Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Myftiu Saqipi: Dorëheqja e Reisit Sulejman Rexhepi, akt i lartë moral e intelektual

| E diele, 31.05.2020, 08:48 AM |


Myftiu i Lugines Saqipi dhe ai i Maqedonise Myftiu Sulejmani

Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe z/reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, e ka përshëndetur dorëheqjen e homologut të tij Sulejman Rexhepi, nga posti i Reisul Ulema të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, duke e vlerësuar akt të lartë moral, fetar e intelektual, të cilën mund ta bëjnë vetëm njerëzit e mëdhenj të kalibrit botëror.

"Sulejman Rexhepin e kam pasur mik e bashkudhëtar në rrugën e zhvillimit dhe afirmimit të institucioneve fetare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi (Lugina e Preshevës), në drejtim të përparimit, unitetit, tolerancës, solidaritetit midis besimtarëve myslimanë kudo qofshin ata", u shpreh Myftiu Saqipi.

Gjithashtu,  Sulejman Rexhepin e njohim si një veprimtar të zellshëm dhe parimor jo vetëm në aspektin fetar. Ai, për katërdhjetë vjet rresht, la gjurmë të pashlyeshme në veprimtarinë jetësore, në ngritjen cilësore të arsimit fetar në Maqedoninë e Veriut, për unifikimin e faktorit fetar rreth ngritjes, mbrojtjes së stabilitetit të kreut institucional fetar, duke qenë shembull bashkëpunimi edhe me Bashkësitë tjera fetare në Shqipëri, Kosovë e Luginë të Preshevës, thekson midis tjerash Myftiu Saqipi.

Sulejman Rexhepi, si teolog dhe intelektual i mirëfilltë, për punën e tij shumëvjeçare në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, për angazhimet e tij në ngritjen e institucioneve fetare, në hapjen e Fakultetit të Shkencave  Islame, në kultivimin e arsimit fetar etj, jo rrallë mori mirënjohje, certifikata e dekorata siç ishte ajo e fundit nga administrata amerikane e njeriut më të fuqishëm në botë e Presidentit Tramp.

Myftiu Saqipi, uron që kryesia e re e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, të vazhdojë fuksionimin në përputhje me rregullat dhe normat e këtij institucioni të lartë fetar, në shërbim të besimtarëve myslimanë në të gjitha drejtimet, thuhet në mesazhin e Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef, Saqipi, njofton Jetapress.