| E hene, 18.05.2020, 09:25 PM |
USHTRIMI I GAZETARISË SË LIRË NUK ËSHTË KRIM - 30-VJET ZHGËNJIM!
Nga
Frank Shkreli
Kjo
këmishë më poshtë është 30-vjetë e vjetër.
Ishte një këmishë që Departamenti Amerikan i Shtetit vuri në qarkullim
në atë kohë për të shënuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis
Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, marrëdhënie që ishin ndërprerë nga
regjimi komunist i Enver Hoxhës, për pothuaj 50-vjet komunizëm, si dhe
pjesëmarrjen e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri në zgjedhjet e para
pluraliste. E ruaj gjithnjë këtë këmishë
megjithëse e grisur. Madje e kam
vendosur në një kornizë, si kujtim i një ëndërre dhe një shprese të
dikurshme. E ruaj si kujtim të
realizimit të ëndërrës së një pjese dërmuese të shqiptarëve me rastin e
shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, si një simbol kur shqiptarët
filluan të merrnin frymë lirisht, pas pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Ashtu mendonim atëherë. Ndoshta ishim naiv.
E
ruaj si kujtim shprese e periudhës Mars/Prill i vitit 1991. Them si kujtim shprese sepse për herë të parë
në Tiranë gjëndej një delegacion zyrtar i Shteteve të Bashkuara, më pak se dy
javë pasi ishte nënshkruar në Washington protokolli për rivendosjen e
marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve.
Ndërsa shetisnim mbrëmjeve në
Sheshin Skenderbeu, vihej re një atmosferë entuziazmi dhe shprese për
ndryshim. Në veshët tonë brohorisnin
thirrjet e rinisë shqiptare: “Liri Demokraci” dhe parullat, “E duam Shqipërinë
si gjithë Evropa”, e të tjera parulla të tilla pro-perëndimore, I shikoje të
varura kudo në rrugët e Tiranës dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Këmisha
përkujtimore e asaj ngjarjeje me rëndësi – e këthimit të madh historik -- në
fillim të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 30-vjet më parë, kujton periudhën
Mars/Prill, 1991 të qëndrimit tonë në Tiranë dhe pjesëmarrjen tonë, si vërejtës
zgjedhorë (election observers) në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri: “Votoni Për Ne”, nuk ishte thirrje që
shqiptarët të votonin për ne, sepse ne nuk ishim në listën e kandidatëve, por
do u jepte mesazhin shqiptarëve, që të votonin për kandidatët që shpreheshin në
mbështetje të lirisë, përfshir lirinë e shtypit, dhe zhvillimeve të reja
demokratike në vend. Që të votonin, pra,
për vlerat amerikano- perëndimore, për lirinë e fjalës dhe të shprehurit, si
një prej parimeve më të shtrenjta të demokracisë amerikane dhe perëndimore.
Fatkeqësisht,
mesazhi i para 30-viteve në këtë këmishë – mesazhi i realizimit të ëndërrës së
shembjes së komunizmit dhe i kujtimit të shpresës se, më në fund, ditë më të
mira e prisnin Kombin shqiptar -- sot është këthyer në një zhgënjim të
vërtetë. Lista e arsyeve për zhgënjimet
e mia, ashtu si edhe për shumë shqiptarë -- mbrenda dhe jashtë Atdheut --me
politikën shqiptare është e gjatë. Ata
që mund të kenë ndjekur kontributin tim modest në publicistikën shqiptare gjatë
viteve, mund të kenë venë re përqëndimin tim, ndoshta të tepruar sipas dissave,
mbi domosdoshmërinë e lirisë së vërtetë të shtypit për një shoqëri vërtetë
demokratike sidomos në vendet
post-komuniste në tranzicion.
Prandaj
nuk po më durohet pa shprehur zhgënjimin tim të radhës ndaj vendimit të marrë,
ditë e fundit, nga autoritetet e qeverisë shqiptare, për të goditur me një
tjetër grusht në hundë lirinë e medias në Shqipëri edhe ashtu të plagosur
rëndë, tanimë nga masat arbitrare të qeverisë shqiptare. Televizioni Ora News, një prej zërave të
fundit kritikë ndaj qeverisë Rama, ka marrë urdhër nga autoritetet për mbylljen
e aktivitetit, një vendim ky që siç duket u tërhoq më vonë, por ORA News nuk u
nda pa një gjobë të rëndë nga autoritetet, me arsyetimin se në disa emisione të
këtij televizioni nuk ishte zbatuar urdhëri për praninë në studio të jo më
shumë se dy personave. Për mua nuk duhet
të ketë asnjë arsyetim që justifikon urdhërin për mbylljen e aktiviteteve të
medias, qoftë gazetë, revistë, portal a po televizion. Raportohet se ky udhër,
që u cilësua nga drejtuesit e televizionit ORA, si një “skandal dhe i
paprecedentë”, është kritikua rëndë nga organizatat e gazetarëve dhe nga disa
personalitete të politikës shqiptare, përfshirë edhe Presidentin e Republikës,
Z. Meta.
Ndërkaq, nuk kam parë ndonjë reagim të fortë nga pranitë diplomatike ose nga “ndërkombëtarët” e vendosur në Tiranë ndaj kësaj masakre të fundit të lirisë së medias në Shqipëri. Ka ardhur koha që ju si përfaqsues të vlerave perçdnimore dhe si mbrojtës të lirisë së medias, të heqni dorëzat dhe të largoni maskat diplomatike kur flisni për lirinë e medias në Shqipëri. Fjalët nuk mjaftojnë më! http://www.zemrashqiptare.net/news/52435/frank-shkreli-mbroni-lirine-e-medias-te-nderuar-ambasadore.html Në fund të fundit, duhet parë se kemi të bëjmë me një vend--ku liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri gjëndet përballë një rreziku të madh— e për më tepër kemi të bëjmë me një vend i cili si shtet që kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë, duhet të jetë shembull i ushtrimit të liriës së media dhe jo hskelës brutal i saj. Ironia e kësaj situate është se OSBE-ja është një organizatë, për të cilën liria e medias me statut, është ndër të drejtat më thememlore që duhe të mbrojë Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë.
Shpresa
e një shiptaro-amerikani e 30-viteve më parë -- se me shembjen e komunizmit,
njëra prej lirive bazë të njeriut -- liria e vërtetë e fjalës dhe e medias në
Shqipëri -- po zhduket. Televizioni ORA
news është ndër mediat e pakta kritike ndaj qeverisë, që përpiqen të ruajnë
sadopka një pavarësi nga qeveria dhe nga njeërzit e saj. ORANews, me disa media të tjera si motra të
pavarura është e mbërthyer në një luftë të ashpër dhe të pa drejtë me
autoritetet qeveritare, si --Davidi me Goliatin – në mbrojtje të së vërtetës
dhe të lirisë së fjalës. siç tregon edhe urdhëri i fundit i qeverisë Rama,
fillimisht për të mbyllur, e pastaj për të gjobitur televizionin ORA news.
Kërcënimet,
frikësimet, gjobat dhe urdhërat për mbyllje të aktiviteteve legjitime
gazetareske të një televizioni nga autoritetet e qeverisë shqiptare, siç është
rasti i fundit i ORA News – 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit -- janë
shkekje të rënda të ligjeve vendase dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare nga
autoritetet shqiptare, nënshkruese e të cilave është edhe Shqipëria. Për më tepër, heshtja flagrante e ambasadave
perëndimore dhe përfaqsuesve të tjerë perëndimorë në Tiranë, ndaj këtyre
shkeljeve të pashembullta të lirisë së medias në një vend të NATO-s, siç janë
sulmet kundër ORA News në Shqipëri, është e papranueshme dhe e pa tolerueshme,
30-vjet pas thirrjeve të shqiptarëve për “Liri, Demokraci” dhe “ E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Është koha për të qenë seriozë në mbështetje
të lirisë së vërtetë të medias në Shqipëri, të nderuar diplomatë: si
përfaqsuesë të atyre vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë, nëqoftse
vërtetë mendoni se ato vlera duhet të jenë edhe vlerat e Shqipërisë
post-komuniste, demokratike dhe të shqiptarëve të lirë në shekullin XXI!
Një prej këtyre vlerave është liria e shtypit! Ushtrimi i profesionit të gazetarit nuk guxohet të konsiderohet si krim, në një vend anëtar të NATO-s dhe në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Evropian. Mos HESHTNI përball këtyre shkeljeve flagrante të lirisë së shtypit dhe të medias në Shqipëri. “Jam betuar të mos heshtë, kurdoherë që njerëzit kudo durojnë dhe pësojnë vuajtje e poshtërim”, ka thënë i ndjeri Elie Wiesel, njëri prej mbrojtësve më të njohur të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit Nobel për paqë. “Ne duhet pa tjetër të mbajmë një qëndrim në mbrojtje të së vërtetës. Qëndrimi indiferent ndihmon vetëm shtypësin dhe kurrë nuk është në favor të viktimës. Nganjëherë duhet patjetër të ndërhyjmë. Kur rrezikohet jeta e njerëzve dhe kur është në rrezik dinjiteti njerëzor, kufijt kombëtarë dhe ndjenjat personale nuk kanë asnjë rëndësi më. Kurdoherë që burra e gra persekutohen në një vend të botës për arsye politike, racore ose fetare – në atë moment – ai vend duhet të bëhet qendra e universit tonë”, ka thënë Elie Wiesel.
Të
nderuar diplomatë perëndimorë në Tiranë – për ju si përfaqësues të vlerave
perëndimore në atë vend, si rrjedhim i krizës aktuale politike, Shqipëria duhet
të bëhet për ju -- sot për sot -- qendra e universit të veprimit tuaj
diplomatik. Mos HESHTNI, ju lutem, por
mbroni vlerat perëndimore në Shqipëri, sidomos lirinë e shtypit para se të
bëhet vonë -- ashtuqë shqiptarët të mos humbasin krejtësisht shpresën e
30-viteve më parë, për liri e demokraci të vërtetë në vendin e tyre – dhe që ju
të mos humbni kredibilitetin si shpresa e fundit e tyre. PLEASE DON’T BE SILENT
BYSTANDERS! Në bazë të vlerave perëndimore,
gazetaria nuk është krim. Mbrojeni, pra
si një vlerë perëndimore në Shqipëri -- jo me deklarata boshe por me vepra!