| E hene, 29.06.2020, 09:11 AM |
24 qershori një ditë për trashëgiminë kulturore rumune
Nga
Entela Binjaku
Ka
disa vite që në Rumani dhe në komunitetet rumune në të gjithë botën, data 24
qershor njihet si Dita Universale e IE-s. Nëse për opinionin anglishtfolës kjo
njihet si “The Universal Day of Take” për njohësit e gjuhës rumune me termin
“IE” kuptohet këmisha ose bluza e grave me qëndisje zbukuruese në krye të
mëngëve.
Për
ata që janë të vëmendshëm ndaj simboleve
kulturore, mund të kenë parë që shpesh herë
kodi i veshjes i përfaqësueseve të shtetit rumun në aktivitete të ndryshme ka
qënë pikërisht kjo këmishë apo bluzë. Veshja autentike e një bukurie të rrallë
është edhe elementi qendror i traditave rumune. Vetë bluza që gjendet
gjerësisht edhe në popull, është pjesë e pasurisë kombëtare dhe është veshur në
të kaluarën edhe nga mbretëreshat Elisabeta dhe Maria si në aktivitetet publike
po ashtu edhe në jetët e tyre private. Vitet e fundit shumë stilistë e kanë
përfshirë këtë bluzë në krijimet dhe koleksionet e tyre.
Që
nga njohja e kësaj date, 24 qershori është bërë pjesë e programit vjetor të
muzeve dhe instituteve kulturore si në Rumani ashtu edhe jashtë saj. Kjo ditë
përkujtohet me aktivitete edhe nga ambasadat e Rumanisë apo edhe nga misionet diplomatike në
Rumani. 24 qershori përkujtohet edhe nga
diaspora rumune apo nga shoqatat që veprojnë në komunitetet historike.
Disa
ditë më parë Shoqata ndërkulturore rumune – elene “Dacia” me qendër në Athinë
organizoi konkursin-ekspozitë me në qendër këtë simbol. Nga data 10-19 qershor
ajo priti vizatimet dhe pikturat e nxënësve të shkollave rumune në diasporë ose
në komunitetet historike. Bluza shërbeu si frymëzim për të vegjlit që me
punimet e tyre përcollën edhe imagjinatën e tyre për atë që kanë lënë pas brezat
e mëparshëm. Në fund të këtij edicioni
të parë, më 24 qershor shoqata shpërndau edhe disa vlerësime për fëmijët
pjesëmarrës. Në këtë konkurs-ekspozitë morën pjesë edhe fëmijë nga Shqipëria si
psh. nxënësja 13-vjeçare A.Z. nga qyteti i Fierit.
Aktivitete
si këto synojnë që fëmijët dhe të rinjtë kudo ku gjenden, të forcojnë
përkatësinë në identitetin kulturor rumun përmes njohjes së kulturës.
Por,
ideja e një dite të caktuar për këtë simbol të trashëgimisë kulturore, i takon
komunitetit online “La Blouse Roumaine”. Për njohësit e traditës rumune, 24
qershori përkon edhe me Festën e Zanave që sipas gojëdhënave ishin të veshura
me këtë bluzë. Sipas një tradite shumë
të vjetër në zonën e Maramureshit në mëngjesin e Ditës së Zanave, vajzat shkojnë të lahen në lum dhe qepin lule
në bluzat e bardha. Qëndismat e kryera me kujdes kishin qëllimin për t’i
mbrojtur ato nga syu i keq, nga magjitë dhe nga fati i keq.
Në
vitin 2012 komuniteti “La Blouse Roumaine” projektoi dhe shpërndau idenë që
bluza tradicionale rumune dhe tradita e përcjellë nga e kaluara, të kthehej në
një markë që të njihej në të gjithë botën.
Në
datën 13 maj 2013 Instituti Kulturës Rumune në Nju Jork përuroi një seri
aktivitetesh të titulluara„La Blouse Roumaine”, qëllimi i të cilave ishte
përurimi i identitetit kulturor rumun në Amerikën e Veriut.
Në
vitin 2015 Dita Universale e IE-s u njoh edhe zyrtarisht në SHBA përmes një
deklarate të lëshuar nga Bashkia e Uashington DC.
Në
vitin 2017 komuniteti i bluzës rumune lancoi fushatën me titull “Give credit” e
cila arriti në dy vjet të kthehej edhe një objekt studimi akademik duke
lartësuar bashkëpunimin midis markave, artizanëve, stilistëve dhe specialistëve
të trashëgimisë kulturore, në një sistem të vlerë.
Në
vitin 2019 “Give Credit” u prezantua në Javën e Modës në Londër dhe u përfshi
dhe si temë studimi në lëndën e “Fashion Forecasting” në Universitetin për
Artet krijuese në Epsom Business School.
Këtë
vit në 24 qershor 2020 kjo Ditë u festua në 50 shtete dhe në 300 qytete në të
gjashta kontinentet.
IA
– që është edhe emërtimi i dhënë për veshjen femërore, këmisha tradicionale
rumune e festës, konsiderohet edhe si
pjesa më e rëndësishme e kostumit popullor. Siç edhe përshkruhet në faqen e
internetit të komunitetit nismëtar, ajo përcakton edhe kompozimin zbukurues të
kostumit, pjesën tjetër të veshjes që duhet të lidhet me të, që është e
detyrueshme të përshtatet në kohë, moshë, ngjyra dhe ornamente.
Ky
simbol ka frymëzuar edhe piktorin e shquar Henri Matisse (1869 - 1954) i cili
ka edhe një pikturë me titullin: “La Blouse roumaine”. Kjo pikturë bashkë me
shpjegimin përkatës gjendet në Muzeun “Pompidou”. Piktura i është dorëzuar
shtetit francez në vitin 1953 dhe ka nisur të pikturohet në dhjetorin e vitit
1939 në Nisë, në hotelin “Regina”. Kjo vepër
i mori piktorit 6 muaj punë. Për ta dokumentuar procesin krijues, artisti mori 11 fotografë që fiksuan në
celuloid edhe procesin e gjatë të zhvillimit të saj. Këto çaste piktori i
pasqyroi gjatë në një procesi krijimi në Paris në galerinë “Maeght” duke
vendosur theksin në thjeshtimin e nevojshëm gjatë procesit të bashkimit të
ngjyrave dhe linjave. Në formën e saj përfundimtare, detajet e modeles Lydia
Delectorskaya janë lënë jashtë, fshirë ose mbuluar. Thjeshtësia rrumbullake e
fytyrës i bën jehonë kthesave të mëngëve. Harmonia e fuqishme e tre fushave
kryesore të ngjyrës, i jep pikturës një gjallëri të madhe.
Por
përtej dëshirës për të festuar një simbol të rëndësishëm kulturor, përtej
synimit për të krijuar lidhje dhe njohje përmes kulturës, përmes festimit të
kësaj dite edhe vetë tekstilet rumune po fitojnë një tjetër njohje në plan
ndërkombëtar. Falë saj po ridimensionohet vendi i komunitetit rural në
identitetin kulturor dhe po rivlerësohet edhe trashëgimia kulturore.
Sot
24 qershori si Dita Universale e IE-s rumune është kthyer në një model të
vërtetë diplomacie kulturore dhe aktivizmi shoqëror. Festimi i këtij simboli
kulturor ndihmon njohjen dhe përcjelljen e
traditave dhe të pasurisë shpirtërore të një kombi, tek brezat që do të vijnë. Aktivitetet kulturore janë përherë të
dobishshme si ura dialogu që ndihmojnë
në zhvillimin e aftësive komunikuese përmes përkatësisë kulturore.