| E diele, 31.05.2020, 03:27 PM |
Jo përdhunimit të votës dhe vullnetit të qytetarëve
Nga
Gani Qarri
Përpjekjet
e kastës së vjetër politike për të anashkaluar zgjedhjet dhe katapultuar në
mënyrë mafioze një qeveri të ashtuquajtur të re të pa votuar nga populli dhe në
mënyrë klandestine, janë aventurë e rrezikshme me metoda të vjetra veprimi nga
përvoja e ish sistemit të kaluar komunist, që poshtëron votën e qytetarit dhe
përdhunon vullnetin e popullit të Kosovës për ndryshime.
Tendenca
e figurave më të inkriminuara në korrupsion, nepotizëm dhe krim të organizuar
që kanë zhvatur çdo gjë në këtë vend dhe udhëhequr shtetin përmes ndërtimit të
një sistemi korruptiv e mafioz, të cilët janë bashkuar për imponimin e një
qeverie të dëgjueshme e të nënshtruar dhe pa kredibilitet elektoral, duke
përjashtuar nga pjesëmarrja partinë fituese të zgjedhjeve dhe politikanët më të
votuar nga populli i Kosovës më 6 tetor të vitit të kaluar, është e paprecedent
dhe shumë e rrezikshme për gjendjen politike dhe stabilitetin e vendit.
Për
aq më tepër synimet e kastës së dështuar dhe tërësisht të degjeneruar, nga
aleanca e ringjallur e politikanëve më të inkriminuar në vend që duke
rindërtuar ish sistemin korruptiv, pa u sprovuar në popull me votime, të
kidnapojnë sërish pushtetin për mbrojtjen e pasurisë së paligjshme dhe
interesave të tyre mafioze, me tendencën për të sunduar jo përkohësisht dhe për
ndonjë muaj të kalimit të situatës emergjente, por edhe për disa vite, fut
Kosovën në një gjendje të panjohur deri më tani dhe kaos të paparë që nga vitet
e pasluftës e këtej.
Ky
është një eksperiment i rrezikshëm që nxitë pakënaqësi e trazira dhe dëmton
rëndë besueshmërinë e politikës vendore, ul kredibilitetin e zgjedhjeve dhe
shuan shpresën e gjithë popullit të Kosovës, që përmes votës së lirë dhe
veprimeve demokratike, të arrij ndryshimet në vend, derisa nga politika e
korruptuar përjashtohen figurat më të votuara, si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti,
duke i imponuar vendit një qeveri të kundërligjshme dhe të pa votuar nga
populli i Kosovës.
Kështu
që, nëse në një afat sa më të shkurtër nuk organizohen zgjedhjet e parakohshme
në Kosovë, dhe palët që pretendojnë kidnapimin e pushtetit pa e sprovuar veten
para votuesve, atëherë kemi të bëjmë me jo legjitimitet demokratik, shkeljen e
votës së lirë dhe përdhunimin e vullnetit të qytetarëve të vendit, të shprehur
më 6 tetor të vitit të kaluar, në zgjedhje të cilat u konsideruan si më të
lirat, më demokratiket dhe ndër më të mirat në rajon e më gjerë.
Katapultimi
i një qeveri të "re" me politikan të vjetër, të korruptuar deri në
fyt, të cilët të vetëdijshëm se e kanë humbur tërësisht besimin në popull,
provojnë ti ikin sprovimit në votime, nuk do të ketë jetë të gjatë dhe as nuk
mund të sjellë zgjidhjen e problemeve, por thellimin edhe më tepër të tyre,
sidomos nëse përjashtohen nga përfaqësimi dy shtyllat kryesore që si kandidatë
për kryeministër, sollën partitë e veta në dy vendet e para në votimet e 6
tetorit të vitit 2019, si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Madje,
Vjosa Osmani, pasi morën qindra mijëra vota dhe çdo profit politik prej saj,
tanimë është paralajmëruar edhe për përjashtim nga LDK-ja, prej strukturave të
stërvjetruara të kësaj partie, të cilat shfrytëzojnë kaosin momental nga
pandemia,të shkatuar nga vet ata, jo vetëm për tu rikthyer në pushtet por edhe
për të penguar reformat në parti dhe udhëhequr edhe më tej, segmentet politike
në krye të të cilave janë, sikur të ishin pronë e trashëguar nga baballarët e
tyre.
Ndaj
nuk do mend se tallja e paparë cinike, me votën e qytetarëve, vullnetin e
popullit dhe shpresën e shqiptarëve për ndryshime, të cilës çuditërisht po i
prinë vet kryetari aktual i LDK-s, Isa Mustafa me udhëheqjen e vjetër të
partisë, jo vetëm zhgënjen shumë dhe revolton tej mase, të rinjtë e këtij
vendi, por edhe nxitë gjithë popullin e Kosovës, që pas dështimit për ndryshime
me votën e lirë, të ngriten në protesta të dhunshme dhe demonstrata të pareshtura
masive, deri në largimin përfundimtar të kusarëve politik nga udhëheqja e
vendit dhe e partive politike.
E
siç dihet vullneti i popullit buron nga kutitë e votimit, kështu që ai edhe
medoemos duhet të respektohet dhe në kohë sa më të afërt, mandati për krijimin
e qeverisë dhe udhëheqjen e vendit, duhet t’i kthehet sovranit,pra popullit dhe
qytetarëve të Kosovës, derisa nuk është bërë vonë dhe nuk ka eskaluar gjendja
në forma dhe përmasa të padëshirueshme, sepse nga 6 tetori ka ndryshuar çdo
gjë, dhe nuk janë më udhëheqësit e kriminalizuar, si deri më tani, por vota dhe zëri i qytetarëve, ata që
nxjerrin një parlament me deputet të pranueshëm e qeveri funksionale dhe
garantojnë sigurinë politike, stabilitetin e vendit dhe mbarëvajtjen e
shtetndërtimit të Kosovës.
Kjo
edhe për vet faktin se udhëheqës me shumë më tepër përvojë dhe peshë politike
nga kryesia e LDK-së, të cilët kanë marrë edhe shumë herë më tepër vota se
Avdullah Hoti, nuk kanë shprehur gatishmërinë që edhe në këtë gjendje kaotike
të krijuar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa në kohë pandemie, të marrin përsipër
rolin e kryeministrit as formimin e një qeverie klandestine dhe të katapultohen
në krye të vendit pa votën e qytetarit dhe shprehjen e vullnetit të popullit të
Kosovës.
Ndaj
sjelljet arrogante të gardës së vjetër politike, që pa shkuar në zgjedhje të
reja parlamentare të kidnapojnë në mënyrë autoritare qeverisjen dhe udhëheqjen
e shtetit, duke injoruar votën e qytetarëve dhe shkelur vullnetin e popullit,
është veprim absurd dhe papërgjegjësi tepër e madhe, e cila duhet të dënohet
dhe pengohet në çdo formë dhe mënyrë demokratike që të mos arrijë deri te
jetësimi edhe në këto rrethana dhe gjendje kaotike, nga një kastë e
stërvjetruar dhe e dëshmuar ndër vite, për koeketim me nëntokën dhe oligarkinë
mafioze si dhe papërgjegjshmërinë totale politike.