| E hene, 13.07.2020, 06:33 PM |
TAKIM ME MBRETIN
Tregim nga Resmi Osmani
Ju
mund të mos e besoni, por unë e takova mbretin.
Ndodhi
ne vjeshtën e pare të motit 1946.
Ende
kalama buzëqumësht, pa mbushur shtatë vjeç, sa kisha nisur klasën e parë të
shkollës fillore. Mësuese Hedija,kish nisur të na mësonte shkronjat e para.
Shkollën e mbaronim para dite dhe më tepronte kohë që të vija ca rrotull. Më së shumti shkoja te të afërmit
tanë, që nuk e dija pse, vendësit me fshatin në fushë, i quanin muhaxhirë. Ndryshe
nga vendalitë, i kishin ngritur shtëpitë në kodër. Kodra ishte e ulët, po mua,
hajde bir, më dukej ku e ku, sikur çikte retë.
Atë
pasdite të vjeshtës së parë, duke u tundur e shkundur, këmbëzbathur, hipur mbi
një kalë të kallamtë, që i grahja: “Hya kalo!” e mbajta frymën, duke lënë prapa
një re pluhuri, te shtëpia e Maliq efendiut dhe nënë Hamidesë. Jo për gjë, se
ata nuk kishin ndonjë të vogël, por andej nuk dilja bosh: një kokërr ftua,
shegë, apo një llokume apo karamele,(që vdisja për to) nënë Hamideja, që ishte
shpirt njeriu, do ta gjente për mua “Jetimin e vogël të nanës”. Le që nga
shtëpia e tyre bëhej goxha sehir. Kodrat vinin varg, pas Shën Marinës, vinte
ajo e Apollonisë, ku thoshin se gjenin trupa mermeri pa kokë dhe koka mermeri
pa trupa dhe plot gjëra të tjera, nga ato që u thoshin antika. Kështu thoshin,
por unë si kisha parë. Në perëndim kur ishte kthiellët dukej fusha gjer larg,
brezi i pishave ku thoshin se azdiseshin hergjele kuaj dhe buaj të egër, dhe
deti që thoshin se ujin e kishte të kripur, ndrinte nën diell.
Kisha
dëgjuar të thoshin, se Maliq efendiu, kishte ikur nga Çamëria Në Turqi, në
kohën e andallaisë (Kuptohet që unë se dija se ç’ishte ajo andallaia, grua apo
burrë!), po Turqia që duhet të ishte vend i çuditshëm, allosoj, siç thoshte
nënë Hamideja, sigurisht gjendej në fund të botës, në filifistun. Kishte
ndënjur shumë vite, por s’i kishte pëlqyer as vendi dhe as njerëzit, që ai i
quante halldupë, dhe kishte ngritur leckat për të ardhur në vatan, në Shqipëri.
Në turqi veç djalit me gruan e parë Mustafait dhe dy vajzave të shpëna, i
kishin lindur dhe dy të tjera, që u kishin vënë emra turq, Gjylyzar dhe Burçin.
Ato ishin gazmore, më donin. Flisnin
edhe turqisht. Vajzën e madhe, Feridenë, e kishin martuar me një kushëri të
nënës sonë(muhaxhirët jepnin e merrnin me njeri-tjetrin). Tri të tjerat, ishin
në moshë martese por, nënë Hamideja thoshte se s’u kishte dale akoma fati.
Ishte zbavitëse kur i shihja të tri motrat që kendonin ca këngë turke, që më
dukeshin të çuditshme e si kuptoja. Gjylyzari i binte dajres dhe këndonte me zë
të ulët: “Karrocieri, karrocieri/namaspasi namaspieri” Hajde merre vesh! Të
trija, të lehta si pupla, kërcenin si shtojzavalle. Nënë Hamideja nuk kishte
lindur djalë, por djali i gjetur, Mustafai, ishte tashmë burrë, mjeshtër zdrukthtar,
kishte hapur dyqan në qytet dhe i kishte dalë zot shtëpisë .
Atë
pasdite, kur hyra në oborr, Burçini dhe Gjylyzari, po fshinin oborrin. Qeni i
shtëpisë lehu dhe u tërhuz në zinxhir. Maliq efendiu, që ishte rënduar nga
mosha, i ulur në një skami nën hije të manit, duke tymosur çibukun, mbështetur
mbi shkop, më tha të mos trembesha se ai ishte nga ata qentë që lehin po s’të
hanë. E përshëndeta. Më ledhatoi flokët dhe më pyeti nëse kisha vajtur në
shkollë.
-Ashtu,
më paç uratën, mos ju ndaj shkollës se të hap sytë e të bën të ditur.
Sa
për tu gjendur në llaf, e pyeta se çpo mendonte.
-Më
paç uratën. Sa më shumë mblidhet litari,e qaset ajo virania, aq më shumë
silloisem për këtë jallane. Brodha dynjanë, nga lind tek perëndon, deri atje ku
piqet buka në diell, po s’ja gjej e s’ja gjej dot fundin. Po lere, e kush ja ka
gjetur që t’ia gjej unë.- Heshti dhe nisi të dremiste, po u kujtua që unë isha
aty dhe më tha- Shko Brenda te e ëma e vashazve (nuk e quante me emër të
shoqen),as ajo atë.
Kur
hyra në odë, nënë Hamideja, ishte ulur në gjunjë dhe kishte hapur sepetin.Ktheu
kokën e më pa.Kishte fytyrë të fisme, lëkurë të hollë e të zbehtë,që kishte
nisur të rrudhej. Me siguri e re kishte qënë e bukur. Nxirte njeri pas tjetrit
ca çarçafë borë të bardhë dhe veshje
trupi të palosura, dhe fuste midis palave tufa trëndeline apo borziloku të
thatë, që teshat të vinin era e mirë.
Nuk më foli dhe vazhdoi në të sajën.Që të më shihte, e pyeta se ç’po
bënte.
-
Po rregulloj pajën.Timen dhe të plakut.Që të ikim në atë jetën tjetër si
njerëz.Se ne me ditë jemi, me sot me nesër. Po ti je I vogël e s’janë punë për
ty këto. Vërtet unë se dija ku ishte ajo jeta tjetër,e pse duhej ajo paja, mbase më larg nga Turqia, që nënë Hamideja po gatitej për udhë.
Fjalët
nga njeri vesh më hynë nga tjetri më dolën, ç’ishte ajo bota tjetër ku ata do
të shkonin? Ec e gjeje në qofsh i zoti!
Nga
fundi i sepetit, nxori një fotografi të madhe dhe e mbajti një copë herë para
vetes. Edhe mua më mbetën sytë atje. Fotografia rrëfente një burrë nga mesi e
lart. Ishte i pashëm. Në krye një si qylaf gëzofi të bardhë me një si shigjetë
nga qime bishtkali, ca sy të mençur, shikim krenar, të hedhur larg, hunda e
drejtë, ca mustaqe të vockla me maja të kthyera përpjetë, me një buzëqeshje të
mezidukshme në cepat e buzëve. Supore me xhufka të arta dhe i mbushur me
shirita të thurur, nga supet në gjoks
dhe në dy anët e gjoksit, nishane të mëdhenj formë ylli me rreze.
Ndrinte i tëri.
Në
fund të portretit, ishte diçka e shkruar, por unë akoma s’kisha mësuar të
lexoja, andaj pyeta:
-Nanë
Hamide, cili është ky burrë?
Ajo
i shkoi dorën mbi fytyrë si të donte ta ledhatonte.
-Babai-
mu përgjegj.
-Pse,
pasha e ke patur babanë ti, nanë Hmide?
-Jo
pasha, mbret!
Nuk
po kuptoja gjë. Babai mbret, dhe hamideja e Maliq efendiu në këtë humbëtirë. Si
në përralla. Ç’të ishte kjo?
-Është
mbreti Zog. Shihe sa i bukur është! Na ka dashur shumë, ne Çamëve, por jo vetëm
neve. Edhe muhaxhirët e tjerë, kosovarët. Kur erdhëm nga Turqia , u kujdes. Na
dha tokë e para për të ndërtuar shtëpinë. Edhe ne e kemi dashur. E ruaj, dhe do
ta mbaj në këtë sepet sa të jem gjall. E mira nuk harrohet. Shihe mirë që ta
mbash mend. Herë tjetër nuk do ta dëftej.
Ky
ishte takimi im me mbretin, që do ta mbaja mend gjatë.
-Po
ç’u bë mbreti?-S’mu durua pa pyetur.
-Iku
nga lufta, kur vendin e zuri Italia, po ti je i vogël e mos pyet për këto
gjëra. Ke për t’i mësuar më vonë.
Hapi
një valixhe që i thoshte karsellë, aty kishte kafe, sheqer dhe karamele. Më dha
ca peta sheqeri të kuq dhe një karamele me mente, më puthi në faqe dhe më tha të shkoja të
lozja.
Kishte
hyrë tetori. Dëgjova të thoshin, që shtëpinë e Maliq efendiut e bastisën i
plotfuqishmi i lokalitetit me dy policë. Kërkonin florinj dhe armë, por në
telashe i kishte futur fotografia e mbretit.
Ngjarjen
ma rrëfeu Gjylyzari: Maliq efendiu ishte zëmëruar nga bastisja dhe u tha se
s’kishte për tu dhënë as morra! Ata e kthyen shtëpinë përmbys. Nënë Hamideja e
tronditur u shkonte pas. Hapën sepetin, shkundën rrobat dhe në fund gjetën
fotografinë e mbretit. Oficeri u tërbua.
-Po
këtë ç’e ke moj shtrigë plakë, e di kush është ky?-ishte kanosur oficeri.
Nënë
Hamideja kishte ruajtur qetësinë.
-Mba
gojën djalë- i kishte thënë- se jam në moshë të nënës sate.- E di, si s’e di.
Është mbreti.
-Përse
e mban? Nuk e di që ai është armik i popullit. Ty nuk të pëlqen pushteti
popullor?- Mos doni tu shpallim kulakë!- I kishte shfryrë oficeri.
-Nuk
e dija që ishte ,as në mënt as në fiqir. Ka mbetur atje në fund të sepetit që
kur na e kanë dhënë, nga koha e mbretërisë.
-Ashtu
hë? Kujt ja thua ato? Na atëherë –dhe e kishte grisur portretin copë e çikë, i kishte flakur çikat në dysheme
dhe kishte shkelur me këmbë.
Si
s’kishin gjetur gjë, ishin kanosur, i kishin shtyrë e pështyrë të dy pleqtë , i
kishin quajtur armiq e tradhëtarë dhe se kjo punë nuk do të lihej me aq, dhe
kishin ikur.
* *
*
Vite
më pas, në orët e historisësë së shqipërisë, mësuesit thanë e ç’nuk thanë për
mbretin, por çuditërisht, mua më dilte parasysh ai takim i parë me mbretin dhe
ajo pamja e nënë Hamidesë që e shihte portretin si të ishte ikonë shenjtori.
Tiranë, korrik 2020