Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Të udhëtosh nëpër damarët blu të bjeshkëve

| E marte, 09.06.2020, 07:00 PM |


TË UDHËTOSH NËPËR DAMARËT BLU TË BJESHKËVE

Nga Pëllumb Gorica

E ndjen gjithëherë bukurinë mrekulluese që ka një vend, së bashku me vlerat e mirëfillta njerëzore, historike dhe kulturore, dhe nuk mund të rrish pa pikturuar ato imazhe në fjalë.

S’ka gjë më të bukur se pritja e një dite të re, që është bërë pjesë e ritualit të mëngjeseve në udhë. Veçse ai të ngjan me ato prehistorike, ku kafshët mbizotëronin botën e njerzit strukeshin nëpër shpella. Dielli, si profet me buzëqeshjen e tij e mbush aurorën e ditës me zëra dhe jetë (megjithëse shumë ngadalë), duke u shkëputur nga ai makth, i pashpjegueshëm në këtë kohë të pazakontë për botën dhe vendin tonë. Njerëz me maska e pa maska bisedojnë për ëndrrën e shkuar, ku përsëri dilema endet e strukur diku për të treguar që vjen rrotull mes kujdesit. Izolimi i ditëve të pranverës na ka bërë më të ndjeshëm e të prekshëm për ndërgjegjesim ndaj vetes, shoqërisë dhe natyrës, si kurrë më parë, kur na rrëmbente ritmi i ditëve me shqetësime dhe preokupime krejt të tjera. Ndaj na bën mirë që të shijojmë gjithçkah që na ka falur natyra, si njerëzor të kësaj toke që i përkasim.

Makina jonë shpejtonte drejt liqenit të Komanit. Në Vaun e Dejës (Deja një vend ku bora shkrin gjithnjë), udha ndahet. Njëra shkon për në Pukë e tjetra, që të çon në Koman është larg dhe e vështirë. Kjo jo vetëm për faj të terrenit të thyer gjithë kthesa e gjarpërime, por sepse je i dënuar të ecësh nëpër disa shtigje që për fatin e keq janë tmerrësisht të shkatërruara, si ato të periferive të mjera të Kandaharit në Afganistan. Dikur ishte e asfaltuar (prej vitesh për këtë rrugë nuk ka pasur fare kujdesje), dhe tani vetëm shenjat e tij nuk duken, për ta quajtur turistike. Shiu i ditëve të fundit e kishte shklyer edhe më shumë në gropa e shembje të shpateve përgjatë saj. Hasëm një fadromë që po e lironte atë nga gurët dhe dherat, së bashku me dy- tre punonjës që mbushnin gropat. Si gjithë udhëtarët e tjerë, u troshitëm nëpër këtë segment, që kalon përbri vijës ujore të liqenit të Vaut të Dejës, përfund lartësive kodrinore, e gumëzhinte nga dhjetëra vetura, furgonë, e autobuza, edhe pse nuk është më larg se tridhjetë e pesë kilometra. E mbetur kështu nga paaftësia e shëmbëlltyrës së qeverive të pas nëntëdhjetës, të kujton Migjenin që thoshte: “Zani nuk mbërrin në kullat e lartë të lypnisë, ku flenë mbretërit me zonjat e bukurisë”. Duke u përballur me realitetin, me eksperiencat e jetës, rebelohesh kundrejt papërgjeshmërisë së pushtetarëve, e sidomos kundër shurdhërisë indiferente dhe miopisë egoiste të tyre, që për ironi janë ata që shkatërruan këtë komb e vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e tij. Nuk ka gjëra të bukura pa vështirësi! E vërtetë. Por, ka aq shumë bukuri pas çdo vështirësie.

Me këto dhe shumë mendime të tjera, që të pushtojnë të vjen në sy imazhi i një Shqipërie që ecën aq ngadalë, si udhëtimi drejt Komanit, i mundimshëm dhe duket sikur pengon shpejtësinë e makinës, po pamjet plot hijeshi që shpalosen para syve, të mjaftojnë të harrosh vështirësitë e saj. Në mendje të mbeten bukuritë epike, që këtu janë me bollëk, si rrallë me një zonë tjetër të vendit tonë.

Në penelatën e shpateve shkëmbore të Majës së Bokës, Majës së Kujit, Gurit të Bardhë, Majës së Currit të Djajës, ku ujërat rrokullisen e turren, në luginat e veshura me gjelbërimin e bimëve dhe drurëve të lartë të dushkut dhe hera herës me makje, aty-këtu shtrihen fshatrat e krahinës së Shllakut si: Vilzë, Mazrek, Shpor, Barcollë, Kroi i Madh, Vukjakaj, Gegaj, Mjegull, Palaj-Gushtë, të karakterit të shpërndarë, të bën të ndalosh dhe të admirosh këtë natyrë. Përplasej herë pas here një erë dehëse, që mjaftonte vetëm të zgjasje dorën jashtë xhamit të makinës e të përkëdhelësh një dege të gjelbër. Po kënga e ëmbël e ndonjë zogu i bënte më të magjishme ato shtigje të ngushta. Të kap syri lopë, kuaj, dele, dhi që herë pas here foristrada jonë i hap krahun dhe ata na përshëndetin me një të renë bishti.

Të çoftë Zoti ku e thyen Drini qafën!

Kur udhëton nëpër malësitë shqiptare, ato nuk të duken aspak të nëmura, por të bekuara nga krijimi, i vërtetë i perëndive, duke lënë dëshmi të pashlyera, me historinë e tyre plot mistere e vlera të malësorëve, me virtyte të shpirtit bujar e roje besnik të tyre, që kurrë nuk e ulën kryet ndër breza, dhe mbrojtur rracën ilire- arbërore. Vargmalet zgjaten e treten në kaltërsinë e qiellit derisa nuk i rrok syri. Mrekullohesh e kënaqesh, me atë madhështi të tyre si grataciela natyrore, që zoti ja ka falur krahinave të Shllakut e Dukagjinit që patën zhvillim kulturor-ekonomik në ato kohëra të rënda, e të qenësishëm aty, duke ndërtuar qytete, kisha, kala, të cilat i mbronin me mure, dhe mbi të gjitha rrugët që lidhnin Adriatikun me veri-lindjen, që sadopak qofshin ato, të duket sikur udhëton nëpër histori të mbushur me llahtari të llojllojshme ndër mijëravjeçarë. Nga Shkodra ka kaluar dikur rruga ushtarake që vinte prej viseve të Malit të Zi, dhe takimit me qytetin e lashtë, vijonte përgjatë Drinit duke mbrritur në viset lindore të Dardanisë (Kosovës), të përmendura nga udhëtarët e historianët. E admiron peizazhin madhështor natyror të tyre, që të le pa frymë, të drithëron, e të emocionon. Ajo që nuk i përshtatet bukurisë mahnitëse të bjeshkëve, është braktisja e vendbanimeve të përhapura në lartësitë, nga lëvizja demografike drejt zonave fushore dhe qyteteve. Ata që nuk e kanë braktisur jetojnë e përpiqen atje përditë, me plagën e emigrimit gjithnjë të hapur. Sikur këtu të kishte më shumë kushte për të jetuar nuk ishin larguar kurrë.

Qielli hapet me të gjitha përmasat e dritës. Ajri përcillte mërmërimat e lehta të ujërave, që zbrisnin nga honet shkëmbore, si një këngë melodike, dhe cicërimat e zogjve, së bashkë me blegërimat e puhizën ledhatare të gjetheve. Ne ecim dhe në të majtën tonë shtrihet Gryka e Drinit, që bashkëautorëson me dorën e njeriut digën e H/C të Komanit. Një grykë e frikshme dhe e egër dikur, që tani ka marrë një karakter të magjishëm, e përmes së cilës kanë kaluar shekujt, dhe vetë historia e cila matet dy herë të hyjë apo të mos hyjë. Këtu kanë kaluar Muji e Halili me kreshnikët e tjerë, kanë kaluar burra me të cilët është krenuar toka shqiptare. Kalojmë pranë Gushtës përballë Komanit (emri i të cilit është i ngarkuar me historira të shumta), dhe përsipër Kalaja e Dalmacisë, si një ballkon gjigant, që mbart aq shumë histori. Aty është edhe nekropoli i famshëm Mbi hapësirat e të cilave në vitin 1863 ngjitej në luginën e Drinit, duke kaluar Dejën, Vjerdhën, Shurdhahun, Komanin, albanologu gjerman Johan Georg von Hahn, i cili shkruan: "Gryka shkëmbore në veri të Komanit është ndoshta një ndër grykat më të bukura që kemi parë, dhe njeriu nuk di ku të hedhë sytë e ç'të sodisë me parë; tërë panoramën apo pjesë të veçanta të saj apo format fantastike të shtresave me ngjyrë të ndezur të faqeve anësore që zbresin, prej të cilave vareshin poshtë masive të mëdha pemësh, duke prekur edhe siperfaqen e ujit" (Hahn "Udhëtim nëpër viset e Drinit e Vardarit" fq. 117.)

Kujtojmë se 125 vjet më vonë pikërisht në këtë grykë të papërsëritshme të Drinit, hedh shtat diga madhështore e H/C të Komanit, me lartësi 115 m, si kështjellë e betonuar, duke bashkuar të dy anët e saj për të krijuar një vëllim ujërash prej 450 milionë m3, që kthehet në energji, e vënë në lëvizje nga argregate e turbine. Edhe pse çdo bukuri mahnitëse që krijon njeriu nuk mund të krahasohet me atë çfarë ka krijuar natyra, ndodh që, përtej një vendi, në dukje shumë të bukur, kur kërkon përmbajtje, ajo që ka ndërtuar dora e njeriut i ka lënë shumë pak kësaj të parës, nga puna dhe idetë e njeriut. Ngritja e digës sikur ka shkrirë gjithë talentin e qindra e mijëra atyre që punuan për ndërtimin e kësaj vepre energjitike dhe krijimin e një liqeni të bukur. Realiteti flet, edhe pse me filozofinë e dështuar të socializmit sot na shërben më së miri, dhe ne do vazhdojmë t'i përmendim, si shembull në historinë e djeshme të Shqipërisë.

Aty ku heshtin burimet (historike), fillojnë të flasin gërmimet (arkeologjike)

Çdo pëllëmbë tokë në trojet tona ka një histori. Çdo vend ka një toponim domethënës, por edhe vlera kulturore. Një udhëtim këtu e shikon edhe në këndvështrimin e njohjes së historisë, sepse Komani ka një pasuri të papërshkrueshme. Të gjithë ata që kërkojnë të zgjerojnë dijet e tyre për historinë e një prej vendeve më të lavdishme arkeologjike, duhet të dinë se, Komani njihet për gjurmë, që nga kohët antike ilirike, me mistere të kulturës së Komanit, me qytete antike e peshkopata mesjetare, me tradita e thesare përtej të zakonshmes së kohërave të shkuara dhe të madhështisë së Arbërve.

Për Komanin dhe Luginën e Drinit disa autorë, madje të huaj kanë shkruar, studime të ndryshme në arkeologji, histori, letërsi, gjuhësi, etnografi, antropologji, etj, që ka marrë emrin në histori "Kultura e Komanit", mjaft e përhapur në të gjithë Europën qysh prej shekullit IX, pra 900 vjet pas Krishtit, ku rëndësia historike e së cilës qëndron në lidhjen midis ilirëve, të parëve tanë dhe shqiptarëve të sotëm. Komani, me dendësi banimi të jashtëzakonshëm, të paktën përgjatë 1000 vjetëve është qytetërim mesjetar në tërë Ballkanin Perëndimor, si qendër e rëndësishme. Duke shkuar larg në kohë dhe hapësirë, sipas historianëve dhe kronikanëve romakë Dio Cassius, Suetonius si dhe Tiberius mund të thuhet se Lugina e Drinit është djegur e rrafshuar nga legjionet romake gjatë rebelimit të madh Ilir "Bellum Batonianum" që ne e njohim si Kryengritja e Dy Batove, e viteve 6-9 mbas Krishtit. “Ajo shkruan historiani Suetonius - ishte Lufta më e vështirë për Romën qysh nga Luftërat e Hanibalit!.”

Por për fat të keq ne paguam shumë shtrenjtë këto kryengritje pasi legjionet romake rrafshuan çdo gjë, si gjithë historia jonë, në mijëra vjet, me djegie, shkatërrime, humbje, rrëmbime e përdhosje.

Gërmimet kohë më parë, të të huajve për interesat e veta, kanë zbuluar shumë fakte, duke e zgjuar nga gjumi këtë kulturë të madhe e të ndritur komanase. Sot, kur thuhen ato të vërteta, rrezultojnë se kanë nxjerrë në pah vlerat e "virgjëra" të kahjeve historike të Komanit.

Konsullit francez në Shkodër A.Degrand iu duk shumë interesant Komani, dhe i nisur nga legjenda e zbulimit të Trojës prej Shliemanit (1889), por edhe nga legjenda e lisit të floriritë u çart në zbulime, por fatmirësisht nuk gjeti floririn, por një varrezë të lashtë ilire, e një prej periudhave më të errta të historisë tonë, siç është ajo 435 vjeçare pas fundit të perandorisë Romake e vitit 378 të Krishtit.

Në Koman u kryen gërmime nga arkeologu italian Ugolini më 1924, ku u nxorën në dritë ornamente të para 1500 vjetëve, që vazhdojnë të jenë funksionale te popullsia e sotme, si vathë, unaza, vegla pune, qëndisje etj. Flitet për një unazë të studiuar nga arkeologia bullgare Ludmilla Ognenova. Ajo thotë se ishte një formulë kristiane. KYRIE VOITHI. NDIHMO O ZOT. Kjo i takon shekullit VI – VIII para krishtit.

Gërmimet dhe gjetjet e viteve të fundit të kryera nga arkeologia Etleva Nallbani kanë hedhur më shumë dritë për kishat e rrënuara, dhe vende të tjera të shenjta, edhe pse ka vështirësi të vendodhjes së rrënojave të tyre, që flenë nën tokë, ashtu si flenë edhe mbi tokë për shkak të sjelljes sonë mjerane me historinë dhe kulturën në humbëtirën e kohës. Ato duhet të zbulohen e t’i shërbejnë turizmit historik, i cili në rrokopujën dhe mishmashin e përgjithshëm, ku noton sot Shqipëria, ky vend i panjohur duhet të njihet.

Në kërkim të rrënjëve dhe gjurmëve historike të Komanit ka ngjallur kureshtje të madhe emërtimi i Komanit (Kuma, kome), ku, ka mendime se është një fjalë e lashtë, me interpretime të ndryshme. Në trungun e fjalëve të vjetra shqip kome i  kanë thënë jeles së kalit, sepse ky varg malor ku shtrihet Komani të ngjan si jele kali. Emri i Koman ka fort të ngjashme të jetë i lidhur me ritualin antik të kumarisë. Asokohe e, deri vonë, kumara ka luajtur një rol parësor në trashgiminë cilësore të trevës. Te Eposi i kreshnikëve, thelbi i kulteve lidhet pikërisht me trashgiminë, ligjet dhe doket.

K?tej kaloj, me u pa n'ato ujra t'amla

H/C i Komanit, me liqenin e tij përveçse ofron një pamje të mrekullueshme, ka kohë që është kthyer në një udhë lundrimi drejt Tropojës e anasjelltas (Nga Komani në Fierzë, syprina liqenore është e gjatë 40 km dhe lundrimi është më shumë se dy orë), ndryshe nga simboli i udhëtimit të shqiptarëve ndër shekuj, ku njerëzit dalëngadalë filluan ta frekuentonin atë e të përfitonin prej saj. Kjo i jep një përmasë madhështore këtij liqeni, me këtë udhë ujore, e cila me ndërtimin e autostradës për Kosovë nga Miloti pësoi një ulje lëvizjesh.

Kur mbërrin aty, në këmbët e ujërave që rrjedhin me furi, i ngjitemi një rruge gjithë gjarpërime, ku pas tunelit të ngushtë shtrihej liqeni i pastër si loti. E nd?rsa hedh vështrimin gjen një peizazh të rinjësh, në pritje të nisjes së tragetit, që e mbushin hapësirën e tij me të qeshura. Ata të dashuruar me natyrën, çdo çast të lirë ia kushtojnë bukurive të papërsëritshme larg kotësive mundonjëse të ankthit të jetës.

Udhëtojmë me Tragetin “Alpin”, që u shkëput nga kalata, për të lundruar mbi pasqyrën e kaltër të liqenit. Ndërsa mbrapa ngelej gjurma e shkumës, të vret sytë sipërfaqja e ndotur në të dy anët e brigjeve, nga goma, shishe plastike, mbetje higjenike, këpucë të vjetra, etj. Mbyllim sytë me të shpejtë, për të harruar atë që sheh e sigurisht të turbullon qetësinë e shijimit të kësaj mrekullie.

Në të dy anët e liqenit shfaqen peizazhe të mrekullueshme të relievit. Shtëpi banimi të veçuara të Qerretit, Marshallit, Arrëzit që i takojnë krahinës së Shllakut, të Levreshkut, Qirakut, Bojdanit, Bullicës, Brebullës, Apripës, të grykës së Gomsiqes, përroit të Vilës, të Rishtit dhe Sapaçit të Pukës, dhe Toplanës, Sermës, Palçit, të Mërturit, e lumit Lekbibaj të Tropojës. Drurët që reflektonin në ujin e liqenit bukurinë mahnitëse dukeshin si hyjnesha krahëhapura në peizazhin e valëzuar, të shpateve shkëmbore, që zbardhëllonin e reflektonin rrezet e diellit. Liqeni, me format e pasqyrimit të ngjyer nga një blu në të gjelbër, me aromat, flladin e lehtë që dukej sikur murmuriste, të fton të kridhesh për të notuar.

Ndërkohë varkat e shpejta që dukeshin si brektosa, lundronin në udhën e kaltër drejt rrjedhave të ngushta ujore e gjarperushe që ushqejnë liqenin. Ne i shoqërojmë me sy nga trageti. Së largu të zenë sytë lumin magjik të Shalës (Lesniqja) e cila gjarpëron nga Thethi e derdhet në liqen. Prej andej shtjella ajri të freskëta të përplasen në flokë, fytyrë e trup.

Madhështia e shpateve shkëmbore me gdhendje virtuoze që duken si vepra arkitekturore dhe majat e tyre të thikta, sikur do të zinin mbi kokë, e bënin tërheqës udhëtimin. Atje ku syri i zakonshëm kalon sipërfaqësisht, të shfaqet një toponim disi i çuditshëm nga të tjerët që njihet me emrin Maja e Solomonit. Ju do thoni, pse edhe Solomon ka në Dukagjin?! Një pamje tjetër na shfaqet para syve. Sa herë kemi kaluar pranë Shpellës së Ushtrisë (fatkeqësisht e dëgjon emrin për herë të parë!), dhe nuk kemi ditur për të. Më tej është Shpella e Dallëndysheve, një mrekulli me stolitë e saj të mistereshme. Ç’pamje të bukur mori lundrimi i tragetit nga brigjet e harlisura deri në lartësitë, ku nuk mund ta fshehësh atë ndjenjë mrekullimi të magjisë së natyrës. Është ndjesia më e bukur që mund të përjetojmë për një çast nga shumësia e lulnajës së pemëve, të barit, myshkut, e mëndja të rreket drejt paqes të tyre. Ajri plot freski të shton ndjesinë e çlodhjes. Syri ndjek fluturimet e shpendëve dhe cicërimat e tyre përtej hapësirave. Fustani i qiellit, që i ka veshur piktori, është bërë me njolla të bardha vende-vende nga deti i reve të argjenda, si pata të heshtura në udhëtim, të cilat era i shtynte larg e më larg. Rrezet e diellit si pasqyra të thërmuara në mijëra copa ndrisnin mes tyre.

Një udhëtim i këndshëm në hapësirat e Komanit, dhe përtej tij, të sjell aq shumë kënaqësi. Ne të dashuruar marrëzisht pas maleve, liqeneve, deteve, ujvarave, kanioneve dhe shpellave; të historisë së kalave, kishave, dhe gjithçka që ka aromën e atdheut, me gjithë zemër dëshirojmë që koha të ndalet këtu, në këtë vend të mrekulluar në ndjenja, emocione, poezi dhe energji.