| E enjte, 09.07.2020, 05:59 AM |
FLETËRRUFEJA KUNDËR ERNEST KOLIQIT DHE MARTIN CAMAJT
Nga
Frank Shkreli
Miqtë
e mij mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për
Ernest Koliqin dhe Martin Camajn.
Pikëspari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi
veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në mërgim por edhe të
tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës
si tradhtarë dhe kolaboracionistë -- gjatë Luftës së dytë Botërore dhe
menjëherë pas Luftës II si dhe gjatë luftës së ftoftë 1945-90. As rruga drejtë zyrave ku Tare thotë se i ka
“zbuluar” dokumentet, nuk është aq e pa njohur për të tjerë individë të
interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga
të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin. Gjithashtu, në këtë shkrim nuk ka asgjë të re
mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vet Koliqi
dhe Camaj nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë -- të dhëna këto disa
prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre.
Unë
kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin
disa herë gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970
dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim.
Asnjëri as tjetri, kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre
publike ose zyrtare, përfshirë bashkpunimin me agjencitë perçendimore për të
rrëxuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Kështuqë,
shkrimi “Dritëhije në histori” megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të
botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë as origjinal. Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në
lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë si dhe mbi rolin e diasporës
shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist
të Enver Hoxhës. Ata që nuk kanë hequr
gjë nga ai regjim --siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i
ideve të tija -- mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Evropë ose në Amerikë
në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes
tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimi komunist,
Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar madje edhe me vdekje ose dërguar në kampe
përqendrimi të afëtmit tuaj, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë
regjim. Nuk do punonit ju me perendimorët
për të rrëxuar atë regjim, duke i ditur krimet e tija kundër popullit të vet
dhe familjeve tuaja – për të bashkpunuar,pikërisht, me këta perëndimorë të
cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?
Këto
punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës. E vërteta është se ajo ishte një periudhë e
luftës së ftohtë kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me
diasporën shqiptare por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara,
nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në
Evropën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi
ndërkombëtar. Duke lexuar shkrimin në
fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për
“tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit,
Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar
nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të
ditëve të fundit. Ky artikull i gjatë –
i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si
fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit – por për nga mesazhi definitisht
është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest
Koliqit dhe Martin Camajt – por, fatkeqësisht, ndodhë jo në kulmin e luftës së
ftohtë, por në kohën e sotëme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit
– në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate
“imperialiste” ushtarake e botës perëndimore që strehoi kundërshtarët e
komunizmit, si Koliqat edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga
komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime
për antarësim në Bashkimin Evropian.
Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Aron
Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të
djallëzuar në pikëpamjet e tyre.
Botimi
i shkrimeve të tilla – siç duket në vijim –pasi botuesi premton pjesën e dytë
së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën
enveriste dhe krimet e saja duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin
enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që
bredhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa përspektivë. Më thoni zotërinjë të ndershëm, nëqoftse ju
ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen
e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e
tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin
kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Marin Camaj?
Mua
nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim fletërrufe nuk
mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave
shqipe. Po të mund të bëhej një gjë e
tillë do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk
do ia dalin as Auron Tare me shokë.
Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më
shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre aq më e fortë bëhet mbështetja
për ta dhe për veprat e tyre.
Por
gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptarë anë e mbanë trojeve tona dhe në
diasporë është ajo që vihet re si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri --
madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike për të krahasuar
xhelatin me viktimën – me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist
të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë
kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi
e Camaj – kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të
fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të
minimizohet.
Ernest
Koliqin, ashtu siç e njoha megjithse për një kohë të shkurtër, nuk do të
shqtesëohej për hiç për shkrimin e Tares.
Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetdijshëm për
efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij
patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e
këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet.
Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit me 3
dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, I shpreh këto
ndjenja:“Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28
Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë,
jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji
zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem
mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund
edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit.
Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa
dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të
sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë
si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë,
dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej
Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e
kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij
patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka
shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe
anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore — si “tharm rilindjeje” që
çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i
pavarur dhe demokratik. Në bashkpunim me
aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë
jo si evropianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien
thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në
zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore
baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten.
Ndryshe nga auron taret e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua
të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkpuntorin e tij të
ngusht në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe
viteve të gjata në mergim.