| E marte, 16.06.2020, 06:21 PM |
LYPSET NJË NDJESË PËR MOIKOMIN!
NGA
ILIR ÇUMANI
Tashmë
Moikom Zeqo u shua fizikisht duke u larguar përgjithmonë nga bota e të
gjallëve. Iku ashtu siç ikën një Njeri jo i zakonshëm kur ndal frymën e fundit.
Na la pa gojë të gjithëve me ikjen e Tij të mundimshme dhe të pa zë,prej sëmundjes kapricioze dhe
tinëzare. Na la shpejtë e përgjithmonë Akademiku qelibar, esteti
filozof,shkrimtari dhe poeti, historiani dhe poliedriku i begatë, Njeriu që
shkëlqeu e ndriçoi me dijen e Tij multikulturale dhe erudite si rrallëkush ndër
të ngjashmit e Tij. Iku mendimtari dhe dijetari i universit, dinjitari
emblematik i inteligjencës sipërore të një Kombi, duke na lënë një trashëgimi
të pasur letrare, historike, kulturore, arkeologjike, thesare të vyera gojëdhënash që nga antikiteti e deri në ditët
e sotme. Iku një nga Dishepujt e Mendimit iluminist në tërë hapësirën
mbarëshqiptare. Iku Ai që i shërbeu kombit me vetëdijen dhe ndërgjegjen më të
lartë patriotike, me atdhedashurinë e një atdhetari model, pa i marrë kujt si
shpërblim asnjë thërrime. Po, asnjë thërrime…!!! Sepse Ai, ashtu si rilindasit
tanë, jetoi dhe punoi gjithë jetën si patriot dhe idealist dhe iku nga kjo botë
si i tillë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe me një Njeri i kalibrit si
Moikom Zeqo. Me ikjen e Moikomit nga kjo botë, Shqipëria nuk do të jetë më ajo
që ishte në gjalljen e Tij.Të gjithë ne do të kemi më pakë frymëmarrje
moikomiane, do të jemi edhe më të varfër, edhe më të uritur prej mungesës të
mëndjeve të ndriçuara si Ai.E konsideroj veten me fat që në jetën time pata një
Mik kaq të rëndësishëm, të pa shembullt nga përmasat e mirësisë dhe të
dhembshurisë njerëzore, simbol i mençurisë dhe diturisë të pamatë,
mëndjendriturin Akademik dhe Njeriun e kulluar, dijetarin humanist, patriotin
dhe idealistin shembullor, Profesor Mikom Zeqo! I rritur jetim qysh në
fëmijëri, ishte kjo edhe një arsye më shumë që 30 vitet e fundit u lidha
ngushtësisht me profesorin e nderuar, në një miqësi të pastër e të sinqertë. Dy
vjet më parë, në një të përditshme në shtypin e shkruar, profesori i nderuar do
të rrëfente hapur jetën e tij, fëmijërinë e vështirë, duke deklaruar se në
moshën 10 vjeçare kishte mbetur jetim. Babai i tij kishte qenë partizan, ishte
plagosurdy herë në luftë. Kjo mesa duket i mori jetën para kohe. Mirëpo, as
humbja e babait në moshë të mitur, as varfëria e skajshme në familje dhe nëna e
tij e mbetur e ve, dhe as ndonjë mik nuk ndikoi në rrugëtimin e Tij, në
ambicien për t’u bërë një emër i madh
dhe një nga emblemat e Kulturës tonë Shqiptare. Në një farë mënyre siç shprehej
Moikomi, u bë vetë Ai që ishte, pa rregulla, si një autodidaktdhe kurreshtar i
etur për dije e kulturë. Përveç bisedave në fusha të ndryshme ku Ai ishte Zot i
fjalës, mjeshtër i mendimit dhe interpretimit filozofik, në biseda të shumta më të në këto vite,
mësova aq shumë edhe prej zhgënjimeve dhe brengave që pati, të cilat e
shoqëruan me një pezmë të thellë në heshtje. Si një intelektual dinjitar dhe
stoik, ato brenga dhe zhgënjime i mbajtitë kyçura brenda vetes,deri në momentet
që dha frymën e fundit. Mosmirënjohja, e më pas, braktisja që padrejtësisht i
bëri 15 vjet më parë establishmenti aktual i Partisë Socialiste këtij
Dishepulli humanist të urtësisë dhe mençurisë danteske dhe sokrateske, ishte
zhgënjimi më i madh i jetës së Tij. Ngase me kulturën e gjithanshme erudite dhe
poliedrike multikulturale që Akademiku i shquar zotëronte, eklipsonte dhe
nxirrte zbuluar pse jo, një pjesë të konsiderueshme të injorancës së
analfabetëve funksional të disa drejtuesve brenda kësaj force politike. Moikom
Zeqo u anatemua dhe u margjinalizua pa asnjë mëshirë dhe pa asnjë respekt, si
nga qeverisja e djathtë e Berishës, ashtu edhe nga dy qeverisjet e
Kryeministrit socialist Edi Rama. Çdo gjë ishte e qëllimshme dhe e mirëmenduar
në mënjanimin e profesorit të nderuar, ngase duke e braktisur dhe duke e lënë
në harresë, synohej dashakeqësisht që të zhbëhej dhe të shuhej fare emri i Tij
i ndritur si kontributor i pazëvendësueshëm brenda Partisë Socialiste, si një
nga themeluesit kryesor të kësaj force politike që e shndërroi atë parti me një
histori të errët të së shkuarës, në një Parti të reformuar, progresiste dhe
moderne..... Falë Dritëroit, Moikomit dhe të ngjashmëve shumë të paktë të soit
të tyre, ajo Parti shpëtoi nga shpërbërja. Mirëpo, për fat të keq, tashmë kjo
forcë politike është kthyer në një Parti nepotike e klienteliste miliarderësh
në duar të atyre që s’kanë kurrëfarë lidhje me një Parti të së majtës
evropiane. Ndaj sot, kam një Apel për të gjithë enturazhin e PS - së. Ju lutem,
të paktën respektoni në këto çaste Kodin e Vdekjes...Këto ditë, në rrjetet
sociale e kudo, kam parë e lexuar shumë
statuse ngushëllimi e “pikëllimi” edhe nga ata që eksponentë aktual të Partisë
Socialiste që sa ishte gjallë Moikomi nuk i folën njëherë me gojë, nuk e pyetën
njëherë për shëndetin, të cilët sot, edhe në ditëvdekjen e Dishepullit synojnë
të kenë përfitime utilitare. Ju lutem, lërini statuset e rreme në rrjetet
sociale, hipokrizinë dhe lotët e krokodilit ndaj profesorit të ndritur MOIKOM
ZEQO, të cilin e braktisët në ditët e tij më të vështira, duke e lënë edhe disa
vite pa punë në kulmin e prodhimtarisë së Tij si krijues dhe si politikan! Ai
ishte, është dhe do të mbetet përjetë një nga pasuritë e mëdha Kombëtare, aset
i paçmuar i Shqipërisë sonë me kaq shumë halle, për të cilën punoi gjatë gjithë
jetës së tij pa u lodhur kurrë, pa u qarë kurrë, pa u zvarritur kurrë. Ai i dha
Kombit dhe popullit të Tij gjithçka pati, gjithçka diti, si një mendje aq e
ndritur e prodhimtare, pa pretenduar asgjë si kompesim. Heshtja juaj do të
ishte shenja më e pranueshme e ngushëllimit përmes pendesës, edhe pse e vonuar.
Të paktën në emër të Zotit, lypset një FALJE publike në këtë ikje të gjatë pa
kthim të Moikomit të të gjithë Shqiptarëve. Moikom Zeqo ishte dhe mbetet një
pasuri kombëtare, por jo i partive, aq
më keq, jo e jo i partisë që Ai e ktheu sërish në jetë, pikërisht në çastin kur
lëngonte në shtratin e vdekjes, në vitin ‘91. Ndaj sot, në ditën e përcjelljes
së Dijetarit dhe Dishepullit të fundit Moikom Zeqo, Partia Socialiste i ka si borxh të madh një
ndjesë publike, të shoqëruar me një heshtje të plotë pendese.