| E diele, 19.07.2020, 09:29 AM |
Nuk pritej ky zhgënjim i madh nga politikanët e Kosovës
Nga
Skënder Sadri KAPITI
Pasi
u çlirua Kosova me 12 Qershor 1999, si shumë shqiptarë nga Kosova që jetojmë në
Shqipëri dhe nga diaspora, edhe unë me vëllezërit e mi menjëherë dhe shumë të
përmalluar u kthyem në atdheun tonë, në Kosovë , erdhëm dhe për herë te
pare pamë shtëpitë dhe tokën e nënës dhe e babës të cilët kishin
kundërshtuar regjimin serb të krajlit dhe atë të komunizmit jugosllav dhe për
këtë arësye ata u detyruan që si dëbuar e të
ndjekur erdhën dhe u vendosën në Shqipëri. Sapo mbërrita në Kosovë kam
puthur tokën, dhe më rrodhën lotë
nga gëzimi e mallëngjimi, pasi pas 1 000 mijë vitesh luftë, sakrifica e
qëndresë mbinjerëzore Kosova më në fund fitoi lirinë.
Baba
dhe nëna gjithmonë na rritën me edukimin, me atdhedashurinë dhe me shpresën se
një ditë Kosova do të çlirohej dhe do të bashkohej me Shqipërinë dhe ne do të
ktheheshim atje.
Që
fëmijë zemra jonë ushqehej me shpresën për tu kthyer në Kosovën martire. E kemi
ndihmuar me të gjitha mundësitë tona luftën paqësore dhe atë çlirimtare për
Kosovën se kështu na e patën lënë porosi
prindërit tanë, se kështu na e kishin lënë edukim dhe amanet prindërit tanë të
cilët gjithmonë këtu në Durrës thonin që: mos na daltë shpirti pa shku e u kthy në Kosovë .
Kosova
e vaditur me gjakun e derdhur për liri e pavarësi fitoi lirinë e pavarësinë dhe
u mund e u dëbua njëherë e përgjithmonë barbari serb. Kanë kaluar njëzet e një
vite që nga ajo ditë e madhe e lirisë, por fatkeqësisht Kosova nuk eci në atë
rrugë që pritej dhe as sipas amanetit të
atyre që dhanë jetën e sakrifikuan për lirinë e saj.
Shqiptarët
e fituan Kosovën, Shtetin, lirinë e pavarësinë për t’i gëzuar ato dhe jetën,
por mjerisht politika dhe politikanët e saj e braktisën dhe i harruan vuajtjet, sakrificat dhe mundimin e
herojve, dëshmorëve dhe të tërë popullit shqiptar të Kosovës.
Pabesia,
interesi, pasuria, egoizmi, korrupsioni dhe hajnija e drejtësia politike dhe e korruptuar e kanë prangosur
Kosovën si një okupator e pushtues i ri.
Politika
e politikanët e Kosovës i bënin thirrje dhe më shumë tregonin interes për t’u kthyer në Kosovë kolonët
serbë dhe ata malazez të ngulitur me dhunë në tokat e shqiptarëve që regjimet
serbo-sllave ua kishin konfiskuar shqiptarëve duke i ndjekur e dëbuar ata në Turqi ,Shqipëri dhe nëpër botë,
se sa për kthimin e shqiptarëve në trojet e tyre të babës, nënës e gjyshërve të
tyre.
Shumë
të paktë janë ata të cilët u kthyen nga diaspora pavarësisht kontributit të
madh e të jashtëzakonshën dhënë prej saj
për lirinë e Kosovës, por e keqja e largimit të shqiptarëve sidomos e rinisë
kosovare nga Kosova mjerisht vazhdon edhe sot akoma, por jo prej pushtuesit serb
por prej keqqeverisjes, korrupsionit dhe të hajnisë së politikës dhe të
keqpushtetit në Kosovë. Është fatkeqësi kombëtare që Kosovën e sunduan gjatë
këtyre viteve një elitë politike injorantësh, interesaxhinjsh e matrapazësh,
hajna e të korruptuarish të cilët duke garend e vrapu pas pushtetit, parasë e
pasurisë nuk denoncuan dhe as nuk kërkuan ndëshkimin e krimit e genocidit serb;
nuk kërkuan dëmshpërblim për dëmet që ai regjim kriminal u kishte shkaktuar
Kosovës dhe popullit shqiptar.
Politikanët
e pushtetarët shqiptarë nuk përfaqësuan
elitën e vërtetë intelektuale dhe patriotike të Kosovës,por më shumë
politika në Kosovë ra pre dhe në dorë të servilizmit, injorancës, të
spekulantëve dhe të demagogëve mashtrues e hipokrit të cilët mblodhën rreth
vetes së tyre akrabanë farefisnore e krahinore, “të fortët e të guximshmit” për
të bërë korrupsion e hajni si dhe dhe ishët e ishregjimit titist në
administratë e në drejtësi. Politika dhe politikanët e Kosovës nuk kanë
zhgënjyer vetëm shqiptarët por edhe aleatën e mëdhenj të perëndimit, SHBA-në
dhe BE-në të cilët e çliruan Kosovën.
Politika
e kësaj elite politike të këtyre viteve nuk ngriti dhe nuk ndërtoi një shtet
modern me standarte demokratike, nuk ndërtuan një shtet ligjor ku të sundojë
ligji, por politika e vjetër kapi shtetin , shoqërinë, pasuritë dhe drejtësinë;
i privatizoi ato dhe i përdori politikisht vetëm për interesa personale
pushteti e pasurimi. Sot në Kosovë ka varfëri, papunësi, padrejtësi, korrupsion
dhe nuk ka as besim , as shpresë dhe as pritshmëri te kjo klasë politike se po
punon e do punojë për ndryshimin për në të mirë.
Edhe
në kohën e krizës së pandemisë së koronavirusit, politika e vjetër në Kosovë
shkaktoi puç e krizë politike. Në vënd që të ndëshkoheshin kriminelët serbë të
luftës për krime, genocid e pastrim etnik; sot
nga papëgjegjshmëria e kësaj elite politike u lejua që të ngrihej një
Gjykatë për të akuzuar e dënuar
shqiptarët, viktimat e genocidit serb. Ndërsa Serbia mban në shtetin e
saj troje shqiptare të Sanxhakut dhe Luginën e Preshevës disa politikanë të
Prishtinës por edhe Tiranës ishin dakord që Serbisë t’i jepnin trojet më të
mira e më të pasura të Kosovës. Dhe a nuk janë këto një zhgënjim i madh për
shqiptarët kudo ku ata janë?!