| E premte, 07.11.2008, 12:44 PM |
Armir Shkurti: Vështirësia më e madhe është të kalosh dyert e administratës. Ju e keni vënë re se mediave u serviret ushqim i përtypur
“Fiksi” mbetet i vetmi emision investigativ i guximshëm
Nga Albert Zholi
Një nga gazetarët e mediave vizive dhe asaj të shkruar më aktivë. Për 18 vjet ushtron më shumë humorin ndaj dhe stacioni i fundit i tij si profesionist përkon me stafin e emisionit “Fiks Fare”. Me qetësinë e tij të zakonshme ai rrëfen gjithë historinë e rrugëtimit nëpër gazetat dhe televizionet, rrugëtim mbushur me surpriza, ankthe, debate, presione, por dhe fitore.
Kur ka filluar të shkruajë humor Armiri?
Në të vërtetë më parë se të shkruaj (apo ndoshta edhe njëkohësisht), kam nisur të interpretoj humor diku nga klasa e katërt fillore e më tej, shumë rregullisht që nga klasa e pestë e në vijim. Pra humorin e kam nisur fillimisht si aktor dhe si redaktor i pjesëve, të cilat i interpretoja. Do të thotë se çdo rol e kam ndryshuar dhe përshtatur për ta nxjerrë sa më të përpunuar në skenë
Në bankat e shkollës kur keni hedhur germat e para të krijimtarisë, keni bërë poezi, fabul, skicë apo humor?
Nëse rima a bejtet mund të quhen poezi, le të themi se e kam nisur me vargje gallatë, humor shoqërie.
Ju falënderoj shumë që më jepni mundësinë të flas për këtë pikë, sepse ndjej një borxh të pashlyer ndaj një njeriu që e zbuloi e përpunoi dhe u përkujdes për një kohë shumë të gjatë, jo vetëm për talentin, por për të orientuar rrugën time drejt artit dhe për të më kultivuar me një edukim goxha profesional të artit skenik. Ai quhet Skënder Thaçi. I përket brezit të vjetër të skenës, bashkëkohës i Kadri Roshit, Lazër Filipit dhe gjithë atij grupi pasionant që bëri teatër në këtë vend. I ndjeri Skënder është mësuesi i qindra aktorëve profesionistë e amatorë, një zotëri i vërtetë që më të madhin qëllim në profesionin e tij kishte t’u jepte gjithçka nga dija, aftësitë dhe përvoja e tij të tjerëve në emër të artit dhe skenës. Është mëkat që figura të tilla, pas vdekjes mbeten thjesht në kujtimin e të afërmve apo në mirënjohjen dhe respektin e atyre që i rrethuan.
Keni punuar në disa lloj mediash, ku e ka ndjerë veten më mirë Armiri në televizion apo në gazetë?
Në televizion, pa mëdyshje. Televizioni është pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime, njëkohësisht edhe pasion.
Ku është ndryshimi midis gazetarit të shtypit dhe atij viziv?
Shkencërisht, 70% e informacionit merret përmes syve, kështu që, me një punë të kujdesshme me figurën, ke mundësi të ndërtosh një informacion të saktë, të besueshëm, profesional dhe njëkohësisht edhe të këndshëm e pse jo edhe argëtues. Një gazetar profesionist duhet të jetë i aftë të zbërthejë informacionin dhe temën përmes figurës dhe këtë figurë ta plotësojë me një tekst të thjeshtë, sa më të përqendruar e të kuptueshëm. Ndërsa gazetari i shtypit të gjithë këtë punë duhet ta bëjë vetëm përmes fjalëve dhe një a dy fotove
”Fiks Fare” një emision special që tërheq gjithë shqiptarët në ekran, si lindi bashkëpunimi juaj me këtë emision?
Me Fiksin bashkëpunimi ka nisur herët. Unë kam qenë një nga dhjetëra shikues që sinjalizoja Filipin për ndonjë monitorim a dukuri që ma merrte mendja se mund të trajtohej tek “Fiksi” dhe askund tjetër. Kohë më vonë Filipi më ftoi të punoj brenda Fiksit, gjë që e pranova me shumë dëshirë. Prej 6 vjetësh mbetet i vetmi emision investigativ, kaq i guximshëm dhe jokonformist në mediat shqiptare. Kësisoj është nder të jesh pjesë e tij.
box
Vështirësitë e ”Fiks Fare”
Vështirësia më e madhe është të kalosh dyert e administratës. Ju e keni vënë re se mediave u serviret ushqim i përtypur. Kamerat thirren nëpër konferenca shtypi ku shpallen vetëm fitoret, sukseset dhe programet e bujshme për zhvillimin e vendit. Që të marrësh informacionin që i vyen publikut, aty fillon edhe ferri. Për orë të tëra gazetarët e Fiksit detyrohen të bëjnë “duel intelektual” me rojet a policët në dyert e institucioneve, të cilët detyrohen herë të gënjejnë e herë të hakërrehen për të mos lënë gazetarin të kapërcejë pragun. Pasi kalohet me të mirë a me të keq roja, të
harrova bodigardët. Edhe ata janë forcë e madhe! Besoj se kjo është vështirësia më e madh, sepse nuk varet nga ne. Të tjerat kapërcehen shumë më lehtë pasi fryma brenda Fiksit, dëshira për punë, pasioni, këmbëngulja e mbi të gjitha detyrimi që kemi ndaj publikut si emisioni më i shikuar dhe i kërkuar prej tij, na jep energjinë për të kaluar çdo vështirësi. Nuk mund të lë pa përmendur edhe “gjeneratorin” Filip. Si i fundmi i brezit të humoristëve dhe njeri me energji të papara nuk të lë ai të ulësh ritmin edhe sikur të duash.
A ndjeheni nën trysni nga individë apo segmente të politikës?
Posi! Sikur të mos e kishim këtë trysni ne nuk do të kishim asnjë motiv të bënim “Fiksin”. Por këtë trysni nuk e ndjejmë tek “Fiksi sepse deri më sot nuk ka dalë ende ndonjë burrë të guxojë ta bëjë. E ndjejmë në jetën e përditshme i çdo shqiptar.
Çfarë është më primare tek një gazetar apo krijues, shkrimtar, talenti apo puna?
Anjshtajni ka thënë se “imagjinata është më e rëndësishme se dija”. E kur e thotë këtë një gjeni i shkencave të sakta, imagjino se sa e rëndësishme është kjo në krijimtari. Ndërsa në mëdyshjen mes talentit dhe punës, unë besoj më shumë tek puna, megjithëse formula fituese është talent plus shumë pasion herë punë.