| E hene, 13.07.2020, 07:33 PM |
Kur jeta ideohet si “Dy udhëtarë”
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Libri
i ri me poezi, rrëfenja dhe ese “Dy udhëtarë”,
i poetes Buqa Softa, vjen si një
fllad mëngjesor buzëdetit, në këtë kohë ku “Covid-19” duket se i ka pezmatuar
njerëzit. Por ndryshe ndodh me poeten. Ajo e largon zymtësinë, frikën,
ngushtësinë, nënshtrimin, pesimizmin, dhe provokon një jetë ndryshe. Ajo e
vendos veten në rrethana jetësore ku njeriu duhet të gjejë forcë, kurajë,
drejtimin e duhur, energjitë pozitive, kërkesat reale ndaj vetes, për të ecur
në rrugën e dritës dhe të shijes shpirtërore.
Le të ndalemi te
poezitë...
Në
tërë tematikën e poezisë, autorja përcjell një gamë problematikash, një tërësi
sentimentesh, një analizë jetësore të detajuar, një thirrje njerëzore për
ndryshim, një kërkesë për balanca dhe
ekuilibre të detyrueshme, ku jeta të gjejë vendin e duhur dhe të sjellë
buzëqeshjen tek njeriu. Autorja thur vargje për dashurinë, sinqeritetin,
pabesinë, hipokrizinë, ndershmërinë, virtytet, atdhedashurinë, emigrimin,
dashurinë e madhe për prindërit, fëmijët, për shoqërinë që ka humbur sinqeritetin,
për varfërinë, dyfytyrësinë e njerëzve të veçantë, për sukseset dhe dështimet,
për ligësinë por edhe shpirtin e bukur. Tematika e poezive të saj është e
larmishme, pasi ajo vetë është gjithmonë
në lëvizje, në kërkim të diçkaje të re në pozitë e saj. Ajo është vetvetja dhe
qëmtimet e saj kanë tendencë hulumtimi në çdo ngjarje, situatë, dialog, apo
zhvillim në tërë diapazonin e jetës ku aj është pjesëtare. Autorja në këtë
vëllim i thur himne të bukurës, kritikon të shëmtuarën, kujdeset për anën sociale dhe është kritike me
politikën që është larguar nga problemet
e popullit. Në poezitë e saj ajo herë duket si analiste, herë si sociologe,
herë si psikologe pasi tematika e poezive
e drejton në këto plane jetësore që janë shumë prekëse dhe pikante.
Tonet kritike për varfërinë por edhe korrupsionin si dhe problemet që sjell
politika e mbrapshte përbëjnë një tipar dallues së penës së saj, ku autorja nuk
tremet ta thotë të vërtetën në sy pa dorashka dhe me kurajë të lartë qytetare.
Ka raste që ajo edhe ndihet pesimiste, e lodhur nga problemet e pabesisë,
hipokrizisë, por pena, vargu i saj, sa
kalon furtuna, marrin ngjyrën e ylbertë për ti dhënë jetës ngjyrat që kërkon
për një lartësim shpirtëror.
Rrëfenjat dhe esse-të..
Bukuria
e këtij libri janë rrëfenjat dhe ese-të. Aty ku sheh se poezia nuk arrin shijet
e saj artistike dhe thellësinë estetike, autorja kalon tek këto dy gjini të
vështira për tu lëvruar nga çdo kush. E them me sinqeritet se gjetjet e saj në
këto dy gjini janë, tematikisht shumë pikante, artistikisht me vlera
krahasuese. Më esenë “RROTULLOHU RRETH BOTËS TËNDE”, autorja kritikon falsitetin e disa njerëzve, e disa femrave që
të tërheqin vëmendjen, zhvishen nudo !
Ka njerëz që nuk janë realizuar, nuk kanë arritur sukses, pasi aq i kanë
mundësitë, aq i kanë hapat, logjikën, forcat dhe dimensionet intelektuale dhe
janë këta që kërkojnë me çdo kusht të bëjnë emër. Kjo e bën revoltuese poeten
pasi ajo e thotë qartazi që njeriu duhet të marri atë që i takon, atë që i jep
shoqërisë. Por janë këta njerëz që kërkojnë të pamundurën të pamerituarën dhe
që të bëhen pjesë e reklamës tregojnë lakuriqësinë, përdorin hiletë, hipokrizinë, shtirjen. Janë
këta njerëz që deformojnë rregullat bazë të një shoqërie të pastër demokratike.
Këta njerëz vegjetojnë tek e pavlera në
dëm të së mirës. Ndaj autorja u bën thirrje: Rrotullohuni rreth botës suaj!
Asaj bote të vogël ku jeni rritur dhe mos u bëni pengesë e shoqërisë...
Si përfundim...
Libri
i ri me poezi, rrëfenja dhe ese i autores Buqa Softa është një formatim ndryshe
i krijimtarisë së saj. Një formatim konciz, me një organizim estetik elegant, me një formatim artistik
koherent dhe një mesazh plot optimizëm.
Duke qenë kërkuese ndaj vetes si në jetë dhe në familje, shoqëri dhe profesion,
ajo gjithmonë kërkon të bukurën, optimizmin, dialogun, duke mos u bërë strehë e
pabesisë, hipokrizisë dhe fenomeneve negative të shoqërisë. Krijimtaria për të
është dielli shlodhës ku ajo bëhet pjesë
e asaj shoqërie civile, ku kritika ndaj fenomeneve të shoqërisë është në
plan të parë, pasi vetëm me frymën e revoltës kundër padrejtësive, do kemi një
jetë më të qetë, më të bukur dhe më me ndriçim.