| E shtune, 04.07.2020, 07:08 PM |
UNË, “ARMIKU I POPULLIT”!?
Nga
Frank Shkreli
Në
shtator të vitit 2018 isha në Shqipëri për të marrë pjesë në promovimin e tre
vëllimeve të librit tim, “Demokracia Nuk Pret”, por kisha vendosur që të mos
largohesha nga Tirana pa vizituar Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e
ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 (AIDSSH). Autoriteti, i themeluar në bazë të
një ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015, është i hartuar,
kryesisht, në bazë të modelit të ligjit gjerman mbi regjistrat e Stasit,
ish-policisë sekrete të Gjermanisë Lindore komuniste, “Me përgjegjësinë për
mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit
të Shtetit dhe informimin në lidhje me to…”.
Vizita
ime në zyrën e AIDSSH, dy vjetë më parë, ishte një përvojë e veçantë, ku pata
nderin dhe kënaqësinë të takohesha me Kryetaren e AIDSSH, Zonjën Gentiana Sula,
me anëtarin e Autoritetit, Zotin Simon Mirakaj dhe me zyrtarë të tjerë të atij
enti. Kryetarja Sula dhe ndihmësit e saj më ofruan mua dhe bashkshortes një
pritje tepër miqësore dhe plot respekt. I falënderoj të gjithë ata,
veçanërisht, për gatishmërinë dhe ndihmesën që më ofruan, me atë rast, në
procesin e aplikimit për nxjerrjen e dosjes që kishte përgatitur për mua ish-
Sigurimi i Shtetit gjatë sundimit të regjimit komunist.
Vizita
tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991
përfundoi pas aplikimit, falë ndihmës së stafit të Autoritetit,për hapjen e
dosjes time, brenda një periudhe të shkurtër, dosje të cilën, natyrisht, e
lexova me vëmendje, por që pothuaj asgjë nuk më habiti nga ato që kishte
brenda.
Dokumentimi,
identifikimi dhe hapja e dosjeve për individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë,
është një objektiv me rëndësi i punës së përditshme të Autoritetit. Më vonë,
gjatë një vizite që stafi i AIDSSH bëri në Nju Jork, më sollën -- në disk --
kopjen e dosjes time personale të përgatitur nga Sigurimi i regjimit komunist
të Enver Hoxhës.
Sipas
renditjes në listën e emërtimit të dokumenteve që përmban dosja ime prej 60
faqesh, duket se interesimi i Sigurimit të Shtetit rreth meje kishte filluar
aty nga viti 1984-85 kur unë kam qenë Shef i Shërbimit shqip të Zërit të
Amerikës dhe ka zgjatur deri në datën 20 Mars, 1991, kur është mbyllur, që
është pikërisht dita që unë dhe tre anëtarë të Delegacionit të parë të Departamentit
Amerikan të Shtetit kemi zbritur në Tiranë për hapjen e ambasadës dhe për të
marrë pjesë në zgjedhjet e para pluraliste, nja një javë pas nënshkrimit në
Washington të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis
Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Dihet
se gjatë gjithë historisë së tij, Zëri i Amerikës ishte ferrë në sy për
regjimin e Enver Hoxhës dhe për Sigurimin e Shtetit, sidomos gjatë viteve të
1980-ave, kulmi i Luftës së Ftoftë dhe i lëvizjeve pro-demokratike në Evropën
Lindore, sidomos në Poloni, që filluan me lëvizjen e punëtorëve polakë,
Solidarnost dhe që u përhap më vonë anë e mbanë Evropës Lindore, përfshirë
Shqipërinë, në vitin 1990.
Dosja
e Sigurimit më përshkruan sikur të isha dy metra i gjatë, i rrezikshëm për regjimin
komunist po se po, pasi konstatohet, gabimisht, se unë, “Si zevendës drejtor në
Drejtorinë për Evropën Lindore në Departamentin e Shtetit, Frani ka në
mbikqyrje edhe Zërin e Amerikës në terësi”, duke shtuar se, “Nga të dhënat del
se Frani është mjaft i aftë dhe i specializuar në drejtim të vendit e njeri
mjaft i besuar i amerikanëve”, duke lenë të nënkuptohet se si i tillë, mund të
jetë edhe i rrezikshëm. Prandaj në dokumentin sekret të datës 4 -6-87 bëhet
thirrje që,
“Bazuar
në sa sipër dhe me qëllim për të zbuluar e mësuar veprimtaritë dhe detyrat që i
janë ngarkuar e kryen në drejtim të vendit tonë në fushën politike,
propagandistike, studimore e subversive sipas orientimeve të Departamentit të
Shtetit e zbulimit amerikan”, vendoset që, “Fran Shkreli të merret në përpunim
aktiv”,
ndërkohë që vendimit për të “zbuluar veprimtarinë armiqësore të Fran Shkrelit”,
i bashkangjitet edhe “plani përkatës i masave agjenturoro-operative” prej nja
14-pikash kundër meje.
Në
një dokument i përfshirë në dosje, kërkohet që “për zbulimin e veprimtarisë së
objektit në vendin ku jeton kundër vendit tonë… të mendoni dhe na propozoni për
masa presioni e demaskimi ndaj objektit që do të ishin më me efekt për ta
larguar atë nga veprimtaria armiqësore kundër vendit tonë, e për ta demaskuar
në radhët e emigracionit “shqiponjas”, arbëreshe e shqiptare, si spiun i të
gjitha vendeve ku kaluar etj.”. Unë, poli-agjent, mos ma çoni gazin bre!
Duket
se Sigurimi ishte i konfuzuar me të dhënat, pasi nga qëllimi për të më shpallur
poli agjent për veprimtarinë kundër regjimit, në një dokument tjetër thuhet se
sipas një burimi, “Fran Shkreli është me qendrim të mirë” ndaj Shqipërisë dhe
“nuk
lejon që ndokush të flas keq për të”. Madje në të njëjtin dokument thuhet se ai
“dëshiron të vizitojë Shqipërinë, por mendon se nuk do ti lejohet kjo gjë,
ndoshta nga qeveria jonë, por mendon që edhe amerikanët mund të mos e lejojnë”.
Në të njëjtin dokument të datës 19.12.1989, ndërkohë që duket se në Tiranë po
diskutohej mundësia për marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, oficeri
raporton se sipas një burimi, “Frani ngul këmbë në bindjen e tij se vendi ynë
do të afrohet e lidhë marrëdhënie me Amerikën, gjë që po ndodhë, ai e vlerëson
si hap shumë të zgjuar diplomatik të qeverisë tonë”, thuhet në dokumentin në
fjalë.
Në
një letër drejtuar operativit resident të Sigurimit në Nju Jork i kërkohet që
për të ndjekur gjithë veprimtarinë time “armiqësore” në punë dhe në familje, të
angazhohen të pakën gjashtë veta, të cilët identifikohen vetëm me numra, njerëz
që sipas të dhënave në dosje, “më njohin mirë” mua, sepse sipas një dokumenti
tjetër në dosje, “Nga analiza e të dhënave rezulton se Fran Shkreli… është
mjaft aktiv kundër vendit tonë”, e që “ndiqet nga ana juaj në përpunim 2A”,
(grupi i të akuzuarve për agjitacion e propagandë) -- i shkruan nga “pozita”
një agjent i Sigurimit një agjenti tjetër, jo më heret se me 25 tetor, 1989,
d.m.th. më pak se dy javë para shembjes së Murit të Berlinit. Është interesant se ndërkohë që komunizmi në
Evropën Lindore po jepte shpirt, Sigurimi i Shtetit Shqiptar ishte I angazhuar
në ndjekjen e personave si unë. A nuk e shihnin a po nuk donin ta shihnin
furtunën anti-komuniste që po vinte – fillimin e mbarimit të komunizmit!
Bazuar
në dosjen që kam në dorë, megjithëse jetoja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, jo vetëm që ndiqesha nga Sigurimi i Shtetit komunist të Enver
Hoxhës për veprimtari armiqësore por sipas një “Ekstrakti” sekret në dosjen
time të Sigurimit të Shtetit thuhet se, “Frani ndiqet edhe nga organet e
shërbimit të sigurimit të shtetëror jugosllav për veprimtari kundërshtare dhe
për ketë ushtrohet masa e kontrollit dhe e vezhgimit…”. A mos vallë punonin së
bashku këto dy shërbime të Sigurimit secret ballkanas?
Në
një dokument tjetër sekret -- që përmban dosja – dokument i lëshuar në Tiranë
me datën 3/8/90, vetëm një vit para rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike
midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, udhëzohet “Rezidentura e Nju
Jorkut” që, “Problemi i Fran Shkrelit të ndiqet me përparësi dhe me shumë
kujdes”.
Fatbardhësisht,
ky urdhër i Sigurimit që unë të ndiqem “Me përparësi dhe kujdes” nuk u zbatua,
ose më mirë të themi nga rrethanat botërore u hodhë në koshin e plehrave të
historisë, atje ku përfundoi edhe komunizmi shqiptar dhe ai ndërkombëtar me
shembjen e Murit të Berlinit.
Dosja
prej 60-faqesh – pjesa më e madhe me të dhëna të gabuara ose pa kurrfarë vlere
për një shërbim sekret inteligjence, mbyllet me një dokument sekret i datës 20
Mars, 1991, i titulluar “Autorizim”, me nënshkrimin e Zëvendës-Ministrit të
Punëve të Brendshme, Veip Proda, sipas të cilit: “Autorizohet p.op. Islam
Seferi, efektiv i degës dytë të Drejtorisë Parë, të tërheq nga Drejtoria e
Tretë dosjen 2A të objektit Frank (Frano) Gjeto Shkreli, i cili vjen në vendin
tonë si përfaqësues i ambasadës Amerikane në Tiranë.”
Dokumenti
i fundit në dosje ku jepet autorizimi për tërheqjen e dosjes time në të njëjtën
ditë që kisha arritur në Tiranë me delegacionit e Deprtamentit të Shtetit.
Fatbardhësisht,
dhe falë nderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe punëdhnësit tim –
qeverisë federale të Amerikës për 30-vjet – unë nuk kisha asnjë problem gjatë
asaj kohe me askend, por nga dosja e Sigurimi të regjimit komunist të
Shqipërisë del se Sigurimi i Shtetit debatonte se si të merrej me “problemin”
që paraqiste për ta Frank Shkreli. Nuk di se ku e paskan pasur hallin pasi
jeta, veprimtaria dhe puna ime ishte, siç thonë amerikanët një “open book”, një
jetë aq publike dhe transparente sa nuk ishte nevoja që regjimi enverist komunist
i Tiranës dhe as ai sllavo-komunist i Beogradit – të harxhonin buxhetin e
shtetit dhe të keqpërdornin fondet nga mundi dhe djersa e popujve të tyre të
varfër, për të punësuar agjentë spiunë për të ndjekur mua ose edhe shumë të
tjerë si unë, në punë të vet, jashtë vendit, duke punuar për familjen. Për
veten time, ndryshe nga shumë informacione falso të Sigurimit të përfshira në
këtë dosje – për 30-vjetë në Washington, vërtetë se unë kam punuar në detyra të
ndryshme, por gjithmonë për të njëjtën organizatë – Zërin e Amerikës dhe në të
njëjtën ndërtesë në kryeqendrën e këtij enti në Washington. Po të kishte ardhur
ndonjë agjent ose spiun i Sigurimit para derës së ndërtesës ku punoja në
Washington, do ishte bindur se unë nuk përbeja asnjë rrezik për askend. Do më
kishte parë çdo mengjes duke hyrë aty dhe çdo mbrëmje duke dalur prej aty për
të shkuar në shtëpi pranë familjes. As nuk iu fshehja kujt as nuk kisha frikë
askend --as Sigurimin e Shtetit komunist të Enver Hoxhës dhe as Sigurimin
Shtetëror Jugosllav UDB-ën, sepse nuk kisha asnjë arsye që t’i kisha frikë –
isha në punën time.
Jam
matur për një kohë të gjatë nëse të përmend publikisht këtë dosje të Sigurimit
ose jo dhe kisha vendosur të pres pak. Nuk e di se pse. Me thënë të drejtën
mora guxim dhe frymëzim të flas për këtë dosje -- pa hyrë shumë në hollësi
rreth përmbajtjes së saj -- nga vizita që bënë të martën në Shkodër zyrtarët e
lartë të AIDSSH, përfshirë Kryetaren Genta Sula, ku kishin shkuar për t’i
dorëzuar personalisht Dom Gjergj Simonit dosjen e tij të Sigurimit.
https://www.facebook.com/starplustelevision/videos/2999185286845880/UzpfSTE
zNTg2MTMzOTQxOTEyODA6MzI2NDc3Njk1MzU3NDkwNQ/
Mora
guxim, por mora edhe frymëzim prej Dom Simonit, për mënyrën se si e pranoi
dosjen e tij të Sigurimit me një mesazh publik, si i dënuar dhe i burgosur nga
regjimi komunist, për poezitë që kishte shkruar dikur. Thashë me vete hapja dhe
pranimi i dosjes, është në të vërtetë një dëshmi, që për mirë a për keq, duhet
të ndahet me të tjerët, të shërbejë si një subjekt për krijimin e një atmosfere
për dialog mbi të shkuarën komuniste të Shqipërisë. Për mirë, se me hapjen e dosjeve na jepet
mundësia që me njohjen me këto dosje, ose me vet ekzistencën e tyre, ndoshta
ndërgjegjësohemi si individë, por më shumë edhe si shoqëri, për të kaluarën e
një regjimi diktatorial kriminal, nën të cilin Kombi shqiptar ka pasur fatin e
keq të jetonte për pothuaj një gjysëm shekulli. Hapja e dosjeve të Sigurimit
mund të konsiderohet nga disa edhe si një dëshmi e keqe ose të pakën si diçka
që nuk na bën të ndihemi mirë, ndoshta për arsyen se shumica e atyre që kanë
dosje ose familjarët e atyre që mund të kenë shkuar në atë jetë tanimë, presin
ende – përtej hapjes së këtyre dosjeve – zbardhjen e së vërtetës dhe duan
drejtësi për ata vet dhe për viktimat e komunizmit, në përgjithësi. I dashur
lexues, kjo është edhe arsyeja që unë po i ndaj këto rreshta me ju për
ekzistencën dhe për hapjen e dosjes time të Sigurimit të Shtetit komunist
shqiptar, si një përpjekje, ashtu siç shpresojmë të gjithë, madje edhe 30-vjet
pas shembjes së Murit të Berlinit -- për një fillim të ri për Kombin shqiptar--
duke reflektuar për të kaluarën dhe duke shpresuar për një të ardhme të re më
të mirë – ku shpresojmë që e kaluara komuniste të mos jetë më objekt ndarjesh e
përçarjesh midis shqiptarëve, as sot dhe as në të ardhmen! Unë jam i bindur se
konfliktet politike dhe gjëndja e përgjithëshme aktuale në Shqipëri në 30-vjetë
post-komunizëm, përfshirë problemet me sistemin juridik, janë pasojë e drejtë
për drejtë e mospajtimit dhe e mostrajtimit të krimeve të komunizmit, ashtu siç
kanë bërë shumica e vendeve ish- komuniste në Evropë. Duam ose nuk duam ta
pranojmë, mos përballja serioze e klasës politike shqiptare me të kaluarën
komuniste, vazhdon të jetë një barrë e rëndë për të ardhmen e lirisë dhe të
demokracisë së vërtetë në Shqipëri.