Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Teksti i keq

| E diele, 05.07.2020, 08:20 AM |


Teksti i keq

Nga Edison Ypi

Librat, gazetat, revistat, me tekste si proces verbale magazinash, po u ulërasin njerzve; Mos mu afro !

Teksti duhet të jetë i lirë, këta ja thyejnë këmbët, ja këpusin duart, ja nxjerrin sytë, ja ndalin zemrën, ja thithin gjakun.

Teksti duhet të jetë i ndjerë, këta e bëjnë prej druri.

Teksti duhet të jetë i thellë, këta e bëjnë të rrafshët.

Teksti duhet të jetë i ndershëm, këta e nakatosin me zilitë që kanë për njëritjetrin.

Teksti duhet të kafshojë, këta, në emër të gjoja etikës, ja shkulin dhëmbët.

Teksti duhet të jetë i plotë, këta ja thyejnë brinjët, e lenë tul, pa kockë, pa palcë.

Teksti duhet të jetë i gjallë, këta e godasin me biçak në fyt, me grusht në kokë, me thikë në zemër.

Teksti duhet të pëlqehet nga sa më tepër dhe sa më larg, teksti i këtyre nuk udhëton dot më larg se deri tek ca kushërinj, ca nipër e mbesa, që gjithmonë u thonë; Ua sa bukur e paska bërë.

Teksti është i pafundëm dhe i pavdekshëm. Teksti i këtyre, sapo lexohet, mallkohet, pështyhet.

Teksti e ka fituar parajsën qëkur është shpikur. Turpi, përkohësia, u përkasin atyre që shkruajnë keq.

Ti që shkruan keq nuk ke lidhje me Frymën, talentin, energjinë, hovin e dridhshëm të dashurisë për njerëzit, natyrën, stilin që ushtrohet përmes leximeve, vullnetin që ta kalitin udhëtimet, përkushtimin që ta ndez gjakun, mëshirën që ta zbukuron shpirtin, përunjësinë që ta afron Qiellin.

Mos e përdhos tekstin. Mos e ndot faltoren, mos e prek tempullin. Mbaji të shenjta. Nëse s'mundesh, hiq dorë.

Ti që shkruan keq, thua me vete; Ç'ësht gjith' ky merak për tekstin ?! Unë bëj tekst të mirë. S'bëhet hataja edhe po e bëra ndonjëherë të keq.

Jo o edpsëz i tekstit, jo. Të shkruarit keq nuk është një nga të këqijat. Të shkruarit keq është një e keqe tepër e madhe me pasoja fatale mbi shumçka. Aq fatale, sa kur ndonjë ditë Zoti do kujtohet për Shqipërinë, i tmerruar nga teksti i tyre katastrofik, me zë gjëmimtar ta dëgjojë e gjithë bota, do j'u ulurasi shqiptarëve; Nuk ju dua. Shporruni. Shkruani keq.