| E enjte, 28.05.2020, 03:22 PM |
Flet aktori, regjisori dhe Presidenti i Festivalit teatror Ndërkombëtar, “Butrinti 2000” Alfred Bualoti
-Kam
pasur fatin të luaj me aktorët gjigandë, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Ndrek Luca,
Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Prokop Mima, Marie Logoreci,
Margarita Xhepa, Roland Trebicka
-Prokop
Mima mbetet margaritari i të folurit pastër të gjuhës së bukur shqipe
-Si
regjisor, them se “Pallati 176” mbetet unik por sot duhet të sillet në kohë
-Tek
drama “Arturo Ui”, Pirro Mnai shkëlqeu me një regjisurë të pakrahasueshme
-
Violeta Manushin e kam pasur aktore si regjisor por edhe partner në role, ishte
mahnitëse
Nga Albert Z. ZHOLI
Emri i Alfred
Bualotit është i njohur si regjisor dhe aktor, por ai tashmë njihet më shumë si
President i Festivalit Teatror Ndërkombëtar, “Butrinti 2000”. Deri tani janë
zhvilluar 17 Festivale të këtij teatri kaq specifik. Ky Festival sipas
tij është nisma më e vështirë në jetë..
Ju keni
qenë aktor, regjisor, si morët përsipër të organizonit një Festival
Ndërkombëtar të teatrit sic është ai “Butrinti 2000”?
Kur
fillova të zbatoj këtë dëshirë, kjo ngasje nuk ishte vetëm e imja. Nuk isha i
vetmuar, pasi këtë e konsumoja dhe me miq të tjerë. Unë këtë ide e kam
konsumuar me mikun tim Edmond Xhumari, i cili sot e kësaj dite është Drejtor
Organizativ i Festivalit. Edmondi ka qenë me një eksperiencë të madhe në
Ministrinë e Kulturës dhe të Kinostudios ku ka punuar. Ndihma e tij ishte e
jashtëzakonshme nga ana organizative. Më pas kam pasur mbështetjen e shumë kolegëve
të tjerë, pasi ne nuk dinim nga marketingu, nuk dinim nga lidhjet
me botën, nga planifikimet etj... Fatmirësisht ishim pjesë e një Instituti
Ndërkombëtar të Teatrit Mesdhetar që kishte dy qendra, njëra në Marsejë
njëra në Madrid, dhe ne u bëmë pjesë e këtij Instituti dhe filluam të
komunikojmë me të gjithë trupat pjesëmarrëse nga Spanja, Franca, Italia,
etj... Por filluam të komunikojmë dhe me një organizëm që u quajt “NETA”
ku bënin pjesë shumë shtete të ish-Jugosllavisë dhe më gjerë në Ballkan (me
Turqinë, Bullgarinë), etj... Pra filloi një bashkëpunim i madh sepse ne ishim
dhe anëtarë të themelimit të “NETA”. Ne kaluam disa situata në vend në
këto kohë si ngjarjet 1997 dhe lufta e Kosovës që na zvarritën paksa kohën e
organizimit. Por koha punoi për ne. Të gjitha këto bënë që ne ti kalonim
situatat. Ne kishim diçka të artë me vete, kishim diçka që se kishte askush,
kishim çelësin magjik, kishim Butrintin. Kishim këtë perlë të Mesdheut që
bota e njeh më mirë se ne. Ne na mbetej vetëm ti afronim.
Si e
njihte bota më mirë se ne Butrintin?!
Po, po e
njihte më mirë se ne. Dinin çdo detaj,. E kishin lexuar mijëra herë historinë e
tij. Ata vinin vetëm për ta prekur fizikisht pasi teorikisht me mendje, ide e
njehin aq mirë sa unë befasohesha. Vetëm por të përmendej emrin Butrint ata
magjepseshin. Të gjithë aktorët e quajnë Butrintin xhevahirin më të rrallë.
Shumë nga aktorët e njohu botëror, sa hipnin në skenën e teatrit Butrintit
bënin kryqin. Po kryqin. Para shfaqjes ata kryqin e shoqëronin me fjalët këtu
është një përrallë, këtu është një magji, këtu është vendi më i bekuar që ka
bërë perëndia. Kjo jo vetëm Butrinti me teatër që ka një akustikë
të rrallë, por edhe nga peizazhi, pozicioni, ndërtimet por dhe nga gurët e
stërmëdhenj ngjitur me pyllin e bukur dhe të mahnitshëm. Ata nuk kishin
përjetuar emocione të tilla. Të gjithë sa kanë ikur nga Butrinti kanë
thënë që patjetër do vijmë përsëri. Ne dhe me një buxhet të vogël jemi munduar
tu themi, që ne që kemi dalë nga rrënojat e Butrintit, kemi një zemër të madhe
bujare, mikpritëse dhe pse jemi të varfër. Këtu dua të dal në një moment...Një
aktor gjerman në koifidencë, pasi dolëm nga Butrinti në Sarandë më thotë: Ju
nuk keni mundësi të keni dalë nga këto rrënoja të çuditshme të Butrintit! Përse
i thashë unë? Por me gjithë këtë beton që keni hedhur në Sarandë e keni bërë
bunker, kur ky vend nuk do beton por natyrën e qetë. Bëni një ligj kundër
betonit.
-Në
Festivalin e 15 në Butrint u luajtën dhe komedi, ju jeni një nga regjisorët e
komedisë së famshme “Pallati 176” , kjo komedi a mund të konkurronte
artistikisht me komeditë që u luajtën në Butrint?
Kjo
është e vërtetë, por sot, pas 35-vjetësh komedia “Pallati 176” nuk mund të
konkurronte me komeditë e Festivalit të Butrintit. Kjo sepse specifika e
teatrit antik të Butrintit kërkon tjetër gjë. Pra vendi. E dyta teatri ka ecur
shumë, teatri në Europë ka bërë hapa galopant. Elementët e përdorur,
përgatitja e thellë e mendimit filozofik të drejtimit të regjisë,
dhe përgatitja e gjithanshme e aktrimit, bën që “Pallati 176” të mos vijë
në kohë. Sot aktorët i ke njëherazi këngëtarë të mirë, muzikantë,
instrumentistë të mirë, balerinë të mirë, dancorë të mirë, pra kanë një formim
të gjithanshëm, një formim aq të madh sa nuk ndan dot aktorin nga instrumentisti.
-Atëherë
çfarë do të bëje që “Pallati 176” të vinte sot në kohë?
Kjo
komedi sot duhet të ndryshojë në strukturën e saj. Pra duhet sjellë në kohë nga
shumë dimensione. Pra me atë mënyrë skenike që ajo ka funksionuar dikur, sot
nuk mund të shfaqej për konkurrim në Festivalin e Butrintit. Festivali
Butrintit ka lashtësinë, ka teatrin e vjetër, ka mesazhin tjetër, idenë e
skenimit tjetër dhe shumë elementë që duhet ti përshtaten këtij vendi me kaq
histori të bukur. Këtë e them për Butrintin, por në Tiranë sigurisht mund
të shfaqet me disa korrigjime të kohës. Koha ecën, ecën, dhe koha sjell
ndryshime të domosdoshme.
Po teatri
jonë në këto shfaqje, si fqinj që jemi a ka përafërsi me atë greke të shfaqur
në Butrint në Festivalin e 15?
Trupa e
Athinës luajti “Ëndrra e një nate vere”, që e kemi bërë dhe ne shfaqje me
trupën e teatrit, e ka sjellë në skenë dhe një kompani tjetër greke, por unë do
flas për këtë trupë që erdhi me 6 aktorë në Butrint. Më vjen shumë keq, kur
shihja aktorët grekë dhe i krahasoja me ata të Tiranës, tanët, që janë
larg interpretimit modern. Pra të rinjtë tanë duhet të marrin mësim nga aktorët
e një Kompanie teatrore indipedente greke. Ishin mbledhur nga krahina të
ndryshme të Greqisë dhe nuk kishin mbështetje as nga shteti, as nga
ndonjë firmë e fuqishme me pasuri, por ata mbështetjen e kishin tek përgatitja
e tyre, tek formimi i gjithanshëm i tyre, tek vizioni i tyre, tek
konceptet e tyre moderne për teatrin. Një aktor i binte mandolinës, tjetri
saksit, tjetri kitarës, një vajzë kërcente balet, të gjithë në harmoni.
Regjisori kishte punuar me një koncept ndryshe dhe tepër me kurajë. Nuk
kishte dekor, kishte pak elementë dhe maska por kishte një disiplinë, një
harmoni, një ndihmë tek njeri-tjetri (vishnin, zhvishnin) me një precizon
befasues.
Në këto
festivale ke mësuar diçka të re në këto shfaqje si aktor?
Sigurisht
po, po madje shumë. Çdo shfaqje ishte një leksion më vete për mua. Pra kam
mësuar shumë gjëra që teatri ka sjellë risi në botë. Pra çdo Festival për mua
është një leksion edhe si aktor, edhe si regjisor, por edhe si menaxhues arti.
Ju në
këtë Festival kishit disa komedi, ri regjisor komedish, a do të mund ju vetë si
regjisor të sillnit një shfaqje të këtij niveli?
Arti
është provë, sprovë. Ne kemi rënë në kontakt me shumë trupa teatrore nga gjithë
bota, me trupa të vogla dhe të mëdha, me trupa nacionale dhe indipedente. Që të
hyj në këtë garë duhet të mendohem mirë. Duhet të përgatitëm
emocionalisht artistikisht me të gjitha versionet që duhet, që kërkon koha.
Duhet të gjej mjetet shprehëse. Për kohën ne kishim bërë shumë ëpr komedinë,
por koha ka ecur në zhvillimet e saj artistike. Por sot, sot, ah, duhet të
punoj shumë shumë, shumë dhe të studioj shumë të sjell një komedi të nivelit
bashkëkohor...
Ne kemi
pasur shuam artistë të mëdhenj që dhe ju vetë e thatë i keni pasur në
Festivalet e para. Këta artistë a do ishin po aq të mëdhenj dhe sot?
Kadri
Roshi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Roland Trebicka, Violeta
Manushi, e shumë të tejrë do ishin dhe sot të mëdhenj pasi ata kishin brumin.
Pra brumi i tyre ishte i nivelit të lartë ku çdo regjisor edhe sot mund ti
besonte rolet nga më të vështirët. Po ekziston brumi i mirë, bukën e bën si e
do, në çfarë forme e do dhe në çfarë madhësie e do.
Diku
“Artisti i Popullit” , Reshat Arbana përmend se drama “Arturo Ui”, në atë kohë
është luajtur më mirë dhe se trupa e Beogradit. Cili është mendimi juaj për
këtë dramë të asaj kohe?
Ah, drama
“Arturo Ui”, mbetet një shfaqje e madhe që dhe sot në Butrint do të qëndronte
shumë mirë. Mbetet një nga shfaqjet më të suksesshme të Teatrit Kombëtar dhe të
regjisorit të madh Pirro Mani. Mbetet një nga ngasjet e tij më
spektakolare. Unë kam qenë pjesë e kësaj shfaqjeje ën fillim të saj si
prezantues dhe e them me bindje, që puna, mobilizimi, bashkëpunimi,
përgjegjësia, mënyra e aktivizimit, mënyra e gjetjeve regjisoriale, mbeten nga
më të shkëlqyerat në historinë e teatrit shqiptar. Ajo shfaqje e madhe pati një
mangësi, pasi nuk pati rast të ballafaqohej me botën, pasi ai sistem ishte. Ne
nuk dilnim jashtë për konkurrim. Ishte nj shfaqje e madhe me artistë të mëdhenj
dhe me nj regjisor të madh. Ndërsa për shfaqje reale sot në Butrint mund të
them se ajo ishte një shfaqje me shumë skena dhe nga ana teknike ajo ishte
shfaqje në rrotativ shfaqje e cila nuk mund të realizohej.
Si
regjisor ke ndonjë peng?
Sigurisht
si regjisor kam shumë pengje. Kam arritur të bëjë më të mirën por kjo nuk do ët
thotë që kjo është fundi. Nuk jetohet vetëm me të kaluarën. Duhet të gjej
shtigje të reja. Mua edhe sot më flasin Vlashi me emrin e një personazhi në
filmin “Pylli i lirisë” por kjo nuk do të thotë se me atë rol kam bërë
gjithçka. Gjithkush duhet të lërë shenjë në jetën artistike. Por koha evoluon
dhe dëshirat na rriten. Kam dëshirë të bëj si bashkëregjisor një komedi tjetër
me atë sukses të “Pallati 176” por të risjellë në kohë. Dikur kisha një komedi
tjetër të një autori rumun, që e kisha prezantuar dhe në teatrin kombëtar por
nuk mu dha mundësia ta vija në skenë. Dëshira është për nj shfaqje tjetër si
regjisor dhe besoj se koha më premton. Edhe si aktor edhe si regjisor nuk kam
një ide fikse që dua të luaj këtë rol apo të vë në skenë këtë komedi. Jo
thjesht mendoj si të eci. Si aktor kohët e fundit jam aktivizuar në dy
role i pari Hamleti tek n jë pjesë e Çapalikut, dhe kam qenë
me një projekt në Shkup me një treshe aktorësh si Bajrush Mjaku (aktor shqiptar
në Shkup), dhe Sabetin Shahiqi i Kosovës. Luajtëm në pjesën “Kërkohet një kloun
plak” ku ne ishim tre klounë pleq të cilët bashkohemi në interes të fabulës së
pjesës.
Ku ndihet
më mirë Alfredi, si aktor, regjisor apo si organizator Festivali?
Në
situata që kam qenë shpesh sa të favorshme po aq dhe të pavaforshme, sa
për nj arsye, po aq dhe për një tjetër, unë jam ndjerë shumë mirë në rolin e
organizatorit nga pikëpamja e rolit që ka pasur festivali “Butrinti 2000” për
vendin tonë. Kur shikoj se si flasin të huajt për Butrintin, për atë teatër të
lashtë me vende ulëse gurët e mëdhenj ngelem i mrekulluar. Të gjithë pa
përjashtim flasin për Butrintin si për një zot të madh, të
pazëvendësueshëm. Një aktor maqedonas shumë i mirë, në vitin 2003 i cili
erdhi për herë të parë në Butrint u ngrit në një konferencë shtypi dhe tha:
Unë vij për herë të parë në këtë vend, por Butrintin se në këtë qytet
antik ka shkelur vetë zoti e ka prekur me dorë dhe e ka bekuar. Vallë a do kem
rastin të vij prapë unë të luaj në këtë vend. Por këto fjalë i thonë të gjithë,
të gjithë sa vijnë në Butrint. Pra për nga kjo pikëpamje them se kam bërë diçka
për atdheun tim, për emrin e tij të panjohur, kur kemi gjëra kaq të bukura.
Ju keni
luajtur me të gjithë aktorët e mëdhenj shqiptar, çfarë do thoni për atë
plejadë që nuk jeton më? A ju kanë ndihmuar dhe çfarë ndjeni sot për ta?
Unë dhe
brezi im keni pasur fat që në Teatrin Kombëtar kemi gjetur aktor të
përmasave të mëdha që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë. Unë të gjithë këta
gjigantë i gjeta në teatër. Isha nj djalosh i ri, që erdha nga Gjirokastra
pas rolit të Vlashit. Këta kolosë pa përjashtim, Kadri Roshi, Sandër Prosi,
Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Prokop Mima, Marie
Logoreci, Margarita Xhepa, Roland Trebicka, etj.. .Mbaj mend që ishte dhe një
aktor i ri shumë i ri të cilin e pëlqeja jashtë mase, Bexhet Melku, i cili
kishte luajtur tek një dramë e Fadil Paçramit. Ishte brilant por vdiq
shuam i ri, 30 e ca vjeç. Tek të gjithë këta ne na kanë mësuar pa asnjë
hezitim, por dua të veçoj Prokop Mimën.
Pse
Prokop Mimën?
Atë
njeri e kam pasur njeri të zemrës sepse i donte dhe i përkrahte shumë të
rinjtë. Veçonte nga të tjerët në këtë drejtim. Ai vdiq i ri dhe na la
plagë. Ai kishte sa parime të palëkundshme të tij që nuk luante kurrë,
pasi për kohën ishin shumë të vyera. E folura e tij skenike, apo shqipja siç e
thoshte ai, ishin deri në muzikalitet. Ai fliste aq bukur, aq pastër, me
një diksion aq shprehës sa të mahnitëte. Nuk kam parë dhe nuk kam njohur
aktor të fliste aq bukur, pastër dhe em dashuri gjuhën shqipe. Në këtë drejtim
ai nuk të falte. Ai ishte një Fan Nol i një lloji tjetër. Ishte i
jashtëzakonshme. Ne e kishim ëndërr të flisnim shqipen tonë në atë mënyrë
elegante sa Prokop Mima. Ishte ekzigjent deri në detaj. Shqipja në gojën e tij
dukej sikur këndohej jo sikur flitej. Një muzikalitet përrallor deri në
përsosje. Një gjë e tillë nuk shihet sit tek asnjë aktor, E them me keqardhje
tek asnjë pa diskutuar edhe mua që flas. Do të doja shumë ti ngjaja në kët pikë
atij artisti të madh dhe të dashur. Ai për gjuhën nuk të falte, e kishte brenda
vetes si gjënë më të çmuar. Fjala në teatër është e para. Pra këtë fjalë ai e
qëndiste në mënyrën më të bukur të mundshme. Sot shkon në teatër dhe dëgjon
ndonjëherë një shqipe që se kupton. Ky është ndryshimi. Ishte i vetmi në llojin
e tij. Kadri Roshi kishte plastikën, Prokopi kishte gjuhën artileri të rëndë. I
papërsëritshëm.
Çfarë
veçon tek Violeta Manushi?
Një
aktore e humorit tepër e rrallë. Ajo rolin e sillte tërë art. Unë me të kam
lozur role si partner por dhe si regjisor e kam pasur në dy vepra të miat
“Valsi Titanikut” dhe “Pallati 176” mbetet unike.