| E hene, 01.06.2020, 12:42 PM |
QERSHORI, KORRIKU, GUSHTI (1998 – 1999)
DHE TETË DËSHMORËT NGA
DUSHKAJA...
NGA
MR. SKËNDER R. HOXHA
Kujtesë e një historie, tash e njëzet e
një e njëzet e dy vjet më parë (III)
…Është
kjo krahina etnografike e Dushkajës, e cila ka shtrirje administrative në
komunën e Gjakovës dhe në atë të Deçanit. Është kjo Dushkaja ku herët e vonë
gjetën mikpritje e mbështetje burrat e kombit shqiptar: Azem Bejta, Bajram
Curri, Nue Përlleshi, Isë Boletini e shumë e shumë të tjerë… Është kjo Dushkaja
që përjetoi masakra në të cilat u martirizuan shumë burra, por edhe gra e
fëmijë, dushkajas e mysafirë, dhe vetëm pse ishin shqiptarë, e Dushkaja
gjithmonë armiqve u tha: JO!, KJO ËSHTË TOKË SHQIPARE DHE NE JEMI SHQIPTARË! …
Është kjo Dushkaja e burrave të hershëm të saj, burra këta të pushkës e të
kuvendit… Është kjo Dushkaja e qelulave të para UÇK-së. Është kjo Dushkaja e
shumë dëshmorëve dhe martirëve të cilët dhanë shumë në luftën e lavdishme të
UÇK-së, më në fund edhe jetën, për lirinë e Kosovës. Është kjo Dushkaja e orëve
të para të UÇK-së. Në përvjetorët e qershorit, korrikut dhe gushtit të
viteve 1998, 1999, të këtyre viteve të
egëra, përkujtojmë rënien e luftëtarëve të Dushkajës, përkujtojmë
sakrificën,dhembjen dhe krenarinë për ta… Ata janë 8 kryepersonazhet e këtij
përkujtimori, të dhënat për të cilët, sipas datave të rënies në Altarin e
Lirisë, gjatë ayre dy verave të tmerrshme, po i paraqesim në vijim:
1.
SELIM QERIM SALIHU (11.3.1963.-2.6.1999)
Selim
Salihi lindi më 12 mars 1963 në fshatin Gërgoc, komuna e Gjakovës. Si familje
ishin të përndjekur nga regjimi serb. Qerim e Xufe Salihu kishin nëntë fëmijë:
gjashtë djem dhe tri vajza. Selimi ishte më i madhi në mesin e tyre. Shkollën
fillore e kreu në Zhabël, ndërsa atë të mesme në Cërmjan. Në vitin 1981 u
punësua si teknik i bujqësisë në Kooperativën Bujqësore në Bec, ku pas dhjetë
vjetësh, me hyrjen e masave të dhunshme, e largojnë nga puna. Ishte i martuar
dhe la pas vetes tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Dëshmori Selim Salihu në
radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 28 nëntor 1997 në Jabllanicë
të Dushkajës. Kishte për detyrë masovizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dha kontribut në formimin e Shtabit lokal të UÇK-së në fshatin Gërgoc me
komandant Fadil Nimanajn. Dëshmori ishte komandant pike në Sukë të Cërmjanit.
Mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në mes të forcave ushtarake e policore
serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Sukë të Cërmjanit,
në Rakovinë, në Kralan, në Jabllanicë etj. Përveç fushëbetejave, ku tregoi
përkushtim të jashtëzakonshëm, Selim Salihu
ishte furnizues i shkëlqyer. Disa herë shkoi në Shqipëri dhe solli
armatime nga më të ndryshmet. Me lëshuarjen e pozicioneve dhe dorëzimin e
armëve nga ana e fshatit, Selim Salihu nuk u pajtua me këtë, andaj bashkë me
Xheladin Salihun, u inkuadruan në Shtabin e Jabllanicës, duke u sistemuar në
Brigadën 132 "Myrtë Zeneli", me komandant Maliq Ndrecajn. U sistemua
në kompaninë e Gërgocit dhe u emërua komandant togu. Mori pjesë në luftime dhe
ishte mjeshtër i vendosjes së minave antitankë, ku disa herë iu shkaktoi dëme
të konsiderueshme forcave serbe, në teknikë dhe në njerëz. Duhet përmendur
aksionin diversant në maj të vitit 1999, ku përplot një minibus me paramilitarë
serbë u hodhë në ajër, duke mbetur të vrarë 13 serbë. Mirëpo, më 2 qershor të
vitit 1999, vjen dita e lavdisë së tij. Selim Salihu niset me Latif Shalën dhe
me Jahë Bushatin të vendosin një minë kundërtankiste në vendin e quajtur Troje
të Gërgocit, ku ndodheshin forcat serbe, me ç'rast bie vetë po ashtu në një
minë që serbët e kishin vendosur më parë.
2.
XHELADIN AZEM SALIHU (21.7.1964.-14.6.1999)
Xheladin
Salihu lindi më 21 korrik 1964 në fshatin Gërgoc, komuna e Gjakovës. Për kërkim
armësh familja e dëshmorit shpeshherë u keqtrajtua nga policia serbe. Babai
Azemi nga regjimi serb u dënua me dhjetë vjet burg. Prindërit Azem dhe Nepe
Salihu kishin tetë fëmijë: pesë djem dhe tri vajza. Shkollën fillore e kreu në
Zhabël, ndërsa atë të mesme në Cërmjan. Në jetën civile merrej me bujqësi.
Ishte i martuar dhe la pas vetes katër fëmijë: tri vajza dhe një djalë.
Dëshmori kontaktoi shpeshherë me pjesëtarët e UÇK-së në Jabllanicë. Në radhët e
saj u inkuadrua më 28 nëntor 1997 në Jabllanicë, ku mori detyra të veçanta. Dha
kontribut në formimin e shtabit lokal të UÇK-së në Gërgoc. Më 10 prill 1998 në
Gërgoc u formua shtabi i UÇK-së, komandant i së cilës u zgjodh Fadil Nimani, i
njohur me nofkën “Tigri”. Dëshmori Xheladin Salihu bëri roje në fshat, e
sidomos në Pikën Suka e Cërmjanit, ku mori pjesë edhe në mbrojtjen e saj nga
forcat serbe. Po ky luftëtar mori pjesë edhe në sulmin që iu bë punktit të
policisë në Rakovinë, në korrik të vitit 1998, duke iu shkaktuar dëme forcave
serbe. Në shtabin e fshatit shërbeu deri në shtator të vitit 1998, kur u
dorëzuan armët nga bashkëfshatarët. Ky, bashkë me kushëririn Selim Salihu, tani
dëshmorë që të dy, nuk u pajtuan me një qëndrim të tillë. U drejtuan kah
Jabllanica dhe komandanti Ramush Haradinaj që ndodhej aty. U risistemuan në
radhët e UÇK-së ku dhanë kontribut të çmuar, në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, me
komandant Maliq Ndrecajn. Mori pjesë në betejat që u zhvilluan kundër forcave
serbe në Sukë të Cërmjanit, Gërgoc, Bardhaniq, Zhebël. Kudo tregoi gatishmëri,
trimëri, guxim për t’u përballuar me forcat e armikut. Xheladin Salihu u dallua
si ushtar në togun e Arif Shalës. Dhe, kur pritej fundi i luftës dhe triumfi i
UÇK-së ndaj forcave serbe, më 14 qershor 1999, duke bërë çminimin e terrenit ku
serbët kishin lënë gjurmët e tyre të egra, në fshatin e lindjes, në Gërgoc, ra
në një minë, ku pas plagëve, vdiq në spitalin ushtarak në Maznik.
3.
XHEVDET SYLË PLAVA (1.1.1959.-28.7.1998)
Xhevdet
Plava lindi më 1 janar 1959 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Babai i
dëshmorit në vitin 1956 u keqtrajtua nga policia në stacionin policor të
fshatit me pretekst të kërkimit të armëve. Prindërit Sylë dhe Fanë Plava kishin
katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Dëshmori shkollën fillore e kreu në
vendlindje, ndërsa atë të mesme në Pejë. Studimet i vazhdoi me korrospondencë
në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Nuk ka lënë rast pa marrë pjesë në
demonstratat e viteve tetëdhjetë-nëntëdhjetë. Ishte i martuar dhe la pas vetes
shtatë fëmijë: katër djem dhe tri vajza. Ishte i punësuar në Kombinatin
Bujqësor “Ereniku” si teknik bujqësor, reparti në Cërmjan, në vitet 1984-1990.
Me hyrjen e masave të dhunshme serbe në këtë kombinat, e largojnë nga puna.
Detyrohet të shkojë në Gjermani. Me daljen në skenë të UÇK-së, Xhevdet Plava u
sistemua në radhët e saj, pikërisht më 20 prill 1998, në Shtabin Lokal të
UÇK-së në Cërmjan, me komandant Ali Hasin. Xhevdeti i njohur me emrin e luftës
“Komandant Xhabiri” ishte komandant pike. Kishte nën komandë 40 ushtarë. Pika
ndodhej në aksion rrugor Gjakovë-Klinë, përkatësisht në fshatin Rakovinë. Meqë
kishte lidhje familjare me fshatin Jabllanicë, Xhevdeti ishte i armatosur. Ka
qenë disa herë për furnizim në Shqipëri. Edhe në maj të vitit 1998 u nis për
armatim. Deri në Smolicë shkoi me traktor, e pastaj vazhdoi në këmbë. Armatimin
që e solli e shpërndau në Cërmjan. Edhe në qershor dhe në korrik e bëri të
njëjtën rrugë për të njëjtin qëllim. Herën e fundit ishte me Fehmi Shalën, tash
dëshmor dhe me Brahim Shalën. Duke u kthyer nga Shqipëria, në Jasiq, diku te
Rrasa e Zogut, bie në pritë të forcave serbe, më 19 korrik 1998, ku pas një
përleshje të ashpër, bijnë në fushë të nderit shtatë dëshmorë. Bashkëluftëtarët
nuk patën mundësi t’i tërheqin trupat e tyre. Forcat serbe i morën këta
dëshmorë dhe i varrosën në Kodër të Çabratit, afër Gjakovës. Ndërsa, Xhevdet
Plava me një numër luftëtarësh tërhiqet përsëri për në Shqipëri. Mirëpo, më 27
korrik 1998 fillon marshimi për në Kosovë. Përsëri në Jasiq bijnë në pritë të
forcave armike serbe me ç’rast bie heroikisht në fushë të nderit dëshmori
Xhevdet Plava me gjashtë luftëtarë të tjerë. Edhe këta dëshmorë forcat serbe i
varrosën në Çabrat. Xhevdet Plava u identifikua në Varrezat e Gjakovës dhe
është rivarrosur me nderime ushtarake në vendlindje, në Cërmjan.
4.
JETON IDRIZ HOXHA (5.12.1973.-2.8.1998)
Jeton
Hoxha lindi më 5 dhjetor 1973 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Familja e
dëshmorit asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serb në Kosovë, regjim ky nga i
cili shpeshherë edhe u keqtrajtua. Idriz dhe Zoje Hoxha kishin katër fëmijë: dy
djem dhe dy vajza. Si fëmija i parë në familje, Jeton Hoxha, shkollën fillore e
kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Si nxënës i shkollës së
mesme mori pjesë ne revolta e protesta të ndryshme kundër regjimit serb në
Kosovë. Konflikti i përhershëm i kësaj familjeje me policinë serbe, bën që
Jeton Hoxha të ndryejë në vete një mllef të madh kundër regjimit. Dhe, këtë
mllef i erdhi koha ta nxjerrë nga fundi i shpirtit, me daljen në skenë të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u ngrit pikërisht ndaj këtij regjimi
gjakatar. Dëshmori Jeton Hoxha radhitet në radhët e UÇK-së më 3 qershor të
vitit 1998, i sistemuar si ushtar në Njësinë e Cërmjanit. Në fillim bënte roje
në fshat. Armë nuk posedonin të gjithë. Të rinjtë e Cërmjanit filluan në mënyra
të ndryshme të armatosen. Kur filloi lufta në Sukë të Cërmjanit, vëllai i
dëshmorit, Artani, ishte vullnetar në mesin e njëzet luftëtarëve të fshatit Cërmjan,
duke iu kundërvënë forcave të njësiteve policore dhe ushtarake serbe. Në fund
të majit, Artani bashkë me dy djem të axhallarëve, ia mësyu Shqipërisë për t'u
furnizuar me armë. Rruga ishte e mundimshme, me rreziqe, por jo e pakalueshme,
sidomos për të rinjtë që ideal kishin lirinë në trojet e veta. Nga ky kthim,
Artani posedonte një pushkomitraloz. Jeton Hoxhën tash e gjejmë në Pikën e Parë
në Cërmjan në krye me eprorin Ali Hasin. Më 24 qershor organizojnë një aksion
në postbllokun e Kramavikut, ku merr pjesë edhe Jetoni. Për dy muaj rresht të
rinjtë e Cërmjanit ngritën istikamet në fshat. Më 2 gusht 1998 Cërmjanin e
sulmojnë mbi 100 tanke serbe. Në ballë u kundërvihen mbi 500 djem të Rashkocit,
Kodralisë, Cërmjanit, Kodrës së Meqes, Kodrës së Balajve, Kodrës së Kidajve.
Fillon një sulm i furishëm. Në brendi kishin depërtuar diversantë serbë. Duke u
tërhequr nga Pika e Parë vritet dëshmori Jeton Hoxha, duke mbrojtur
vendlindjen, atdheun. Trupi i tij pushon i qetë në varrezat e fshatit.
5.
AZE ZEKË BRAHIMAJ (1921.-3.8.1998)
Luftërat
e shqiptarëve për liri, sidomos në këta dy shekujt e fundit, qoftë nën sundimin
shekullor osman, qoftë nën regjimin serbosllav, përkrah trimave dhe luftëtarëve
për liri, nuk i munguan as trimëreshat dhe luftëtaret, që populli ynë nxori nga
gjiri i vet, duke lënë famën pas vetes dhe njëherësh duke tmerruar edhe armikun
me guximin dhe heroizmin e tyre. Të kujtojmë Norën e Kelmendit, Tringë Smajlin
e Kajë Selmanin, Bikë Alijen e Shotë Galicën, Xheve Lladrovcin, e shumë heroina
të tjera që mahnitën kombin e për të cilat edhe u shkruan vjersha e tregime,
poema e novela, drama e romane, e sidomos u përjetësuan në këngë dhe folklor të
rapsodëve më të njohur shqiptarë.
Edhe
lufta e fundit me serbin nxori në shesh një heroinë, një trimëreshë, e cila pos
që flijoi veten për lirinë e Kosovës, la pas vetes djem dhe nipa, që në luftë
me serbin për lirinë e Kosovës, ia rritën namin kudo ndër shqiptarë. E kjo
është Azë Brahimaj, e lindur më 1921 në fshatin Grabanicë, komuna e Klinës,
përkatësisht e martuar në fshatin Jabllanicë të Dushkajës, komuna e Gjakovës,
me Shaban Arif Brahimajn. Nëna Azë, apo Lokemadhja e Dushkajës, siç e quajnë
zakonisht, kishte gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Dy djemtë e mëdhenj,
Arifi e Selmani, tash e dy dekada punojnë në Zvicër, ku edhe dhanë kontribut të
çmuar në çështjen kombëtare, sidomos në mërgim, duke mbajtur lidhjet gjithnjë
me njerëzit e tyre në Kosovë. Ndërsa, dy djemtë e vegjël, Nazmiu dhe Lahiu,
ishin direkt në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, pjesëmarrës në shumë
aksione guerile në Dushkajë dhe Rrafsh të Dukagjinit si dhe luftëtarë të vijës
së parë të frontit në dhjetëra beteja të zhvilluara nga Dukagjini deri në
Drenicë.
Duhet
përmendur këtu edhe një të dhënë tjetër, se vajza e madhe e Azë dhe Shaban
Brahimajt, Ruka, e martuar për Hilmi Haradinajn në Gllogjan, është nëna e
heronjve të parë të lirisë së Kosovës, të cilët luftuan deri në frymën e fundit
pikërisht që Kosovën ta shohin të çliruar nga regjimi shekullor serb, e këta
janë Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, përkatësisht është nëna e dy trimave
legjendarë që Lufta e Kosovës nxori nga gjiri i vet, trimave që luftuan derisa
Kosova u çlirua nga barbarët shekullorë, e këta janë gjeneralët Ramush dhe Daut
Haradinaj. Pra, Lokemadhja e Dushkajës është gjyshja e këtyre katër petritave
që lindi dhe rriti Kosova përkatësisht Rrafshi i Dukagjinit.
Po
cili është roli i Azë Brahimajt në UÇK-në, forcën që ngriti peshë dhe alarmoi
opinionin botëror për gjenocidin që u ushtrua në Kosovë nga regjimi më i egër i
Evropës në këta shekuj që lamë pas? Në radhët e UÇK-së u radhit qysh në vitin
1996. Që në fillim të celulave të para të UÇK-së në Dukagjin, nënës Azë iu desh
të presë dhe strehojë bijtë më të shquar të Kosovës, qofshin ata që dhanë jetën
për lirinë e saj, qofshin ata që luftës ia dolën në krye të gjallë. Nëpër duart
e saj, nëpër sofrën e saj, kaluan dëshmorët e kombit Zahir Pajaziti e Mujë
Krasniqi, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Ilaz Kodra e Ilir Konushevci, Xhevë e
Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e Xhelal Hajda e shumë të tjerë; apo luftëtarët
që përfunduan luftën, si: Rexhep e Sylejman Selimi, Ramush e Daut Haradinaj,
Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Sahit dhe Musë Jashari e shumë e shumë luftëtarë
të tjerë, të cilët nëna Azë i përcolli në rrugë për në Shqipëri dhe
anasjelltas. Por, roli i saj më i rëndësishëm në veprimtarinë e saj patriotike
ishte se, shpesh kishte shkuar në vende
të tjera jashtë Jabllanicës për të kontaktuar me grupet, për të mbajtur lidhjet
ndërmjet tyre, si p.sh. grupi i Jabllanicës dhe ai i Gllogjanit. Kur nuk kishte
mundësi të lëvizjes së luftëtarëve, nëna Azë ishte ajo që i mbante lidhjet
ndërmjet tyre. Ose, kur kryheshin sulme ndaj forcave serbe, ajo më vonë kalonte
atypari për të konstatuar dëmet e bëra. Ishte personi i vetëm që furnizonte
luftëtarët e lartpërmendur, kur qëndronin me ditë e javë në shtëpinë e saj, me
gjërat e nevojshme nga qyteti, si me ushqim, veshmbathje, pjesë për vetura etj.
Më 2 gusht 1998, në ofensivën e egër që forcat serbe ndërmorën në Jabllanicë,
ajo nuk pranoi të largohet nga shtëpia, por vazhdoi të përgatit ushqim për
bijtë e saj. Ndërsa, më 3 gusht, u vra nga forcat serbe në oborr të shtëpisë,
bashkë me nënën e saj 100 vjeçare, duke zbrazur dy bombat që muaj me radhë i
ruajti për këtë moment, duke rënë në fushë të nderit, ashtu si luftëtarët e
lirisë.
6.
KOLË GJON LLESHI (15.3.1967.-7.8.1998)
Familja
e dëshmorit Kolë Lleshi nga Vraniqi, komuna e Gjakovës, në periudhën 50-vjeçare
të regjimit serbosllav gjithmonë është shquar si familje patriotike, me gjithë represionin
e vazhdueshëm që ka bërë regjimi kriminal serb ndaj kësaj familjeje, e cila
përherë ishte e përndjekur, e persekutuar, e keqtrajtuar dhe në të gjitha
etapat e aksioneve të këtij regjimi të egër dhe barbar, kjo familje ka qenë në
shënjestër ndër të parët. Dëshmori Kolë Lleshi lindi më 15 mars 1967 në Vraniq.
Prindërit e tij, Gjon dhe Prene Lleshi kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri
vajza. Kola ishte vëllai i tretë, pra më i riu, përkatësisht fëmija i pestë me
radhë. Shkollën fillore e kreu në Doblibare, të mesmen në Gjakovë, ndërsa
studimet universitare u detyrua t'i ndërprejë në vitin 1988 për shkaqe
subjektive. Kola ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes një vajzë. Meqë ishte i
përndjekur nga policia serbe vazhdimisht, në vitin 1990 ka migruar në Gjermani.
Mirëpo, kushtrimi për lirinë e atdheut nuk e la të qetë shpirtin luftarak të
Kolë Lleshit, andaj në fillim të vitit 1998 u kthye në vendlindje, ku menjëherë
iu bashkangjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dita e 10 prillit
1998 ishte ditë e shenjtë për dëshmorin Kolë Lleshi, sepse në këtë ditë veshi
uniformën, vendosi emblemën e UÇK-së në kapelë dhe në krah, dhe u gjend përkrah
njësive të fshatit Vraniq, në mbrojtje të nderit të saj. Si pjesëtar i UÇK-së
dhe si luftëtar, Kolë Lleshi mori pjesë në disa operacione ushtarake të UÇK-së
kundër forcave dhe pozicioneve serbe. Duhet përmendur betejën në Vraniq, ku më
7 gusht 1998, bie heroikisht në mbrojtje të vendlindjes, ashtu siç ra edhe
shtatëdhjetë e dyvjeçari dhe kushëriri i tij, Mark Lleshi, duke mbrojtur pragun
dhe nderin e kombit.
7.
MARK TUNË LLESHI (24.3.1926.-7.8.1998)
Dëshmori
më i vjetër në Zonën Operative të Dukagjinit, i cili ra në fushë të nderit, aty
ku bijnë vetëm trimat, në moshën 72-vjeçare, është Mark Lleshi nga Vraniqi,
komuna e Gjakovës. Gjatë pesëdhjetë vjetëve të regjimit serbokomunist, familja
Lleshi e Vraniqit është trajtuar si familje nacionaliste dhe përherë ka qenë
nën përcjellje të organeve të sigurimit shtetëror. Në vitin 1956, në kohën kur
sistemin e sigurimit në Gjakovë e udhëhiqte inspektori gjakpirës Mirk Iliqi,
Mark Lleshi është keqtrajtuar dhe rrahur për vdekje pikërisht nga ky inspektor.
Marku, i biri i Tunës dhe i Tones, ka një vëlla dhe dy motra. Ndërsa, vetë i
kishte 11 fëmijë: gjashtë djem dhe pesë vajza. Ka të kryer vetëm katër klasë të
shkollës fillore në fshatin Vraniq dhe tërë jetën ka jetuar dhe punuar si bujk
në pronën e tij. Edhe pse në moshë, dëshmori Mark Lleshi në radhët e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës është radhitur më 10 prill 1998, si ushtar në fshatin e
lindjes, në Vraniq. Këtu ka bërë rezistencë ndaj njësive serbe, me armë në dorë
deri më 7 gusht të vitit 1998, kur bie dëshmor. Ishte kjo një ofensivë që
forcat serbe kishin ndërmarrë kundër fshatit Vraniq, e më konkretisht, kundër familjes
Lleshi, e cila luftës ia fali katër dëshmorë. Po në ditën e rënies së Mark
Lleshit, bie dëshmor edhe Kolë Lleshi, çka flet për qëndresën e kësaj familjeje
që i bëri regjimit, policisë dhe ushtrisë serbomadhe. Vdekja heroike e Mark
Lleshit ngriti moralin ndër pjesëtarë të UÇK-së, meqë në mbrojtje të pragut të
shtëpisë, përkatësisht të atdheut, bie për liri edhe një plak, një plak i ri,
me zemër të madhe, duke nderuar veten dhe kombin.
8.
ARTAN ISA HASANAJ (2.6.1976.-11.8.1998)
Artan
Hasanaj lindi më 2 qershor 1976 në fshatin Rakoc, komuna e Deçanit. Rrjedh nga
familja e njohur patriotike e Zhel Hasanit të Rakocit. Në kohën e kralevinës
kjo familje nuk shikohej me sy të mirë nga pushteti. Në vitin 1936 në pasurinë
e Zhel Hasanit u vendosën rreth dhjetë familje serbomalazeze. Është kjo koha
kur Kosova kolonizohej me të madhe me serbë e malazezë. Në vitin 1941 Zhel
Hasani i ndoqi policinë prej Rakocit deri në Ratishë. Më vonë kjo familje dha
kontribut në largimin e kolonëve nga toka e vet dhe Kryçi i Rakocit, që në
numër ishin të shumtë, rreth 70 familje. Gjatë viteve 1943-1945 Zhel Hasani u
pozicionua në anën e forcave kombëtare në luftë kundër regjimit serbokomunist.
Shtëpia e tij ishte bazë e ushtarëve të Demë Ali Pozharit, me ç'rast në vitin
1947 u dënua, së bashku me Demë Nezirin (Haradinaj) me një vit burgim, të cilin
e mbajti në Gjakovë. Edhe në aksionin e armëve e keqtrajtuan këtë familje.
Djalin e Zhelit, Qazimin, për dhjetë ditë rresht e mbajtën në stacionin e
policisë në Cërmjan. Edhe babai i dëshmorit, Isa, në vitin 1981 dhe 1984 u
dënua nga regjimi serb me burg, një herë një vit, e herën tjetër pesë vjet. Pas
lirimit nga burgu, emigruan me familje në Zvicër. Shkaktar ishin përndjekjet
nga regjimi si dhe zhvendosja e fshatit meqë aty u përmbytën fshatrat Rakoc e
Radoniq, për ngritjen e liqenit artificial. Në Zvicër iu dha azili politik.
Andaj, nga babë Isa dhe nënë Xhevahirja, kishin lindur, rritur dhe edukuar
shtatë fëmijë: katër djem e tri vajza. Artan Hasanaj shkollën fillore e kreu në
Gramaçel, ndërsa shkollën e mesme në Irzniq të cilën u detyrua ta ndërprejë për
shkak të emigrimit në Zvicër. Lufta në Kosovë nuk e linte të qetë. Më 1998
vendos të vijë në Kosovë. Më 17 prill arrin në Durrës. Në bazën e Golemit e
pret Ilir Konushevci. Artani ishte bashkë me Arben Krasniqin. Me vete kishin
sjellë një picgauer, dhuratë për UÇK-në nga Brahim Haxhia i Koronicës, Iliri
gëzohet. Për shkaqe sigurie disa kohë nuk mund të hyjë në Kosovë. Vetëm në
muajin korrik i plotësohet dëshira. Artan Hasanaj u sistemua në Njësinë e
autoblindave në Shtabin e Dukagjinit, si komandant skuadre. Mori pjesë në
luftimet kundër forcave serbe në betejat e Gllogjanit, Gramaçelit, Baballoqit,
Rastovicës, Prejlepit, Carrabregut, Junikut, Vokshit. Njësitë e UÇK-së për tri
ditë me radhë u përballën me forca të mëdha serbe, në vijën e luftimeve
Bitesh-Dobridje-Gramaçel, ku forcat serbe bombardonin pozicionet e UÇK-së
pandërpre. Luftimet e UÇK-së ishin heroike. Armikut i shkaktuan 37 veta të
vrarë, shumë të plagosur dhe dëme në armatim. Dhe, më 11 gusht 1998, në
Gllgjan, bie në fushë të nderit edhe dëshmori Artan Hasanaj, për të mos vdekur
kurrë, por për t'u lartësuar në altarin e lirisë. Trupi i tij pushon në
Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
BURIMI:
Hasan Hasani, “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Zona
e Tretë, Pejë, 2002.