| E enjte, 23.07.2020, 08:14 PM |
Kush nuk di të qeverisë është uzurpator!
Në
10 vjetorin e veprimtarisë publicistike
Shkruan: Florim Zeqa
Ideja e titullit të këtij shkrimi është e 10 viteve më parë.
Mirëpo edhe pse ka kaluar një dekadë, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar nga koha
kur është botuar (22.07.2010) dhe ribotuar (24.08.2010) në të përditshmet tona
shkrimi im i parë autorial "Kush nuk di të qeverisë është uzurpator".
Të gjitha analizat e nxjerra
(mbi 2 mijë) në "laboratorin" tim politik përgjatë këtyre 10
viteve mbi zhvillimet e gjithmbarshme, e në veçanti ato politike, jo vetëm që
dolën të jenë plotësisht të sakta, por mbeten të pakontestueshme. Kjo flet për
vërtetësinë e shkrimeve dhe interpretimin real të ngjarjeve.
Organizimi i mërgatës
konformë rrethanave të reja
Organizimi i mërgatës nëpër botë është shumë i hershëm dhe
dallon nga vendi në vend, respektivisht nga shpërndarja e saj nëpër shtete dhe
kontinente.
Pavarësisht nga mënyra e organizimit të mërgatës, nëpër
klube apo shoqata, mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në
sensibilizimin e çështjes së Kosovës si në faktorin e brendshëm ashtu edhe atë
ndërkombëtar. Pra mërgata shqiptare ka qenë pjesë e të gjitha levizjeve
pozitive të historisë sonë kombëtare.
Fundi i viteve të '90-ta, kur në Kosovë filluan të shterren
të gjitha mundësitë diplomatike për
zgjedhjen e çështjes së Kosovës në rrugë paqësore, edhe mërgata shqiptare
ndryshoj formën e organizimit të saj.
Të rreshtuar në vijë kombëtare, përkrahën dhe ndihmuan në të
gjitha format luftën për çlirimin e Kosovës; moralisht, materialisht dhe
fizikisht.
Mijëra mërgimtar i lanë vendet e bukura të perendimit dhe ia
mësyen atdheut, për të luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve, ku shumë prej
tyre u vranë dhe sa të tjerë lanë gjymtyrët e trupit në luftën e fundit të
Kosovës me Serbinë.
Mirëpo gjëndja e krijuar pas lufte ka zhgënjyer mërgatën
shqiptare në përgjithësi. Interesat e tyre janë lënë pas dore, u injoruan, u
anashkaluan dhe nuk u përfillen as nga shteti e as nga të gjitha qeveritë e
deritanishme.
Çdo vend e ka qeverinë
që e meriton
Ikja nga vlerat njerëzore e disa veprimtarëve, ka bërë që të
bjerë interesimi i mërgatës për organizim. Keqtrajtimet që iu bëhen mërgatës në
vazhdimësi gjatë kohës së pushimeve, me rastin e nxjerrjes së dokumenteve të
udhëtimit; duke i detyruar t'i kalojnë pushimet pranë sporteleve, dëshmon
mospërfilljen e qeveritarëve ndaj mërgatës sonë.
Por, ende më i rëndë është "sihariqi" (haraçi
legal) që na ofroi shteti dhe të gjitha qeveritë tona duke na detyruar të
paguajmë nga 100 euro për pasaporta dhe 50 euro për leje të njoftimit në emër
të përshpejtimit të procedurave, si dhe "haraqi" që duhet të paguajmë
për të hyrë në Kosovë në emër të sigurimit të veturave, derisa për serbët një
gjë e tillë nuk është aplikuar asnjëherë.
Edhe përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, ky haraq
legal qeveritar kundër mërgimtareve ende vazhdon!
Përkundër vështirësive të shumta të jetës larg atdheut,
shpirtin tonë po e trazon edhe gjendja e krijuar në Kosovë, ku janë krijue dy
shtresa; ajo e të pasuruarve dhe e të varfëruarve të skajshëm.
Në botën e të pasuruarve janë rreshtuar edhe shumë nga
"patriotët" e djeshëm-politikanët e sotëm. Ndërsa në botën e të
varfërve janë radhitur pjesa dërmuese e popullatës; patriot të shumtë dhe me
namë, veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, luftëtarë të UÇK-së, invalid
të luftës, familje të dëshmorëve, etj.
Parregullsitë e politikës shqiptare po reflektohen edhe në
diasporë. Klubet dhe shoqatat që deri dje ishin simbol i unifikimit janë
shndërruar në vende ku bëhet ndarja e shqiptarëve në përkatësi partiake dhe
ideologjike.
Një fjalë e urtë italiane thotë; "Kush nuk di me
qeverisë është uzurpator", por një thënje tjetër italiane thotë; "Çdo
vend e ka qeverinë që e meriton". Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e
krijuar në Kosovë, na del përpara thënja e të madhit dhe të pavdekshmit,
profesorit Fehmi Agani; "Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne
në kohë".
Ky mendim i logjikshëm na obligon të investojmë sa më shumë
që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të
Kosovës, si dhe në shfrytëzimin e kohës, si dhurata më e çmuar që na ofrohet
çdo ditë nga i madhi Zot.
Prandaj si kurrë më parë, tani është koha që të largohemi
nga e keqja që na ka mbërthyer. Të investojmë në angazhimin e shtresës
intelektuale dhe atdhetare, që të dalin në krye të qeverisjes së shtetit, sepse
vetëm në këtë mënyrë qytetarit të Kosovës do t'i kthehet dinjiteti i dikurshëm.
Vendi ka nevojë për ndihmën
tonë
Mirëpo, këtë duhet ta bëjë vetë populli, e jo qeveritë e
huaja që janë të instaluara në Kosovë. Në rrethana të tjera do të mjaftonin më
pak se 10 vite nga çlirimi dhe më pak se 5 vite pavarësi, për të realizuar
ëndërrat e atyre që sakrifikuan për shtetin e Kosovës.
Por nëse vazhdohet kështu, mund të kalojnë edhe 2 dekada të
tjera dhe populli të mos e merrë fatin e Kosovës në duart e veta.
Të mos presim kot. Vendi ynë ka nevojë për ndihmën tonë.
Kombi ynë ka nevojë për qytetarët e vet e jo për matrapaz e karrieristë.
Karrierizmi është kancer i demokracisë, ndërsa matrapazllëku rrëzikon
territorin e vendit dhe vlerat e shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
U mundova të ndryshoj diçka nga përmbajtja e këtij shkrimi,
por ishte e pamundur. I kaluam 12 vite vendnumërim dhe rrethrrotullim boshtit
të (ri)shpalljes së pavarësisë, pa mirëqenje dhe pa asnjë përspektivë
zhvillimore, me katandisje të vazhdueshme të shtetit nga dialogu i pabarabartë
9 vjeçar me Serbinë.
Vërtetë politikanët e papërgjegjshëm kosovarë, pa dallim
ngjyrimi partiak apo ideologjik janë shndërruar në uzurpator të shtetit dhe
thyrës të shpresave të qytetarëve për jetë në shtetin për të cilin pritën gjatë
dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë.
Politikanët e papërgjegjshëm, injorant dhe hipokrit, nga
paaftësia për të qeverisur me vendin dhe egoja për pushtet të pakufishëm janë
shndërruar në uzurpator klasik të shtetit.