| E diele, 28.06.2020, 06:13 PM |
ROBERT ELSIE - I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE
Nga
Thanas L. Gjika
Më 29
qershor 2020 mbushen 70 vjet nga lindja e albanologut të shquar
kanadezo-gjerman Robert Elsie, prandaj po i ribotoj këto kujtime që hartova me
rastin e vdekjes së tij në tetor 2017, duke i shoqëruar dhe me disa vlerësime
që më dërguan disa miq të mij e simpatizantë të të ndjerit.
Gjatë vizitës së tij të parë
Njohja ime me Robert Elsi-n ndodhi gjatë vitit 1978. Ai kishte ardhur
pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë
tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë
shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe
Letërsisë, ku punoja, më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës
në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në
Bibliotekën e Institutit tonë...
Më ra
në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk
qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të
pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e
gjuhës sonë pa asnjë theks (aksent) të huaj, prandaj nuk mund ta dalloja se
cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët,
italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme,
që mund t'i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Kur e pyeta se
si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë,
ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë
shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se
shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar
në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet.
Më
shprehu dëshirën se po t'i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në
Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi
shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës
shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.
Nga
pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore,
gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij
disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo
as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të
mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për
familjen e familjarët e tij.
Mbante
veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t'i hekuroste, kurse
sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t'i bojatiste.
Një
ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:
- A
e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?
Ai m'u
përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin,
jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër
shokë, pasi mbaruam maturën, me kursimet që kishim mbledhur, blemë një makinë
të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën
tonë. Gjashtë ditë kur shkuam dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është
fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm
fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me
grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani
rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë...
Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë
gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel
fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i
hanim pa i gatuar”.
Mua
nuk m'u durua dhe e pyeta: - Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?
- Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia
e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji
sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte
mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar
e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.
Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më
nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur
ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.
Kur
shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e
bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit
kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e
botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t'i merrte me
vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi
(kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur
punonte në Bibliotekën Kombëtare.
Kishte
një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri
përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua
fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja
me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha
detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të tëra me gërmat a, A,
b, B dhe c, C që kishim mësuar deri atëhere...
Në
vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në
shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij
shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi
faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë
tonë.
Duke
pirë kafe një ditë e pyeta:
- Si
të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël
dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të
studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje
shqipen e vështirë.
Roberti,
më sqaroi:
- “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema
studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve.
Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema
studimi. Një histori e plotë e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në
anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën
e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën
europiane.
Letërsia shqipe, është letërsi e pasur, shtoi ai. Ka shumë
popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli
hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli
shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron
letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë
e merren me pikturë.
Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”.
Gjatë vizitave të mëvonshme
Pas
vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i
Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin
1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.
Ndoshta
ishte mars -prill i vitit 1979, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos
Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës,
Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba
teqeje i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër
bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të
tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjirokastër
kur ishte 14 ose 15-vjeçar.
Kur
zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të
ndalonim tek ish-Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej
kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend
se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të
portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur
brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse
pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë
jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.
Roberti
u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi.
Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe
e fotografoi dhe atë pjesë.
Pastaj
tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se
dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia
nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte
kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as planet për të ardhmen.
Të
nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek
ish-Teqeja e Kryegjyshatës Botërore. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të
Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zog i Parë u interesua dhe i solli nga Stambolli
eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më
të shquara të Bektashizmit. Në kopshtin e këtij institucioni u varrosën eshtrat
e poetit kombëtar. Mirëpo ky institucion, pas vitit 1967 u kthye në azil për
pleq, kurse Kryegjyshin Botëror, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër
dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës
mbi vargun e kodrave të Malit Dajt. Jo larg saj në vitet 1970-të u ndërtuan
Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.
Shkuam
atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri
i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e
poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit,
me rastin e 50-vjetorit të vjekjes së tij, u shpërngulën dhe ishin rivarrosur
anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH. Kurse më
1978 me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u krijua vorreza treshe e
vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri te kodra e liqenit artificial.
Më
1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te
Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko
Jakomonit, mesa duket për të marrë me të mirë Kryegjyshin Dedej, i cili nuk e
kishte pranuar pushtimin italian. Duke u gdhirë 28 nëntori i vitit 1941 ky
kryegjysh u vra nga njerëz të panjohur, pas takimit me Jakomonin, kur kishte
kundërshtuar firmosjen e një deklarate pro pushtimit fashist.
Varri
ishte vërtet madhështor, por më vonë qeveria komuniste ia kishte dëmtuar
madhështinë. Kur shkuam ne ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i
rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në
Tiranë më tha:
- Ky
varr nuk e ka vendin këtu. Duhej të ishte te oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Mirëpo
të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish-kryetari i parë, Dhimitër
Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj
lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri origjinal i Naimit,
por nuk besoj se kishin bërë ndonjë vizitë atje. Madje, as në tetor të vitit
1990, kur Instituti ynë organizoi një konferencë shkencore kushtuar 90-vjetorit
të vdekjes së Naimit me pjesëmarrje edhe të disa studiuesve nga bota, nuk u
mendua dhe as u dërgua kush tek asnjëri nga tre Varret e Naimit me një
tufë lulesh. Ndaj të tillë veprimeve për shprehje respekti, njerëzit që
krijonin kulturën e re socialiste, ishin indiferentë.
Sot,
indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të
letrave dhe studiuesit e letërsisë shqiptare, nuk shpunë në Librazhd një tufë
me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit,
dy poetëve martirë të diktaturës komuniste dhe as te varri i Havzi Nelajt,
poetit të varrur në Kukës...
Ciganët, janë analfabetë dhe në Shqipëri, si në gjithë
Europën.
Gjatë
një vizite tjetër Roberti kërkoi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit
dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe
bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin,
bibliograf i mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t'u kthyer, më
kërkoi ta shpija tek ish-Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në
pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin
basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa
foto.
Gjatë
kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup
ciganesh pranë çadrave të tyre.
Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë
Europën, tha
Roberti.
Duke
dashur t'i mburresha, i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e detyrueshme për gjithë fëmijët dhe
ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.
- Në
Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.
Roberti
shtoi:
-
Nuk beson? Po deshe shkojmë t'i pyesim.
I
thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu
afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam edhe më
dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe
tha:
- Po ku di unë të lexoj.
- Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gati i bërtita.
- Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me
shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga
shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe
as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.
Më e
pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të
afrohej e të lexonte fjalët PARTI - POPULL - ENVER, që ishin shkruar me
shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre
përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.
- Mos
ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet,
nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo
është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.
Unë punoj vetëm disa ditë në muaj
Kisha
vënë re se Roberti nuk ishte i pasur, se bënte një jetë modeste, por kuptohet,
dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë
guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e
nevojshme për jetën.
- Unë
jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë
intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë.
Lexoj e shkruaj ç' të dua. Eshtë një komshie plakë e cila më afrohet e
më bën nga njëherë muhabet.
Për të
më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:
- Unë
nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të
ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose
ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet
1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj
nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe qindra marka për udhëtimet.
Pra ky
studiues ishte krejt i pavarrur, i pavarrur në zgjedhjen e temave të studimit,
i pavarrur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte
ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai
nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne
punonjësit e instututeve shkencorë shtetërorë, të cilëve temat e studimit dhe
të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit.
Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të
mbekullueshme
Gjatë
vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E
pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin
të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi:
- Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.
Kuptova
se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për
njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.
I
thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të
hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen. Për ta
përforcuar mendimin shtova:
- “Bëri
mirë Isamail Kadareja që iku.”
- “Mos
u ngut”, më tha, “rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të
tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme”. Pastaj
shtoi, “Për Ismailin, mendohet se ikja e tij është pjesë e planit të Ramiz
Alisë. U dërgua jashtë si i arratisur, që ta kërkoni ju pas rëzimit të
diktaturës dhe të vijë si udhëheqës për të shpëtuar Ramizin e klanin Hoxha”.
- “Nuk
mund ta besoj që Isamili të pranojë të kthehet në Shqipëri për t'u marrë me
politikë. Ai shyqyr që shpëtoi nga imponimet e politikës”. Roberti nuk
kundërshtoi.
Në
Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta
dënonin krimin komunist dhe do t'i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si
gjernmanët. Kështu që 20 vjet tranzicion sipas tyre ishin të mjaftueshëm për të
krijuar shtetin ligjor dhe shoqërinë demokratike...
Pas dy
vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te
pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha
Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer
në një kazan plehrash.
Në
nëntor të vitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të
Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë
toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza
e saj me gegërishten.
Gruaja
ime, Julia, më tha që t'i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert
Elsi-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca,
Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time.
Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.
Kur
ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare!”
Robert Elsi ishte ateist
Në
vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën dhe
fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës
së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo
filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla
të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë
filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej
misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja.
Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të
shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur
ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë
në ato salla predikimi.
Një të
shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi,
takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe
dëgjoja predikimet fetare, më tha:
- “Mos
i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do
çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të
përqafoja një besim fetar, do të pëlqeja Budizmin”, e mbylli ai bisedën.
History of Albanian Literature / Histori e letërsisë
shqiptare
Në
vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së
letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime,
botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA.
Mu bë
shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së
studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për t'u
larguar nga Shqipëria, sepse kisha fituar lotarinë amerikane për Green Card.
Vepra
më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha
kohëve dhe të të gjitha teritorreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të
cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë
që kësaj dhurate t'i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja
lëndën, m'u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së
pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes
në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën
shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm
dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të
botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut
1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.
Lidhjet
me Robertin i vijova edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi
veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim
Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë - Pejë 1997.
Pasi e
falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha
filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në
nivel të mirë po më pengonte
për t'u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m'u përgjigj me të
qeshur:
- “Mos
u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a
vonë pasanikë”.
Herë
pas here këmbenim e-mail, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e
vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova Robertin në Tiranë gjatë vizitës
që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po
ecnim në rrugë pranë
shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit
që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante
dedikimin për t'ia dhuruar mikut tonë.
Të
gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë
këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata
dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez
Alia e Bajlozi, vepër e artistit Genc Tirana.
Duke dashur të bëja shaka, i thashë
Iliazit:
- Iliaz,
ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk
ka mundësi t'i lexojë.
Roberti
nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më
kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e
Re” MEDAUR Tiranë 20107, 500 fq. të cilin ia kisha dërguar një vit më parë
duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte
specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane
çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, që unë e kisha trajtuar
me shumë argumente në atë studim.
- “Me
të vërtet kohën e kam shumë të pakët”, e mori fjalën Roberti. “Nga
librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e
mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t'i botoj dot gjithë ato
studime që synoj të hartoj”.
Letrën
e fundit ia dërgova me i-mel më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të
shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se unë bashkë me
vajzën e profesorit, mendonim të mblidhnim kujtime prej atyre që e kishin
njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia
vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të
shkencës shqiptare.
Roberti
m'u përgjigj po atë ditë në ora 11:16 (ora e Amerikës 5:16 AM e datës 1 mars).
Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë
i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesor Çabejn e kishte takuar
vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim
me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin
hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryhej me sukses dhe sugjeronte që të
përkthehej dhe në anglisht...
* * *
Po i
mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave
të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë
albanolog të shquar, që botoi 60 libra ku na solli aq shumë materiale të
panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë
Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin
Enciklopedik Shqiptar Tiranë 2008, vol. I, nuk është trajtuar si zë më
vcete jeta dhe ndihmesa e këtij albanologu të shquar. Kam frikë se kjo akademi
nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij dhe
gjithë bibliotekën e tij, fondin e letrave, fotografive dhe të materialeve e
shkrimeve të tij të pabotuara...
Mezi
pres të shkoj në Shqipëri e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij
studiuesi të huaj, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi,
punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie!
Disa vleresime për këtë shkrim që m'u dërguan prej miqve të mij që e lexuan:
Ruben Avxhiu:
Shume
interesante profesor,
Te fala, Rubeni
Kolec Topalli:
Te
faleminderit. Edhe une e kam takuar disa here, por vetem vitet e fundit dhe
vetem ne Kosove. Kolec Topalli
Ilir Ikonomi:
Thanas, e lexova
me shume kenaqesi. Mesova gjera qe nuk i dija edhe pse e kam njohur Robertin.
Te lumte.
Iliri
Ilia Karanxha
I shtrenjtë Thanas
!
Mbi të gjitha të
uroj shëndet e gjithë të mirat si për ty po ashtu edhe Julisë ! Faleminderit
për shkrimin dedikuar Robert Elsit të cilin e lexova me një endje e interes të
veçantë. Ishte shkrojtur shumë bukur e ndërkohë mësova shumë aspekte nga jeta
dhe vepra e tij. Në shtjellimin e kujdesshëm që i ke bërë figurës së tij bie në
sy thjeshtësia, mënçuria dhe aftësia për të kuptuar botën shqiptare në epokën
komuniste dhe paskomuniste. Sidoqoftë një shkrim me vlerë për njohjen e këtij
albanologu të shquar e në të njëjtën kohë një omazh serioz për figurën e Tij.
Mbarë populli shqiptar dhe bota intelkektuale, që e kanë vlerësuar gjithmonë
për prodhimtarinë e pasur në fushën e albanollogjisë, e ndjeu humbjen e tij
ndërsa institucionet tona kulturore shkencore ose nuk lëvizin fare ose lëvizin
si kermilli e shpesh shkel e shko dhe sa për sy e faqe.
Unë vazhdoj punën
për Beçikemin por me ca vështirësi se nuk është kollaj të gjenden përkthyes të
latinishtes. Sidoqoftë jam në proçedurat e fundit të pregatitjese së veprës.
Edhe një herë shëndet e gjithë të mirat,
Ilia
Sadri Fetiu:
Pershendetje,
Thanas i dashur,
te
falenderoj per keto kujtime shume njerezore per nje njeri qe punoi me plot
perkushtim per kulturen shqiptare. Roberti u prehte ne paqen e perjeteshme! Ai
do te jetoje gjithmone ne kujtesen e shqiptareve. Nje shkrimtar i madh malazias
ka thene: "I lumi ai qe jeton gjithmone, ai ka pase se per cka me
le!"...
Te
fala te perzemerta ty dhe Julies
Sadriu
dhe Fetija
Rexhep Qosja:
I
dashuri Thanas,
uroj
te jeni mire me gjithe familjen tuaj dhe uroj te jeni mire me shendet e me
suskese ne krijimtarine shkencore. Ju falemnderit per kujtimet kushtuar Robert
Elsit qe m’i derguat. Prej ketyre kujtimeve te pasura me te dhena, me gjykime e
vleresime te rendesishme mesova shume per albanologun e madh dhe mikun e madh
te popullit shqiptar Robert Elsin.
Me
keto kujtime ju me mire se askush tjeter i dolet borxhit atij.
Me
perzemersi te perkushtuar,
Rexhep
Qosja