| E hene, 08.06.2020, 05:51 AM |
Familja Gjinolli dhe sundimi i tyre në qytetin e Vrajës
Nga Dr.
Qazim Namani
Gjatë shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, Pashallarët
shqiptar qeverisnin si gjysmë të pavarur, e kishin ushtrinë e tyre, mirëpo dhe
shpesh herë i harxhonin potencialet e tyre ushtarake, duke luftuar mes veti,
për grabitje të pronës, dhe territoreve të njëri tjetrit.
Në vitin 1765 Raif Beg Gjinolli, pasi e kishte shtrirë
sundimin e tij në Vrajë, në oborrin e tij i kishte ndërtuar dy ndërtesa luksoze
për atë kohë. Ndërtesat ishin ndërtuar në dy kate, dhe në të dy ndërtesat në
katin e dytë, në pjesën qendrore ishte ndërtuar salloni, nga një dhomë paksa më
e madhe, dhe disa dhoma tjera më madhësi të njëjtë dhe formë simetrike që të
gjitha kishin qasje në sallon.
Të gjitha dhomat ishin të punuara me tavan prej druri, të
gdhendura dhe zbukuruara me motive të ndryshme. Në ndërtesën e parë, e renditur
nga ana jugore, në katin e parë jetonte pasha me gardën e tij mbrojtëse. Në ndërtesën
kah ana lindore jetonin gratë. Salloni në katin e parë, në shtëpinë e grave e
kishte divanin, në shtrirje gjysmë rrethore. Ndërtesat lidhen mes veti me një
galeri, të punuar prej druri, në formë ure, në mënyre që banoret e këtyre
objekteve mund të shkojnë, prej një ndërtesë, në ndërtesën tjetër, pa zbritur në
katin e parë.
Oborri i këtyre dy ndërtesave, ishte i rrethuar me një mur
të lartë, dhe një portë hyrëse. Të dy këto ndërtesa ishin ndërtuar, nga mjeshtërit
më të mirë shqiptar, duke u bazuar në shijen e pashës dhe arkitekturën qytetare
të kohës.
Foto
1. Konaku i Pashës në Vrajë,ku qëndroi pasha dhe quhej selamllëk. Foto 2. Ndërtesa
ku jetonin gratë që quhej “Haremlluk”. Këto
objekte, banesa qytetare, njihen si kompleksi më i bukur i ndërtuar në rajon
gjatë shekullit XVIII.
Pas pushtimit të Vrajës, nga ushtria serbe gjatë krizës
lindore, këto ndërtesa u bën shkollë e
mesme serbëve.
Në vitin 1960, ndërtesa ku kishte qëndruar pasha, u kthye
në muze të qytetit, ndërsa ndërtesa ku
kishin qëndruar gratë, në vitin 1993, u bë restorant.
Pashallarët shqiptar që u fuqizuan shumë gjatë shekullit
XVIII, krijuan pasuri të madhe nga taksat që i vilnin në popull. Pasi u
pasuruan shumë ata zhvilluan jetë të ç’frenuar dhe të mbushur me plotë aventura
dhe mizori njerëzore.
Në qytetet ku zotëronin këta pashallarë, pranë objekteve
të tyre të banimit, ndërtuan edhe Hane, hamame, dhe objekte tjera publike.
Në hane zakonisht i sillnin që të punojnë vajzat dhe gratë
më të bukura, që i mblidhnin te familjet e varura prej tyre. Në çifligjet e
tyre po ashtu sillnin familje të varfra, që të punojnë tokat bujqësore për
interesat e pashallarëve. Gjatë sundimit të tyre, rreth qyteteve dhe në tokat
pjellore, edhe pashallarë e bejlerët tjerë të familjes së Gjinollëve në Kosovën,
i sotme sollën shumë familje të varfra shqiptare, të besimit ortodoks në tokat
e tyre. Këto familje punuan në çifligjet e tyre, edhe pasi u shua sistemi feudal i
pashallëqeve, deri në vitin 1912, kur P.Osmane përfundimisht u largua nga
trojet tona. Të gjitha këto familje shqiptare ortodokse, më pas u serbizuan. Shembujt
e serbizimit të familjeve ortodokse shqiptare, sot i hasin në tërë territorin e
Kosovës së sotme dhe në rajon.
Gjatë përvojës time në terren, për hulumtimin e gjurmëve
të trashëgimisë kulturore, kam vërejtur se popullata ortodokse, që ka jetuar
gjatë sundimit osman në trevat shqiptare, ishte me origjinë shqiptare, por që
me kohë u serbizuan. Si shembull kisha me përmend fshatin Gushtericë afër
Janjevës, sot i banuar vetëm me popullatë serbe. Në vitin 2013 në këtë fshat
pata rastin të bëjë një hulumtim lidhur me gjurmët e trashëgimisë kulturore në
këtë fshat. Gjatë bisedës me banorët, njëri
nga banorët e fshatit, pohoi se kur pasha i Gjinollëve, e kishte sjellë
familjen e tij në Gushtericë, nga rrethina e Nishit, kjo ishte familja e gjashtë
e vendosur në këtë fshat. Një tjetër banorë tha se kur pasha i Gjinollëve na
solli në Gushtericë, prej një fshati afër Gjilanit, ishim familja e 14 në
fshat.
Siç shihet pasha i Gjinollëve këto familje ortodokse
shqiptare, i kishte sjellë në Gushtericë, dhe ju kishin dhënë shumë toka për të
punuar. Po kështu kishin vepruar edhe në shumë fshatra tjera ku sundonin
Gjinollët.
Pas rënies së pashallëqeve, me përkrahjen e politikës
ruse, por edhe nga vet sulltani, dhe Patroarkana e Stambollit, ortodoksët i
fituan liritë elementare në religjion dhe në arsim. Me lejen e sulltanit, dhe
përkrahjen e Rusisë, në gjysmën e shekullit XIX, për ortodoksët në Kosovë, u
hapën shkolla laike dhe seminare kishtare në gjuhën serbe. Pas hapjes së këtyre
shkollave, të gjithë ortodoksët shqiptar un serbizuan. Në vitin 1882, në
fshatin Gushtericë, është ndërtuar shkolla fillore në gjuhën serbe, ndërsa
kisha e fshatit është ndërtuar mbi themelet e një objekti të vjetër arkeologjik.
Pashallarët dhe bejlerët e familjes Gjinolli, me kohë
kishin krijuar lidhje të ngushta, me familjet shqiptare ortodokse shqiptare, që
punonin në pronat e tyre.
Kjo lidhje ishte forcuar sidomos, kur Maliq Beg Gjinolli
i Gjilanit, u martua me Marijen (Bejaze Hëmnin), e cila ishte bijë e një
familje ortodokse shqiptare, që më parë ishte sjellë të punojë në pronat e tij.
Maliqi me Marijen i kishin dy fëmijë, Hamdiun dhe Jasharin.
Bejaze Hëmni ishte bijë
e një familje ortodokse shqiptare, që Gjinollët e Gjilanit e sollën në fshatin
Pasjan. Gjinollët kanë sjellë mjaftë shumë familje ortodokse në çifligjet e
tyre në shumë fshatra të Kosovës. Në ato vite ata dërgonin, për të punuar
vajzat e bukura në hanet e qyteteve, por Bejaze Hëmnin për bukurinë e saj që e
kishte Maliq Beu e mori për grua. Në fshatin Pasjan Maliq Beg Gjinolli e
ndërtojë kishën për hir të dashurisë që kishte ndaj të bardhës Bejaze Hëmnit.
Bejaze Hëmni ishte nëna e Jashar Pashë Gjinollit, që më vonë jetoi në Prishtinë.
Për fat të keq pas rënies nga pushteti të familjes Gjinolli, të gjitha këto
familje ortodokse shqiptare, që u vendosën në pronat e tyre u serbizuan.
Foto
1. Kisha e ndërtuar nga Maliq Beg Gjinolli, për hatër të Bejaze himnit, në
fshatin Pasjan, Komuna e Gjilan, Foto 2. Gurë varrezash të vjetra në kompleksin
e varrezave të kësaj kishe.
Lidhjet e ngushta me familjet ortodokse shqiptare,
vazhduan edhe më vonë, edhe në pashallëqet tjera shqiptare, ku sundonin
pashallarët e familjes Gjinolli.
Kjo praktikë e bashkëpunimit dhe veprimit, me ortodoksët
shqiptar brenda territorit të
pashallëqeve, vërehen më së miri, në politikat e brendshme dhe të jashtme që i
zhvillonte Hysen Pashë Gjinolli i Vrajës.
Në fillim të shekullit XIX, sundimtar në pashallëkun e
Vrajës ishte Zempre Qorr Mehmet Pashë Gjinolli. Gjatë sundimit të tij,
popullata në sanxhakun e tij, jetonte në presion të madh, nga vjelja e taksës,
dhe përjetonte dhunë në forma të ndryshme prej tij. Ky pasha gjatë sundimit të
tij, njihej si njeri i prirë për lukse,
aventura dhe shtypje të popullatës. Në vitin 1815, ky pasha duke mos
mundur të udhëheq më tutje, këtë e zëvendësojë djali i tij i madh Rashit Beu.
Pas dy viteve, Rashit Beu dha dorëheqje, dhe qeverisjen ja dorëzoi vëllait të
tij Hysenit.
Hysen Pashë Gjinolli, nën ndikimin e Patriarkanës së
Stambollit, dhe mitropolit të saj në Shkup, ortodoksëve në sanxhakun e tij ju
dha mjaftë liri. Ai i zbatonte marrëveshjet e arritura në mes të Rusisë dhe P.
Osmane. Hysen Pasha duke mbajtur raporte të mira me mitropolinë e Shkupit dhe
Milosh Obrenoviqin, ortodoksëve në sanxhakun e tij ju jepte privilegje, atyre
nuk ju merrte armët edhe kur urdhërohej nga Sulltani. Hysen Pasha dhe Millosh Obrenoviqi, gjatë kësaj periudhe
shkëmbenin dhurata të ndërsjella mes veti.
Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët ishin të organizuar në
fise, bajraqe, fe e klane që në masat e gjëra të popullit nuk kishte ndonjë unitet,
por ishin njëfarë urrejtje mes këtyre grupeve të interesit, andaj P. Osmane
arrinte që ti shuaj kryengritjet e tyre.
Për ti shuar kryengritjet shqiptare, P. Osmane i vrau
qindra bejlerë shqiptarë dhe një numër i madh i tyre u internuan në Azinë e Vogël.
Shqipëria që ndahej në veri, ku jetonin gegët dhe në jug të banuar me toskë
shpesh herë kishin mos pajtime mes veti, për të arritur një organizim gjithë
kombëtar. Këto mospajtime i përkrahte pushteti osman. Sulltani nuk lejonte
unitetin e bejlerëve dhe pashallëqeve
shqiptare. Kjo ndikoj që shqiptarët e veriut nuk bashkoheshin në të njëjtën
kohë, me lëvizjet shqiptare në jug dhe anasjelltas.
Gjatë kryengritjeve shqiptare 1826-1832, Hysen Pasha
dukej se nuk e kundërshtonte sulltanin, por në anën tjetër bashkëpunonte edhe
me kryengritësit shqiptar. Në vitin 1829, Hysen Pasha mblodhi ushtarë, për ta
ndihmuar kryengritjen e Mustafa Pashë Bushatliut. Pas paqes së Edrenës 1829,
Hysen Pasha ju dha liri edhe më të mëdha popullatës ortodokse, që jetonin në
pashallëkun e tij. Hysen Pasha, rinovoj kishat e vjetra, dhe ndërtoj disa të
reja për ortodoksët, dhe për këtë nderohej dhe merrte lëvdata. Në këtë periudhë
Hysen Pasha, i kishte disa mos marrëveshje, me mitropolinë Gavril në dioqezën e Shkupit.
Në gjysmën e parë të shekullit XIX ishte arritur kulmi i
kryengritjeve shqiptare.
Kryengritjet shqiptare të udhëhequra nga Mustafa Pashë
Bushatliu, gjatë viteve 1826-1832, u shuan. P. Osmane, pas ngadhënjimit ndaj
kryengritësve shqiptarë, i shtoi taksat dhe fillojë të mbledhë nizam për
ushtrinë e rregullt të sulltanit.
Pashallarët shqiptar që ju nënshtruan sulltanit, i
ashpërsuan presionet ndaj popullit shqiptar, për të vjelë taksa dhe rekrutuar
nizam, kjo ndikojë që të shtohet
urrejtja e popullit ndaj tyre.
Mitrolpoli i Shkupit, e paditë Hysen Pashën në Stamboll.
Duke u bazuar në padinë e mitropolit Gavril, Hysen Pasha, në vitin 1835 thirret
nga sulltani, që të shkojë në Stamboll. Pasi shkojë në Stamboll, sulltani
kërkojë nga ai të ju bindej urdhrave të sulltanit, për zbatimin e reformave,
dhe të mos ndërhyjë në punët e kishës dhe popullatës ortodokse.
Edhe përkundër gjithë këtyre presioneve të shtuara
popullata shqiptare, nuk u dorëzua, por fillojë të ri organizohet, për të
kundërshtuar reformat e tanzimatit, të vitit 1839. Kryengritjet që vazhduan në
këtë kohë, nuk udhëheqshin nga pashallarët dhe feudalët e mëdhenj shqiptar, por
në krye të lëvizjeve dolën klerik fetar, dhe disa nga ajanët e fshatrave dhe
qyteteve shqiptare.
Me qenë se Hysen Pasha në kalanë e Vrajës, për sigurinë e
tij e mbante një numër mjaftë të madh të shqiptarëve ortodoks, nga trevat
jugore të Shqipërisë, në vitin 1839, kishte dhënë leje për ndërtimin e një
kishe në Vrajë. Për ndërtimin e kësaj kishe, kishte pasur mjaftë reagime prej popullatës
myslimane të qytetit, e të cilët filluan ti përkrahin kryengritësit shqiptar që
kishin filluat të organizohen në
rrethinën e Vrajës.
Rëndësi të veçantë pas shuarjeve të kryengritjeve që i
drejtonte Mustafa Pasha, kanë, kryengritjet e viteve dyzeta të shekullit XIX,
që në fillim u përfshinë shqiptaret e Kosovës, Maqedonisë së sotme, Çamërisë,
Labërisë dhe gjithë trevave etnike shqiptare
Po ashtu gjatë kësaj kohe u zhvillua mjaftë shumë
bektashizmi, duke u bërë si fe e tretë në trojet shqiptare, e që shpesh
promovonin ideologji, për autonomi të veçantë fetare e kulturore. Bektashizmi
ishte zhvilluar edhe ne Leskoc, Vrajë, Bujanoc e Preshevë, forcimi i tyre, nuk
i pëlqente Hysen Pashë Gjinollit.
Në vitin 1841, Hysen Pashës prej sulltanit, ju kishte dorëzuar
programi i reformave për shfuqizimin e marrëdhënieve feudale, dhe ndryshimin e
administratës.
Popullata shqiptare ngriti shpesh krye, kundër Hysen
pashës edhe pse ky ishte më origjinë shqiptare, për shkak se ky pasha ishte i
pangopur për prona dhe para. Hysen pasha, e mundonte shumë popullatën, i
shtinte me dhunë të punojnë në tokën e tij, shpesh i përvetësonte me dhunë pronat e fshatarëve dhe bejlerëve
tjerë, duke i bashkuar me çifligjet e tij. Me plaçkën që e bënte në popull, ai
e kishte krijuar një pasuri të madhe, por edhe kishte lejuar që të zhvillohet
shkala e amoralitetit, që i kishte prekur të gjitha shtresat e popullatës, në
qytetin e Vrajës.
Nga burimet serbe, kuptojmë se, në prag të kryengritjes
së popullatës, për motive të ulëta
morale, në Vrajë një njëri e vranë një pop. Popin e kishte vrarë një njeri që
kishte ardhur të jetoi në Vrajë nga fshati Konqul. Flitej se arsyeja e vrasjes
së tij kishte qenë, provokimi i popullatës myslimane, për shkakun e shitjes së
mishit të derrit në çarshinë e Vrajës. Si duket kjo ngjarje është shtrembëruar
nga studiuesit serbë, duke u munduar që kësaj vrasje ti japin motive politike,
fetar e nacionale, andaj ky version i vrasjes së popit, bien desh me shkrimet e
studiuesve tjerë serioz.
Nga Aleksandër Matkovski, për këtë rast kuptojmë se,
Hysen Pashë Gjinolli në këtë kohë, e vari një prift dhe dy turkesha imorale.
Nga kjo e dhënë kuptojmë për shkallën e degjenerimit dhe amoralitetit, që
zhvillohej gjatë sundimit të Hysen Pashës në qytetin e Vrajës. Për këto arsye
dhe sjelljeve të Hysen Pashës, në qytetin e Vrajës dhe në fshatra, ishte
krijuar një urrejtje e madhe ndaj tij.
Rexhep Selimi në shkrimet e tij për Vrajën dhe Preshevën,
jep disa të dhëna, për karakterin e ulët të Hysen Pashë Gjinollit. Mes tjerave
ai shkruan se Hysen Pasha i Vrajës, në vitin 1842, kishte kaluar nëpër
çifligjet e Sheh Selimit, në fshatin Tabanoc. Duke i parë tokat pjellore, me
kopshte të rregulluara mirë, kroje dhe lum të bukur, nga lakmi për të ja marrë
dhe motivet e xhelozisë, i paguan dy shqiptarë që në pabesi ta vrasin Sheh
Selimin. Shqiptarët e paguar njëri ishte prej Preshevës, ndërsa tjetri nga
fshati Norçë. Në muajin gushtë të vitit 1842, këta të dytë e vrasin një sheh
tjetër në fshatin Tanaboc, duke menduar se e kanë vrarë sheh Selimin. Në atë
kohë Sheh Selimi kishte qenë në Stamboll. Sheh Selimi kur kthehet prej
Stambolli, dhe kuptohet se ai nuk është vrarë, Hysen Pashë Gjinolli i
revoltuar, e ftojë Sheh Selimin që të shkojë në sarajet e tij. Sheh Selimi duke
e parë se po i përgatitej tradhtia, duke mos u pajtuar me sjelljet e pashës,
vendosi që ky vet ta vrajë Hysen Pashë. Para shkuarjes te Hysen Pasha, Sheh
Selimi, e njofton një mikun e tij në Bujanoc,
për vendimin që e kishte marrë për
ta vrarë pashën në sarajet e tij. Sheh Selimi kur ofrohet të sarajet e pashës,
pa e pyetur fare rojën e parë dhe të dytë hynë brenda. Porsa hynë brenda roja e
tretë e pengon Sheh Selimin që të hyjë te Hysen Pasha. Sheh Selimi nga zemërimi,
hap zjarr duke i plagosur rojën dhe Hysen Pashën. Një roje tjetër, në ato
momente, me shpatë i prenë kokën Sheh Selimit. Sheh Selimi me kokën e prerë
varroset në tyrben e Preshevës.
Në varrimin e Sheh Selimit, kishin shkuar mjaftë shumë
qytetarë nga Vraja, Bujkanoci e Presheva. Gjatë ceremonisë së varrimit, para masës
u shpreh revolta, ndaj Hysen Pashës dhe pushtetit osman. Në varrim revoltën
ndaj pashës u organizua nga Bajram Vaksinca, Sylejman Tali, Selman Rogoçica,
Selim Marku, Ymer Presheva, Sheh Hyseni, Sheh Salihu, dhe bejlerë e ajanë tjerë
të kësaj ane.
Për sjelljet e Hysen Pashës dhe mllefin e shprehur për
vrasjen e Sheh Selimit, nga popullata shqiptare e asaj ane është kënduar edhe
një këngë:
Hysen Pasha faqe zi
E mbyte shehun për pasuri
Sheh Selimi nuk ka vdekë
Pritna Vrajë çka ka me të gjet.
Kjo ngjarje ndikojë shumë, që në kryengritjen e Dervish
Carës. të përfshihen po thuaj e gjithë popullata shqiptare e asaj treve.
Kundër sjelljes së Hysen Pashës, u rreshtuan edhe vëllai
i tij Rashit Beu, gruaja më e vjetër në kompleksin e tij, Hanama, Mesin Beu,
Kara Agush Beu, dhe disa bejlerë tjerë shqiptar, që së bashku me popullin, e
filluan komplotin për të ja marrë pushtetin Hysen Pashës.
Në vitin 1843, kurë porta e lartë, e proklamojë
Hatisherifin e Gjylhanes në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata
shqiptare, menjëherë filluan trazirat dhe popullata u ngrit në kryengritje. Në
fillim qendra e kryengritjes u bënë sanxhaku i Shkupit dhe ai i Prizrenit. Zemërimi
i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës,
regrutimit të dhunshëm në ushtrinë osmane, porta e lartë fillojë zëvendësimin e
feudalëve shqiptar, me funksionar osman dhe, shtimin e masave represive për
islamizimin e popullatës dhe osmanizmin e administratës.
Për shkak të këtyre masave rezistenca e shqiptarëve erdhi
duke u zgjeruar, dhe në fund të vitit 1843, ajo fillojë të përhapet në të
gjitha trevat shqiptare. Në fillim të vitit 1844, kryengritjet shpërthyen në
qytetin e Prishtinës, dhe me të shpejtë u zgjeruan edhe në qytetet tjera
shqiptare. Kryengritësit, pasi i bllokuan që të veprojnë forcat ushtarake
osmane arritën që ti çlirojnë disa qytete të Kosovës së sotme dhe të Maqedonisë
së sotme.
Sipas burimeve arkivore serbe dhe një tregtari nga Aleksincci,
të quajtur me emrin Gjorgje, i cili prej datës 12-24 prill të vitit 1844,
kishte udhëtuar deri në qytetin e Manastirit, ai kishte treguar se rruga në ato
vise ishte bërë e pasigurt prej kryengritësve shqiptar. Sipas rrëfimeve të tij
midis Velesit dhe Shkupi në atë kohë ishin mbledhur rreth 8000 kryengritës
shqiptar. Siç duket ku nuk kishte qenë ndonjë tregtar, por ishte ndonjë agjentë
serbë që e kishte pasur si detyrë të jap informata për zonën në mes të Nishit dhe
Manastirit, dhe për këtë kishte shkuar në Manastit, ku ishte koncentruar
ushtria e sulltanin. Të rikujtojmë këtë se edhe princi Millosh Obrenoviqi në
vitin 1830, e kishte dërguar një informator të vetin, kur Reshid Mehmed Pasha i
kishte thirrur në një takim të gjithë pashallarët dhe feudalët e mëdhenj të
rajonit.
Qendra e kryengritjes së atyre viteve u bë qyteti i
Shkupit, nën udhëheqjen e Dervish Carës, Dervish Podës, Dervish Kapos etj.
Kryengritësit shqiptar në fillim të vitit 1844 arritën që
të çlirojnë: Shkupin, Prishtinën Tetovën, Quprilinë, Prilepin dhe ju ofruan
Manastirit.
Në vitin 1844, gjatë zhvillimit të kryengritjeve ishin
ngritur edhe shqiptarët e Nishit, mirëpo për ti shuar kryengritjet porta e lartë,
atje menjëherë e kishte dërguar ushtrinë e rregullt të sulltanit të cilën e udhëhiqte
Sabri Mustaf Pasha.
Hysen Pasha Gjinolli, i cili zotëronte pronat në të dy anët
e Moravës jugore nga Vraja e deri në Bujanoc. Banorët e Vrajës, Bujanocit dhe të
Preshevës u ngritën në kryengritje shpesh herë kundër këtij pashai i cili ishte
i pangopur për aventura dhe prona. Hysen Pasha për tu mbrojtur prej
kryengritësve shqiptar në Vrajë kishte sjellë shqiptar ortodoks dhe mysliman të
paguar nga rrethi i Janinës.
Nën udhëheqjen e Festolit, kryengritësit nga Tërnoci,
Selam Rogoqica, Ymeri nga Presheva, dhe bejlerët e ajanët tjerë nga Presheva,
Bujanoci e Vraja, në vitin 1843,
popullata u organizua në kryengritje, dhe e përmbysen sundimin e Hysen Pashës
në Vrajë.
Në maj të vitit 1844, rreth 15.000 kryengritës shqiptar
nga zonat e Leskocit, Vranjës, Kumanovës, Gjilanit, Shkupit, Tetovës,
Gostivarit dhe malësia e Galabit, hynë në qytetin e Vrajës, dhe e dëbuan Hysen
pashën e Vranjës. Me këtë fitore kryengritësit shqiptare e krijuan një zonë të
lirë prej Leskoci e deri në Gostivar.
Sipas informatave të konsullit anglez i cili raportonte
nga Selaniku, me 20 tetor 1844 kryengritësit shqiptar hynë për herë të parë në
Vrajë.
Me datën 3-6 prill të vitit 1844 kryengritësit shqiptar
hynë në Vrajë, kurse Hysen Pasha me 800 shqiptarët e sjellë nga jugu u
koncentrua në kalanë e Vrajës. Duke e parë rrezikun nga kryengritësit shqiptar,
Hysen Pasha e braktisi kalanë e Vrajës dhe kaloi në Veles.
Për ti shuar këto kryengritje, porta e lartë dërgojë
forca të mëdha ushtarake në trojet shqiptare. Në shkurt të vitit 1844, forca të
mëdha ushtarake u dërguan në Shqipërinë e Jugut, e veçanërisht në qytetin e
Manastirit.
P. Osmane për shuarjen e kryengritjes shqiptare e kishte
autorizuar Omer Pash Latasin, ai ishte një renegat ortodoks i lindur në Ogulin
të Kroacisë. Emri i vërtet i tij ishte Mihajl Latasi i cili më pas e pranoi
islamin dhe e mori emrin Omer Pashë Latasi, i cili e kishte gradën e
gjeneralmajorit dhe i bëri shërbime të mëdha ushtrisë osmane. Në enciklopedinë
greke e osmane shkruan se ka lindur në Plashkë të Kroacisë. Babain e kishte pas
nën oficer në ushtrinë austriake dhe kur ka lindë e pagëzuan Mihajl Latas. Përveç
gjuhës kroate ai e mësoi shpejtë gjuhën gjermane, italiane, dhe frënge dhe pak gjuhën
angleze. Mihajli shërbeu si oficer në ushtrinë austriake por në vitin 1827 ai u
arratis në territoret osmane. Në fillim u strehua te Haxhi Ali Bujiqi në
Banjallukë. Ai në Banjallukë e pranoi fenë islame, synetin dhe e mori emrin e
ri Omer Lutfi Efendi. Pas qëndrimit dy vjeçar në Banjallukë ai u vendos në
Vidin, e pastaj shkoi ne Stamboll si profesor i vizatimit në shkollën
ushtarake. Ai në Stamboll shkoi në vitin 1834, ndërsa në vitin 1838 e mori
gradën kolonel. Pasi u gradua Omeri dërgohet në Siri të luftoi kundër Ismajl
Pashës dhe Mehmed Aliut me origjinë shqiptare nga Egjipti. Pas ngadhënjimit të
tij në Siri ku i dha fund sundimit të Mehmed Aliut e mori gradën gjeneral. Në
fund të vitit 1843 ai nga porta e lartë dërgohet për të shuar kryengritjet
shqiptare që kishin filluar nën udhëheqjen e Dervish Carës.
Omer Pashë Latasi hynë në Vrajë, pasi e lexojë para
popullatës ligjin dhe rendin, e shfuqizon pashallëkun e Vrajës, duke e krijuar
kazan e Vrajës nën udhëheqjen e një kajmekami.
Pas këtij nënshtrimi ushtarët osman u lanë të lirë që të
bëjnë çka të donin me popullatën shqiptare, kështu që në fshatin Tërnoc dhe
disa fshatra tjera përveç plaçkës ushtarët osman çnderuan edhe gratë e vajzat e
popullatës shqiptare.
Gruaja më e vjetër në konakun e Hysen Pashës, Hanuma
Plaka, Omer Pashës ja ofroi konakun e saj, i dha shuma të mëdha të parave, dhe
ja dhuroi një palë rroba ari të burrit të saj.
Hysen Pasha pas 10 apo 12 ditësh vdes në Veles, flitet se
është helmuar, por nuk dihej saktësisht si është helmuar. Autoritetet osmane e
përhapën lajmin se e ka helmuar e shoqja
me ushqimin që ja dërgoi nga Vraja, por ekzistojnë burime tjera që tregojnë se
Hysen Pashën, e helmuan autoritetet osmane me kafe.
Omer pasha, pasi hyri në Vrajë me 18 qershor 1844 dhe me
ushtrinë e tij fillojë sulmet nëpër fshatrat shqiptare midis Vrajës dhe
Leskocit, duke i kapur udhëheqësit e kryengritjes. Në mesin e udhëheqësve tjerë
që u dorëzuan ishte edhe Baba Feka dhe
Sejdi Menxha, të cilët të lidhur së bashku me 200 kryengritës tjerë të kësaj
ane u dërguan në Stamboll.
Kryengritrja e Dervish Carës u përhap edhe në Leskoc.
Kundër kryengritësve në komandën e Hajredin Pashës ishin dërguar5000 nizam të
pajisur me 20 topa. Të nxitur nga osmanët Dalip Beu e Shaban Beu me 3000
shqiptarët e jugut i sulmuan shqiptarët e veriut që ishin ngritur në
kryengritje që e organizoj Dervish Cara. Ismajl Pasha nga Leskoci e ndihmonte
Dervish Carën së bashku me kryengritësit e udhëhequr të kësaj ane në krye me
Sejdi Menxhën dhe Babën Fekë. Pasha i Leskocit kryengritësit i furnizonte më
ushqim dhe kuaj. Kryengritësit shqiptar ndiqeshin nga ushtria osmane dhe
shqiptarët e jugut të udhëhequr nga Omer Pash Latasi. Kur ushtria e Omer Pashës
hyri në Leskoc me 20 qershor 1844 ajanët e Leskocit ju bënë pritje ushtrisë së
sulltanit, ju përgatitën ushqime dhe 15.000 dhe ju dorëzuan të gjitha parat që
i kishin mbledhur në popull për organizimin e kryengritjes. Me 5 Prill 1845
Ismajl Pasha i Leskocit u kap dhe me tërë familjen e tij u dërgua në Azinë e
Vogël, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë.
Gjatë kësaj përndjekje ushtria osmane në Leskoc nguli 50
hunj për ngulitjen e kryengritësve.
Pas nënshtrimit të kryengritësve në muajin qershor të
vitit 1844, prapë në vjeshtën e po këtij viti, popullata e Dibrës, u ngrit në
kryengritje kundër ushtrisë së sulltanit që udhëhiqej nga Hajredin Pasha.
Bazuar në burimet e Th. Ippen, kryengritësit shqiptar të
vitit 1844, para portës së lartë kishin parashtruar kërkesë, për të drejtat e
tyre autonome, ashtu si i gëzonin serbët në atë kohë.
Kryengritjet shqiptare vazhduan edhe në vitet tjera në
vijim. Në vitin 1845, ushtria e rregullt e sulltanit, ndërmori ofensivë për
çarmatosjen e popullatës shqiptare. Kundër kësaj ofensive, shpërthyen
kryengritje në qytetin Gjakovës me rrethine, ku ishin mbledhur 8000
kryengritës, nën udhëheqjen e Binak Alisë dhe të Sokol Ramës.
Kryengritjet shpërthyen edhe në Shqipërinë e jugut, kur
Reshid Mehmed Pasha, dhe feudali renegat shqiptar Hysen Pash Vrioni, tentuan ta
shtrijnë aksionin e çarmatimit të popullatës shqiptare edhe në jug. Ndaj
aksionit të ushtrisë osmane për çarmatosjen e popullatës shpërthyen kryengritje
në berat dhe në Gjirokastër.
Në korrik të vitit 1844, kryengritjet shqiptare
shpërthyen edhe në Kurvelesh nën udhëheqjen e Zenel Gjonlekës, në Berat nën
udhëheqjen e Rrapo Hekalit. Kryengritësit nën udhëheqjen e Zenel Gjonlekës e
çliruan Delvinen, Butrintin, duke e krijuar një zonë të lire në rrethinën e
Gjirokastrës. Po ashtu edhe Rrapo Hekali e krijojë një zonë të lirë në
rrethinën e Beratit. Në këtë kohë në kryengritje u ngritën edhe Labëria,
Çamëria, Myzeqeja dhe rrethina e Vlorës. Për shuarjen e këtyre kryengritjeve
porta e lartë në vitin 1847 dërgojë forca të mëdha ushtarake nga Manastiri,
Janina, Himara e Thesalia. Vetëm nga Manastiri u dërguan rreth 15.000 ushtar.
Ushtria osmane në zonat e kryengritjeve dogji shumë fshatra , arrestojë shumë
shqiptar dhe shumë prej tyre i internojë në burgjet osmane. Gjatë këtyre masave
ndëshkuese për kryengritjen e shqiptarëve, osmanët, i dëbuan edhe jezuitët nga
qyteti i Shkodrës, të cilët me ndihmën e konsullit austriak, atje kishin shkuar
për hapjen e një kolegji.
Edhe pse kësaj kryengritje në veri i prinë klerik
mysliman, nga raportet franceze të kohës, mësojmë se kryengritjen e armatosur e
përkrahën mirditorët edhe kelmendasit, e besimit katolik të cilët u
solidarizuan me vëllezërit e tyre mysliman.
Pas thyerjes së kryengritjeve shqiptare në Katllanovë,
ushtria osmane marshoi drejtë veriut, dhe sipas disa burimeve të kohës, thuhet
se vetëm në qytetin e Vrajës, ishin mbledhur 10.000 ushtarë të rregullt të
ushtrisë perandorake. Gjatë qëndrimit të tyre në këto anë, ata bënë tortura,
dogjën, fshatra të tëra shqiptare, u imponua me dhunë dorëzimi i kryengritësve,
dhe u kërkua që përfundimisht të hiqet dorë nga kriptokatolicizmi i popullatës
shqiptare në malësinë midis Nishit, Prishtinës dhe Shkupit.
Duhet theksuar se popullata shqiptare e malësisë së
Galabit në veri-perëndim të Vrajës i kishte përballuar myslimanizmit të plotë
deri në ato vite.
Ushtria e rregullt e sulltanit, e dërguar në trojet
shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënë presion shumë të madh ndaj
kriptkatolikve shqiptar në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoi zhvillimi
e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.
Gjatë viteve 1843-1846, u shtuan masa të posaçme ndaj
shqiptarëve që paraqiteshin si mysliman të rrejshëm (kriptokatolik të fshehtë).
Masa të ashpra u zbatuan sidomos ndaj popullatës
kriptokatolike në fshatrat e Malit të Zi, në anën jugore të Gjilanit.
Për shkak të rezistencës që ta pranojnë më dhunë procesin
e myslimanizmit, banorët e këtyre fshatrave malore, u arrestuan
nga feudalët shqiptar me ndihmën e ushtrisë së sulltanit. Feudalët shqiptar i
mbushen burgjet me të burgosur, i torturuan dhe të lidhur në pranga e s’ngjire
i dorëzuan të ushtria osmane, të cilët u internuan si kundërshtar të
islamizimit në Filadorë të Azisë së Vogël.
Në internim u dërguan 207 shqiptarë, të cilët gjatë
rrugës pësuan tortura më barbare që njeh historia nga ushtria e sulltanit. Nga
torturat e shumta shumë prej këtyre shqiptarëve të arrestuar vdiqën rrugës për
në Filador dhe në burgjet osmane. Pas tri viteve të qëndrimit në burgjet e P.
Osmane, me ndërhyrjen e diplomacisë franceze, arritën që të kthehen në
vendlindje vetëm 102 shqiptar.
Elida Jorgani nga ky burim: Wellington Independent,
Volume II, Issue 125, 23 December 1846, Page 4, sjellë të dhëna për dhunën që e
ushtronte Selim Pasha, gjatë vitit 1846, ndaj shqiptarëve të besimit katolik në
rrethinën e Gjilanit.
Përndjekja e të krishterëve të Turqisë (Shqipëria ishte
pushtuar nga Perandoria Osmane).
Të krishterët që banojnë në Shqipëri, kohët e fundit, po
vuajnë një trajtim mizor nga Pashai i krahinës, sepse nuk pranuan të braktisnin
besimin katolik dhe të bëheshin myslimanë. Një numër i katolikëve në Gjilan
janë burgosur, ku njëri prej tyre, Agostin Stublla ishte lidhur me zinxhirë nga
qafa dhe këmbët, dhe vdiq në burg si pasojë e keqtrajtimit që iu bë. Shtatë
familje në Gjilan, që e pranuan fenë islame u dërguan në Shkup, ku 23
kryefamiljarë të familjeve katolike ishin burgosur për shkak të mosbindjes; nga
këta, shtatë vetë ishin të paaftë për të duruar vuajtjet dhe ndoqën shembullin
e familjeve nga Gjilani. E megjithatë, gjashtëmbëdhjetë kryefamiljarët e tjerë,
mbetën të vendosur deri në fund, për të sakrifikuar gjithçka për fenë e tyre.
Ata rriheshin çdo ditë me kamxhik, iu jepej pak ushqim dhe mbaheshin të lidhur
me zinxhirë te muret e burgut. Selim Pashai u tërbua nga qëndresa e të dënuarve
dhe urdhëroi, që familjarët e tyre të ecnin nga Gjilani në Shkup në një udhëtim
tetë ditor, me duar të lidhura pas shpine, pa i përjashtuar fëmijët dhe gratë
shtatzëna. Me mbërritjen e tyre në Shkup, të gjithë u burgosën. Një numër i
misionarëve të Krishterë janë të burgosur gjithashtu në Shkup, ku shtatë prej
tyre ranë Martirë të besimit të tyre. Misionarët Apostolikë të Dalmacisë
ndodhen në mesin e këtyre të burgosurve. Konsulli Austriak në Shkodër i ka çuar
zyrtarisht një kërkesë Selim Pashës, për lirimin e tyre. 30 deri 40 familje të
Krishtera, u larguan nga Shqipëria për në Selanik, për t'u vendosur në
Michalitsch. --- Trieste Observer. (Huazuar të përkthyer nga Elida Jorgani).
Fshati Bresalc , komuna e Gjilanit është ndër fshatrat që
e pranoi myslimanizmin me dhunë pas reformave të tanzimatit në shekullin XIX.
Banorët e Bresalcit e rikujtojnë Ramadan Sylën i cili i kishte pasur dajë
katolikët e fshatit Brus, komuna e Lipjanit. Sipas Rrahim Sylës (haxi) i lindur
në vitin 1927, kujton se një bashkë fshatari tij nga Bresalci, Fetah (Rexhep)
Hoxha i thoshin katolik pasi që dajallarët i kishte po ashtu në Brus. Ai po
ashtu tregonte se banorët e Bresalcit i kishte islamizua me dhunë Ramadan Pasha
(Syliqi). Ndër toponimet që ruhen në Bresanc ne po veçojmë: Guri i kishës dhe
Kroi Plak
Enver Hasani nga Bresalci tregoi për mënyrën e
myslimanizmit të fshatit. Një ditë pasi zyrtarët turq i kishin tubuar fshatarët
dhe ju bënin presion ta pranojnë myslimanizmin, fshatarët u detyruan të ju
nënshtrohen urdhrave të tyre. Në momentin kur fshatarët ishin tubuar në
qendër të fshatit, aty ku sot është
xhamia kishte pasur edhe reagime kundër zyrtarëve osman pasi ata filluan
ndërtimin e xhamisë. Ai thotë se ka qene një fshatar katolik i quajtur Joza e i
cili e kishte marrë me vete një guri prej kishës dhe shkon në tubim pasi është
ndërtuar xhamia. Joza e kishte lëshuar gurin në tokë te dera e xhamisë dhe i
kishte vënë të dy duart në derë të xhamisë, duke ju drejtuar zyrtarit osman.
Turko me prishë një vakëf dhe me e ndërtuar një tjetër nuk bënë. Kur e
dëgjojnë kështu për të mos u acaruar gjendja pleqtë e fshatit
e sulmojnë. Ai i revoltuar e merr familjen e tij dhe vendoset të jetojë në
Janjevë. Banorët e rikujtojnë se ky ishte latini (katoliku) i fundit i cili
është shpërngulur nga Bresalci. Më vonë thuhet se kjo familje është shpërngulur
në Kroaci dhe është asimiluar në kroat. Nga ditari im i punës në terren
17.05.2003.
Trungu familjar i
disa familjeve nga Bresalci
Enver Hasani Milaim Uruqi Rrahim
syla
Bushi Sadriu Asllani
Hetemi Shefkiu Halimi
Sejfiu Mehmeti Shabani
(Katolik) Haziri Beka
(katolik) Behluli
Zeka i Lekës (katolik)
Bazuar nga rezultatet e hulumtimeve në terren është
vërtetuar se një numër i konsiderueshëm
i fshatrave që sot ndihen si fshatra me poplat serbe në rrethinën e Gjilanit,
Artanës dhe Dardanës, deri në këtë periudhë ishin shqiptarë të besimit katolik,
por nga presionet kaluan në fenë ortodokse dhe u serbizuan.
Në fshatin Jasenovik, komuna e Artanës edhe sot pranë
shtëpisë së një familje serbë janë themelet e një kishe katolike. Po ashtu të
besimit katolik ishin edhe banorët e Shtrazhës, Makreshit të Epërm, Tirincës,
Vaganeshit e fshatra tjera, të cilët për ti shpëtuar dhunës, duke mos mundur që
ta pranojnë islamizimin, u kthyen në besimin ortodoks dhe më vonë u serbizuan.
Në këto rrethana të procesit të dhunshëm për islamizimin
e shqiptarëve, diplomacia evropiane dhe françeskanët nuk patën mundësi, që ta
përcjellin gjendjen e popullatës shqiptare kriptokatolike në zonat e thella
malore.
Gjatë fushatës së arrestimeve të kryengritësve shqiptarë
në anën veriore të Prishtinës, zonën e Kushumlisë, Krushecit, Prtokuplës,
Nishit, Leskocit, dhe Vrajës, françeskanët nuk mund të kishin ndonjë informatë
për fatin e shqiptarëve në ato treva. Popullata shqiptare kriptokatolike në
zonat në mes të këtyre qyteteve, nga masat represive të ushtrisë së rregullt
osmane, përfundimisht u detyrua që ta pranojnë islamizimin në familjet e tyre.
Një pjesë e popullatës shqiptare e këtyre anëve, duke mos
mundur ta pranojnë islamizimin u detyruan që të shpërngulen në zonën e Nishit,
Aleksincit, Qyprisë dhe qyteteve tjera ku presioni i ushtrisë osmane ishte me i
vogël.
Sipas njoftimeve të Tihomir Djordjeviq, shkruan se numrin
më të madh të tyrqve në Beograd e përbënin arnautët. Ai po ashtu shkruan se
edhe ne Aleksinc dhe në Qypëri shqiptarët kanë jetuar shumë kohë më përpara.
Mes tjerash Tihomiri njofton se në vitin 1821, në Qypëri vijnë për të
jetuar edhe 15 familje shqiptare. Kjo
ndjekje e shqiptarëve nga malet e Galabit, kishte ndodhur për shkak të
pjesëmarrjeve në kryengritje dhe represalieve të ashpra të ushtrisë osmane ndaj
tyre. Po ashtu një numër i madh i familjeve shqiptare ortodokse nga fshatrat e
Artanës, Dardanës, Gjilani dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të
viteve dyzeta të shekullit XIX, u shpërngulën në zonën në mes të Nishit
Prokuples dhe Leskocit ku presioni i ushtrisë osmanë ishte më i vogël. Në anën
tjetër serbët të shtyrë nga politika ruse stimuloheshin që të lëvizin në
drejtim të Krushecit, Qyprisë, Aleksincit me qëllim që të shtojnë ndikimin e
tyre në qytetin e Nishit.
Shqiptarët e zonës së Krushecit, Prokuples, e të cilët që
nga fillimi i kishin përkrahur, lëvizjet e kryengritjeve shqiptare, nën
udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut, e kundërshtonin lëvizjen e serbëve ndaj
vendbanimeve të tyre. Bazuar në dokumentet arkivore serbe Sadullah Brestovci
shkruan se në fshati Gërgur të Arnautkllukut, agjentët serbë e kishin vrarë një
spahi shqiptar. Si reagim ndaj kësaj vrasje në krushec ishin mbledhur për të
kundërshtuar 5000 shqiptar.
Është me rëndësi të ceket se gjatë gjithë kryengritjeve
shqiptare që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare,
kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me
kryengritësit, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët
apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua edhe gjatë kryengritjes së
Mustafa Pash Bushatliut dhe Dervish Carës.
Për zhvillimin e kryengritjeve dhe rolin e klerikëve, dhe
politikës ruse ne trevat e banuara me shqiptarë, kemi mjaftë të dhëna nga
konsujt e shteteve evropiane, që jetonin në qytetet e rajonit.
Me 15 Mars, 1841 konsulli anglez e njoftoi ministrin e
tij se peshkopët grek e denoncuan rajën e mjerë nga Selaniku, duke thënë se
kleri grek është shkatërrim për rajën. Me 17 Maj, njoftoi nga Selaniku për
arrestimin e kallogjerit Ilarion i cili deklaroi se midis Leskocit dhe “Sveti
Gorës” janë 3000 kryengritës, të gatshëm e të paguar me para ruse për tu quar
në kryengritje. Kjo tregon për ndikim e madh që e kishte Rusia për ta krijuar
trazira brenda kufijve të P. Osmane.
Prefekti i qarkut të Aleksincit i cili për kryengritjen e
shqiptarëve e lajmëron ministrin e jashtëm të Serbisë së më 5 Korrik të vitit
1843, Mehmet Pasha i Shkupit ka kërkuar
që çdo shtëpi shqiptare të jep nga një nizam.
Me 1 Gushtë të vitit 1843, porta e lartë e dërgojë
Hajredin Pashën në Shkup i cili i thirri në takim të gjithë prijësit shqiptar
dhe kërkojë prej tyre nga dy nizam për familje.
Në qytetet e veriut kryengritësit shqiptar të frymëzuar
nga kryengritja e Dervish Carës në vitin 1844, i morën në kontroll Tetovën ,
Shkupin dhe Prishtinën. Për këtë kryengritje konsulli francez nga Janina e
njofton shtetin e tij se prijësit e kryengritjes së Shkupit ju kanë bërë
thirrje shqiptarëve të Janinës që të ju rikujtojnë se kryengritësit janë
vëllezër të tyre dhe mos ti lejojnë të ngritën kundër kryengritjes së tyre. Kjo
thuhet se kishte një vizion politik.
Përfundim:
Kryengritjet shqiptare edhe pse u zgjeruan, dhe arritën
një numër të madh në njerëz, ata nuk kishin armatim dhe pajisje ushtarake, për
ti bërë ballë ofensivës së armatës së rregullt të sulltanit, e cila ishte e
pajisur me armët më moderne të kohës. Në këto rrethana kryengritësit, pas një
varg betejave të përgjakshme, u detyruan të tërhiqen me humbje të mëdha, por
nga këto beteja humbje të mëdha pësoj edhe ushtria osmane.
Për fat të keq në radhët e ushtrisë osmane ishin të
mobilizuar pa vullnetin e tyre edhe shume ushtare shqiptar, kështu që
shqiptarët vriteshin mes veti, ndërsa P. Osmane i realizonte synimet e veta për
ta zgjeruar autoritetin e vet ne trojet shqiptare.
Ekspeditat ushtarake që i ndërmori P. Osmane për shuarjen
e kryengritjeve shqiptare, si dhe mos uniteti i pashallëqeve shqiptare, ishin
fatale për ardhmërinë e popullit tonë.
Zbatimi me dhunë i reformave në trojet shqiptare, që u përmbyllë
me përmbysjen e pashallëqeve, popullin tonë e lanë në kulmin e varfërisë dhe
shkallën më të lartë të analfabetizmit në Evropë. Pashallarët shqiptarë, kurrë
nuk kanë bërë asgjë për zhvillimin e arsimit, kulturës e teknologjisë në hap me
kohën dhe trendin e zhvillimeve në rajon.
Zhvilimi i hovëshëm teknologjik e industrial, shkencor,
kulturor e administrativ në shtetet evropiane, ishte në kundërshtim të plotë,
me rendin feudal që zbatohej në P. Osmane, pashallarët shqiptar nuk bënë asnjë
hap për tu orientuar kah vendet e zhvilluara evropiane.
P. Osmane duke i shtypur shqiptarët përfitojë shumë: ia
zgjati jetën vetvetes, vjeli taksa, regrutojë ushtarë të rregulltë, dhe duke
mos lejuar zhvillimin kulturor dhe arsimin në gjuhën amtare, e përfitojë për
vete trurin e kësaj popullate. Gjatë tre shekujve të fundit të sundimit të
P.osmane, nga pamundësia e shkollimit të rinisë shqiptare në trojet e veta, ata
detyroheshin të vijojnë mësimet në gjuhë tjeter dhe vise tjera të P. Osmane.
Arsimimi i të rinjve shqiptarënë shkollat osmane ndikojë që shumë shqiptar të zënë
poste të larta kulturore, shkencore, ushtarake e administrative në
institucionet shtetërore osmane.
Shqiptarët e arsimuar në P. Osmane i kanë meritat më të mëdha
për krijimin e institucioneve më të rëndësishme në kulturë, arsim, administratë
dhe shkencë, pa pasur mundësinë që të kontribojnë në vendlindjet e tyre, për të filluar me
hapjen e shkollave fillore në gjuhën amtare.
Mendoj se duke i analizuar me hollësi sjelljet e
pashallarëve shqiptar ndaj popullit tonë, duhet bërë një ristudim duke zbatuar
metodologjinë dhe kriteret shkencore për ti bërë publike dëmet e shkaktuara
gjatë tre shekujve të fundit të sundimit osman.
Literatura:
Historia e Popullit
Shqiptar I: Tiranë, 2002
Historia e Popullit
Shqiptar II: Tiranë, 2002
Noel Malcolm: Kosova një
histori e shkurtër, Prishtinë, 1988
Danilo Vulovi? u
knjizi Knjaževa kancelarija, knjiga prva, Nahija požeška 1815-1839,
Beograd 1953.
Bedrush Shehu: Çështjet
shqiptare në fillim të viteve 30 të shekullit XIX, Instituti Albanologjik i
Prishtinës, Prishtinë, 1990.
Nga
libri i Aleksander Matkovsk: Kryengritja e Dervish Carës, Shkup, 1985
Gjergj
Gj. Gashi; Martirët shqiptar gjatë viteve 1846-1848, Prishtinë, 1994
Grigorje
Bozeviq; Po Gnjilanskom Kraju, Gjilan, 199
Wellington Independent, Volume II, Issue 125, 23 December
1846, Page 4
Slavisa
Nedeljkovic; Betëeen the imperial Governament and rebels, (Old Serbia during
the rebellion of the Shkodra Pasha Mustafa Bushati and Bosnian aristocracy
1830-1832, facultuy of Philosophy, Novi Sad, 2015
https://bujanovac.com/bujanovacki-kraj-pod-turskom-vlascu-u-xix-veku/,
http://serbiasrbija.blogspot.com/2010/07/pashas-shelter-and-haremluk.html,
https://ëëë.vranjenet.rs/haremluk-ko-novi-husein-pasa/
https://thereaderëiki.com/en/Albanian_revolt_of_1847,