| E merkure, 17.06.2020, 03:56 PM |
NË KUJTIM TË PATRIOTIT EMIN FAZLIJA - I QUAJTUR NDRYSHE EMIL KASTRIOTI –
Me
rastin e 5-vjetorit të vdekjes
Nga
Frank Shkreli
16
Qershori shënoi 5-vjetorin e vdekjes së Emin Fazlisë, ose siç njihej dikur me
pseudonimin, Emil Kastrioti. Unë nuk e
kam njohur personalisht Emin Fazlinë, por kam komunikuar duke çkëmbyer disa
letra me të në fillim të 1970-ave. Për
më shumë të dhëna se kush ishte Emin Fazlija dhe cila ishte veprimtaria e tij,
mund të shikoni filmin dokumentar (2018) të cilit po e sjellim më poshtë, për
ta që mund të jenë të mësojmë më shumë për këtë patriot të dalluar të Kombit,
me rastin e 5-vjetorit të vdekjes :https://www.ballikombetar.info/dokumentari-per-emil-kastriotin/
Unë
po e kujtoj, Emin Fazlinë ashtu siç përpiqem të kujtoj disa prej atyre
shqiptarëve të brezit më të vjetër se unë, të cilët i kam njohur ose kam pasur
kontakte, e për të cilët gjatë viteve, kam zhvilluar një respekt të veçantë për
jetën dhe veprimtarinë e tyre në mbështetje të drejtave të njeriut, të
identitetit dhe të interesave kombëtare, mbi të gjitha, për punën e tyre për
bashkimin e trojeve etnike, si mision i jetës së atij brezi. Njëri prej këtyre
personaliteteve të mërgimit gjatë 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar
ishte edhe Emin Fazlia-- për mua sipas komunikimit me të, i njohur në atë kohë
si Emil Kastrioti -- e për të cilin mësova më shumë pas shembjes së Murit të
Berlinit. Më në fund,zbulova se Emil
Kastrioti me të cilin kisha shkëmbyer letra në fillim të 1970-ave, ishte në të
vërtetë Emin Fazlija, i cili ndërroi jetë 5-vjetë më parë.
Pasi
nuk e kam njohur drejt për drejti të ndjerin Fazlia, por për të cilin sa më
shumë mësoj për aktivitetin e tij dhe të familjes, kam shumë respekt, nga
komunikimi që kam pasur me ’të në fillim të 1970-ave dhe bazuar në të dhënat që
mësova më vonë se kush ishte ai dhe cila kishte qenë veprimtaria e tij në
ish-Jugosllavi dhe më vonë në mërgim në Gjermani. Ai ka zhvilluar veprimtarinë e tij patriotike
në “ilegalitet” dhe me disa pseudonime – më i njohuri pseudonim ishte emri Emil
Kastrioti -- gjatë një periudhe të luftës së ftohtë që nuk ishte e lehtë për tu
marrë me punë patriotike, as brenda Kosovës dhe as jashtë Atdheut. UDB-ja famëkeqe jugosllave ishte shumë aktive
dhe i zhdukte kollaj shqiptarët aktivistë të çeshtjes kombëtare, jo vetëm në
Kosovë dhe në trojet shqiptare në përgjithësi në ish-Jugosllavi, por e shtrinte
dorën e saj të zezë edhe në komunitetet shqiptare në botën perëndimore, sidomos
në Gjermaninë Perëndimore të asaj kohe por edhe në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës.
Në
fillim të 1970-ave, me entuziazmin e një të riu dhe duke përfituar nga liria që
më ofronte Amerika, kisha filluar botimin e një fletoreje tepër modeste,
titulluar, “Rinija Shqyptare në Mërgim”,në New York, si një mjet, me qëllim për
të grumbulluar ata pak të rinjë e të reja rreth një ideje të përbashkët për një
organizim sado modest në atë kohë.
Sidoqoftë, Emin Fazlisë, ndryshe “Emil Kastrioti”, i kishte ra në dorë
në Gjermani “Rinija Shqyptare në Mërgim”, e cila siç duketi kishte pëlqyer
sepse reragimi i tij ishte pothuaj i menjëhershëm ndërsa më dërgoi menjëherë
një letër (e para prej tij, për tu pasuar me dy-3 tjera më vonë), të cilën e
botova në një numër të radhës të kësaj fletorjeje tepër modeste për nga fillimi
i saj, për arsye të mungesës së bashkpuntorëve të përgatitur por edhe për
mungesë fondesh, që të botohej vërtetë diçka si i kishte hije, ndonëse vullneti
i mirë nuk mungonte, megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballeshim menjëherë
pas arritjes tonë në Amerikë.
Në
letrën e parë që më dërgoi,kopjen e plotë të cilës mund ta lexoni më poshtë
ashtu siç ishte botuar në “RinijaShqyptare në Mërgim”, “Emil Kastrioti” ka
përshëndetur fillimin e botimit të këtij organi të rinisë
shqiptare-amerikane,duke shkruar: “Ju uroj nga thelbi izembrës sime të
përvuejtun për iniciativën e mirë që keni marrë dhe Zoti i Plotfuqishëm dhashtë
e u udhzoftë në rrugë të mbarë që të korrni sukses sa ma të plotë dhe të delni
faqebardhë në misionin e filluem dhe që botimet e jueja të lozin rolin e
caktuem në bashkimin e dhe arsimin e rinisë shqytare në mërgim, e cila për kob
të zi të rracëssonë shumë të përvuejtun arbnore qe e detyrueme me i lanë trojet
e lame me gjak t’Atdheut për pamvarsi dhe me marrë rrugën e mërgimit për t’i shpëtue furisë jo
njerëzore të zymtyrës kuqe aziatike që don me shkulë me rrajë traditat t’ona
jetike, mijavjeçare të Arbërit kryelart.”
Më
tutje, “Emil Kastrioti” alias Emin Fazlija, me frymën e vërtetë prej patrioti,
në letrën që më dërgonte, bënte thirrje – për nevojën e madhe të bashkimit të
shqiptarëve atëherë --por edhe një nevojë gjithnjë aktuale edhe sot – duke
thekësuar domosdoshmërinë për, “bashkimin e të gjitha forcave kombtare të
diasporës shqiptare”, duke thënë se, “Lus Perendinë që ti qendroni deri në fund
idealit të nisun dhe askurrë të mos vini
në sprovë për të shmangë rrugën e drejtë të bashkimit të plotë të gjitha
forcave kombtare të diasporës shqiptare në nji front të përbashkët për nji
qellim dhe për nji ideal tëprokllamuem para 60-vjetësh prej plakut bujar e
fisnik, Babës Ismajl Qemalit në Vlorën kreshnike , m’u në atë ditë kur me 1443
në Krujë, paraardhësi i tij e pat ngritë Flamurin Kuq e Zi me shkabjen
dykrenare (pa shkopij dhe pa yllin aziatik) në mes, që valviti me mburrje e
krenari për nji çerek shekulli, tue mos iu përulur kërcënimeve të tërbueshme të
Otomanit aziatik…”, më shkruante Emin Fazlia , ndryshe“Emil Kastrioti”, nga
Gjermania Perëndimore në verën e vitit 1972.
Ai
e përfundon letrën me porosinë për për rininë shqiptare në Amerikë që të mos
harrojë gjuhën shqipe, duke kujtuar, “Fjalët e mëdha të Poetit tonë të madh,
shqiptar Patër Gjergj Fishtës, kur ai ban fjalë për gjuhën shqipe në vjershat e
tija të pavdekshme për gjuhën dhe kombin shqiptar”, duke thekësuar se nëqoftse,
sipas porosisë së tij, rinia shqiptare dhe komuniteti shqiptare-amerikan në
përgjithësi në Amerikë, “Nderon dhe respekton traditën e vendlindjes së vet,
atëherë ajo do të respektojë dhe do të nderojë edhe vendin ku gjinden tash”, me
shpresë sipas tij, “për t’u këthyer në Atdheun tonë të dashtun, të çliruem dhe
të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, që në atë kohë ishte një
shpresë e madhe por e pa realizueshme pasi u detyruam të prisnim edhe 30-vjetë
të tjera shembjen e komunizmit për të parë Atdheun) duke e përmbyllur letrën
me, frazën“I Jueji si vlla, me Besë Shqyptare!”
Porositë
e Emin Fazlisë në letrën dërguar nga Gjermania Perendimore në vitin 1972 një
djaloshi të ri në Amerikë dhe botuar në fletoren, “Rinija Shqyptare në Mërgim”
të Nju Jorkut,(me pseudonimin “Emil Kastrioti”) -- për bashkim të shqiptarëve
kudo qofshin, në mërgim ose në Atdhe, si dhe për ruajtjen e gjuhës dhe të
identitetit kombëtar-- mbeten gjithnjë gur-themeli për realizimin e ëndërrës së
shqiptarëve për një Atdhe të, “Çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e
tij territoriale”, ende endërra e Emin Fazlies dhe e shumë shqiptarëve që ende
mendojnë e shpresojnë si ai.
Ky
është mesazhi i Emin Fazlisë dhe sot kjo është arsyeja që po e ndaj kujtimin e
tij me lexuesin, në këtë 5-vjetor të vdekjes së tij. Janë këto vlera të atdhedashurisë të një
brezi të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore – të cilët nuk janë më, kur
fjala midis tyre lidhej me “Besë të Shqyptarit” -- vlera që fatkeqësisht, kanë
humbur dhe janë harruar nga brezi i sotëm i shqiptarëve, sidomos nga klasa
politike shqiptare, por që patriotë shqiptarë si Emin Fazlija -- me kujtimin e
tyre -- nuk na lenë t’i harrojmë.