| E merkure, 24.06.2020, 07:20 PM |
Analizë libri
MESAZHI I JETËS QË PËRKUNDET NË DJEPIN E KOHËS DHE TË DHEMBJES
(Tahir Bezhani: “Pesha e lotit”, tregime,
botoi Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-2020, Gjakovë)
Nga Sejdi
BERISHA
Krijuesit e mirëfilltë, edhe kur shkruajnë,
ata përpiqen që përveç ngjarjes dhe temës që shtjellojnë, mesazhin e tyre ta
bëjnë sublimë të jetës dhe të veçantive të saja, të cilat shpeshherë sikur
shndërrohen në obligim njerëzor dhe rrugëtim jetësor të vetë krijuesit. Për
këtë arsye, temat që trajtohen në librin me tregime “Pesha e lotit” të autorit
Tahir Bezhani, i cili deri me tash ka botuar njëzetë e tri libra të fushave të
ndryshme, janë realitet i kohës dhe i kohërave, por edhe i paradokseve që
gjithnjë dhembin e qortojnë për fatin e njeriut, i cili, shpesh është i
pafuqishëm për t’u përballur me të gjitha valët dhe trakullimat e jetës.
Pra, libri “Pesha e lotit”, është një
parametër i të gjitha atyre sfidave, ta cilat, në të njëjtën kohë edhe janë
krenari por edhe përmallojnë. Po ashtu, janë edhe qasje të veçanta shpirtërore
që i ngjajnë diagramit apo edhe hidhërimit të valëve të lumit, të cilat, herë
rrëmbejnë pamëshirshëm, herë e “detyrojnë” njeriun të thotë: “Zot shpëtona, e
herë valët i shndërron në qetësi shpirtërore, dhe uji bëhet sinonim i dashurisë
për jetë të lumtur.
Kujtoj se kjo klimë dhe ndjenjë e
përkushtimit të shpirtit, fuqishëm dhe me mesazh të rrallë përshkohet në të
dymbëdhjetë tregimet në këtë libër, por, ndonjëherë, forma e të shkruarit
lexuesin e detyron të mendojë lirshëm apo edhe ndryshe, mbase edhe të shtrojë
pyetje, se pse jeta gjithnjë sikur gjëmon nga historia e rënduar e njeriut, e
kombit dhe e atdheut.
“Rrugët e vdekjes” dhe
harta e copëtuar e atdheut, si dhembje dhe si peshë krijuese
Ndoshta,
pikërisht për këtë arsye, autori, librit i prinë me tregimin, “Rrugët e
vdekjes”, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta për liri të Kosovës dhe të
të gjitha trojeve shqiptare, të cilat, nëpër periudha kohore dhe historike, herë
u okupuan e herë u copëtuan, gjëra këto, të cilat edhe me shumë e forcuan
kombin për të qëndruar gjithmonë vertikalisht dhe për ta ruajtur qenien dhe rrënjët
e kombit. Kjo, sepse, edhe sot e kësaj dite, atdheu i ngjanë një harte të
copëtuar, të rrudhur, të ngushtuar dhe të ndrydhur...!
Përmes
këtij tregimi e përmes edhe të rrëfimit të një prej pjesëmarrësve të luftës,
respektivisht, të Besnikut, autori vë në spikamë tërë atë dramën, që i ngjanë
tragjedive më të rënda e të natyrave më të ndryshme, e që këto ngjarje
shumëkush nuk dëshiron as t’i kujtojë, edhe pse njeriu është kureshtar që të mësojë
e dijë për rrjedhat e jetës. Të gjitha këto atribute, tregimin e bëjnë të qëndrueshëm
si shkrim letrar, por edhe si pjesë historie.
Ndërsa,
peripecitë dhe kalvari i popullit gjatë luftës, janë ngjarje dhe pjesë e veçantë,
janë dëshmi që dhembin, të cilat, “imponojnë” vetëdijesimin, por edhe nevojën për
ta vlerësuar, çmuar dhe për ta respektuar më shumë historinë, si këtë të periudhës
më të re, por edhe atë të kohërave të kaluara. Ja, një fragment që flet shumë për
këtë: “...Fika traktorin, mora kufomën në shpinë dhe shkova buzë liqenit, e
gjeta një vend dhe po e groposi me lopatën, që për fat kishte qëlluar në
rimorkio të traktorit. Nuk pata fuqi ta gropoj më thellë se pesëdhjetë
centimetra
...E varrosa plakun e panjohur buzë një
gardhi e dy pemëve. Ia hodha disa drunj që i gjeta aty afër, me qëllim që të
mos e dëmtonin egërsirat trupin e tij...”!
Ja,
pra. Kush do, apo edhe kush ka dëshirë e synim analizimin e ngjarjes, është kjo
një pasqyrë e realitetit të kohës së luftës në Kosovë, e realitetit të kohës më
të re të shekullit XXI-të, e që këtë katrahurë, ngjashëm e ka pësuar populli
edhe në luftërat gjatë periudhave të kaluara shekullore dhe historike.
E
gjithë kjo reflekton edhe “fenomenin” e vdekjes dhe të humbjes së gjurmëve, gjëra
këto që lënë vragë e kujtesë të hidhur tek secili njeri, por, sjell edhe shpresën
se dikur kanë për t’u gjetur eshtrat e të pagjeturve, ose, të atyre që i ka
vrarë dhe masakruar armiku. Pra, sikurse pothuaj tek të gjithë krijuesit, edhe
te autori i këtij libri, dhembja ishte dhe mbetet pjesë e hidhur dhe e
padëshiruar. Dhembje që nuk peshohet...
Si shembull,
autori nuk e lë zvarrë dhe pa e përfunduar rrëfimin për plakun të cilin e
kishte varrosur: “...Pas tre muajsh që u kthyem në shtëpitë tona, erdhi një persona te
shtëpia dhe filloi të më pyesë për tërë rastin. Pasi i shtroi të gjitha
pyetjet, konstatova se faktikisht, ioshte i afërti i atij plakut të varrosur,
andaj edhe fillova t’ia tregoj ngjarjen fill e për pe...
Pas pa përfunduar bisedën, filloi të qajë dhe
m’u hodh në gjoks duke më shtrëngua: ai është babai im i ndjerë me të cilin na
ndau lufta...”!
Krahas
luftës dhe tragjedive që sjell ajo, autori në këtë libër sjell edhe tema të
tjera, që janë jo vetëm dukuri por edhe përditshmëri e jetës, mbase edhe dukuri
e çoroditur dhe shpesh e përcjellë edhe me jonjerëzoren...!
Këtë
ligatinë e hasim tek tregimi “Darka për të varfrin”. Në këtë prozë-rrëfim,
autori vë në spikamë së paku dy gjëra shumë të rëndësishme, të cilat
korrespondojnë mirë njëra me tjetrën: varfëria dhe madhështia e njeriut, e që në
këtë rast, ai, pra autori, di ta madhështojë dhe t’u ofrojë ndihmë atyre që kanë
nevojë edhe për kafshatën e bukës. E tërë kjo, bukur shtrohet dhe çimentohet si
moral përmes rrëfimit të personazhit, respektivisht, të Fisnikut, i cili, jo
rrallë, një pjesë të ushqimit të darkës e ndante, dhe të nesërmen t’ia sjellë
një nëne me dy fëmijë, e cila, çdo ditë luste Zotin për bukën e fëmijëve: “...Nëna
me dy carrokët e vegjël, si dy dritat e syve, e uroi gjatë njeriun e mëshirës së
Zotit, Fisnikun, duke u shprehur me fjalët: “Të bekoftë Perëndia...”!
Ky rrëfim
nuk i vë në spikamë vetëm ato dy veçoritë që i ceka më sipër, por reflekton
edhe pakujdesin e shoqërisë për mirëqenien e njeriut, i cili gjithmonë shpreson
për ditë e kohë më të mirë: “Kur nata shtriu pushtetin natyrshëm, nënë e
lodhur rrugëve të qytetit, shtrinë trupin e dërmuar në ngrohtësinë e gjirit dy
shpresat e jetës, dy fëmijët e saj, të cilët tani ishin tretur në ëndrrat e
tyre të bukura, me shpresë për një ditë të re, për një jetë ndryshe dhe më të
lumtur...”!
Rrëfimi për mësuesin, koha
që përkujton kohën e Migjenit dhe pesha e lotit të nënës
Ndërsa,
tek tregimi “Mësuesi X”, autori e shtron një temë sa të dhembshme aq edhe vjetër,
një temë bizare dhe ndëshkuese edhe për realitetin e kohës por edhe për shoqërinë,
temë kjo e cila sikur na përkujton kohën e Migjenit, por të “begatuar” edhe me
një formë tjetër të mjerimit të shekullit që jetojmë. Andaj, jetën e mësuesit
nuk e përshkruan dhe as nuk e përjetëson në shkrimin e vetë vetëm si problem
social, por, përmes rrëfimit, lexuesit ia ofron edhe sakrificat e edukatorit-mësuesit
nëpër periudha të rënda dhe trishtuese edhe nën okupim, duke përmendur edhe
torturat nga okupatori, kurse, ai sot rrugëve të qytetit sorollatë shpirtin e
trupin, duke ecur me shtagën kërrutë, e të cilin e rëndon edhe të pamurit, që mëzi
pakëz ia kthjellojnë syzet me dioptri të madhe, me syze si bilur! Gjendja dhe
vetmia e tij, pastaj, përkulja e tij për ta marrë një duq cigareje që e kishte hedhur
dikush pasi që e kishte tymosur cigaren duke e lënë në gjysmë, thjeshtë, por
zjarrmishëm, autori përshkruan jetën e një mësuesi i cili i ka begatuar me
dituri gjenerata të shumta, e që as nuk hetohet e as nuk diktohet prezenca e
tij në qytetin ku gjithandej kishte përhapur dituri!
Rrëfimi
për këtë mësues kulmon edhe në momentin kur hyn në barnatore për të blerë
ilaçe, por në kuletën e tij nuk kishte asnjë lek për t’i paguar barnat, edhe
pse, në këtë rast, si ndërmjetëz, autori e fut humanitetin e njeriut tonë,
respektivisht, të Melit dhe Xenit, që pa i diktuar mësuesi, e bëjnë pagesën e
ilaçeve.
Ky
përshkrim modest por fondamental, dashtë e pa dashtë, zgjon indinjatë për gjithçka
për atë se shoqëria nuk është mpiksur me vetëdije dhe as nuk është sa duhet e
ndërgjegjshme për t’u kujdesur për njeriun dhe njerëzit që e bëjnë jetën, edhe
për ata që nxjerrin gjenerata e gjenerata për ta quar përpara kombin dhe
atdheun. Në këtë aspekt, kujtoj se është dëshmi që prekë shumë rrafshe kjo kur
autori në mes tjerash thekson: “Hapat e mësuesit ishin të ngadalshëm. Në
dorën e majtë mbante një shkop për ta ndihmuar ecjen e lodhur e të rënduar.
Kishte të veshur një pallto të shkurtër, ngjyrë kafeje, mbante syze të trasha.
Sigurisht për shkak të dioptrisë së çrregulluar! Fytyra e tij dukej mbi
moshën që kishte kaluar... dhe, duke
ecur rrugicës mes pishave të parkut, Mësuesi X, u përkul deri në tokë... Zgjati
gishtat dhe mori një duq duhani të hedhur
nga kalimtarët... nxori çakmakun dhe e ndezi atë duq duhani. E shikonte tymin e
tij si rrugën e tij të shkapërderdhur. E thithi edhe dy herë duke thënë: “phiiii,
m’i qeli sytë...”!
Pra,
duke e analizuar këtë rrëfim por edhe tërë librin “Pesha e lotit”, autori sikur
na detyron mendimin se domosdo nevojiten analiza të thella dhe gjithëpërfshirëse
të kohës, të kohërave... Andaj, edhe kjo e shton vlerën dhe peshën e këtij
libri të krijuesit, Tahir Bezhani.
Ndërsa,
tek tregimi “Pesha e lotit të nënës...”, autori na servir një temë tjetërfare,
por gjithnjë në të njëjtit binarë të jetës, e cila me decenie është aktuale dhe
e preokupon njeriun tonë. Është ky fati i nënës nëpër të gjitha kohërat, nëpër
të gjitha situatat, por, është edhe qëndresa e saj si lapidar i pathyer për të
ngritur familje të shëndosh dhe të ndershme.
Në këtë
temë e gërsheton edhe mërgimin si plagën më të rëndë dhe më të vjetër të kombit,
e cila padyshim se shpesh ka shkaktuar drama e tragjedi, të cilat gjithnjë kanë
lënë edhe gjurmë të pashlyera, kanë lënë vragë e plagë të ndryshme e të pashëruara.
Këtë narracion të jetës, autori e prezanton përmes nënës Zojë, e cila i kishte
dhe i rriti katër vajza e tre djem.
Dhe, për
ta fuqizuar më shumë mesazhin e temës që shtjellon, autori, në mes tjerash
thekson: “Jeta i ngjanë një lumi, i cili jo rrallë di të çmendet, dhe para vetes
bartë krejt çfarë hasë. Edhe Nënë Zoja, iu ngjanë këtyre valëve, të cilat e
sprovuan fort gjatë gjithë jetës.
Nuk e kishte menduar se një ditë, në moshë të
shtyrë nuk do i kishte afër ata që i lindi e i rriti me mund e sakrificë...”! Pra, tre djemtë e kishin marrë rrugën e
kurbetit, kurse vajzat ishin martuar. Ja se çfarë thotë autori në vazhdim: “Fëmijët iu kishin martuar në kurbet për
letra. I vinin rrallë, duke u arsyetuar me “punët e shumta”, vajzat ishin në
derë të huaj...”! Pra, këtu shpërfaqet problemi i jetës së njeriut, duke u përballë
me trakullimat dhe me probleme të ndryshme, të cilat nuk zgjidhen dot deri në
fund, por ngelin si det i hapur e i rrahur nga erëra e furtuna, që nuk prajnë
kurrë.
Edhe këtë temë të shtruar e
rrahur në këtë formë, autori, ndoshta na prezanton si provokim për ta analizuar
e studiuar më ndërgjegjshëm jetën dhe historinë e njeriut të këtij nënqielli.
Pesha e mallit dhe e
vetmisë dhe magjia e dashurisë...
Temat
tjera që i shtjellon autori si “Pesha e lotit”, Tahir Bezhani, u ngjajnë
hallkave të vargonjve, që secila e ka rolin, rëndësinë dhe peshën e vetë,
gjithnjë në rrugëtimin historik të njeriut. Këtë, fuqishëm, por edhe tmerrshëm
e hasim edhe tek tregimet: “Zyra 316”, “Fishkëllimë e dhimbje”, “Rrëfimi i jetës
dhe magjia e dashurisë, “Kujtimi i mbjellë”, “Historia e gjërave të vogla” etj.
Ndërkaq,
tek tregimi “Surprizë e lotëve të ndarjes”, prapë lexuesit i referohet një teme
e cila shprish mendjen dhe mallin, por duke e shoqëruar sërish në atë vorbullën
e plagës së kurbetit.
Përmes
një rrëfimi, i cili ngreh peshën e mallit dhe të daktisjes së popullit, sikur shfrytëzon
rastin që të vë në piedestal mallin familjar, e që kjo i ngjanë edhe rrëfimit të
vetë autorit nga një pjesë e jetës së tij. Kështu, thjeshtë, por fuqishëm sjell
mallin, dhembjen dhe dromcat e jetës së Malësor e Rreze Shkozës, të cilët, pasi
fëmijët i kanë në kurbet, i kaplon dhe sikur i kapërdinë malli e vetmia por
edhe meraku për t’u takuar me fëmijët e tyre të cilët jetojnë në kurbet, se
mosha e bën të vetën e nuk i dihet!
Edhe
kjo problematikë sjellë një mori pyetjesh për gjithçka, duke filluar nga fati i
kombit, nga historia e tij e deri tek koha më e re, e që të gjitha lidhen pashkëputshëm
si zinxhirët, e që ndonjëherë u ngjajnë Nyjës të Gordiut: “Lëri ato letra o burri im, eja të
merremi me naj bisedë së bashku, të dertojmë për hallet tona, a po e sheh se
koha po ecën?!
...Ka kohë që vetmia ka ardhur në shtëpinë
tonë, por nuk jemi vetëm, koha e bëri të veten dhe e gjithë Kosova u zbraz...”!
Duket
rrëqethëse dhe trishtuese e gjithë kjo që autori, jo pa qëllim e vë si problem
jetik, nga i cili mund të bëhen e shkruhen tash e gjithmonë studime e vepra,
por të cilat sikur asnjëherë deri me tash nuk e kanë sjellë atë arsyen dhe
shkakun e dhembjes por edhe të fatit të njeriut, i cili shumë herë nuk varet
nga vetë ai.
Autori
është i vetëdijshëm, se në pleqëri malli shpirtëror edhe bëhet mollë sherri i
dhembjes, i dashurisë dhe i etjes. Andaj, ai ëmbël dhe prajshëm na sjellë tablo
jete me këtë temë të rëndë e përcëlluese:
“Grua, do të shkojmë te familja e
“madhe”, te djemtë, nipat e mbesat. Do rrimë më shumë se një muaj...”!
E
theksova këtë sepse, edhe autori e di se qëndrimi e bashkimi me familjen në
kurbet, për një moment shuan mallin, por, njëkohësisht edhe më shumë e rritë peshën
e dhembjes dhe të vetmisë, se jeta ecën shpejtë duke e shpenzuar kohën...! Në këtë
rast, është karakteristike, se autori, me apo pa vetëdije, rrahë telin e ikjes
së rinisë, të zbrazjes së Kosovës, dhe prapë, shtëpia dhe vetmia bëhen pjesë e
jetës së njeriut, në këtë rast të Malësor dhe Rreze Shkozës: “Megjithatë,
prapëseprapë, kur ata ikën-u kthyen në atdhe, vetmia mbeti pjesë e jetës së
tyre, që përkundet në djepin e ditëve dhe stinëve, mallit me lot dhe vaj...”!
Gjatë
jetës, edhe dashuria e begaton rrugëtimin jetësor, mbase edhe trakullimat, vuajtjet,
dhembjet dhe tragjeditë. Andaj, autori i librit , “Pesha e lotit”, ia shton
vlerën veprës, duke e thyer edhe “monotoninë” që ndonjëherë mendohet se janë
shtruar tema të “rënda” brenda librit, duke shtruar rrëfimin që kthen në
kujtimet e bukura dhe të paharrueshme. Kjo më së miri shprehet te tregimi “Rrëfimi
i jetës dhe magjia e dashurisë”.
Në këtë
rast, “magjia e dashurisë”, reflekton shumë gjëra, të cilat mund t’i përkasin edhe
vetë autorit, por edhe secilit njeri. Këtë rrëfim, autori e zgjidh duke e
shtruar ngjarjen në një dasmë, ku përmes shikimit “afrohet” e kaluara
djaloshare me vajzën, të cilën tani, në dasmë kishin të takohen pas shumë kohësh
e vitesh. Pra, të dytë kishin rastisur në këtë dasmë, e që tani afria forcohet
duke hedhur valle, të cilat zakonisht ndezin zemrat e shpirtrat, kuptohet edhe
duke u afruar ngatë njëri-tjetrit gjatë valles: “...Gjatë kohës sa vallëzonim, Mërgimja
e kishte pikatur tavolinën ku ishte Dren
Vata. Gjithë kohën mendonte se si ta verifikonte se a ishte Dreni i vertetë, me
atë pamje aq burrërore, me bukuri të ruajtur e ma shtat të hedhur si dikur...”.
Dhe,
pas shumë “shkrirjeje” të zemrës, sikur ishte harruar dasma për Mërgimën dhe
Drenin. Kështu, autori me mjeshtri “aranzhon” takimin e Mërgimes me Drenin, në
të cilin takim gjithçka i rrëfyen njëri-tjetrit. Kjo copë idile i bashkoi dhe
ribashkoi mendimet dhe kujtimet e tyre:
“Rrëfimet janë të përbashkëta, fatet po
ashtu, dashuria gacë e ndezur, jeta nuk është ‘plakur’ as për neve. Të dua si
sytë e ballit. Këtë durim kaq të gjatë na paska ruajtur Zoti për të na bashkuar
në jetë.
Mendoj se të gjitha vuajtjet tona duhet
“falë” kohës së kaluar, e ne të jemi së bashku gjithë jetën”!
Me qëllim
i theksova apo i spikata këto fragmente, për të dëshmuar se autori di bukur dhe
fuqishëm t’i shtrojë gjërat që edhe lexuesin ta bëjnë për vete por edhe pjesë
të vetë ngjarjes, siç është rasti surprizave të rralla të dashurisë gjatë jetës.
Pra, edhe si tek rasti i Drenit dhe i Mërgimes, e cila kishte jetuar në kurbet
dhe babai e kishte martuar pa dëshirën e saj, e për ta bërë edhe më të madhe
tragjedinë, pas një kohe martese edhe bashkëshorti i kishte vdekur. Andaj, jeta
shpesh sikur i ngjanë lumenjve me bifurkacion, por që diku larg apo në kohërat
që do vijnë, sërish takohen dhe bëhen një.
Shkrimtari,
Tahir Bezhani, tek libri “Pesha e lotit”, përmes rrëfimeve interesante sikur na
sjellë tërë jetën pashkëputur por të ngjitur deri në ditët e sotme, e cila edhe
sot e kësaj ditë është me plotë rrjedha interesante, të mira dhe të ndërlikuara...
E, e tërë kjo i ngjanë një gjerdani të veçantë të rrugëtimit me të gjitha të bëmat,
me madhështitë, vuajtjet dhe me gjithë
koloritin që ka.
Libri
me tregime “Pesha e lotit” e autorit Tahir Bezhani është edhe një vepër që
e begaton krijimtarinë letrare shqiptare.