| E shtune, 25.07.2020, 06:20 PM |
E SHUMËPËRFOLURA “XHAMIA QENDRORE E PRISHTINËS”
NGA
KORAB KRAJA
Foli,
e kush nuk foli. Foli hoxha, qytetari i thjeshtë, ai i përbërë, profesionisti i
ndryshëm, qeveritari, si dhe arkitekti. Tha, e çka nuk tha. Tha hoxha, qytetari
i thjeshtë, ai i përbërë, profesionisti i ndryshëm, qeveritari, si dhe
arkitekti.
Do
të ishte e kuptueshme sikur një situatë e tillë, që po e jetojmë sot, të
ndodhte para rreth 100 viteve, 120, 150 a më shumë;
-
sepse, në ato kohëra ishim të sunduar nga perandoria, prej së cilës shumëkush
varej, kishte përfitime e të ardhura;
-
sepse, në ato kohëra, ndikimi politik i perandorisë, siç po kanë dëshirë disa
ta quajnë “tolerante”, “të mirëkuptueshme”, madje-madje dikujt i ka krisur
mendja e thotë se ne paskemi “bashkëqeverisur” me të!, do të ishte e pamundur
që mos t’i ketë lëshuar rrënjët në psikikën e dikujt atëherë;
-
sepse, në ato kohëra, herë të mira, e sa të mira, aq dhe të këqija, e
shpeshherë të mjerueshme, disa individë të caktuar, apo grup njerëzish do t’i
ngulitej në kokë “bashkëqeverisja” dhe “mirëkuptimi” i “Hijes së Zotit mbi
Tokë”, dhe do t’i ngulitet aq fort sa do e sheh të pamundur jetën pa të, nuk do
ta sheh fundin e saj dhe as nuk do ta besojë shpartallimin e saj;
-
sepse, në ato kohëra, edhe pas shpalljes së pavarësisë kombëtare të
shqiptarëve, ndonjë injoranti do t’i krisë mendja, e do ta djegë e flakë tutje
flamurin kombëtar, e do ta valvisë vrullshëm, e do ta valvisë vullnetshëm, e
sytë do t’i flakërojnë duke e shikuar se si po e valvitë vrullshëm e
vullnetshëm flamurin e perandorisë “të skajpërskajshme e të pafundme”, duke injoruar
kështu, shtetin e sapoformuar shqiptar, dhe duke bërë thirrje për kthimin e
perandorisë, me lutje “dum babën”!
Dhe,
këta që e donin babën aq fort, për çudi, do t’i lëshojnë rrënjët e tyre, të
cilat do të kalojnë dekada të tëra pa u kalbur, të cilat do t’i mbijetojnë edhe
egërsisë kundërfetare dhe do të mbërrijnë tek ne sot, në shekullin XXI, pas 100
vjetëve. Dhe, sot, kujtimi i perandorisë dhe “të mirat” e saj, do të kujtohen
përmallshëm nga disa, (jo kohanik të saj!) që po t’i pyesje, do ta rikthenin sundimin
e saj përsëri, e ndoshta edhe më egër! Apo ndoshta nuk po rikthehet me një
formë e mënyrë të re?!
Kjo,
t’i themi përkulje, ndaj interesave kundërkombëtare, do të reflektojë edhe te
projekti i xhamisë që do të fillojë ndërtimin e saj në qendër të Prishtinës, që
do të quhet si Xhamia Qendrore e Prishtinës. Kjo xhami qendrore, do t’i
ngjasojë, kryekëput xhamive të kohërave të lartëmadhërive perandorake, sepse
vetëm ashtu, me përmbajtjen e saj vëllimore dhe shprehjen e saj arkitekturore,
do mund ta shprehim më mirë e më qartë mallin e perandorisë e dashurinë ndaj
Turqisë. Vetëm kështu, ne mund ta tregojmë, sipas disave, identitetin tonë! Po
çfarë identiteti? Identitetin e Perandorisë Osmane mesjetare të shekujve XV-XX?
Sikur neve shqiptarëve po na kapka ai identitet dhe po identifikohkemi me të
kaluarën e imponuar!
Ajo
arkitekturë e asaj xhamie ka marrur fund. Njëherë e përgjithmonë! Ajo i përket
të kaluarës dhe xhamitë e tilla- të ndërtuara në atë të kaluar- shprehin vlera
arkitektonike, shpirtërore, kulturore e historike. Ndërtimi i xhamive të tilla
sot, me atë arkitekturë, konsiderohet kiç.
Dhe
do të konsiderohet kiç, sepse do të jetë kopje e keqe, kopje e pavend,
strukturë pa shije e ndërtuar në vend të gabuar, të cilës i është huqur koha.
Ndërtimeve të tilla iu ka kaluar koha dhe me ndërtime të tilla nuk mund të
bëhet një vend më i bukur se ç’është; me ndërtime të tilla, nuk mund t’ia
ndryshojmë historinë një vendi, siç u munduan ta bëjnë me Shkupin; kot e kanë
ata, të cilët mendojnë se, me ndërtime të tilla mund ta sjellin ndikimin e
dashurisë ndaj sulltanateve. Kjo te ne nuk ka pirë, as nuk do të pijë ujë.
Të
gjitha projekt-propozimet, ishin më të mira dhe estetikisht më të bukura se
“xhamia mesjetare”, sado ndër to mund të identifikohej ndonjë aty-këtu si kiç a
shund i pasur; të gjitha, përpos kësaj të fundit- e cila ka fituar gjithë atë
konkurs ndërkombëtar- do t’i shërbenin kulturës, traditës, fesë përkatëse dhe
historisë sonë. Përpos të gjithave, realizimi i një projekti nga një arkitekt
me famë botërore, do të nënkuptonte turizëm nga e tërë bota, shpenzime nga ta
tek ne dhe krenari për ne. Sepse, ndërtesat e arkitektëve të famshëm vizitohen
çdo ditë nga komuniteti i arkitektëve, por edhe grupet tjera profesioniste,
marrin rrugë nga fundi i botës që të shkojnë ta vizitojnë ndërtesën e
arkitektit botëror. Kështu ndodhë në botë dhe kështu, tek e fundit, do mund të
ndodh edhe tek ne, këtu në Prishtinë. Ndërsa, ndërtimi i një strukture të
tillë, me arkitekturë ashtu të shpërfaqur është fyerje e inteligjencës
kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, ndërsa komunitetit të arkitektëve në
veçanti.
Por,
megjithatë, hoxha e tha fjalën e tij, ashtu siç e tha edhe dikush tjetër si
qytetar i thjeshtë a i përbërë, qoftë profesionist tjetër a qeveritar që vetëm
nënshkruan, po kështu njëjtë, do ta japë mendimin e tij, edhe profesionisti, i
cili do duhej të ishte në këtë rast kritiku më i madh, arkitekti. Edhe ata, të
cilët gjatë studimeve të arkitekturës do t’i përkulen përgjunjshëm arkitekturës
së Zaha Hadid dhe arkitekturës bashkëkohore, kësaj radhe, për shkak të ndonjë
studimi a vizite të shkurtër gjatë kohës së fundit në Stamboll, do kthehet
ashpër kundër idhujve bashkëkohorë të së kaluares së afërt. Zëri i tyre, iu
bashkua interesave të përbashkëta shkurtpamëse- mjerisht, por për fat të mirë-
jo të gjithë mendojnë njëjtë! Disa nga profesorët e Fakultetit të Arkitekurës,
e treguan qartë dhe bindshëm, me të dhëna profesionale, etike dhe morale,
qëndrimin e tyre ndaj projektit që është nisur të ndërtohet.
Pyetjet
provokuese të shtruara, herë qëllimshëm dhe herë pavetdijshëm, rreth “ndërtimit
a mos ndërtimit të xhamisë” bëjnë kështu një përçarje të re brenda popullit.
Disa qëllimshëm e disa pavetdijshëm, i shmangen debatit kritik rreth stilit
arkitektonik dhe funksional, në të vërtetë se “a do duhej, apo nuk do duhej të
ndërtohej një ndërtesë e shekujve të kaluar në kohën e sotme?” Më në fund, siç
e ka thënë qartë arkitekti i njohur botëror, Le Corbusier, të formuluar në
vitin 1933, ndërsa të publikuar në Kartën e Athinës, më 1943: “Praktika e
përdorimit të stileve të së kaluares me pretekste estetike për strukturat e
reja të ngritura në zonat historike ka pasoja të dëmshme. As vazhdimi i
praktikave të tilla as futja e iniciativave të tilla nuk do të tolerohet në
asnjë formë... Metoda të tilla janë në kundërshtim me mësimet e mëdha të
historisë. Asnjëherë nuk është bërë një rikthim në të kaluarën, asnjëherë
njeriu nuk i ka rikthyer hapat e tij. Të imitojmë të kaluarën është të dënojmë
veten për mashtrim, të vendosim ‘gënjeshtrën’ si parim, meqenëse kushtet e
punës së kohëve të mëparshme nuk mund të krijohen dhe aplikimi i teknikave
moderne në një ideal të vjetëruar, nuk mund të çojë kurrë në ndonjë gjë tjetër,
veçse në një ngjasim të liruar nga tërë vitaliteti”.
Prandaj,
ndërtesa e re e xhamisë që po planifikohet të ndërtohet është mashtrim i të
sotmes dhe mashtrim ndaj të ardhmes. Sado e madhe që mund të jetë ndërtesa e
xhamisë, kurrë nuk do mund t’ia kalojë vlerave arkitektonike e estetike xhamive
historike në kryeqytet; sado të larta e të shumta që mund t’i ketë minaretë e
saj, kurrë nuk do mund t’ia kalojë vlerave shpirtërore të xhamive historike në
kryeqytet. Sado të vogla dhe të vjetra të jenë ato, një gjë është e ditur, se
vlerën morale dhe strukturore do ta kenë më të madhe se struktura gjigante e
kopjuar dobët nga ish qendrat perandorake pushtuese!