| E marte, 14.07.2020, 06:19 PM |
Një shqetësim i drejtë i Profesorit Thanas Gjika
Nga Prof.
dr. Eshref Ymeri
Disa kohë më parë pata lexuar analizën e
Profesorit me titull “Dy kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të
bashkëjetojnë përgjithmonë” dhe variantin e pasuruar të saj, të botuar
më 13 korrik në portalin “Fjala e Lirë”, me titullin “Në
vend të polemikës me z. Auron Tare”.
Në këtë analizë bie në sy objektiviteti i
vlerësimeve që autori ka bërë për bashkëjetesën e çuditshme të antikulurës
shqiptare, të krijuar nga servilët e regjur të diktaturës së kriminelit Enver
Hoxha dhe të neodiktaturës që e pasoi pas vitit 1990, me kulturën e vërtetë të
krijuesve me dinjitet të lartë kombëtar, të cilët u dergjën burgjeve dhe
kampeve të internimit, apo braktisën atdheun dhe e vijuan krijimtarinë në
Diasporë.
Kjo bashkëjetesë absurde, për të cilën autori
thotë me shumë të drejtë se nuk mund të vazhdojë gjatë, shpjegohet me skenarin
e dhjetorit të vitit 1990, kur në sytë e opinionit publik u shfaq komedia e
gjoja përmbysjes së diktaturës kriminale enveriste, çka ishte një mashtrim i
mbrujtur me kujdes nga krimineli Ramiz Alia, me qëllim përjetësimin e pushtetit
të “egjrës” që la pas krimineli me damkë Enver Hoxha. Shfaqja e asaj komedie
domosdo që do të sillte si pasojë zëvendësimin e diktaturës komuniste me një
neodiktaturë me maskë pluraliste. Prandaj edhe, - siç thekson autori bukur
mirë, - politika në pushtet nuk e dënoi publikisht diktaturën komuniste për
masakrimin dhe varfërimin gjysmëshekullor të popullit shqiptar. Për pasojë,
askush nga ish-përfaqësuesit e lartë të diktaturës nuk i kërkoi ndjesë popullit
shqiptar për krimet e kryera dhe varfërinë proverviale, as partitë politike që
dolën nga gjiri i kriminales Parti e Punës nuk e kërkuan një ndjesë të tillë.
Drejtuesit veteranë të diktaturës komuniste u tërhoqën nga pushteti për të
krijuar përshtypjen e rreme se në Shqipëri u vendos demokracia (në të vërtetë,u
vendos demoshëmtia, e cila ka tashmë disa vjet që po shfaqet në mënyrën më të
neveritshme të qeverisjes së vendit nga një parti e vetmne politike, me në krye
një pinjoll të diktaturës komuniste), me qëllim që të krijonin kushtet për
rikthimin në pushtet të pinjollëve të tyre. Dhe kur ato kushte u krijuan, në
pranverën e vitit 1997 ata nxitën pinjollët në fjalë për t’u hedhur në një sulm
tërbimtar për shkatërrimin e vendit dhe marrjen e pushtetit, shkatërrim që do
të kujtohet si faqja më e zezë në historinë e kombit shqiptar.
Nënkuptohet që edhe krijuesit e botës së
letrave, si kryeservilë dhe servilë të diktaturës, nuk mund të kërkonin ndjesë
për antivlerat që krijuan për publikun shqiptar. I pari që duhej të jepte shembullin
e pendesës publike për të gjithë krijuesit në shërbim të diktaturës, duhej të
ishte Kadarea, i cili në krijimtarinë e vet poetike pati himnizuar lart diktatorin. Libri i shumë
të nderuarit Petraq Kolevica, me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, përbën “pasaportën” e
Kadaresë në shërbim të diktaturës. Po ashtu, opinionit publik dhe sidomos
shtresës së të përndjekurve politikë, veçanërisht krijuesve të talentuar,
viktima të diktaturës komuniste, duhej t’u kishte kërkuar ndjesë i ndjeri Dritëro
Agolli për botimin e Elegjisë së shpifur, kushtuar vdekjes së kriminelit Enver
Hoxha, elegji që është një fyerje e rëndë për mbarë popullin shqiptar, të cilin
krimineli Enver Hoxha e varfëroi deri në përmasa mitike.
Në qëndrimin e Tares ndaj dy figurave të
shquara të kulturës shqiptare në Diasporë, si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj,
nuk ka asgjë për t’u habitur. Tarja është një përfaqësues i zellshën i
trashëgimisë diktatoriale komuniste dhe nuk mund të mbajë qëndrim tjetër ndaj
tyre. Lexuesve të nderuar me siguri iu kujtohet fotografia e Tares, me
automatik në dorë, në krye të bandave të ndërkryera gjatë rebelimit komunist të
vitit 1997. Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi nga zhgarravinat e Tares,
sepse në përballjen me ata dy korifenj të kulturës shqiptare, Tarja dhe
zhgarravinat e tij përfaqësojnë qimen, e cila nuk ngjit dot në kadifenë e
Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt.
Indianapolis, Indiana