| E premte, 07.11.2008, 12:19 PM |
Jorgo Papingji: Deri më sot unë kam shkruar 600 këngë për fëmijë, ndoshta mund ta ketë kaluar pak si statistikë
Këngët për çamërin më kanë mrekulluar
Nga Albert Zholi
Është një nga personalitetet më të vlerësuara të muzikës shqiptare. I njohur për autorësinë e teksteve, ai ka vënë vulën e talentit të tij mijëra këngëve të bukura shqiptare duke ruajtur origjinalitetin e vargut shqip. Një karakteristikë që e bën që kënga e krijuar prej tij dhe përcjellë nga zërat më të dashur të interpretimit të shoqërohet në mënyrë gati-gati të padiskutueshme me suksesin. Sepse populli e di dhe e vlerëson poetin që e lëmon gjuhën dhe kulturën shqipe me mjaltën e traditës kombëtare. Në këtë intervistë poeti tregon shumë aspekte të jetës së tij private që pazgjidhshmërisht lidhen me atë që di të bëjë më mirë, fushën e poezisë ku ka krijuar emrin e tij të lakmueshëm….profesionet e tij që gjithnjë e kanë evidentuar për të dalë në krye….
Një bashkëpunim shumë i suksesshëm i juaji është ai me këngëtaren çame Enkelejda Alushi. Si erdhët tek ky bashkëpunim?
Fare natyrshëm. Isha në një koncert ku po kërcehej vallja e bukur çame, ose siç njihet vallja e Osman Takës. “Është një valle që kur e kërcen, koka të shkon në tavan” siç e përshkruan Dritëroi i madh. Më rrëmbeu kjo valle, më rrëmbeu shqetësimi i popullatës së kësaj krahine, që lufton pareshtur për të drejtat e saj. Ky rrëmbim më duket sikur më tha: merr penën dhe shkruaj. Pra më foli vetë pasioni, vetë tema, kënga. Pasi krijuesi nuk mund të bëjë gjë kur i thotë vetes: “sot do të shkruaj”. Shkruhet vetëm atëherë kur vargjet të thërrasin vetë. Pastaj nisi një bisedë e thjeshtë midis meje dhe Enkelejdës, ku u hodh ideja e këngës së parë dhe kaluam në veprim. Kisha kohë që lexoja historinë e krahinës së Çamërisë. Një histori në kufijtë e pabesueshmërisë. Kisha njohuri për këtë krahinë martire, por kur biseduam për këngën fillova ta studioj më shumë. Kërkoja detaje.
Në mënyrë që kënga të dilte e plotë, të kishte mallin, ndarjen, largimin e dhunshëm,lënien pas të shtëpisë së braktisur, vëllezërve dhe motrave të vrarë.
Çfarë pikasët si të veçantë tek kjo këngëtare?
Së pari ajo është çame, ka shumë të përbashkëta me vajzat tipike të kësaj krahine. Zërin, temperamentin, portretin, elementë që trashëgohen dhe nuk mund të jenë të rastësishme tek një njeri. Jo të gjitha këngëtaret e mira mund t’i këndojnë këngët çame. Enkelejda ka një dashuri të madhe për vendin e të parëve. Në bisedat me të, habitesha, se si prindërit ia kishin ngjizur këtë dashuri. Rrallëherë mund të gjesh femra që flasin me kaq pathos dhe dashuri për vendlindjen e të parëve, që nuk e kanë parë asnjëherë por që e ruajnë në kujtesë nëpërmjet kujtimeve dhe bisedave të prindërve. Të njëjtat karakteristika ka dhe djali i xhaxhait të saj Hysni Alushi. Kushdo që dëgjon këngëtarët çamë i spikat ato menjëherë. Kanë vokal të veçantë, por dhe muzikën, gjithashtu.
Po bashkëpunimin me kompozitorin Edi Balili kush e inicioi?
Është një bashkëpunim që ka nisur prej kohësh. Edi Balili ka një njohje të mirë të këngës popullore. Për fat ai ka gjak çam kështu që ishte më afër gjetjes së veçorive të muzikës së mirëfilltë të kësaj krahine. Ka në gen nota dhe muzikë të asaj treve. Ky kompozitor ka krijuar profilin e tij në kompozimin e këngëve popullore dhe është ndër më të suksesshmit në treg. Është punëtor, studiues, ka intuitë dhe kërkesa me shije.
Mund të thuhet se Papingji në këto dy tekste ka derdhur majat e talentit të tij?
Çdo tekst ka të veçantat e tij. Por duke pasur parasysh se flitet për një histori të dhimbshme lexuesi, apo dëgjuesi krijon mendimin se këto tekste janë nga më të spikaturat. Ato janë të tilla brenda të veçantës së jashtëzakonshme që kanë.
Aktualisht me se merret Jorgo Papingji ?
Po përgatitem për tekstet e disa këngëtarëve të njohur të cilët kanë pak kohë që janë shkëputur nga piaca e këngës, nga CD-të dhe kanë dëshirë të rikthehen me shumë pretendime. Këngëtarët e mëdhenj është e vështirë të rikthehen me të njëjtat parametra ndaj duhet një punë e madhe nga të dyja palët këngëtari dhe autori i tekstit dhe kompozitori. Janë emra të dëgjuar Bashkim Alibali, Aurela Gaçe, Valbona Halili dhe Pajtim Struga. Por kam një impenjim tjetër madhor sepse po punoj për disa tekste të Festivalit në Radio Televizion. Festivali është evenimenti më i madh i muzikës së lehtë shqiptare të fundvitit, eveniment, ku marr pjesë prej 35 vjetësh si pjesëmarrës i rregullt dhe fitues i shumë çmimeve. Ndaj nga viti në vit po rris përgjegjësinë ndaj vetes,kërkesat në raport me kohën dhe pjekurinë time krijuese.
Ndërkohë që keni lidhur kërthizën me festivalin kombëtar jeni një nga penat e forta dhe në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër? Si jeni ndjerë në Festivalin e sivjetshëm?
Ashtu si në Festivalin e RTSH-së edhe në Festivalin e Fëmijëve kam 35 vjet. Kam marrë 27 çmime. Tashmë dhe ky festival është në kërkim të formave të reja. Por sigurisht që Festivali i Fëmijëve ka natyrë dhe bukuri tjetër. Fëmijët janë të mrekullueshëm. Zërat e tyre janë si cicërimat e zogjve që të relaksojnë. Festivali organizohet në kuadër të festës së 1 Qershorit, festës së fëmijëve dhe bota e tyre mbetet jashtë politikës, halleve dhe shqetësimeve të të mëdhenjve. Bota e tyre është e mbushur me fantazi, ëndrra, muzikë dhe lodra. Festivali i sivjetshëm përbënte një risi. Unë sërishmi zura çmim dhe kërkesat për vitin e ardhshëm kanë ardhur që tani.
Meqë ra fjala të ndalemi pak tek fëmijëria juaj. Si lindi tek ju dëshira për të krijuar deri sa arritët në këto kohët e sotme të jeni protagonist i shumë krijimeve?
Sot mund të deklaroj se kam pranë vetes shumë fëmijëri. Fëmijëria më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës së rritjes sime. Më duket vetja sa plak aq edhe fëmijë. Dhe këtë pleqëri që mbaj, ma zhduk kjo fëmijëri që mbaj brenda vetes.
Box 2
Po fëmijëria juaj çfarë ka pasur të veçantë?
Kur i kthehem në retrospektivë të kaluarës sime më duket e çuditshme sa e hershme ka qenë dëshira për tu marrë me artin. Që në kopësht unë sajoja teatër kukullash. Unë kam lindur në Vlorë dhe shtëpinë e vija në funksion të fantazisë sime. Kishim një tenxhere hajati dhe ne në atë tenxhere vendosnim kukulla dhe e me dorën lart organizonim ngjarjen që ne kishim imagjinuar vetë ose e kishim dëgjuar. Kur fëmijët bënin fletoren e kujtimeve në fund të vitit shokët e klasës shkruanin gjithnjë: Jorgo Papingji -regjisor. Në atë kohë unë nuk e kisha idenë se çfarë ishte regjisori. Dalë-ngadalë kjo u binjakëzua me veten time. Shpirti im binjak ka qenë dëshira për t’u marrë me art. Kjo qe shtysa ime për të shkruar. Në Vlorë ne kishim një gazetë muri që quhej “ Fjala Jonë” . Në redaksi përveç problematikave të shkollës ne shkruanim dhe për gjërat që ndodhnin në klasë. Unë u bëra kryeredaktor i asaj reviste, gjë që më shërbeu më vonë.
Sa e rëndësishme ka qenë për ju marrëdhënia me nënën. Ishte nëna juaj ajo që ju shtyu drejt artit?
Në njëfarë mënyre po. Kam pasur një nënë shumë të kujdesshme që më mësonte vazhdimisht edhe kur nuk kishim shkollë. Unë jam rritur pa baba dhe nënën e kishin edhe baba edhe nënë. Ajo i donte fëmijët të mirë të edukuar dhe të kulturuar. Kjo siç duket dha frytet më pas. Në klasën e katërt fillore kam ardhur në Tiranë dhe ndoqa mësimet në një shkollë me shumë emër që në atë kohë quhej “Shkolla e Kuqe”. Kjo shkollë ka pasur mësues shumë të mirë. Që të gjithë kanë mbjellë diçka në formimin tim.
A e mbani mend poezinë e parë që keni shkruar?
E kam shkruar në fletoren e kujtimit.
Si zjarri që le hirin
Po lë edhe unë kujtimin
……
E shkruajta në vargje për mikun tim. Një ngjarje që më frymëzoi dhe më vonë për të realizuar një këngë të bukur për fëmijë.
Kur ula të mendohem
Për një lodër të mendoja,
Nisa penën ta kafshoja
Më shpëtoi një pikë me bojë
Rri mendoj e rri mendoj
si t’ia bëj njollës me bojë
Fletën e bëra pis
si t’ia bëj ta fshi apo ta gris
S’do ta fshij e s’do t’a gris
fletën që e bëra pis
Përditë ta shikoj
e më mos të gaboj.
Kur u bëtë krijues i vërtetë i vargut ?
Që në gjimnaz isha prezantuar si krijues. Në festivalin e fëmijëve që u bë dy vjet më vonë unë u paraqita me Aleksandër Lalon, dhe pastaj shkuam në Shkodër. Fëmjërinë e kam pasur gjithnjë pranë vetes. Shqetësimet, problemet, marrëdhëniet mes shokëve, inatin, dashurisë e fëmijës unë i takoja në çdo cep të rrugës ku gëlonte jeta. Më ka ndodhur që ndonjëherë të ndalem në rrugë dhe tek shoh një dukuri të ndalem e ta shkruaj në letër, ndonjëherë dhe ta skicoj. Jeta e përditshme ka qenë një frymëzim i madh për mua. Dhe e kam bërë. E ndjej veten shumë mirë se të gjitha lodrat e fëmijëve kanë nga një këngë, dhe për fëmijët ato janë gjetje si psh:
Hapa dollapa
kush është fshehur mbrapa
Hopa Albana dil se të kapa
Genci Ermira ja Beni Zamira
Ja edhe Çiljeta të gjithë i gjeta.
Kjo është lojë dhe këndohet kur luhet. Prandaj është e asimilueshme dhe e bukur. Deri më sot unë kam shkruar 600 këngë për fëmijë, ndoshta mund ta ketë kaluar pak si statistikë, gati të gjitha të shoqërueshme me çmime. Në 7 vitet e fundit kam marrë gjithnjë çmimin e parë.
Nga sa krijime keni arritur të bëni në një festival?
Ka pasur 1 deri në 3 dhe jo më tepër se tre, se nuk lejohet. Kanë qenë të kërkuara dhe unë jam detyruar t’i bëj. Kur ka njerëz që të kërkojnë nuk i thua dot, jo. Se ka prindër që fëmijën e vet ta nxjerrin sa më mirë, por atë do edhe kompozitori që e kompozon atë tekst, por atë do edhe organizatori që e organizon festivalin që janë disa parametra që të detyrojnë të shkruash. Në jetën time unë i kam provuar të gjitha gjinitë e letrave, kam shkruar këngë për fëmijë, për të rinj, për festivale dhe këngë për të gjitha llojet e festivaleve që bëhen në Shqipëri.
Ndërkohë ju ka ndihmuar më pas dhe puna si mësues?
Sigurisht që po. Unë kam punuar në arsim dhe kam qenë drejtor shkolle dhe pastaj kam punuar në Shtëpinë e Pionierit Nr.4. Por nëse mendoni se kam qenë mësues letërsie, gaboheni. Unë jam diplomuar për fizikë.
Keni pasur prirje për degët shkencore?
Nuk ka qenë rastësi dhe kjo. Në kohën time përpara se të dilnin të drejtat e studimeve organizoheshin olimpiada. Kjo kishte për qëllim të evidentonin fëmijët e talentuar në fusha të ndryshme për t’i akorduar bursa. Unë isha nxënës i mirë dhe me prirje të jashtëzakonshme për fizikën, kisha sens vrojtimi dhe isha praktik. Isha fëmijë kurioz dhe mësimet i lexoja para se të na i shpjegonte mësuesja. Sensi im ishte si vrojtues i thellë dhe kisha shumë dëshirë dhe në periudhën e gjimnazit dhe të shtatëvjeçares unë mbaja çelësat e laboratorit të fizikës dhe të kimisë. Unë luaja tipin e laborantit për profesorët etj. Fitova olimpiadën për fizikën dhe më doli e drejta e arsimit për Shkencat e Natyrës.
Përmendët që ishit i lidhur me mësuesit dhe me laboratorët. Po letërsia në këtë kohë?
Edhe me mësuesin e letërsisë kam qenë shumë i lidhur sepse unë i doja letrat dhe leximin shumë. Shkruaja shumë bukur dhe hartimet e mia lexoheshin para klasës. Më ndodhte shpesh që hartimet t’i shkruaja në vargje. Mendoj se kam pasur brenda vetes sime:letërsinë, fizikën, regjizurën dhe skenaristin, fusha që më pas i kam ushtruar në faza të ndryshme të jetës. Më pas jeta do vijonte me aktivitete të ndryshme ku unë do bëja dhe skenarin dhe regjizurën në mënyrë harmonike.
E nëse zhytemi në kujtime kush ka qenë disa më i veçanti për ju, në fushën e krijimtarisë?
Në kuadrin e krijimtarisë si ditën më të bukur të jetës sime do të veçoja ditën kur mora pjesë në festivalin e të rriturve dhe për herë të parë fitova çmim të tretë. Ishte festivali i 14-të me një këngë të realizuar me kompozitorin Aleksandër Lalo. Ndonëse atmosfera e festivalit ishte shumë e nderë se akoma nuk ishin harruar raprezaljet pas Festivalit të 11-të unë shkruajta një këngë me temë lirike që fliste vetëm për dashurinë dhe nuk merrej as me politika dhe as me dogma. Kënga ka qenë shumë lirike dhe është kënduar nga Liliana Kondakçi dhe Luan Zhegu. Mori çmimin e tretë dhe gëzimi i atij viti më mbajti të lidhur fort me festivalin.
Mund ta përshkruajmë më në detaje atë moment krenarie?
Kur kënga mori çmim të tretë unë isha duke pirë kafenë me Aleksandër Lalon me autorin e muzikës dhe në një radio që kishim, dëgjuam çmimet. Çmimi që morëm ishte një pikturë dhe jo në para. Ministria e Kulturës ua blinte pikturat piktorëve për t’i ndihmuar ato dhe një pjesë e tyre e shpërndante në festivale. Mbas disa vitesh mora çmim të parë, gëzimi ishte akoma më i madh. Rastisi që m’u dogj edhe televizori dhe fitova një aparat SONY.
Një çmim që i përkiste një tjetër kohe
Është e vërtetë. Të parin e fitova para 12 vjetësh, në 1996-ën. Kisha marrë shumë çmime të para, por ky ishte çmimi i parë i madh. Festivali mbaronte më 29 dhjetor dhe unë nuk kisha televizor për Vit të Ri, dhe në të gjithë këtë situatë mërzitje del që një firmë që sponsorizoi atje dha televizor. Nisëm dhe ne krijuesit të kishim përfitimet e para materiale.
Po momenti më i vështirë si krijues kush ka qenë?
Që të jem i sinqertë të këqijat nuk i mbaj mend.
Ku ndjeni më shumë emocion, tek festivalet për fëmijë apo tek ato për të rritur?
Çdo lloj aktiviteti ka emocionet e veta që nuk krahasohen me njëra -tjetrën. Unë edhe sot e kësaj dite që marr pjesë në të gjitha festivalet e të rriturve, por kënaqësinë që ma jep Festivali i Fëmijëve nuk ma jep asnjë festival tjetër.
Sot vihet re një ulje e cilësisë në tekstet e këngëve. Duket sikur një varg përsëritet aq shpesh sa kënga nuk merr dimensionin që duhet të ketë. Cili është komenti juaj për këtë fakt?
Unë nuk marr përsipër të analizoj tekstet e këngëve të të tjerëve . Por, çdo njeri që krijon ka sensin e krahasimit. Mund të them që ka nga të gjitha asortimentet që ofrohen sot në tregun e muzikës, ka dhe këngë të bukura. Por mund të them që shija e njerëzve nuk ka marrë akoma formatin e duhur. Nga një shoqëri e mbyllur ne u hapëm. Mbas kaq vjetësh po kalon ajo që ne kopjuam dhe po shkunden teprimet duke nxjerrë në pah një gjethe të gjelbër dhe të bukur. Unë them se kjo është një kohë që do të kalojë në krijimtari dhe do filtrohen vlerat. Unë po ndjej se tekstit sot po i jepet më shumë rëndësi. Një tekst i bukur duhet muzikuar bukur, sepse lidhja mes tyre është e pashmangshme.
Ju keni bërë disa bashkëpunime me Institutin Kombëtar në Ndihmë të Fëmijëve Jetimë. Si jeni ndjerë?
I mrekulluar. Kam dhënë një ndihmë modeste për ndihmën e madhe që duhet të japim ndaj këtyre fëmijëve. Z. Ilir Çumani po bën një punë lavdëruese.
A është marrë ndonjëherë me politikë profesori?
E ndjej politikën si pjesë që do apo s’do ti është në krye të gjithçkaje që ti do të arrish. Është e lidhur me mentalitetin që ke ti për jetën. Me dëshirat që ke. Mendoj se gënjen ai që thotë që nuk e ndjek politikën.
Duhani pjesë e jetës
Të gjithë krijuesit kanë tekat e tyre. Unë nuk filloj dot të shkruaj në qoftë se nuk pi duhan. Dhe gjatë gjithë kohës e mbaj në dorë qoftë edhe kur shikoj tymin. Kjo është tekë tek të gjithë krijuesit. Unë p.sh. kam e dhe një tekë tjetër: nuk mund të shkruaj në një dhomë komode. Unë marr çantën time dhe shkoj punoj në një kafe ku ka shumë zhurmë dhe në fund kur mbaroj krijimtarinë dhe gjatë kohës që përmendem, them unë kam dëgjuar këtë zhurmë këtu dhe përsëri të nesërmen më gjen atje.