| E diele, 12.07.2020, 03:58 PM |
Me fabrikime nuk shkruhet historia, as nuk kushtëzohet e ardhmja
Gjenocidi
serb dhe dhuna e ushtruar mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha
sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme
Nga
Fetnete Ramosaj
Para
më shumë se gjashtë dekadave përpara Gjykatës ndërkombëtare të Nurembergut
parakaloi tmerri i Luftës së Dytë Botërore: furrat e Aushvicit, gjenocidi,
vrasjet e shkatërrimet në masë. Njerëzimi pa të ndëshkohen përgjegjësit dhe
shkaktarët e luftërave dhe disi mori frymë më lirshëm. Por, gjashtëdhjetë vjet
më vonë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ndodhi e kundërta.
Në
këtë gjykatë nuk u trajtuan vetëm përgjegjësit dhe shkaktarët e luftërave të
përgjakshme në ish-Jugosllavi, por mbizotëruan tendencat e hapëta të drejtësisë
ndërkombëtare për barazimin e krimeve, u trajtuan njëjtë xhelatët dhe viktimat!
E bërja bashkë e xhelatëve dhe viktimave është e papresedan në historinë e
ndarjes së drejtësisë, qoftë ajo edhe drejtësi ndërkombëtare.
Për
habinë e opinionit shqiptar dhe të atij botëror, përpara Gjykatës së Hagës,
ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u përballën me të njëjtat
akuza për të cilat gjykohej deri para vdekjes famëkeqi Sllobodan Millosheviq.
Kjo është njësoj sikur në Gjykatën e Nurembergut, përkrah Rudolf Hesit, Albert
Shpirit, Herman Geringut e të tjerëve, të gjendej edhe ndonjë luftëtar hebre që
nuk kishte pranuar fatalitetin e shfarosjes, por që kishte marrë guximin të
rrëmbejë armët për të luftuar kundër nazistëve.
Dihet
botërisht se Serbia trashëgoi gjithë infrastrukturën ushtarake të
ish-Jugosllavisë, që përbënte forcën e tretë ushtarake në Europë. Me të gjitha
trupat e rregullta ushtarake, policore e paraushtarake, të pajisura me mjetet
më moderne, përfshirë edhe arsenalin luftarak të ndaluar me konventa
ndërkombëtare, Serbia e sulmoi Kosovën për ta pushtuar, duke synuar zhbërjen e
një populli të tërë dhe spastrimin etnik të saj, duke bërë krime e gjenocid të
pashembullt mbi popullin shqiptar. Në anën tjetër, në këtë luftë tejet të
padrejtë e të pabarabartë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u organizua prej
zeros, duke bërë përpjekje mbinjerëzore për mbrojtjen e popullit dhe vendit të
vet nga invadimet shfarosëse serbe. Përkrah liribërësve të Kosovës, për të
ndërprerë spastrimin etnik, gjenocidin dhe masakrat e vazhdueshme të Serbisë
ndaj popullit shqiptar në Kosovë, me të drejtë pasoi ndërhyrja ajrore e
Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s (24 mars 1999 – 10 qershor 1999).
Edhe
pse Serbia luftënxitëse për gati një dekadë e lau në gjak gjithë hapësirën e
ish-Jugosllavisë, duke i shkaktuar katër luftëra gjenocidiale, megjithatë
kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq, falë zvarritjeve të
kryeprokurores Del Ponte nuk u dënua fare nga Tribunali i Hagës. As Serbia nuk
u gjykua për gjenocid.
Kemi
parë se në rastin e Kosovës, gjatë dy proceseve gjyqësore, kryeprokurorja Del
Ponte, vazhdimisht ka cituar shpifjet e zyrtarëve serbë, tamam si të ishte një
kryeprokurore e Serbisë e jo e një Tribunali Ndërkombëtar. Më vonë zyrtarët
serbë filluan të citojnë Del Ponten. Aq lëmsh i bënë punët sa nuk dihet më kush
kë citon, nuk dihet ku fillojnë e ku mbarojnë shpifjet e gënjeshtrat e
Beogradit, as ku fillojnë e ku mbarojnë shpifjet e Del Pontes, janë bërë një.
Mbase këto qëndrime të koordinuara vijnë pas marrëveshjes së fshehtë të
ish-kryeprokurores Carla del Ponte, të bërë me ministrin e jashtëm të Serbisë,
Goran Svilanoviq, në maj të vitit 2003, për të fshehur krimet që do të
dëshmonin gjenocidin shtetëror të Serbisë. Lidhur me këtë marrëveshje, pos
tjerësh, ka shkruar gjerësisht gazeta "New York Times" në maj të
vitit 2007.
Ish-bashkëpunëtorët
e ngushtë të Del Pontes (siç është rasti me prokurorin në procesin kundër
Millosheviqit, Geoffrey Nice), dëshmojnë se Carla del Ponte krye në vete i ka
ngritur aktakuzat kundër shqiptarëve. Këtë nuk e ka bërë pse ka pasur fakte,
por për të tërhequr paralele për barazimin e krimeve, për t'ia bërë qejfin
Serbisë apo "për të mos iu hidhëruar Millosheviqi". Dhe për këtë i ka
pasur duart e lira, pa mbikëqyrje as nga Haga as nga Nju Jorku. "Carla Del
Ponte ka ndihmuar për t'i fshehur implikimet e shtetit serb në krimet e luftës.
Punën e saj nuk e ka kontrolluar askush, as në Hagë as në Nju Jork, që është
diçka e paimagjinueshme për drejtësinë ndërkombëtare", ka thënë
ish-prokurori Nice.
Është
e çuditshme se si Carla del Ponte, në mungesë të provave e të fakteve, ka
tentuar së tepërmi ta fyejë dhe ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ta
njollosë popullin shqiptar përgjithësisht. Në vitin 2008, vetëm pak kohë pas
shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e ditur dështimin e turpshëm e të
pashmangshëm në rastin "Haradinaj dhe të tjerët", njëkohësisht me
paralajmërimin për shpalljen e verdiktit të trupit gjykues, për të tërhequr
vëmendjen mediale, Del Ponte, tashmë kur nuk ishte më kryeprokurore në Hagë,
doli me librin e saj skandaloz e me prirje raciste, "Gjahu: Unë dhe
kriminelët e luftës", të shkruar në bashkëautorësi me Chuck Sudetiqin, ku
shpif tmerrësisht rrejshëm kundër UÇK-së. Dhe, për një person, si Del Ponte, që
gjithë profesionin e vet ia ka kushtuar gjetjes së dëshmive, është skajshmërisht
e çuditshme se në librin e saj, ajo nuk ofron asnjë dëshmi për pohimet e saj,
vetëm merret me thashetheme e fabrikime.
Shpifjet
e tmerrshme të Carla Del Pontes "për tregtinë e shqiptarëve me organet e
serbëve të rrëmbyer", proserbët nxituan t'i materializojnë. Kështu, të
njëjtën ditë, Televizioni Shtetëror Rus, në terminin qendror të lajmeve (më 6
prill 2008), shpifjet e Del Pontes i ilustroi madje edhe me pamje televizive!
Por, pamjet ishin nga kampi i përqendrimit në Prijedor të Bosnjës, kurse
boshnjakët nga Bosnja e Hercegovina që mbaheshin në këtë kamp, u prezantuan si
serbë nga Kosova!
Në
atë kohë, akuzat kurrë të argumentuara të ish-kryeprokurores së dështuar të
Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, se shqiptarët e Kosovës kanë nxjerrë dhe
trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë, ish-bashkëpunëtorja e saj e
afërt, Florence Hartmann i ka quajtur "të papërgjegjshme dhe
jodinjitoze". "Del Ponte nuk ka as provën më të vogël për një trafik
të mundshëm organesh që u janë marrë të burgosurve nga luftëtarët e Kosovës.
Ajo po na zhyt sot në orët më të errëta të propagandës", ka nënvizuar
Hartmann, për gazetën zvicerane "Le Temps", të datës 16 prill 2008.
Njëkohësisht
edhe Haga zyrtare menjëherë nxitoi të shkëpusë çdo qëndrim të vetin nga
deklaratat e papërgjegjshme të Del Pontes, duke nënvizuar se edhe për këtë
institucion hamendësimet e saj janë krejt të pabaza.
Përderisa
Del Ponte, në njërën anë, merret me pohime absurde dhe me shpifje ekstremisht
të paqëndrueshme kundër shqiptarëve, në anën tjetër, derisa ishte në postin e
kryeprokurores, çuditërisht, i mënjanoi, i injoroi dhe i shkatërroi dëshmitë
akute të krimeve të tmerrshme që bënë forcat serbe mbi shqiptarët, të cilat
dokumentonin krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Del Ponte i amnistoi kriminelët serbë, mbi të
cilët rëndojnë qindra vrasje e masakra kolektive, djegie e dhunime, plaçkitje e
shkatërrime në masë, gjoja në këmbim të dhënies së deklaratave kundër
luftëtarëve të UÇK-së!
Ideologu
serbomadh Dobrica Qosiq, vite më parë do të konstatonte: "Gënjeshtra është
formë e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë natyrore. Ne gënjejmë
në mënyrë krijuese, fantastike, inventive". Dhe këtë konstatim, krahas
krimeve e gjenocidit të tmerrshëm e dëshmuan katërcipërisht edhe gjatë dhe pas
luftës në Kosovë dhe luftërave të tjera në ish-Jugosllavi.
Derisa
ishin në gjah për mbledhjen e dëshmive të rrejshme, për të materializuar
shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar dhe të Del Pontes, në qershor të
vitit 2009, në Çagllavicë, Policia e Kosovës, në një rast, arrestoi në
flagrancë tre oficerë të shërbimit sekret serb BIA: Igor Juçinac, ish-pjesëtar
i SHPK-së deri në vitin 2007, Millutin Radanoviq dhe Predrag Zhelkoviq. Më pas
ishte arrestuar edhe vëllai i njërit nga tre të arrestuarit (vëllai i Igor Juçinacit),
Gligor Juçinac, zyrtar i lartë i stacionit policor të Shtimes, për shkak se e
kishte kërcënuar me vdekje njërin nga dëshmitarët e këtij rasti (të kombësisë
boshnjake).
Siç
dihet, këta pjesëtarë të BIA-s serbe u akuzuan të kenë nxitur familjarë të serbëve
të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të bërë dëshmi të rrejshme me
qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve
njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën prej 100 deri në 300
mijë euro për një deklaratë. Agjentët e shërbimit sekret serb – BIA, deklaruan
se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguan shteti. Në
"dëshmi" të tilla thirret Dick Marty.
Mirëpo
edhe përkundër provave të shumta kundër këtyre oficerëve të BIA-s, të mbledhura
me kujdes gjatë disa muajve nga Policia e Kosovës, më 12 shkurt 2010, në
seancën kur aktakuza ndaj tyre duhej të merrte formën e prerë, që të katërt u
liruan pa zhurmë mediale nga një gjykatës i EULEX-it.
Ngjashëm
ndodhi edhe në rastin e serbit Goran Vuçkoviq, nga fshati Gorosellë i komunës
së Prizrenit, i arrestuar në gusht të vitit 2009, sipas dyshimit të bazuar në
dëshmi të shumta të bashkëvendësve të tij (të kombësisë boshnjake) se gjatë
viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte dhe ka qenë pjesëtar i grupit terrorist
serb "Dora e Zezë" dhe njëri ndër personat kryesorë që kanë
shkatërruar muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por, Vuçkoviq, vetëm disa
ditë pasi u dërgua në paraburgim, përkundër dëshmive, u lirua nga EULEX-i. Atë
para hyrjes së burgut të Prizrenit, e priti të dalë nga paraburgimi
ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Sllavisha Petkoviq, i cili e shoqëroi deri
në Serbi.
Paramendojeni,
vetëm një person është dënuar për masakrën e Raçakut, dhe atë vetëm për një
vrasje dhe dy tentim-vrasje. Ai është polici serb, Zoran Stanojeviq, nga fshati
Gracë e Vjetër i Lipjanit, i dënuar me 15 vjet burgim. Stanojeviq, sapo u
transferua nga Kosova në burgjet e Serbisë, u lirua nga burgu me dekret të
veçantë të presidentit serb Boris Tadiq. E të mos flasim për dhjetëra raste të
ikjes së kriminelëve serbë, në mënyrë të organizuar nga burgu, apo mosdënimin e
dhjetëra të tjerëve edhe përkundër dëshmive të shumta.
Del
Ponte, Marty e ndonjë tjetër si ata, nuk është se nuk e dinë adresën e vërtetë
të kriminelëve, por është e habitshme se si tentojnë t'i ngatërrojnë ato. E
dinë mirë adresën e trafikantëve të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë,
e dinë se viktima të këtij krimi ishin ekskluzivisht shqiptarët. Ka dëshmi të
bollshme, të ofruara madje edhe nga ata që ishin pjesëmarrës në këto krime të
tmerrshme se gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhës së
bombardimeve të NATO-s, vetëm në Spitalin e Prishtinës, dhjetëra pacientë
shqiptarë (kryesisht fëmijë e të rinj), pasi u janë nxjerrë organet e brendshme
janë zhdukur pa gjurmë. Madje, Del Ponte ka dëshmi se me automjetet e Kryqit të
Kuq të cilit shtet mik të Serbisë janë transportuar organet e shqiptarëve nga
Spitali i Prishtinës. Ajo e di edhe destinacionin e tyre. Del Ponte dhe
Prokuroria e Hagës posedon dëshmi të mjaftueshme për eksperimentet e bëra me
civilët shqiptarë në vend të minjve, në bodrumet nëntokësore të VMA-së në
Beograd, ku robërve shqiptarë u janë marrë edhe organet e brendshme.
Gani
Shala nga Ruhoti i Pejës, është vetëm njëri nga ata që kaloi nëpër rrathët e
ferrit serb. I plagosur rëndë, u zu rob nga policia serbe, në Bishtazhin të
Gjakovës, më 28 janar 1999. Sapo e zunë, policët serbë e qëlluan edhe me tre
plumba në këmbë. Maltretimet dhe torturat çnjerëzore që ushtroi policia serbe
mbi Gani Shalën në spitalin e Gjakovës, edhe në prani të vëzhguesve të OSBE-së,
atëbotë tronditën mbarë opinionin vendor e ndërkombëtar. Ganiu u torturua
sërish në Burgun e Pejës, të Pozharevcit, të Dubravës, por torturat më mizore
iu bënë në Spitalin e Burgut Qendror (CZ) në Beograd, ku, së pari e konvertuan
me dhunë në fenë ortodokse dhe e pagëzuan me emrin "Llazar".
Dymbëdhjetë muaj e gjysmë e kanë detyruar me dhunë të bartë kryqin sllav.
Kryqin ia kishin vizatuar edhe në gjoks. Ndërkaq në gusht të vitit 1999,
tentojnë t'ia marrin njërën veshkë, njëherë duke i thënë t'ua japë veshkën në
këmbim të shërimit, por pasi nuk pranoi, për më shumë se dy javë e rrahin e
maltretojnë derisa detyrohet me dhunë të pranojë kërkesën e tyre, madje siç
thotë, të japë jo njërën por të dyja veç t'u japë fund torturave. Por,
çuditërisht, Ganiu shpëton pa ia marrë veshkën vetëm pse ishte pjesëtar i
UÇK-së! Shpëton falë këmbënguljes së gruas së pacientit serb, e cila e kishte
marrë vesh në momentet e fundit nga Ganiu se kishte qenë pjesëtar i UÇK-së. Ajo
nuk pranoi që burri i saj, një gjeneral serb i plagosur gjatë luftimeve në
Mitrovicë, të bartte veshkën e një pjesëtari të UÇK-së!
Është
e pamohueshme se gjenocidi serb dhe dhuna e ushtruar mbi popullin e Kosovës ka
përmasa shumë më të mëdha sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e
deritanishme. Dihet botërisht se forcat pushtuese serbe në përpjekje për të
zhdukur dëshmitë dhe gjurmët e krimeve të luftës, qindra shtëpi anekënd Kosovës
i shndërruan në krematoriume, ku i dogjën trupat e shqiptarëve të vrarë, e disa
edhe për së gjalli. Veç tjerash, qindra trupa të burrave, pleqve, grave e të
fëmijëve, pasi i thërrmuan në mullinjtë që përdoreshin për të thërrmuar
mineralet i dogjën në shkritoret e Trepçës, të tjerët i dogjën edhe në
termocentralet e Obiliqit. Djegie të organizuar të trupave të shqiptarëve të
vrarë pati edhe në shkritoren e Borit, në hekuranën e Smederevës e të
Maçkaticës në Serbi. Një gjë e tillë u bë pasi që dy kamionë frigoriferikë
përplot me kufoma të shqiptarëve (prej fëmijëve 3-muajsh deri te pleqtë
90-vjeçarë) u zbuluan në ujërat e Danubit e të Peruçacit në Serbi. Mu në zemër
të Serbisë në disa varreza masive në Batajnicë e Petrovo Sello, u gjetën qindra
mbetje të trupave të copëtuar të shqiptarëve, nën poligonet e njësive speciale
të policisë dhe ushtrisë serbe.
Varreza
të tjera masive me trupa shqiptarësh vazhdojnë të gjenden në Serbi, e Beogradi
zyrtar vazhdon të tallet. Do të përmendim këtu varrezën masive në Rudnicë, në
afërsi të Rashkës, ku ka dëshmi se gjenden trupat e mbi 250 shqiptarëve të
Kosovës. Keni parë si tallet Serbia tash tri vjet me këtë rast? Keni parë se si
nuk lejojnë gërmimin tamam në vendin e saktë të varrezës? Keni parë si tallen
me varrezën masive me trupa shqiptarësh në Medvegjë? Keni parë si e ndaloi
presidenti serb Tadiq, procesin e hetimit të dy varrezave masive në Maqedoni,
afër lumit Lepenc në afërsi të Bllacës? Keni parë se si vitin e kaluar kaloi në
heshtje gjetja e varrezës masive në Dobërqan, bri magjistrales Gjilan-Bujanoc,
pikërisht në vendin ku gjatë luftës ishte postblloku i Ushtrisë Jugosllave, e
shumica ishin eshtra fëmijësh?
Masakra
në Burgun e Dubravës
Kur
bëhet fjalë për krime e gjenocid, nuk mund të lihet pa përmendur Masakra në
Burgun e Dubravës, e kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë. Në vitin 2006,
lënda e masakrës së Dubravës, kinse për "thjeshtësim procesi" (edhe
ashtu vetëm shkarazi ishte përmendur në aktakuzë) u hoq fare nga aktakuza e
Tribunalit të Hagës kundër ish-zyrtarëve të lartë të Serbisë, Millan
Millutinoviq, Nikolla Shainoviq, Dragolub Ojdaniq, Vlladimir Llazareviq,
Nebojsha Pavkoviq dhe Sreten Llukiq, të akuzuar për krime lufte në Kosovë .
Ngjashëm ndodhi edhe me lëndën e masakrës së Raçakut dhe atë të Padalishtës, që
janë dëshmitë më të prekshme të gjenocidit shtetëror serb në Kosovë. Heqja e
këtyre masakrave nga aktakuza e Tribunalit të Hagës kundër zyrtarëve të lartë
serbë dhe mostrajtimi i një varg masakrave të tjera, që i kryen forcat serbe në
Kosovë, lë hapësirë për dyshim të bazuar të përdorimit të kuteve të ndryshme
për "ndarjen" e drejtësisë dhe njëanshmëri të shprehur dukshëm në
favor të Serbisë kriminale nga ky institucion ndërkombëtar.
Janë
të identifikuar 184 të burgosur shqiptarë të vrarë në Burgun e Dubravës dhe
rreth 200 të tjerë të plagosur rëndë, në mesin e mbi 1 000 të burgosurve
shqiptarë, të cilët Qeveria e Serbisë i solli në Dubravë nga të gjitha burgjet
e Serbisë. Po në këtë burg, me urdhër të qeverisë serbe, përkatësisht të
Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, një javë para masakrës, u zhduk pa gjurmë
mr. Ukshin Hoti, që tashmë kishte përfunduar vuajtjen e dënimit në tërësi.
Pos
kësaj, familjarëve të të burgosurve të ekzekutuar në Burgun e Dubravës, kufomat
e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rakosh, jo larg lokalitetit të
burgut, në dëshmitë përcjellëse që u janë dhënë nga UNMIK-u bashkë me kufomat e
të vrarëve të identifikuar, si vend i vrasjes figuron emërvendi
"Rakosh", e si datë e vrasjes muaji "gusht 1999". Si të
tilla këto fletëdëshmi janë të pavlefshme për ngritjen e çfarëdo akuze. Po
ashtu u zhdukën dhunshëm edhe gjurmët e masakrës brenda lokalitetit të burgut.
Çuditërisht,
më 15 tetor 2010, edhe Prokuroria serbe për krime lufte në Beograd, pranoi se
masakra mbi të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës është kryer me urdhër
të Qeverisë së Serbisë. Bazuar në dokumentet zyrtare, Prokuroria serbe thotë se
masakra është bërë me urdhër të ministrit të atëhershëm serb të drejtësisë,
Dragolub Jankoviq, dhe zëvendëskryeministrit të Republikës Federale të
Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
Është
shumë e çuditshme se si një fakt i tillë, për një masakër kaq të tmerrshme siç
ishte masakra në Burgun e Dubravës, kaloi në heshtje, duke mos e zgjuar as
interesimin e Prishtinës zyrtare as të institucioneve ndërkombëtare. Vetëm
rasti Dubrava mjafton që Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Me
përgjegjësi e them se asnjë qeveri jona në Kosovën e pasluftës, nuk e ka bërë
detyrën e vet sa u përket zhvillimeve gjatë luftës, nuk ka ndërmarrë asgjë për
dokumentimin e krimeve të luftës. Asnjë prej tyre në këtë drejtim nuk ka bërë
përpjekje t'i mbrojë interesat e vendit dhe të qytetarëve të vet, qofshin ata
të gjallë apo të vdekur, gjë që e kanë obligim shtetëror e kushtetues.
Personat
e pagjetur nga Kosova padrejtësisht u lanë të trajtohen si "çështje
teknike" e Beogradi edhe më tutje vazhdon t'i përdorë për presione politike,
edhe pse mbi pesë mijë të zhdukur janë gjetur në territorin e Serbisë. Serbia
duhet ta dijë se nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje
e fabrikime në llogari të shqiptarëve, qofshin ato fabrikime të përsëritura
edhe nga Del Ponte apo Marty. Familjarëve të të vrarëve serbë, Serbia duhet
t'ua thotë të vërtetën për rrethanat, kohën dhe numrin e pjesëtarëve të forcave
serbe, të vrarë në frontet e luftës në Kosovë, pasi që deri më tani, asnjëherë
para opinionit serb nuk e ka bërë publike të vërtetën për Kosovën, nuk i ka
bërë publike humbjet reale që pësoi gjatë luftës në Kosovë. Asnjëherë nuk e ka
dhënë numrin e saktë të dëmeve në njerëz që ka pësuar gjatë luftimeve. Dhe nuk
është larg mendsh se një numër jo i vogël kriminelësh serbë, që figurojnë në
listat e të zhdukurve pas luftës, duke qenë të njoftuar saktë me dëshmitë e
dhëna në UNMIK kundër tyre dhe duke e ditur se një ditë mund të ndiqen
penalisht si të dyshuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, sapo janë
vendosur diku në Serbi, e kanë ndërruar identitetin dhe janë shpallur të
zhdukur në Kosovë.
Përderisa
kriminelët serbë me çdo kusht tentojnë t'i shmangen ndëshkimit, në anën tjetër,
zërat e mijëra të vrarëve e të masakruarve shqiptarë kërkojnë drejtësi. Nëse
krimet mbi popullin shqiptar për dhjetë vjet "i ka harruar" bota, ne
si shqiptarë nuk kemi guxuar t'i harrojmë. Sepse, nuk janë thjeshtë statistika
të parëndësishme, janë njerëz të vrarë e të masakruar, të djegur e të bërë
shkrumb, janë njerëz me varre e pa varre..., janë njerëz që u është marrë jeta
padrejtësisht, janë njerëz që kërkojnë shpagim e jo hakmarrje, që historia e
dhimbshme të mos na përsëritet. Janë njerëz që nuk harrohen!
Dihet
botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare
ka imponuar "një ligj të pashkruar", për minimizimin dhe mohimin e
krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, me të gjitha
mjetet është përpjekur të shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin
serb në Kosovë.
Ushtaraku
norvegjez Josef Martinsen, autor i dy librave për luftën në Kosovë ("Puset
e Vdekjes" dhe "Çka ngjau në
Kosovë, 1998-1999"), që menjëherë pas luftës në kuadër të misionit
ndërkombëtar (UNMIK) ka asistuar në projektin e nxjerrjes së kufomave të
shqiptarëve nga puset (bunaret), është njëri nga ata që dëshmon me fakte se
Serbia kreu gjenocid në Kosovë, por UNMIK-u, arriti t'ia heqë këtë njollë
Serbisë, duke i fshehur gjurmët e krimeve masive dhe individuale ndaj
shqiptarëve. Shumë prova u fshehën dhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga
UNMIK-u. Ai deklaron se shqiptarët nga dikur viktima, propaganda serbe dhe ajo
e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t'i shohë shqiptarët si viktimizues
e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes
së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë askush nuk
kërkoi llogari deri më sot.
Askush
më shumë se shpifjet e Del Pontes dhe Dick Martyt s'e ka dëmtuar imazhin e
Kosovës dhe të shqiptarëve
Askush
më shumë se shpifjet e Del Pontes (që janë kryekëput shpifje të Beogradit) nuk
e ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në këto tri
vitet e fundit. Institucionet zyrtare të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë bërë
gabim të pafalshëm që për këto shpifje të rënda nuk e quan në gjyq Del Ponten.
Por, kanë bërë gabim të pafalshëm edhe që nuk janë përpjekur fare për
dokumentimin e krimeve të tmerrshme dhe të gjenocidit që kryen forcat serbe në
Kosovë.
Njëkohësisht,
gati tri vjet më vonë edhe anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të
Europës, zviceranit Dick Marty, i njohur tradicionalisht për përcaktimet e tij
antishqiptare, i njohur si kundërshtar i haptë ndaj fushatës ajrore të NATO-s
kundër Serbisë e kundërshtar i haptë i pavarësisë së Kosovës, iu dha hapësirë
që edhe njëherë, jo në bazë të fakteve e të dëshmive, por të shpifjeve e
fabrikimeve të Beogradit, të shokojë opinionin ndërkombëtar me riciklimin që u
bën shpifjeve të Beogradit e të Del Pontes, duke na e dëmtuar rëndë imazhin si
popull.
Dik
Marty para se të shkonte në Rusi për të trajtuar hapat e mëtejmë rreth raportit
të tij tendencioz, në një intervistë dhënë gazetës zvicerane "NZZ am
Sonntag" doli e tha se "nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa
u ballafaquar me të kaluarën".
Në
praktikën më se dhjetëvjeçare institucionet ndërkombëtare, qoftë edhe nëpërmjet
tipave të Martyt, në njërën anë kanë tentuar të la e shlyejnë kujtesën, të na
bëjnë të harrojmë krimet e gjenocidin serb, por në anën tjetër kanë tentuar të
na damkosin si popull pa të drejtë, dhunshëm kanë tentuar të barazojnë xhelatët
e viktimat. Ta sqarojmë njëherë e përgjithmonë historinë e luftës çlirimtare
(1998-1999). Nuk guxojmë ta lëmë edhe më tej të na përcjellë si damkë njolla që
na e vunë pa të drejtë Del Ponte e Marty. Nuk guxojmë t'i lëmë në harresë
krimet dhe gjenocidin serb.
Bashkësia
ndërkombëtare dhe institucionet e vendit duhet të rishqyrtojë qëndrimin e
deritashëm kundrejt Serbisë, duhet t'ia bëjë të qartë se jo gjithmonë krimet që
i bëjnë mbi popujt tjerë shpërblehen me territore të reja. Qeveria e Kosovës
duhet t'u thotë jo bisedimeve me Beogradin, derisa Serbia të mos i pranojë
krimet dhe gjenocidin që e bëri mbi shqiptarët, derisa Serbia të mos pranojë të
përgjigjet për krimet dhe dëmet e luftës, derisa Serbia vazhdon të mos na njohë
si shtet të pavarur.
Sa
i përket njerëzisë dhe humanitetit nuk ka asnjë popull në botë që mund të
krahasohet me ne shqiptarët. Historikisht nuk është shënuar asnjë rast kur
shqiptarët të kenë bërë krime të organizuara ndaj popujve të tjerë, kushdo
qofshin ata. Si popull vetëm jemi tkurrur, jo në fatkeqësinë e të tjerëve, por
gjithmonë në fatkeqësinë tonë. Po të përmendim një fakt: gjatë Luftës së Dytë
Botërore, shqiptarët ishin i vetmi popull që i mbrojtën e ndihmuan hebrenjtë.
Kosova dhe Shqipëria janë shembull unikat, ku jo vetëm që nuk u vra asnjë
hebre, por numri i tyre u dyfishua. E sa i përket nxjerrjes apo trafikimit të
organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, edhe miopët më të mëdhenj e dinë se
për një gjë të tillë nuk kanë ekzistuar gjasat minimale, as teorike, as
praktike.
Dhjetor 2010
(Autorja është autore e dy vëllimeve të librave "Krimet
serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve (shqip/anglisht),
botuar më 2005 e 2008).