| E marte, 16.06.2020, 01:10 PM |
Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Marecit me rrethinë
Nga Dr.
Qazim Namani
Fortifikimet në territorin e Kosovës së sotme janë
ndërtuar që në kohët e hershme të shoqërisë njerëzore, respektivisht në epokën
e bronzit. Këto ndërtime u kushtëzuan për tu mbrojtur nga sulmet e fiseve të
ndryshme qe vinin për të plaçkitur dhe zaptuar territore.
Kulina e Krilevës apo siç quhet ndryshe nga banoret lokal
Gjyteti i Marecit njihet me këtë emër sepse pikërisht vija administrative e
fshatit Krilevë, komuna e Dardanës (Kamenicës) dhe fshatit Marec, komuna e
Prishtinës ndahet në rrafshnaltën e fortifikimit të Kulinës. Ky vendbanim është
shtrirë në veri të Kulinës në Kodrën tjetër të njohur nga popullata lokale
Gjyteti. Mendoj se vendbanimi ka një rëndësi të veçantë sepse kishte një pozitë
të rëndësishme strategjike pranë rrugës Nishë-Justiniana Primë- Artanë (Novobërd)-
Shkup, dhe po ashtu pranë rrugës që e lidhte Justinaiana Primen (Qytetin e
Mbretit) dhe Justiniana Sekondën (Ulpianën).
Fig 1-
Pozita gjeografike e Kulinës pranë rrugëve që vinin prej Justiniana Primës
Fig. 2.
Ndarja administrative e fshatit Marec dhe Krilevë në Kulinë, Fig. 3.
Planimetria
Bazuar në gjetjet e rastit pranë këtij fortifikimi mund
të pohojmë se ky vendbanim bënë pjesë në grupin e fortifikimeve me mure guri që
fillojnë të ndërtohen qysh në epokën e bronzit për të vazhduar jetën pa
ndërprerje deri në pushtimin nga Perandoria Osmane në shekullin XV.
Kjo fortifikatë është ndërtuar në rrafshnaltën e një
kodrine dhe muret rrethuese rrethojnë një sipërfaqe ovale prej rreth 1.0
hektarësh.
Shumica e fortifikimeve ndërtoheshin për tu mbrojtur nga
rreziqet e armikut prandaj edhe zgjidheshin terrene me mbrojtje te mire
natyrore dhe strategjike.
Fig. 4-
Pamje e Kulinës nga ana lindore, Fig. 5- Pamje të Kulinës nga ana perëndimore
Fig.6.-
Kodrina në anën veriore të Kulinës kah shtrihej vendbanimi, Fig 7.- Pamje prej
Kulinës e Kalasë së Strezocit dhe Buxhenicës.
Këto fortifikime zakonisht ndërtoheshin në zona të
zhvilluara ekonomike, të pasura me minerale, tokë bujqësore e blegtorale, ujë
të mjaftueshëm dhe në afërsi të rrugëve të rëndësishme.
Pozita gjeografike e këtij fortifikimi me mbrojtje të
mirë natyrore, mundësonte zhvillimin dhe administrimin e territorit, pasurive
natyrore dhe mbrojtje nga sulmet e armikut. Fortifikimet e rangut të qyteteve
rrethoheshin edhe me kështjella të vogla apo kulla të veçuara që shërbenin për
të paralajmëruar sulmet nga fiset pushtuese.
Karakteristikë e këtij fortifikimi është se pjerrtësia e
kodrës në anën veriore, lindore dhe jugore është mjaftë e thepisur që
mundësonte mbrojtje të mirë natyrore. Në anën perëndimore pjerrtësia e kodrës
është ë butë, që mundësonte qasje të lehtë brenda mureve të kështjellës dhe ndërtime
për banim jashtë mureve rrethuese. Muret në anën perëndimore mungojnë, ndërsa
në anën lindore vërehen fragmentet e mureve rrethuese të qytetit dhe dy kullave
mbrojtëse.
Fig. 8
dhe 9 - Gërmadhat e fortifikimit në anën lindore
Në anën perëndimore të fortifikimit përveç krojeve nuk ka
ndonjë përrua, ndërsa në të gjitha anët tjera fortifikimi mbyllet me rrjedhje
të përroskave që bashkohen në Lumin e Lakuar (Kriva Reka), në anën jug-lindore
të fortifikimit.
Kështjellat të cilat kanë mbrojtje të fuqishme natyrore
kanë një sipërfaqe 0,5 deri 1,5 ha. Prej tyre më të voglat janë të destinuara
për qëndrime garnizonesh ushtarake, ndërsa të mëdhatë kanë edhe funksion
ekonomik.[1]
Fig.
10- Fortifikatë e rrethuar me rrjedha të ujitë.
Pozita gjeografike e Kulinës ka mundësuar shtrirjen e
vendbanimit në anën verore dhe veri-lindore në drejtim të kodrës binjake të
quajtur Gjyteti (Arrnica), kjo është vërtetuar edhe me gjetje arkeologjike të
rastit si dhe shtrirjes së varrezave të vjetra të gjytetit. Nga këto të dhëna
dhe konfiguracioni i terrenit mund të pohojmë se kështjella e Kulinës më shumë
ishte rëndësi strategjike ushtarake për mbrojtjen e vendbanimit nga rreziqet që
mund të vinin përmes rrjedhës së lumit në anën jug-lindore.
Shtrirja e vendbanimit të gjytetit në anën veriore e
kishte një mbrojtje të mirë natyrore pasi që ishte shtrirë në mes të disa
kodrinave po ashtu të mbrojtura nga një sistem i fortifikimeve në kodrat më të
larta me mundësi të mëdha të vëzhgimit dhe komunikimit mes veti.
Fig. 11 – Gjurmët arkeologjike në
anën veriore të Kulinës
Fig. 12– Pamje e kalasë së
Artanës prej Gamylleve në fshatin Prapashticë, Fig. 13– Pamje gjytetit të
Marecit prej Gamylleve
Si fortifikime që e mbronin këtë vendbanim në anën
veriore dhe veri-lindore mund të përmendim: Kodra e Litecit ( Lutesh), në
lagjen Canolli të fshatit Marec, Quka (Kodra e Madhe), në lagjen e Sushnicëve
në fshatin Prapashticë, Gëmyllet në anën veri-lindore të Kodrës së Madhe,
Konaku i Bilallit te Roga e Konaçeve në kufijtë e fshatrave Prapashticë -
Dabishec, Kodra e Asojit dhe Kodra e Demës në fshatin Gllogovicë, kodrina këto
që e ndanin Gjytetin e Marecit me Gjytetin e Gllogovicës dhe distanca mes
këtyre dy gjyteteve është rreth 5 km.
Gjyteti i Gllogovicës ka një pozitë të mirë i shtrirë në
terren të butë, në lindje të dy kodrave të cekura më lartë. Gjatë aktiviteteve
bujqësore në këtë hapësirë janë zbuluar shumë artefakte, struktura muresh, qeramikë,
varreza, monedha që i përkasin periudhës së antikitetit.
Mendohet se Konaku i Bilallit, ishte një fortifikim shumë
i rëndësishëm sepse kishte pamje shume të mirë me fortifikimet tjera mbrojtëse
sot në komunën e Medvegjës afër Justiniana Primës. Kodrina e quajtur Konaku i
Bilallit shtrihej përballë qukës së Mark Kolës (Mërkojës) afër Medvegjës. Për
ekzistimin e një kalaje në këtë lokalitet dëshmon edhe një lagje e sotme në
fshatin Dabishec që e mbanë mbiemrin Kalaja.
Fig. 14–Harta Topografike: Gjurmët
arkeologjike në rrethinën e Kulinës (Gjytetit të Marecit)
Në lindje të kështjellës në vendin e quajtur „Rapuha „ në
fshatin Krilevë janë zbuluar fragmente te mureve të objekteve , qeramikë e
përhimët, varreza që nga popullata njihen si varrezat ilire dhe zgjyrë
metalesh. Në jug lindje po ashtu përgjatë rrjedhës së lumit ka sasi të madhe të
zgjyrës së mbetur gjatë përpunimit të metaleve dhe varreza të vjetra. Në
veri-lindje në distancë prej rreth 2km janë varrezat e gjytetit, ndërsa prej
varrezave në drejtim të veri-lindjes në 1km gjatësi deri te Roga e Verdhë që
njihet si kufi i fshatrave Marec, Prapashticë, Gllogovicë dhe Krilevë vërehen
fragmente të mureve që popullata lokale i quan „Stanet e Rimit“, zgjyrë
metalesh dhe galeri të minierave.
Fig.
15 dhe 16 - Bark ene, qeramikë e
përhimët e zbuluar në vitin 1996 në Rapuhë të fshatit Krilevë
Fig. 17 - Pykë dore e gurit e
zbuluar në vitin 1996 në Rapuhë të fshatit Krilevë
Fig.18
– Zgjyrë e metaleve te Roga e Verdhë në Prapashticë, Fig. 19 – Zgjyrë në Rapuhë
në anën lindore të Kulinës
Fig 20.
– Varrezat e quajtura nga popullata të ilirëve, në Rapuhë të fshatit Krilevë
Nga Roga e Verdhë, kodra në anën jug-lindore quhet
gjyteti i Gllogovicës, në anën jug-perëndimore gjyteti i Marecit, ndërsa mali
ne anën veriore që shtrihet në fshatin Prapashticë quhet Straka.
Rreth tri kilometra, në anën veriore prej Kilinës, në
vendin e quajtur “Lugu i Strakës”, në fshatin Prapashticë janë gërmadhat e një
objekti me blloqe guri të latuar dhe teknikë të thatë të murimit.
Kjo teknikë e punimit të mureve shfaqet për here të pare në gjysmën e shekullit VI
para erës së re, kur përhapja e gjerë e veglave prej hekurit mundësojë latimin
e gurëve. Numri i ndërtimit të fortifikimeve me këtë teknikë shtohet sidomos
prej shekullit V e deri në shekullin e III para erës sonë.[2]
Në vendin e quajtur Lugu i Strakës, rreth 100 m nga Roga
e Verdhë është një Gërmadhë e një objekti të hershëm të banimit. Në këtë
lokalitet sipas dëshmive të banorëve lokal gjatë punimit të rrugës janë hasur
gurë të skalitur, dora e skalitur në gurë dhe enë të ndryshme të punuara prej
guri. Gërmadhat e objektit janë të punuara me teknikë të thatë të murimit që na
shtynë të mendojmë se kemi ta bëjmë me një vendbanim të hershëm dardan.
Fig. 21- Harta Topografike:
Varrezat e Gjytetit, Stanet e Rimit, Roga e verdh dhe gërmadha në Lugun e
Strakës
Në anën jug-lindore të Kulinës duke ndjekur rrjedhën e lumit Rapuhë-Strezoc
gjinden edhe dy lokalitete me zgjyrë te mullinjtë, dhe te e ashtuquajtura Ara e
Samakovës në qendër të fshatit Krilevë.
Në vendin ku bashkoheshin rrjedhat e lumenjve prej
Gjytetit të Gllogovicës dhe Gjytetit të Marecit deri vonë ka ekzistuar një kishë
e besimit katolik. Pas rrënimit të kishës me gurët e saj është ndërtuar xhamia
e fshatit. Në oborrin e xhamisë dhe rreth saj deri vonë ekzistonin varreza të
vjetra. Si dëshmi edhe sot tej lumit në anën jugore të xhamisë ekzistojnë dy
shtylla të objekteve luksoze të vendosura në varreza, por nuk ka dyshim se janë
bartur nga ndonjë vendbanim i zhvilluar i antikitetit apo mesjetar. Është me rëndësi
të ceket se prona mbi këto varreza quhet Fratishta, që lë të kuptohet se dikur
ishte pronë e kishës apo Fratit. Kjo parcelë edhe sot është pronë e xhamisë së
fshatit në të cilën nga fshatarët ishte ndërtuar shtëpia për imamët që do të
shërbenin në xhami. Kjo xhami është e vetmja në Kosovë që e ruante shtëpinë dhe
pronën për familjen e klerikut fetar. Malet që shkojnë prej Fratishtës në
drejtim të fshatit Marec edhe sot quhen Pyjet.
Të dhënat tjera që dëshmojnë se këto prona deri kah mesi
i shekullit XIX ishin në pronësi të kishës katolike, janë ruajtur deri më sot. Në
fshatin Marec mbi “Gurin e Birumë”i cili gjendet në kufijtë e fshatrave Krilevë
dhe Marec, deri pas Luftës së Dytë Botërore, jetoi familja që quheshin Fratishtët. Pas
presioneve nga pushteti kjo familje vendos të shpërngulet në Turqi, ndërsa
pronat e saj ia shiti familjes Vrajolli.[3]
Skënder Makolli po ashtu i lindur në fshatin Marec
njofton se te fratishtët edhe sot ekzistojnë varrezat e vjetra që njihen si
varreza ilire.[4]
Në kujtesën e popullatës së fshatit Marec edhe sot ruhet kujtesa se disa
familje serbe që sot jetojnë në fshatin Hajnoc në komunën e Dardanës janë me
origjinë shqiptare që gjatë shekullit XIX u shpërngulën nga Mareci. Po ashtu
nga përnjohjet e terrenit ne kuptuam se në fshatin Hajnoc, në gjysmën e parë të
shekullit XIX ishte vendosur një familje e krishterë shqiptare nga fshati
Siarinë, komuna e Medvegjës. Kjo familje erdhi në Hajnoc para myslimanizmit të
familjeve shqiptare ne Siarinë. Pronat pranë shtëpisë së kësaj familje edhe sot
quhet “Rrafshi i Kunës”, toponim që haset në vendbanimet shqiptare. Familjet
shqiptare në Hajnoc u serbizuam pas reformave të tanzimatit dhe ndikimit të
fuqishëm të politikës pansllaviste ruse dhe kishës ortodokse serbe të themeluar
në shekullin XIX.
Fig.
22– Kolona të objekteve në varrezat e fshatit Krilevë pranë xhamisë së fshatit.
Rreth 2km në jug të këtyre varrezave, pikërisht mbi Arën
e Samakovës ka gjurmë të themeleve të vjetra, ndërsa rreth 1 km në anën jugore
nga këto gjurmë në kufirin e fshatit Krilevë dhe Marec është një shkëmb që
popullata e quan Guri i Birumë, vend ky i njohur për pozitë strategjike dhe
strehim të banorëve. Prej Gurit të Birumë kontrollohej në mënyrë të
shkëlqyeshme rruga e vjetër që vinte nga Kalaja e Strezocit dhe në Uglarë të Krilevës
bashkohej me rrugën që vinte prej Justiniana Primës nëpër kështjellën e Hajkobillës
(Gjelbrishtës) dhe shkonte në Artanë.
Në anën jug-perëndimore të Kulinës përgjatë gjithë
rrjedhës së lumit hasen shkrirje xehesh deri në lagjen e quajtur Bulaj dhe
përroin e Zi në fshatin Marec, në largësi prej rreth5 km.
Gjyteti i Marecit në anën jugore falë kodrinave të
thepisura në lagjen Pacolli kishte mbrojtje të mirë natyrore dhe nga një varg
fortifikimesh të vogla vrojtuese të ngritura në maje të kodrave në lagjet
Pacolli, Hajdari dhe Gërbeshi.
Fig.
23- Quka e Gërbeshit, Fig.24- Selishta dhe loka;itetet tjara në anën jugore të
Kulinës
Fortifikimet e vogla në këto lagje një komunikim dhe
kontrollim të shkëlqyeshëm të terrenit në mes të gjytetit të Marecit dhe Kalasë
së Artanës (Novobërdës). Qyteti i Artanës shtrihej në kodrinën në anën jugore përballë fortifikimeve në lagjen Pacolli.
Fig.25 – Harta topografike Mes Gjytetit
të Artanës dhe Kulinës
Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Gllogovicës
Gjyteti i Gllogovicës gjendet në dalje të fshatit, në
anën e djathtë të rrugës dytësore Prishtinë-Keqekollë-Dardanë në Koordinatat :
N 42°42'11,55" E 21°27'18,87"
dhe me lartësi mbidetare 725 m. Në anën veriore të gjytetit është Quka e fshatit
ndërsa në perëndim të Qukës ne anën lindore të Kodrës së Asojit vërehen
fragment të themeleve dhe galeritë e vjetra të minierave. Në anën perëndimore
të gjytetit është Kodra e Demës, kisha e vjetër e fshatit dhe dy shpella të
vogla. Në lindje të lokalitetit arkeologjik janë varrezat e vjetra dhe të reja
të fshatit. Sipas dëshmive të banorëve vendas në vitet e 60-ta të shek XX, në
kompleksin e vjetër të varrezave, urithi e kishte nxjerr në sipërfaqe një
monedhë të çmuar antike. Varrezat shtrihen pranë rrjedhës së ujit dhe ngjason
në kodërvarre. Bazuar në qeramikën e zbuluar si dhe një statuje të pa përpunuar
mund të pohojmë se ky lokalitet arkeologjik i përket periudhës së antikitetit.
Fig.
28- Pozita e shtrirjes së Gjytetit të Gllogovicës, Fig. 29– Rrënoja te
objekteve dhe tulla
Fig. 30– Harta topografike e shtrirjes
së Gjytetit të Gllogovicës, Fig. 31 – Hyrje e galerisë së minierave në Asojin e
Gllogovicës.
Fig.
32 – Tulla në rrënojat e themeleve në lokalitetin e shtrirjes së gjytetit, Fig
28 – Varrezat e vjetra
Gjurmët arkeologjike në
Gradishtën e Marecit
Gradishta e Marecit gjendet në anën e veriore të Përroit
të Zi, në Lagjen e Bullajve, në Koordinatat: N 42°41'44,01" E 21°22'08,83" dhe me lartësi mbidetare
876 m. Në anën jugore të Gradishhtës
ngritët “Quka e Qelnasit (Guri i Bletës)”dhe lagjja e Bulajve lokalitete këto
të njohura arkeologjike dhe zgjyra e mbetur gjatë përpunimit të metaleve. Në
anën perëndimore të Gradishtës në distancë prej rreth 5 km ngritët Quka e
Makës, ndërsa në anën veri-lindore Quka e Litecit (Luteshit). Ne anën lindore
në distancë prej rreth 4 km shtrihet Gjyteti i Marecit.
Quka e Qelnasit (Guri i Bletës), është një fortifikim i
mbrojtur mirë nga Gradishta dhe qukat tjera për rreth. Pasi që kjo qukë njihet
edhe me emrin Guri i Bletës na shtynë të mendojmë se emri i saj rrjedhë nga
ndonjë barishte e quajtur Nasë dhe lulet e kësaj barishte janë ushqim i
preferuar për bletë. Bazuar nga hulumtimet tjera në rajon kuptojmë se “Guri i
Bletës” është quajtur edhe vend strehimi i thesarit të plaçkitur prej
tregtarëve të huaj, që kalonin bri rrugëve të rëndësishme, të cilat i lidhnin
qytetet ekonomikisht të zhvilluara. Popullata shqiptare e fshatrave për rreth “Gurit
të Bletës”edhe sot e ruajnë në kujtesën e tyre legjendën
se një sasi e arit e bartur me disa kuaj është fshehur diku në drejtim të Përroit
të Zi.
Fig 26 dhe 27- Gradishta, Kalaja dhe Qukat në anën perëndimore të Gjytetit të Marecit (Kulinës)
Në Gradishtë vërehen themelet e fortifikimit dhe
objekteve të banimit. Në këtë lokalitet përveç gërmadhave të objekteve janë
evidentuar tulla, dhe mure të lidhura me llaç gëlqeror. Gradishta në anën
perëndimore dhe veri-perëndimore e kishte një mbrojtje dhe komunikim shumë të mirë
me fortifikimet në Kodrën e Kalasë, Kodrën e Zllashit dhe Qukës së Makës e cila
ndodhet në kufijtë e fshatrave Marec-Prapashticë. Këto fortifikime të vogla
mundësonim komunikim të mirë me Qukën e Kopilit, Qukën e Madhe dhe Kalanë e
Syleviqe në fshatin Mramuer, Kalanë e Keqekollës, kalanë e Kollçakut në fshatin
Koliq, Lisicën në Prapashticë, Sukën në kufijtë e fshatrave Prapashticë-Nishec,
Kalanë e Brainës dhe një numër qukash më të vogla në këto fshatra.
Fig.
33 – Tulla në Gradishtën e Marecit, Fig. 34 – Rrënoja të objekteve në Gradishtë
Në këtë vendbanim fragmentet e mureve janë të lidhura me llaç
gëlqereje. Tullat dhe qeramika e zbuluar në këtë lokalitet dëshmojnë për një
jetë aktive në antikitetin e vonë dhe mesjetë. Në anën veriore të Gradishtës në
lagjen e Simajve janë gërmadhat e një kishe të vjetër.
Fig.
35 – Pozita gjeografike e Gjytetit dhe Gradishtës së Marecit
Fig.
36 – Harta topografike eshtrirjes gjeografike të Gjytetit dhe Gradishtës së
Marecit
Gjurmët arkeologjike në
Selishtë
Lokaliteti Selishta shtrihet në kufijtë e lagjes së
Canajve të fshatit Marec dhe lagjes së
Shushnicve në fshatin Prapashticë. Në anën veriore të këtij vendbanimi ngrihet
Quka (kodra e Madhe) në fshatin Prapashticë, ndërsa në anën veri-lindore në
vendin e quajtur Gamyllet në fshatin Prapashticë ka themele të objekteve përgjatë
rrugës së vjetër që nga ana veriore qonte në qytetin e Artanës dhe në Prishtinë.
Në Kodrën e Madhe janë evidentuar themelet e një fortifikimi vrojtues. Në anën
lindore pranë këtij fortifikimi ekzistojnë gurë të renditur që ngjasojnë në një
sofër dhe varrezat e vjetra rreth 100 m në lindje. Rreth 500 m në lindje të
Kodrës së Madhe pranë rrjedhës së ujit dhe krojeve të pasura më ujë, është
lokaliteti i quajtur Selishta. Në këtë lokalitet vërehen grumbuj gurësh, dhe
banorët lokal dëshmojnë se gjatë aktiviteteve bujqësore kane hasur në themele
të objekteve dhe qeramikë të ndryshme. Në lindje të këtij lokaliteti janë
themelet e Kishës së Demës
Fig. 37 - Kodra e Madhe (Quka),
Gëmyllet dhe Selishta në fshatin Prapashticë
Fig.
38 dhe 39 -Gërmadha të objekteve në
Selishtë, në kufirin kadastral të fshatit Marec dhe Prapashticë
Fig. 40- Harta Topografike: Kodra
e Madhe (Quka), Gëmyllet dhe Selishta në fshatin Prapashticë
Fig. 41- Themelet e Kishës së Demës në lokalitetin e quajtur
Selishte, në kufijtë kadastral të fshatrave Prapashticë-Marec
Burimet historike për Prizrencin
si qytet mesjetar
Për qytetin mesjetar të Prizrencit
Jahja Drançolli pohon se në burimet e shkruara hasim se në rrethinën e Artanës
kanë ekzistuar dhe dy qytete Prilepci dhe Prizrenci si qytete
Castrum (kala) për të cilat shkruhet në vitin 1412. Atë botë këto qytete
kishin treg (forum) të cilin e frekuentonin shpesh Raguzanët, e në vitin
1427 gjenden të rrethuara nga Osmanët. Lidhur me zbulimin e gërmadhave të
këtyre gjyteteve nuk ka të dhëna të sakta. A. Urosheviq duke u bazuar në të
dhënat e kronistit Osman Ashik pasha Zades dhe rezultateve të arkitektit S.
Zdravkoviq mendon se Prizrenci është shtrirë në rajonin e Dardanës. M. Denicarrin
në përfundim se konstatimi i A. Urosheviqit për shtrirjen e Prizrencit në
Dardanë nuk mundë ti qëndroj të vërtetës shkencore.[5]
Për Prilepcin shumë
studiues të kësaj periudhe mendojnë se duhet kërkuar në rrethin e Gjilanit e pikërisht
në fshatin Perlepnicë.
Maliq Osi shkruan se Prizreni, Petrizeni me këtë emër e
ndeshim për herë të parë në shekullin VI në veprën De aedifificiis (mbi
ndërtimet) të kronistit dhe historianit bizantin Prokopit. Prizreni
në periudhën bizantine është quajtur Prisdriana që përmendet në fillim të shekullit
XI. Ky emërtim gjendet në krisobulen e vitit 1019 të perandorit bizantin Vasilisë
II arqipeshkvit të Ohrit. Shënime për Prizrenin gjatë shekullit XI ndeshim
te kronisti bizantin Joannes Skylitzes Continuatus, nga të dhënat e
këtij kronisti ,dihet se Prizranda në vitin 1072 apo 1073 u bë qender e
kryengritjes që ishte drejtuar kundër pushtetit të perandorit Bizantin Mihajli
i VII Duka (1071-1078). Në burimet mesjetare emërtimin Prizren e hasim me
emërtim të njëjtë si edhe sot. Në burimet Osmane përmendet si Pirzerin, e në të
shumtën e rasteve si Purzerin. Në bazë të hulumtimeve të Mehmed Myjezinit
në mbishkrimet e varrezave të Suzi Çelebiut dhe të Nehariut në
Prizren, shihet se qyteti është quajtur Zerrin.[6]
Prizreni i sotëm ka një
bukuri dhe kalanë që i kanë lakminë shumë qytete në Ballkan. Shtrohet pyetja se
a është Prizreni i sotëm, Petrizeni në shekullin VI të erës së re, dhe
Prizrenci mesjetar?, është vështirë të besohet. Mendoj se studiuesit e cekur më
lartë për ti vërtetuar se të dhënat për qytetet mesjetare të Petrizenit dhe
Prizrencit kanë të bëjnë me qytetin e sotëm të Prizrenit, kanë sjellë shumë pak
fakte bindëse për çka me plotë të drejtë mundë të dyshohet.
Jahja Drançolli po ashtu
ka publikuar disa të dhëna të rëndësishme për tregtarët Raguzan nga Prizreni që
kërkuan të emërohej një konsull në këtë qytet. Këshilli i madh me propozim të
senatit të datës 18.02.1332 duhej të caktonte pesë këshilltar, që kishin për
detyrë të përcillnin gjendjen tregtare të Raguzës në Prizren. Qeveria Raguzane
me 30 tetor të vitit 1330 emëron konsuj tre bujarë të vet për rregullimin e çështjes
së një dëmi të tregtarëve raguzan në Prizren. Nga kjo kohë çështjet juridike
tregtare duhej ti zgjidhte konsulli i përgjithshëm. Me 08.02.1332 u aprovua
vendimi për zgjedhjen e një konsulli në Prizren. Me kërkesë të tregtarëve
raguzan në Prizren këshilli i madh aprovoi në prill të vitit 1332 dispozitën e
parë mbi konsujt raguzan. Parimet e kësaj dispozite janë pranuar edhe për konsujt
e tjerë në Gadishullin Ilirik. Sipas dispozitës në fjalë, qendra e konsullit
raguzan ishte Prizreni. Në kohën kur Prizreni pësoi rënie, në aspektin ekonomik
primatin e morën qendrat e xehetarisë në Kosovë, konsullatat kaloi në Artanë.
Që këtej, këshilli i madh Raguzan solli më 17.12.1387 edhe dispozitën e re mbi konsullatat
në Kosovë e më gjerë. Qeveria raguzane, sidomos pas betejës së Kosovës me
16.08.1396 (për shkak të situatës së krijuar në rrethana të reja), mori vendim
për emërimin e nga një konsulli dhe gjykatësi për Artanë, Prishtinë dhe rrethet
e tyre. Ky vendim i qeverisë raguzane kishte për qëllim të mbronte tregtarët e
vet nga sulmet e ndryshme që bëheshin në këto anë.[7]
Dëshmitë xehetarie në
rrethinën e Artanës, por dhe të dhënat e autorëve të kohës dëshmojnë për një
rajon xehetar të zhvilluar në mesjetë dhe më herët. Nga vetë shkrimet e kronistëve
të kohës dëshmohet për ekzistimin e një qyteti me emrin Prizrenc në
rrethinën e Artanës. Nga kjo kuptohet se primatin ekonomik dhe juridik
të Prizrencit në mesjetë, nuk e ka pasur
Prizreni i sotëm në periudhën e kohës antike dhe mesjetare, por vëmendja duhet
të përqendrohet në hulumtimin e lokalitetit të Prizrencit mesjetar afër Artanës
për këto arsye: Besohet se Prizrenci afër Artanës në shekullin XII dhe gjysmën
e parë të shekullit XIII kishte një zhvillim të hovshëm në krahasim me qytetet
tjera për rreth. Po ashtu sukseset e vet
Osmanlinjve në lindje, dhe kalimi i tyre
në Gadishullin Ilirik, e sidomos pas betejës së Maricës, popullata në rrethinën
e Artanës zgjoi interesimin për shkaqe sigurie që të bëjë zhvendosjen dhe
përqendrimin e qendrës së konsullatës raguzane nga Prizrenci në Artanë.
Të dhënat e terrenit shtyjnë të mendohet për qytetin e Marecit në të cilin ka
gjurmë të qytetërimit antik dhe mesjetar dhe kur tani është vërtetuar se fillet
e qytetërimit të Artanës burojnë nga Gradishta e këtij fshati, shumë afër
gjytetit të Marecit. Pas rindërtimit të kështjellës së Artanës dhe katedrales
së Artanës në shekullin XIV, kuptohet se qendra administrative dhe kishtare
kalojnë në këtë qytet.
Ilaz Rexha ofron të dhëna
për Petrizanën si katund në rrethinën e Artanës duke u bazuar në defterin e
gjetur në arkivin e kryeministrisë së Turqisë në vitin 1986, që mendohet se
defteri duhet të jetë shkruar në vitet tetëdhjeta të shekullit XV i cili
përfshinte arealin e Artanës mesjetare, dhe ka vlera të mëdha për studim të
mirëfilltë shkencor. Si dokument arkivor dhe si burim historik na ofron të
dhëna për strukturën etnike, onomastike, fetare dhe për gjendjen e rrethinës së
Artanës në mesjetë, ku vërehen qartë elemente dhe forma të gjuhës popullore
shqipe të përdorura për emërtimin e toponimeve.[8]
Edhe në këtë defter në
fund të shekullit XV e hasim të regjistruar Petrizanën si katund në
rrethinën e Artanës. Nga kjo e dhënë mund të konstatojmë në përfundimin e cekur
më lartë se Prizrenci para pushtimit definitive të kalasë së Artanës ishte
shkatërruar si qytet (popullata ishte dëbuar) dhe se në fund të
shekullit të XV jetonte një numër i vogël banorësh, që tash Petrizana trajtohej
si katund, prandaj të gjitha shkrimet në mesjetën e hershme e deri në shekullin
XV, përkatësisht për kalanë Petrizen dhe Prizrencin mesjetar nuk duhet kuptuar
se kanë të bëjnë me Prizrenin e sotëm.
Bazuar në të dhënat e Ashik Pasha Zades A. Urosheviq dhe
arkitekti S. Zdravkoviq janë orientuar që këto dy qytete ti kërkojnë në
rrjedhën e Lumit të lakuar (Krivareka). Nëse i marrim për bazë të dhënat
e kronistit turk i cili në atë kohë i ka vizituar këto vende, atëherë mendoj se edhe përkundër dëshmive
arkeologjike të zbuluara kohëve të fundit në Dardanë edhe pse dëshmojnë gjurmë
të periudhës antike, vëmendja duhet të përqendrohet te gjyteti i Gllogovicës
dhe gjyteti i Marecit pasi që të dyja këto qytete kala janë në rrjedhën e lumit
të lakuar, dhe dëshmojnë tërësinë e një qyteti të madh në lashtësi i cili
shtrihej në territorin e sotëm të fshatrave: Marec, Gllogovicë, Krilevë dhe
Prapashticë, në largësi prej Artanës
prej vetëm rreth 10 km.
Sido që të jetë kjo çështje do studim më të hollësishëm
për të arrit deri te rezultatet bindëse për vendndodhjen dhe rëndësinë e
Prizrencit mesjetar afër Artanës.
[1] A-Meksi, A-Baçe, E-Riza, Gj-Kraiskaj, P-Thomo: Historia
e Arkitekturës në Shqipëri, Tiranë 2016, fq. 67
[2] A-Meksi, A-Baçe, E-Riza, Gj-Kraiskaj, P-Thomo: Historia e ArkitekturësnëShqipëri, Tiranë 2016, fq. 76
[3]SadikVrajolli, i lindur në fshatin Marec
[4]Skënder Makolli i lindur në fshatin Marec
[5]Jahja Drançolli : “Raguzanët në Kosovë”, Prishtinë 1986, fq.
74
[6]Maliq Osi: Prizreni qytet i lashtë muze me thesar të pasur kulturor, Prizren 2001, fq.27,29
[7] Jahja Drançolli: Vjetar XXVII-XXVIII, Prishtinë 2002, fq.33,34,35
[8]Ilaz Rexha: Vjetar
XXVII-XXVIII , Regjistrimi i vendbanimeve dhe i popullsisë së Novobërdës sipas
defterit të vitit …Prishtinë 2002