| E premte, 15.05.2020, 07:53 PM |
HARRESA, KJO PLAGË E SHPIRTIT
Nga
Mehmetali Rexhepi
Për
ditëlindjen e Zeqir Gërvallës nuk mjaftojnë vetëm urimet, një rutinë e thatë...
Nga respekti për një figurë të tillë, për çudi ndonjëherë më mungojnë fjalët...
I kënaqur që vijon të jetë në jetë, atje larg, në SHBA... Poezia e Tij për
Kosovën, kishte prekur e pikëlluar madje vetë Bill Klintonin...Ai emër i
përveçëm i atdhetarizmit dhe vetëdijes sonë... Dhimbja e Tij e pashuar ishte
prore dhimbje e kombit, e atdheut të ndarë, të pushtuar nga sllavët jugorë...
Nuk u pajtua, as u mashtrua, as si ilegal, as si gjysmë legal, as si legal, që
të mbyllte gojën për atë çerek lirie "autonomie" për Kosovën. Si i
tillë me gjuhën shpatë, i kurdisej ndjekja, pastaj arrestimi, torturimi,
burgosja... Më tutje e njohën bashkëvuajtësit e tij...Ishin frymëzuese orët
letrare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës kur
lexonte-recitonte Zeqir Gërvalla... Poetika e tij ishte poetikë e zgjimit të
atdheut... Kumbuese e rrëqethëse ishin vargjet e Zeqës për martirët anonim të
pushkatuar e zhdukur... Pa varre gjithandej tokës stërgjyshore... Le të shkëpus
vetëm një fragment nga arkivi i kujtesës sime, për njërën nga orët letrare,
mbajtur në sallën e Fakultetin Filozofik, ishte dhe lexoi edhe Mësuesi i ynë i
letërsisë, doajeni i letrave shqipe baca Esat përkatësisht Esat Mekuli. Zeqa
lexoi njërën nga poezitë më rrëqethëse që kisha dëgjuar deri atëherë!... Të
gjithë artdashësit studentët u shtanguam! U shtanguam jo vetëm për përmbajtjen,
por edhe për zbërthimin e drejtpërdrejtë të tragjikes, të protestës për
heshtjen e saj, për mbulimin e fajësisë shekullore, për domosdonë dialektike të
shpërthimit të shpirtit heroik liridashës... Nuk pipëtinte as një tingull, as
një zë në sallë... Atëbotë, dy ndjenja ishin zotëruese të gjendjes shpirtërore:
guximi i poetit disident, mënyra e artikulimit të ndjenjave dhe, frika për
pasojat e censurës, mandej ndjekja e autorit frymëzues... Kurrë nuk më është
fshirë, as në motet e luftës për vdekje a mbijetesë, ajo fytyrë simpatike e
shëmbëlltyrës sonë, të cilën e përshkonin dallgëzime valësh të emocioneve...
Para nesh shfaqej një portret që përshkohej me ngjyra përjetimesh: të prekshme,
të dhimbshme, një vajë burrëror pleksur me guxim, me trishtim, me gatishmëri
për flijim, me grishje për heroizëm... Ngashërimet dhe dënesja ishin vetanake,
por të papërballueshme, si dhe duartrokitjet... Është pikërisht Ky, Zeqir Gurra
njeri që shkëpuste fragmente të shpirtit dhe i hidhte në letër, në ato letra të
përkohshme që i digjeshin para syve...
Arkivi
im ende mund të sjellë dëshmi fragmentesh për shëmbëlltyrat tona, të cilat, jo
një herë, po i varrosim me heshtjen e harrimit! Zeqir Gërvalla dhe Rexhep
Elmazi ishin njohur pa u takuar, pa u parë asnjëherë! Megjithatë, ishin
përqafuar dhe kishin marr barrë të rënda detyrimesh kombëtare-politike për vendosjen
e flamurit kombëtar-shqiptar në institucionet publike të qeverisur nga
pushtuesit serbë! Kush i kishte lidhur aq fort shpirtërisht dhe kombëtarisht?
Metaforat e poezisë, prushi i përbashkët i shpirtit tyre, ideja madhore e
Arb-Dheut ose?... Gjëma e atentatit tinëzar të udbashëve shqip-folës mbi
sivëllain e tij, Rexhep Elmazin, më 1978, në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, e kishte zgjuar nga lëngata në Spitalin e Prishtinës Zeqir
Gërvallën, t`i jepte lamtumirën në Gjilan gjysmës së zemrës Tij, Rexhep
Elmazit... Ai kishte demaskuar atentatin e kamufluar mbi veprimtarin e Lëvizjes
Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve dhe poetin meditativ, si një krim i
shëmtuar politik...
Fjala
e tij në ceremoninë mortore kishte diçka madhështore, le të parafrazoj:
i
dashuri Rexhep vdekja jote i dha hijeshi Gjilanit!... O vëlla,sa hije të paska
flamuri mbi fytyrë, për të cilin përjetësisht u lidhe pa pyetur për asnjë
çmim!... Zeqa i "Botës së re", Zeqa për botën e re, meriton më shumë
se sa një urim...