| E enjte, 02.07.2020, 09:00 PM |
Gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj ka botuar këto ditë librin “Zgjedhjet parlamentare dhe deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e pluralizmit 1990-2016”, një monografi dokumentuese që për objekt studimi ka përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi dhe që është vazhdimësi e librit të tij të mëparshëm “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990”.
Libri
është një historik mbi parlamentarizmin shqiptar në Malin e Zi në periudhën e
pluralizmit. Edhe pse në fokus ka deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të
Zi, libri na ofron një pasqyrë edhe mbi zgjedhjet parlamentare dhe ndryshimet
që ka pësuar gjatë viteve të shumëpartiakësisë Kuvendi i Malit të Zi. Në këtë
monografi, autori pasqyron në mënyrë kronologjike të dhjetë palë zgjedhjet
(gjashtë para dhe katër pas shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi në vitin
2006) që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, duke u përqendruar te partitë
politike shqiptare, baticat dhe zbaticat e tyre (zgjedhore). Ai na njeh me të
dhëna të hollësishme për çdo zgjedhje – kornizën ligjore, numrin e votuesve,
rezultatet e zgjedhjeve, numrin e listave pjesëmarrëse, emrat e kandidatëve për
deputetë të partive shqiptare, përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe
të deputetëve shqiptarë nga partitë e tjera në Kuvendin e Malit të Zi,
ministrat dhe ndihmës ministrat shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi, duke
shpjeguar edhe kontekstin politik në të cilin janë zhvilluar zgjedhjet.
Redaktor
i librit është Ismet Kallaba, recensent Marash Dedvukaj, redaktor teknik
Gazmend Çitaku, ndërsa kopertina është disenjuar nga Rajmond Gjonaj.
Libri
është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Ai është
botim cilësor me lidhje të fortë dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE –
Cetinë, ndërsa është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe
Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Gjekë
Gjonaj ka botuar më herët librat: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të
Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare”, “Gjurmëve të kohës”, “Shqipet
e maleve”, “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, “Bijtë e
shqipes” dhe “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit
1946-1990”. Ky është libri i tij i tetë.
Në
kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër
shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të
autorëve shqiptarë në Malin e Zi.
Ulqin,
më 30. 06. 2020
SHAI
“Art Club”