një lider
apo parti të caktuar politike, jo nga ndjenja e simpatisë por nga ambicia për
t'u ngritur personalisht në karrierë politike (për të shijuar ndonjë post
ministror apo diplomatik, këshilltar apo më pak se kaq),...mbështetja apo kundërshtia ime është e bazuar në vlerësimin
e pastër analitik, pa ngjyrime partiake, pa ngarkesën e ambicies politike dhe
as të urrejtjes personale ndaj një lideri apo subjekti të caktuar politik.
Edhe
pse jo drejtpërdrejt të kyçur në politikë, me idetë dhe vizionin tim,
angazhohem që gjërat të ndryshojnë më shpejtë, në të mirë të vendit dhe
qytetarëve.
Ideali
im nuk shitet dhe as nuk blihet nga askush,
e aq me pak nga partite aktuale politike.
Ideali
im i pastër për shtetin e Kosovës, për mirëqenjën dhe barazinë e përgjithshme qytetare, mbetet ideal i shënjtë
dhe i panegociueshem deri në fund të jetës time.
Sa
më parë ta çlirojmë Kosovën nga përbindëshat dhe matrapazët politik, në të dyja
nivelet e qeverisjes, aq më e afërt do të jetë dita e ndryshimeve pozitive,
dita e prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Çlirimi
i vendit nga matrapazët dhe kusarët politik është i mundur të arrihet me
vetëdijësimin e elektoratit për ndëshkim me votë, gjegjësisht me mosvotimin e
politikanëve mashtrues dhe të papërgjegjshëm në zgjedhjet e ardhshme
parlamentare dhe lokale, të rregullta apo të jashtëzakonshme kurdo që do të
mbahen ato.
Zoti
e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti
e bekoftë vullnetin e qytetarëve të vendit tim të shënjtë!