| E shtune, 25.07.2020, 06:26 PM |
METAFORA E DERRIT «TË LUMTUR»
(Kushtuar
derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike, mediabërësve
dhe gjithë atyre që determinojnë mentalitetin e kohës)
Nga
Xhemal Ahmeti
Prolog
Pasi
mbaruam punën, Emin Azemi, Teki Dervishi, ndonjë tjetêr dhe unë (viteve të
90-ta) e zumë një tavolinë në fund të redaksisë dhe ia nisëm si rëndom të
kacafytemi duke pirë verë e raki. Ishte mënyra jonë e çlodhjes: Në njërën nga
ato mbrëmje Teki Dervishi m’i mbushi sytë me lot, ngase mi quajti shqiptarët e
Maqedonisë të sillen historikisht si «derrat e lumtur» (Tekiu ka jetuar gjatë
kohë në Shkup, pasi nuk i jepnin punë në Kosovë si ish i burgosur i Goli
Otokut). Premtoj se një ditë do t’i shkoj mbi varr për t’iu hakmarrë, duke ia
treguar se «kosovarët» e tij dolën shumë më «derra të lumtur» se «tërllëkat» e
mi.
I.
Në
supermarketet zvicerane mbi produkte qëndron një label ku shkruan «mish derri
të lumtur»! Konsumentit i sugjerohet se mishi është i një kafshe të rritur bio,
pra i lirë për të kërcyer luadheve e për të futur hundët gllofkave e plehrave
të natyrës kur t’i teket, jo pra i mbarështuar laboratorëve, i mbyllur brenda
mureve të ndonjë fabrike industriale. E dinte derri këtë punë gjersa ishte
gjallë? Jo, prandaj nuk i është fyer inteligjenca së paku.
II.
Shkrimtari
gjerman Siegfried Wache shkruan diku: «edhe më keq se skllavëria është fyerja e
inteligjencës». Gjersa për derrin helvetikas thuhet se nuk ka inteligjencë,
njeriut në përgjithësi i mveshet kjo veti. Prandaj ky «inteligjenti» saherë i
shtrëngohen zinxhirët fytit ulurin «më mirë vdekje se skllavëri» (Liriku
gjerman Friedrich Halm). Edhe imunologu i famshëm gjerman Gerhard Uhlenbruck
thotë të njëjtën gjë: «Skllavërimi i njeriut nis me fyerjen e inteligjencës së
tij».
Kur
analizojmë gjendjet shqiptare na del një problem i rëndë me këtë vijë diskursi
që thotë se derri ishte i lumtur si skllav i bujkut, ngase ky deri sa nuk e
preu e la të lirë të bajgoset me hundë e me qenie kakërdhive të dhive e të
lopëve e për njeriun na thonë se ndihet ndryshe pasi paska inteligjencë.
III.
Edhe
personi më i pagdhendur i perëndimit i qorton ditenatë shqiptarët si të
korruptuar, të paaftë për të shfrytëzuar fushat e lira me bar e me kallinj
sipas mënyrës së suksesshme. Oligarkë demagogë e teokratë të lindjes ua shesin
ujin, rrymën, miellin që i marrin nga dheu i tyre dhe ua shesin me çmime
shtatëfish më të shtrenjta, madje edhe pa u paguar ndonjë tatim; i zhvatin duke
i bartur botës me aeroplanë perëndimorë nga toka e tyre dhe anasjelltas me
çmime astronomike dhe nga aeroporti i tyre; ua ndërtojnë rrugët me rërën dhe
betonin e tokës së tyre me punëtorë dhe makina nga vende të huaja për t’ua
tharë edhe ato pare që ia shkoqin diasporës së saj (e cila han makarona
nateditë për t’i mbajtur familjet e fiset); madje edhe shkollat dhe kultet
fetare ua ndërtojnë sipas mitologjisë së tyre politike e këta nuk acarohen,
përkundrazi kërcejnë edhe më të lumtur se ai gici helvetikas para se t’ia
ndanin trupin nga eshtrat për ta ekspozuar në vitrinat e supermarketeve
zvicerane.
IV.
Filozofi
austriak Thomas Macho e ka një libër të mrekullueshëm me titullin «Derrat - një
portret» ku dëshmon se dy speciet kanë ngjashmëri kolosale ndërmjet veti. U
propozoj SHB-ve të tipit Logos nga Shkupi, analfabetëve paramesjetar Kim
Mehmeti, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Isa Mustafës e të sojit që financohen e
botohen nga turqit ta përkthejnë. Jo vetëm pse është studim fenomenal por
shpjegon edhe shumë enigma rreth sjelljes së tyre sociale karshi identitetit që
besojnë se e kanë.
Natyrisht
pa ua fshehur faktin këtyre se në mesjetë, në epokën në të cilën mendërisht
gjenden ende këta, derrat i nxjerrnin para gjyqit me akuzën të kenë tentuar të
puthin a kafshojnë fëmijët dhe i dënonin me varje publike (nuk është shaka kjo,
por e vërtetë).
V.
Novelistja
Marie von Ebner-Eschenbach shkruante: «Skllavet e lumtur janë armiqtë më të
ashpër të lirisë». Po ta rishkruante Thomas Macho librin e tij me siguri do të
ilustronte teorinë edhe me sjelljet aktuale shqiptare. Pa i ikur dallimi
postekzistencial natyrisht: se derrat ushqejnë me mish skllavet e këta përveç
shenjës toksike pas vdekjes lënë në eter, për asgjë tjetër s’vlejnë. Ishin,
shkuan, mirë që shpëtuam.
VI.
Njeriu
me dinjitet, dije e vetëdije nuk e konsideron liri atë të derrit të lumtur,
prandaj qoftë gazetar, kryetar, bujk apo farkëtar nuk lejon t’i fyhet
inteligjenca, ngase vetëm kjo e dallon nga ko-specia e tij e pafajshme - derri
i lumtur!
Epilog
Hasta
la vista. Më mirë të jesh bari derrash të pafajshëm se shërbëtor (i lirë!!!)
skllevërish që të rrezikojnë të shndërrohesh si ata - qoftë edhe vetëm në
retorikë.