| E enjte, 04.06.2020, 06:04 PM |
Ribotohet në Bukuresht romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”
Nga
Entela Binjaku
Kur
nuk kishin kaluar ende 3 muaj nga dalja në rumanisht e "Kalorësit me skifter" shtëpia botuese “Humanitas” solli një tjetër
vepër të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare. Si të gjitha veprat e tjera edhe
ky roman është sjellë në gjuhën rumune nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku.
Lajmin
për këtë prurje jubilare e dha vetë Drejtorja e shtëpisë botuese “Humanitas”
Denisa Komënesku e cila u shpreh: "Ismail Kadare është nga të rrallët
shkrimtarët evropianë që meriton prej kohësh të nderohet me çmimin "Nobel".
Është i kandiduar prej vitesh të tëra edhe në listat e basteve letrare, ndaj
shpresojmë që ai të marrë këtë çmim, ndoshta vitin që vjen në 85-vjetorin e
tij".
Ky
është edicioni i tretë i botimit të këtij romani, i kryer në kuadër të serisë
me titull “Rafti i Denisës”.
Dy
botimet e tjera kanë dalë në vitin 2002 ku sërish ishte shtëpia “Humanitas”
ndërsa 10 vjet më parë ishte shtëpia botuese “Polirom” (2010) që e
kishte botuar.
Në
kopertinën e “Gjeneralit” të 2020-ës shtëpia botuese ka veçuar një cilësim që
gazeta amerikane “Nju Jork Taims” i ka bërë shkrimtarit tonë: “Ismail Kadare,
një romancier i madh i botës”. Ndërkohë edhe në njoftimin për daljen e romanit,
shtëpia botuese sërish ka veçuar dy qëndrime që kritika britanike dhe ajo
franceze kanë bërë për shkrimtarin e madh shqiptar:
“Independent
on Sunday” shkruan: “Kadare është
krahasuar me Gogolin, Kafkën dhe Oruellin duke pasur në të njëjtën kohë një zë
unik, universal por dhe thellësisht të ligjëruar nga origjina e tij”
Ndërsa
nga “Le Monde” citon: “Ajo që bën përshtypje që në fillim është ironia e hollë
e autorit: gjenerali i tij italian nuk është karikaturë. Ka virtyte, kryesori
ishte që nuk beson përveçse përgjysëm në
misionin e tij. Dhe ka më shumë të meta: sidomos atë që tregon një indiferencë
të papritur për çdo gjë”.
Por
ardhja e një libri në duart e lexuesve është një ngjarje emocionale edhe për
atë që e ka mundësuar sjelljen në gjuhën e rumunëve, përkthyesin vetë.
Marius
Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe që gëzon
besimin dhe miratimin nga shkrimtari Ismail Kadare për të përkthyer veprën e
tij. Duke ja vlerësuar punën, shkrimtari i shquar është shprehur se ai është:
“përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.
Vitin
e kaluar në një intervistë dhënë për mediat, Dobresku shprehej: “Në vitin 2020
shtëpia botuese “Humanitas” me të cilën punoj prej mbi 10 vjetësh do të botojë
me radhë një vëllim nga novelat e Kadaresë, e më pas dy ribotime: “Aksidenti”
dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe në fund të vitit do të dalë sërish
këtu “Mëngjeset në kafe Rostand”. Kam miq që më pyesin çfarë do të bëj kur të
mbaroj së përkthyeri Kadarenë. “Nuk e di ju përgjigjem, atëherë kam për ta
parë”.
“Gjenerali
i Ushtrisë së Vdekur”, romani i rinisë së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare
është ndoshta edhe romani më i njohur ndërkombëtarisht jo vetëm i tij, por edhe
i letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Historia
është e thjeshtë: një gjeneral dhe një prift italian vijnë në Shqipëri në mesin
e viteve ’60 për të rikthyer eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e
Dytë Botërore. Në një peizash të zymtë, duke udhëtuar nën një shi të ftohtë
dhe aspak miqësor ata të dy vihen në
kërkim të të rënëve. Ajo që nisi si një rrëfenjë shndërrohet në një dramë të
vërtetë emocionale.
Duke
folur me Alain Bosquet mbi kohën e
daljes së romanit Kadareja thotë: “Botimi i tij prodhoi një tërmet në letërsinë
shqiptare. Vala e entuziazmit në radhët e publikut ishte e madhe por një
kritikë zyrtare e sulmoi në mënyrë të tmerrshme. I viheshin në dukje dy gjëra:
në radhë të parë atmosfera e errët që binte
në kontradiktë me klimën festive të letërsisë së realizmit socialist dhe
në radhë të dytë edhe më e ashpër, ishte
mungesa e urrejtes ndaj armikut”. Në terminologjinë komuniste e njëjta
akuzë mund të formulohet edhe si dobësim i luftës së klasave.
Përkthimi
i parë i “Gjeneralit” i detyrohet Foqion Miçaços (Foqion Miciacio) në vitin
1973. Në vitin 1983 regjizori italian Luciano Tovoli realizoi filmin me të
njëjtin emër mbështetur në romanin e Kadaresë, ku në rolet kryesore luanin
Marcello Mastroiani, Anouk Aimee dhe Michel Picooli.