Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Nje liber i diskursit kulturor

| E premte, 07.11.2008, 01:50 PM |


Ndue Ukaj
Nje liber i diskursit kulturor

 

Nga Ndue Ukaj

 

Libri më i ri i Mikel Gojanit, "Mundësi krijuese" është përmbledhje tekstesh, recensionesh për libra, autorë apo fenomene historike e kulturore të qenies dhe qenësisë shqiptare. Ky libër përveç me këto aspekte, është i pasuruar edhe me intervista me personalitet të ndryshme të jetës shqiptare, të cilat autori i zhvillon personalisht dhe që japin shumë të dhanë më vlerë për artin, të bukurën, krijimin, por edhe për historinë, të tashmen dhe të ardhmen. Ndërkaq një segment me rëndësi në këtë libër zë përmbledhja e teksteve të diskursit letrar, ku Gojani shkruan për autorë dhe vepra të caktuara letrare.

 

 Autori Mikel Gojani bën një përzgjedhje cilësore të autorëve dhe veprave që përfaqësojnë vlera solide në kulturën e shkrimit shqip dhe i komenton ato. Gama e interesimeve të autorit është mbarëkombëtare, ai rrekët të shkruaj për ngjarje dhe vepra të shumta të hapësirës shqiptare, për Shkodrën si qendër e kulturës dhe historisë shqiptare, për Lezhën dhe historinë e saj të lavdishme, për traditën mijëvjeçare të Durrësit, për kontributin e Selisë së Shenjtë për Kosovën, për dokumentet historike lidhur me Famullinë e njohur të Zllakuqanit, për Shqiptarët dhe Ilirët, për Mirditën e të djathtën shqiptare, për Zef Gjidodën dhe veprimtarinë e tij patriotike, për figurën e ndritshme të Don Anton Kqirës, pastaj për poetikën e veçantë të Gjekë Marinajt dhe poezinë e Zyhdi Marovës, për Agim Isakun dhe poetin e talentuar Vilson Culajn, si dhe bisedon me Gjekë Marinajn dhe Willi Kamsin, me Zjenullah Hallin dhe Gjon Markun etj. Pra, ky libër i Mikel Gojanit karakterizohet nga një fushë e gjerë hulumtimesh dhe diskutimesh, ku vërehet sensi i autorit për të plasuar esencat e temave apo veprave tek lexuesi, përmes një gjuhe të kultivuar dhe komunikimi të çiltër me lexuesin. Akti i leximit dhe sfera e interpretimeve të Gojanit aq sa është e larmishme aq është edhe përmbajtjesore, autori prek dimensionet historike, pastaj ato politike që ndërlidhen me qenien dhe qenësinë shqiptare, dimensionet religjioze, diskursin letrar e artistik, gjithnjë me një qëllim fisme, të ndihmoj në ofrimin mes autorëve dhe veprave të caktuara me lexuesin. Autori shkruan recensione, realizon intervista, lexon vepra, komenton dhe debaton me një synim sintetizues e krahasues për t'i dhënë lexuesit një pamje sa më të gjerë.

 

Mikel Gojani autor e njohur në opinionin shqiptar, interesimet për letërsinë, historinë, personalitet e rëndësishme të jetës shqiptare i përmbledh në librin "Mundësi krijuese" ku shpërfaq tema dhe ngjarje të rëndësishme të qenies shqiptare, autorë dhe vepra me rëndësi të posaçme, personalitet dhe bëma që kanë peshë në jetën shoqërore. Së këndejmi ky libër është i mirëseardhur në opinionin kulturor shqipe, duke mbet një ndihmesë e çmuar për lexues të ndryshëm. Larushia e temave dhe shumësia e diskurseve e bën ketë libër të rëndësishëm për receptuesin shqiptar.  

 

Libri është i strukturuar në tre kapituj, siç janë: Kohë dhe letërsi, Akti poetik i krijimit dhe Komunikime letrare/ intervista.

 

Natyra dominuese e formës së shkrimit të Gojanit në këtë libër është e tipit të recensioneve. Kjo formë i ndihmon autorit për të bërë një lidhshmëri mes veprës dhe lexuesit, duke mbet një urë ndërkomunikuese. Përveç tjerash, kjo formë e të shkruarit, autorit i jep mundësi të sugjeroj libra, ide, fenomene letrare a historike, por edhe t'i gjykoj mbi dukuri të caktuara.

 

Në kapitullin e parë autori rrekët të trajtoj libra të rëndësishme që ndriçojnë të kaluarën e historike të kombit. Ky aspekt haset tek teksti për librin e Dr. Nevila Nikes "Dioqeza e Shkodrës gjatë shek XVII", ku autori vë në spikamë procesin historik të kësaj qendre të madhe kulturore. Në kapitullin e parë kryesisht dominojnë temat nga fusha e historisë, ku autori lexon shumë autorë dhe interpreton ata. Në linjë me diskursin historik Gojani interpreton librin e Prof dr. Selami Pulaha dhe Agim Parruca "Lexha vështrim historiko-gjeografik". Pastaj vepra të rëndësishme të historiografisë shqiptare të shkruara nga italiania Callana Diretta da Mario Agnes, dom Lush Sopi, Gjetë Ndoja, Dr. Lush Culaj, Ali R. Berishës dhe Luz Përonkaj, të Ilir Xaca dhe Anesti Shuka etj.

 

 Ai merr në shqyrtim dhe interpreton libra, fenomene, ngjarje që lidhen me historinë, publicistikën shqiptare. Në këtë kapitull autori hulumton shumë përbërës me rëndësi të historisë sonë dhe këndej pari jep shumë informacione shpeshherë të panjohura e me rëndësi për lexuesin.

 

Në kapitullin e dytë, Mikel Gojani i qaset letërsisë, veçanërisht poezisë dhe merr në shqyrtim disa autorë kund të njohur e kund më pak të njohur të letërsisë shqipe. Në këtë kapitull ai nuk ndjek ndonjë metodë të caktuar të interpretimit të letërsisë, por si lexues i pasionuar vlerëson letërsinë nga këndvështrimi përmbajtjesor, duke vënë në spikamë mbi të gjitha dimensionin semantik e ideor të letërsisë. Në këtë kapitull autori interpreton poezinë e Gjekë Marinajt duke karakterizuar si poet që ka tejkaluar përmasat nacionale, të Zyhdi Marovës dhe dhimbjes së tij në kohën e diktaturës, të Vilson Culajt dhe poetikës së tij të meditimit, etj.

 

Në kapitullin e tretë, Mikel Gojani interviston disa personalitet të mëdha të kulturës shqipe, prej ku dalin mjaft ide interesante për artin dhe përsiatjet e krijuesit për artin e fjalës, siç janë dy intervistat me shkrimtarët Zjenullah Halili dhe Gjekë Marinaj. Ndërkaq një vlerë në vete ka edhe intervista me Willi Kamsin një pinjoll i fisëm e një familje me traditë mesjetare nga Shkodra, ku lexuesi njihet me një personalitet të madh shqiptar.

 

Përgjithësisht libri "Mundësi krijuese" i Mikel Gojanit duhet tumiret si një ndihmesë e rëndësishme për lexuesit shqiptar.

 

 

 

 Ndue Ukaj,

 

Malmö- Suedi, më 18 qershor 2008

 

(Ky tekst eshte paratheni e librit me te ri te Mikel Gojanit,"Mundesi krijuese")