| E premte, 10.07.2020, 09:00 PM |
Pjesa e dytë: Auron Tare: PROVAT PËR MARTIN CAMAJN SI AGJENT I UDB-SË, DO I MARR KUR TË HAPEN DOSJET E BEOGRADIT
Nga
Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s
për Euro-Azinë
Një
ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave
në të ashtuquajturin “studim”, “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe
botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku. Në
atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të
autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe
koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver
Hoxhës. Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u
paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në
dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar
kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë
provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare?
Mbrëmë
në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s,
Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që
provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të
tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra. “Ti nuk ke
ndonjë dokument të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e
pyet Nano. Tare: “Po, kur të hapet ajo e
Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë intervista në
programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të
hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy
shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe
“kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të
drejtë për ato që pretendon. Ata që mund
ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe
përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare. Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares
çdo 2-3 minuta me Nano-n, duke e pyetur, “Jemi dakort?”, duke u siguruar për
miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte. Tare as nuk e lejonte Nanon të
bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të
balanconte pak intervistën e njëanshme ndaj deklaratave absurd të Tares, por
Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste. Një propagandë aq e fëlliqët, sa edhe
neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit
shqiptarë. Është e qartë se me këto
pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe
është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara dhe të përhapjes së
urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje
midis nesh për 50-vjet komunizëm dhe 30-vjet të ashtuquajtur post-komunizëm,
megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po t’i krahasosh me
periudhën e regjimit të Enver.
Shpresoj
që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre
shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur në shtyp dhe
në televizion dhe rrjedhimisht të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares
dhe portalit “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës. Diçka nuk është në rregull me botën tonë
shqiptare sot. Kohë më parë ishte rasti
i dyshimeve të hedhura nga disa qarqe për identitetin e familjes së Gjergj
Kastriotit Skënderbeut, pastaj u ngritën pikëpyetjet mbi identitetin e Nënë
Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe
Martin Camaj. Pas tyre kush e ka
radhën? Fishta? Konica? Klerikë të dalluar katolikë, si individë ose
si grup? A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste sit ë thuash në
koncert njëra pas tjetrës dhe kush mund të fshihet pas tyre? Pothuaj, pa përjashtim, përdoren individ
shiqptarë të medias ose akdemikë për të përhapur dyshime. Pse u turren njerëzve
më të dalluar të këtij Kombi me shpifje e mundohen për t’i paraqesin në dritën
më të keqe që është e mundur? Cila dorë e huaj ka gisht këtu dhe pse tani në
këtë kohë? Në interes të kujt është që
të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët
bëjnë punën e të huajve në këtë mes? Nuk
është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve, anë e mbanë
trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania? Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj
situate? Ku është qeveria dhe organet
shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku
janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e
vërtetë të Kombit?
Mos
vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar dhe e personave që e kanë berë atë
histori, të shkruhet dhe të interpretohet gjithnjë nga aparatçikët dhe
nostalgjikët e një sistemi të kaluar dikatorial e kriminal, shpifës dhe
urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit. Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit,
të mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve? Kush i mbron interesat dhe identitetin
kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan,
pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare, mbrenda
dhe jashtë Atdheut. Ndryshe nga akuzat
shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot,
më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptare, si Martin
Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo
luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije
vëllaznore”. Martin Camaj i bën thirrje
sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por
pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e
meriton këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos
përhapë shpifje dhe urrejte midis shqiptarëve:
“Avitu,
njeri! Afrohuni shqiptarë!
Nga
palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
Si
bima prej fare në pranverë”.
Është
kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i
poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve
edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike,
personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë
shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte
aspak i kënaqur.
Është
një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet,
regjimi komunist ia “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare
për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje
për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe urrejtjesh dhe
shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e
Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai, në mërgim, të priste qelia e
burgut ose dënime të tjera të rënda.
Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i
lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të
shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e
bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu
asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre
të gjatë. Përkundrazi, është shprehur
Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e
rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë
Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të
letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në
çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh
veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare.
Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit të llojit
të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të
merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail
Kadareja, një person, “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një
lartësi që iu siguronte pavarësinë. Ka
kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës
shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë
Kadare. Katrahura, të cilës i referohet
Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.
Fatkeqësisht,
“katrahura shqiptare”, siç pohon edhe “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare
nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale trillimesh — është ndoshta më e
theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit. Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të
cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të
Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë,
pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me
të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt
nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me
vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin,
fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera. Me gjithë këto përvoja të këqija personale,
Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin
komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe
të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë
jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të
origjinës të parëve të tij. Megjithë
vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se
prapë, nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e
mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli. Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai
kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e
Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë, ku edhe u anëtarësua në
radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991.
Duke
komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i
bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”, si
shqiptarë. Në një letër dërguar Lidhjes
së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar
atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë,
me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe
mbarë popull shqiptar. Ndonëse të ndamë
për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian
Klosi në një shkrim për të më vonë, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar
Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin
1992.
Në
këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija,
Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët tu,
për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike
ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat.
“Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh
nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre
shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e
di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.” Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi,
Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që
shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e
gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.
Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi
ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë
tonë dhe banorët e saj, por ama, mbi të gjitha, është e papranueshme që si
individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike,
shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një
gjaku. Kjo është pafalshme dhe
anti-kombëtare. Megjithëkëtë, si një
bashkkombas me origjinë nga ato male të harruara e të shtypura të Shqipërisë,
nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me ‘të në fisnikërinë e lashtë
të malësorëve që ai posedonte, duke u bërë thrirje shqiptarëve për bashkim,
para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”! Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes
dhe shpifjeve!”