| E diele, 05.07.2020, 12:10 PM |
Koleksioni
fotografik i Erih Libertit (Erich Liebert)
Shqipëria
e Veriut në vitet 1902 – 1908
Eksploruesi
austriak Erih Libert (1873-1951) ishte kirurg me profesion. Për herë të parë
shkoi në Shqipëri në shtator 1902 ku shëtiti zonën e Pultit dhe malet në jug të
lumit Drin. Në gusht 1903 shkoi në Shkodër dhe kaloi me shqiptarin Luigj
Jakoviqi në Dushman, përgjatë bregut të majtë të Drinit, në pjesën jugore të
Merturit, në Gash dhe në Krasniq. Nga lugina e Valbonës u kthye nëpërmjet
Merturit, Nikajt, Shalës, Shoshit, Sumës dhe Pultit për në Shkodër. Në gusht
1904 Erih Liberti u nis nga Shkodra, kësaj radhe për të parë burimin e lumit
Valbonë. Kaloi në Thethi, Abat dhe Nikaj, dhe u kthye nga Valbona nëpërmjet
Qafës së Valbonës. Udhëtimet e vitit 1903 dhe 1904 janë përshkruar në librin e
tij Aus dem nordalbanischen Hochgebirge (Nga Malësia e Shqipërisë së Veriut),
Sarajevë 1909, nga i cili është marrë ky koleksion fotografik. Në këtë vëllim
Liberti na tregon se ishte në Shqipëri edhe në vitin 1905, 1907 dhe 1908, por
nga këto udhëtime nuk kemi as shënime, as fotografi. Në vitin 1910 Liberti
botoi një artikull studimor mbi gjakmarrjen dhe mikpritjen te malësoret e
Shqipërisë së Epërme. Gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913) dhe ka të ngjarë edhe
gjatë Luftës së Parë Botërore, Liberti ishte drejtuesi i një ekipi mjekësh të
Kryqit të Kuq që punoi në Turqi gjatë luftimeve në Çanakkale. Veç informacionit
të lartëpërmendur, për këtë eksplorues guximtar dihet shumë pak.
Për
më shumë vizitoni: http://www.albanianphotography.net/