| E shtune, 06.06.2020, 11:29 AM |
Pak
fjalë për librin e parë "Momente" të aktorës, Anisa Ismajli, (botuar
nga ArtPolis, 2014)
CINGËRRIMAT
E JETËS
(Gëzimin,
Hidhërimin, Mërzinë, Kënaqësinë dhe mikpritjen, tok së bashku me njerzillëkun,
Anisa i bën buqeta lulesh me pamje dhe aroma të ndryshme, sepse, vetë jeta
ngjizet dhe lindë me formulime ndër më të ndryshmet...)
Shkruan:
Remzi Limani
Pa
dyshim, jetën duhet jetuar duke bërë jetë....Në këtë kuptim, aktorja Anisa Ismajli,
kësaj radhe autore e librit me proza poetike, na jep një pasqyrim lucid mbi të
bukurën e jetës dhe peripecitë që mund të na servirin të papriturat dhe
momentet e jetës. Pra, artistja jonë respektive znj. Ismajli, flet pa doreza
damash me pamje maskash të improvizuara, për t'i fshehur pikat neuralgjike të
jetës, për të cilat na flet Anisa Ismajli dhe guximi i saj për ta shpalosur
jetën në sekuenca dhe forma fragmentale të një narracioni të lakmueshëm
figurativ. Në këtë kontekst të pamohueshëm, autorja e librit na shfleton botën
e saj dhe imagjinatën e bujshme për ta kapur jetën ashtu siç është, pa u futur
dhiareve të lakadredhura për ta humbur kuptimin e cingërrimave dhe thirrmave të
jetës, të cilat bien e pikojnë në veshët e të gjithë neve. Pra, me të drejtë,
rrëfimtarja jonë e kap jetën dhe mirret ngrykas me të - ndryshe nuk do ta
kuptonte përqafimin e ngrohtë - si një
infuzion për të vazhduar me frymëmarrjen e zgjatur të jetës dhe mrekullive, të
cilat na shtrojnë sofrën e dashurisë, ndër ushqimet më dietale të preferuarat
për mirëqenien shëndetësore dhe mentale të njeriut. Pra, pa dashuri, tek njeriu
vdesin neuronet pa të cilat nuk mendemi ta shijojmë të bukurën krah nesh dhe
dorën e dashurisë s'mund ta bëjmë nënkresë për një gjumë të shëndetshëm. Mbi
këtë bazë; Gëzimin, Hidhërimin, Mërzinë dhe Kënaqësinë, tok së bashku me
njerzillëkun, Anisa me të drejtë i bën buqeta lulesh me pamje dhe aroma të
ndryshme, sepse, vetë jeta ngjizet dhe lindë me formulime dhe spërkatje aromash
të veçanta, të cilat i vishen njerëzve veç e veç - me pamje dhe nuanca ndër më
të ndryshmet.
Të
tjerat, të bukurat e këtij libri nuk do t'i shpalosim. Ato do t'ia lëmë
lexuesit për t'i kuptuar të pashpalosurat tjera...