Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Kultura e frikës dhe ikja në të kaluarën

| E shtune, 23.05.2020, 12:45 PM |


Kultura e frikës dhe ikja në të kaluarën

Dhimbjet e të tashmës nuk eleminohen duke përdorur qetësuesit e të kaluarës, të cilët janë shpikur për dhimbje të tjera! Mjekësia popullore nuk mund të mposhtë coronavirusin, ashtu si religjionet nuk mund t’u japin zgjidhje krizave të ekonomisë globale! Droga të krijon iluzionin e përkohshëm të tejkalimit të problemeve, por, më të kaluar efekti i saj, e sheh se problemet kanë mbetur aty ku i ke lënë. Për më tepër atyre u ke shtuar edhe probleme të reja.

Shkruan: Blerim Latifi

Kriza e ekonomisë globale e para disa viteve dhe pandemia aktuale Covid-19, e kanë krijuar një klimë globale të pasigurisë dhe të skepticizmit. Ajo që mendimtari francez, Dominique Moisi, e quan “gjeopolitikë e emocioneve”, sot dominohet nga kultura e frikës.

Kjo është kulturë e frikës nga e tashmja dhe e ardhmja. Kur njerëzit ndihen të pasigurtë për të ardhmën e tyre dhe të pafuqishëm përballë problemeve me të cilat ballafaqohen në të tashmën e tyre, ata kanë prirjen t’i drejtohen të së kaluarës për ndihmë.

Hapin arkivat e pluhurosur të saj, tempujt e lashtë të saj dhe librat e vjetër të saj, për të gjetur mekanizmat e luftimit të frikës dhe zgjidhjet për problemet nga të cilat vuajnë.

Muslimanët u drejtohen sureve kuranore dhe haditheve të Muhametit. Socialistët hapin librat e vjetër të Shën Marksit. Nacionalistët u kthehen shembujve të baballarëve të kombit. Të krishterët, etikës së Predikimit në Mal. Kështu e kaluara rimerr pushtetin mbi të tashmën tonë.

Ky pushtet, siç na thotë Niçe, manifestohet në dy forma: monumentale dhe antikuare. Dhe, ne, befas shndërrohemi në idhujtarë të monumenteve dhe idoleve të së kaluarës.

Nga ky moment dashuritë dhe urrejtjet tona formësohen nga kjo idhujtari, e ne i harrojmë shkaqet e vërteta të problemeve dhe brengave tona. Pastaj duhet të kalojë kohë e gjatë derisa të kuptojmë se “zgjidhjet e së kaluarës” vetëm sa na i kanë komplikuar edhe më shumë problemet e aktualitetit tonë.

Për një arsye të thjeshtë: ato zgjidhje flisnin për kohën e tyre, e jo për kohën tonë. Sepse, siç më të drejtë e thotë Hegeli, secila dituri, qoftë filozofike, qoftë religjioze, qoftë politike, flet për kohën kur është krijuar.

Gjithsecili, përfshirë gjenitë dhe profetët, është  produkt i kohës së tij. Askush nuk mund ta kapërcej kohën e tij, ashtu siç njeriu nuk mund të dalë nga lëkura e tij.

Secila dituri është përpjekje për t’i dhënë zgjidhje problemeve të kohës së saj dhe për të përmbushur nevojën e njerëzve të asaj kohe që të kenë një sens të kuptimit të jetës dhe botës brenda të cilës i konsumojnë ditët e tyre. Shndërrimi i këtyre diturive në dogma të pakontestueshme me vlera universale përbën një manovër ideologjike të grupeve sunduese që duan të përjetësojnë sundimin e tyre mbi një grup tjetër.

Në rrjedhën e historisë shoqëritë njerëzore kanë evoluuar, në kuptimin se janë bërë më komplekse. Rrjedhimisht edhe problemet e tyre janë bërë të tilla. Kjo gjë na mëson se dituritë e thjeshta të fiseve të lashta nuk ndihmojnë dot në zgjidhjen e problemeve të shoqërive komplekse bashkëkohore.

Kolapsi i sistemit financiar të një vendi, që lë papunë miliona njerëz, nuk mund të tejkalohet duke iu rikthyer lutejve në xhami, kisha apo sinagoga. As hadithet e Muhametit, as këshillat e Shën Palit, as meselet e Xhemail Obrisë nuk na ndihmojnë dot në këtë punë. Ato, në fakt, u ndihmojnë atyre që jetojnë prej tyre, klerikëve profesionistë.

Ua mbushin xhepat dhe i bëjnë më të pushtetshëm në shoqëri. U ndihmojnë edhe politikanëve, të cilët përpiqen t’i fshehin dështimet e tyre në raport me shoqërinë.

Nuk është e rastësishme që në shtetet e korruptuara rritet vazhdimisht numri i “politikanëve religjiozë”. Të vjedhësh shtetin dhe të dukesh si njeri i Zotit, kjo përbën një mënyrë mjaft efikase për të fshehur korrupsionin.

Strehimi në të kaluarën, si formë e ikjes nga barra e rëndë e problemeve të së tashmës, është një iluzion i madh i shpëtimit prej kësaj barre. Dhimbjet e të tashmës nuk eleminohen duke përdorur qetësuesit e të kaluarës, të cilët janë shpikur për dhimbje të tjera.

Mjekësia popullore nuk mund të mposhtë coronavirusin, ashtu si religjionet nuk mund t’u japin zgjidhje krizave të ekonomisë globale. Droga të krijon iluzionin e përkohshëm të tejkalimit të problemeve, por, me të kaluar efekti i saj, e sheh se problemet kanë mbetur aty ku i ke lënë.

Për më tepër atyre u ke shtuar edhe probleme të reja. Niçe thotë se ka vetëm një rrugë për t’i ikur këtij iluzioni të dëmshëm të shpëtimit të kërkuar në modelet e të kaluarës. Kjo është rruga e qëndrimit kritik ndaj të kaluarës.

Të jesh kritik ndaj të kaluarës do të thotë të jesh i lirë nga idolet dhe formulat e saj. Do të thotë të përballesh realisht me problemet e të tashmës.

Do të thotë të kërkosh zgjidhje reale, praktike dhe racionale për këto probleme. Do të thotë të bëhesh hero i kohës tënde, e jo adhurues e imitues i verbër i heronjëve të kohërave të vjetra. Progresi shkencor dhe teknologjik i njerëzimit ka ardhur vetëm prej këtij qëndrimi kritik ndaj të kaluarës.

Shtetet e zhvilluara e dinë këtë, prandaj ato, sot, investojnë në sistemet e edukimit kualitativ, prej nga burojnë shkencat dhe teknologjia e avancuar. Ndërkaq, shtetet që nuk e kuptojnë këtë gjë, herët a vonë do të përballen me dështimin e tyre.

Marrë nga gazetaexpress.com