| E premte, 15.05.2020, 07:36 PM |
(Rilexim i qëllimshëm)
LIBRI “PRINCESHA E
SHALËS”
DHURATË E KËNDSHME PËR
FËMIJËT
Shkruan: Mr. Skënder
R. Hoxha
Shkrimtari Hasan
Hasani, autor i mbi shtatëdhjetë veprave zhanresh të ndryshme, përveç të
tjerash, me sukses lëron edhe poezinë për fëmijë. Kur themi poezi për fëmijë,
menjëherë kuptojmë destinimin dhe natyrën e kësaj pjese të letërsisë.
Në opusin e gjerë
letrar, Hasani deri më tash botoi këta libra poetikë për fëmijë: 1. “Ajkuna e Rugovës”, Rilindja, Prishtinë,
1978; 2. “Mici e topi”, Rilindja,
Prishtinë, 1980; 3. “Tali i Budalinës”,
Rilindja, Prishtinë, 1986; 4. “Vallja e
shkrimtarëve”, Pionieri, Prishtinë, 1993; 5. “Ezopi e breshka”, Pionieri, Prishtinë, 1995; 6. “Ylberi i shkronjave”, NGB Druekart,
Prishtinë, 2000; 7. “Shqipet e Shqiponjës”,
Vatra, Prishtinë, 2000; 8. “Abetarja e
UÇK-së”, Vatra, Prishtinë, 2005; dhe
9. “Princesha e Shalës” , Faik Konica,
Prishtinë, 2010.
Në vijim të këtij
shkrimi do të merrem me shqyrtimin epërmbledhjes poetike për fëmijë “Princesha
e Shalës”.
“PRINCESHA E SHALËS”, (Shtëpia
Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2010).
Princesha e Shalës,
prej nga vjen edhe titulli i këtij libri me poezi për fëmijë, është Erjona,
është mbesa e poetit Hasan i cili, që nga lindja e saj në Shalë, do të
preokupohet me inspirim dhe do ta përcjellë me vargje poetike derisa ajo fillon
të shkojë në shkollë. Kryepersonazhi i të gjitha poezive të e këtij libri është
Erjona.
Kjo përmbledhje ka
një lidhmëri motivesh e temash që nga poezia e parë deri në atë të fundit, ndaj
edhe mund të quhet poemë, poemë për Erjonën, apo poemë për gjyshin dhe Erjonën.
Poema nis me poezinë “Princesha e vogël”. Princeshën e vogël, në Shalën
kreshnike, dalin ta presin gjyshja dhe hallat:
“Në Shalën kreshnike
Një ditë shtatori
U gëzua një vatër
Gjëmoi dhe oborri.”, (f. 7).
Atje rritej Erjona: “Këtu nisi rritën/ Stërmbesa e Malës/Me hënë
e yll në gji -/Princesha e Shalës.”, (f. 8). Ndërsa, kur Erjona erdhi te
dajët në Prishtinë, aty e priste gjyshi
në balkon,e poeti vargëzon për mbesën e vet: “Në balkon shikoi/ Gjyshin duke e pritur,/ Ëmbël e përshëndeti/ Dorën
duke e ngritur.” Ardhja e Erjonës krijoi atmosferë gjallërie dhe gëzim të
madh: “U gjallërua pallati/ Që erdhi
Erjona,/ Gëzimi hyri n’shtëpi/ Gjer në orët e vona.”, (f. 10). Gjatë kësaj
kohe ajo ishte zhgrehur në vaj, mbase ka pasur ndonjë dhimtë që e shtrëngonte,
me çka shqetësoi gjyshin dhe të tjerët: “I
madh e i vogël heshtin/ Mërziten sa s’ka ma, Erjona ende nuk flet/ Të tregojë
se ç’ka!”, (f. 12).
Pastaj Erjona kthehet
në Shalë, ku rritej me shoqet: “Princesha
u kthye n’Shalë/ Një ditë marsi me diell,/ Atje rritej me shoqet/ Dhe zogjtë
lart në qiell.”, si dhe me të mirat e asaj natyre: : “Kështu rritet çupëza/ Princesha e Shalës,/ Me mollë, dardhë, qershi Me
shkathtësinë e njalës.” , (f. 13).
Kështu rritej Princesha
e Shalës e gjyshi fillon ta thirrasë edhe me celular. Ajo, kur i bën 7 muaj e
përqafon gjyshin: “Erjona ka shtatë muaj/
Duket shumë e gëzuar,/ M’përqafon dhe qesh/ Dhe më gërrith me duar.”, (f.
14), tregon gjyshi i Erjonës, poeti Hasan Hasani.
Në vazhdën e këtyre
telefonatave, një befasi e këndshme ishte ajo kur Erjona nga Shala i tregon
gjyshit që do të vinte në Prishtinë,: “Cingërron
telefoni/ Aty afër n’tavolinë/ - Gjyshi im i mirë/ Nesër vij n’Prishtinë.”,
(Poezia: “Gjysh, nesër vij në Prishtinë”, f. 15). Kur vjen mbesa Erjonë në
Prishtinë: “Saherë vjen Erjona/ Ne këtu
përtërihemi,”. Erjona shpeshherë bisedon me
gjyshin, përmes celularit:
“Erjona në Shalë
Gjyshi në Prishtinë,
Bisedojnë së bashku
Të heshtur kur rrinë.” (f. 18). E, kur gjyshin e merr malli për Erjonën,
përshkruhet me vargjet: “Eja Erjonë, eja/
Gjyshin e ka marrë malli,/ N’ëndërr t’ka pa mbrëmë/ Dhe e rroku zavalli.”.
Po ashtu, mallin për Erjonën ndonjëherë gjyshi e shpreh edhe duke iu drejtuar
fotografisë së saj, shih në poezinë “Dil nga fotografia, dil”, f. 25: ”Dil nga fotografia, dil/Ç’më shikon buzagaz,(...),
si dhe: “Eja t’dalim bashkë/Në Kodër të
Diellit,/ T’lozim tok me fëmijët/ Si zogjtë e qiellit.”, (po aty). Poezitë:
“Torta e ditëlindjes”, “Alo Erjonë, alo”, “Erjona në ëmbëltore”, e ndonjë
tjetër, janë poezi krejtësisht të lidhura me shëtitjet dhe dialogimet e Erjonës
me gjyshin e anasjelltas, ku jamë poetizuar mënyra e rrëfimit dhe
bashkëbisedimet. Të gjithë titujt dhe përmbajtja e tyre janë në korrespondim me
pritshmëritë e lexuesve të vegjël të cilëve u dedikohet dhe në një mënyrë a në
një tjetër e gjejnë edhe veten aty.
Më rastin e botimit
të librit “Princesha e Shalës” të Hasn Hasanit (2010), nga kritika letrare janë
shfaqur mendime të ndryshme, shikuar nga kënde të ndryshme. Kështu, shkrimtari
e kritiku Xheladin Mjeku kishte shkruar “Reflektimi i dashurisë së gjyshit ndaj
mbesës, shqetësimet e tij, pastaj telefonatat me celular, kur gjyshi e thërret
Erjonën dhe anasjelltas Erjona flet me gjyshin e saj, etj. vijnë si rrjedhojë e
vargjeve të preferuara për fëmijë, që përkojnë realitetin kohor që tashmë po
jetojmë.” 1)
Me përveçësi kujtoj
se ia vlen të theksoj se poema “Erjona e gjyshi nëpër Kosovë”, poemë brenda
librit – poemë, që vlerësohet e cilësohet si nje realizim interesant poetik për
fëmijë. Është kjo poemë që mund të përgatitet si recital, mund të përgatitet si
shfaqje e pëlqyeshme dhe e ëmbël për fëmijë dhe jo vetëm. Këtë poemë poeti
Hasani e ka organizuar me një kor fëmijësh, me në krye Erjonën: Erjona, Deni,
Olta, Dafina, Eri, të cilët ishin ulur në një lëndinë dhe bashkëbisedon për
vizitën që kishin bërë Gjyshi Can (poeti Hasan) dhe Erjona nëpër disa fshatra
të Kosovës ku ishin zhvilluar luftime gjatë viteve 1998 dhe 1999 ku edhe kishin
rënë dëshmorë nga radhët e ushtarëve të UÇK-së dhe civilë shqiptarë. Për të
gjitha këto Erjona fillon t’iu tregojë me radhë vogëlushëve, që nga nisja me
makinën e gjyshit Can:
“Dielli i kuq zjarr
Na fali freskinë,
Tok me gjyshin Can
U gjendëm n’kabinë.”, (f.35).
E, pikërisht për këtë
poemë, kritiku e publicisti Riza Greiçevci tha: “Marrja e rolit të një mësuesi
historian prej gjyshi, sikur është metoda parësore e poetit për të pasur
mundësi të sintetizojë, sistemojë dhe vijëzojë më lehtë dhe më fuqishëm
arritjen e qëllimit edukativo-arsimor të poemës.” 2) Erjona vazhdonte rrëfimin, për heronjtë e jasharajve
të Prekazit, Shabanin, Hamzën, Ademin: “Aty
seç na priti/ Baca Shaban i pari/ Hamza si vigan/ Shqiponja Adem Jashari.”,
(f. 36), pastaj për Xhevën e Fehmiun, e vende të tjera nëpër Drenicë, e në një
çast Deni i thotë: “Ndal, ndal, mos u
ngut/ E dashura Erjonë,/ Na trego n’hollësi/ Pse kaq shjumë nxiton?”, (f.
37), kurse Erjona lehtas ia kthen: “Den,
i dashuri Den/Çdo gjë do t’rrëfej,/ Rrugës se çka pamë/ N’Drenicë e më tej.”,
(po aty). Ndërkaq, kur kishin arritur në Dukagjin, kishin bërë vizitë Izbicës,
Qyshkut, Lybeniqit dhe ishin ndalur në Gllogjan: “Diku para dreke/ Arritëm në Gllogjan,/ Kulla katërkatëshe/ Frymën
gjallë e mban.”. Aty kishin parë shumë varre dëshmorësh: “Varre e varre e varre/ Secili më krenar,/
Luani, Shkëlzeni, Enveri/ N’ballë t’atdheut ushtar.” (f.39). E, për të
komletuar rrëfimin, nga gojë e vogëlushëve përmenden Kosharja e Juniku, Agim
Ramadani e Sali Çeku, trima e dëshmorë të kombit. Por, kur e merr fjalën
Dafina, thotë: “Na kënaqe me rrëfime,/
pusho pak moj Erjonë,/ Mos e harro Shqiponjën / Vendlindjen e nënës sonë?”,
ndërsa Erjona vazhdon :(...) “Kur arritëm
n’Dushkajë/ Te lisat mijëvjeçarë,/Aty n’Zabel t’Gojanit/ Preheshin shum’
legjendarë.”, (f. 43), e, aty, në Shqiponjë, kishin gjetur edhe: “Aty gjetëm Përkolajt/ Shtëpi, livadhe dhe
ara,/ Ku lindi gjyshi ynë/ Ku shkroi vargjet e para.” . Erjona rrëfen se
gjatë atij udhëtimi me gjysin Can (poetin Hasan Hasani), duke i rënë rrotull
Kosovës, kishin kaluar edhe nëpër Krushën martire, Landovicën ,Kleçkën, e
vizitojnë edhe Reçakun, për të përfunduar Erjona rrëfimin me:
“Seç ofshani Erjona
Mes fëmijëve n’ledinë,
- Këtu mbaron rrëfimi
U kthyem në Prishtinë.”, (f. 47). Në këtë poemë mund të personalizohen detajet
figurative dhe karakteret brenda
personazheve si shkrirje e tablove të natyrës së bashkëbisedimeve.
Një poezi ku shprehen
ndjenjat e dhimbshme të poetit që ia kushton një vajze 7- vjeçare të cilën e
kishte rrëmbyër një dorë krimineli. Ajo quhej Elonë dhe ishte gjetur e vdekur
në malin e fshatit 19 ditë më vonë. Për atë njeri – kriminel që e mashtroi
Elonën e vogël, poeti shpreh atë dhembje me vargje patetike: “Po nga mali zbret një bishë/ Bishë e egër,
bishë – njeri,/ Faqemollën n’lajka grishë/ Njeriu bishë, bisha – njeri!”,
(poezia “Elonë, moj Elonë”, f. 53. Poeti edhe mallkon: “Njeriu – bishë, bisha njeri/ Që t’i ngopë epshet me gjak,/ Mizorisht e
vret atë fëmi’/ Gur mallkimi raftë n’atë prak!”, (po aty). Nga kjo ngjarje
e trishtuar dhe tragjike, poeti, në strofën e fundit të kësaj poezie këshillon
për kujdes mbesën e tij: “Andaj moj mbesa
ime n’Shalë/ Dëgjoi porositë e gjyshit:/ - Mos i beso t’huajit n’fjalë/ Po
vetëm prindërve dhe mësuesit.”, (f. 54).
Me vargje këshilluese
poeti edhe e përfundon këtë përmbledhje poetike me poezinë “Këshillat e
gjyshit”, f. 61, poezi edukative, me këshilla prindore që t’iu shmangen
rreziqeve të mundshme:
“Vale... dhe ti Erjona
Dëgjoni gjyshin ç’u thotë,
Bashkë shkoni në shkollë
Rrugës mos u ndani dot!”,
sepse: “E dini Ç’e gjet Elonën
Atë rreze dielli t’bardhë,
E mashtroi monstrumi
Nga shkolla duke ardhë!”, (f. 61). Hasani,duke hyrë në botën psikologjike të
fëmijëve, me vargje, ua bën edhe fëmijërinë të bukur. Pra, fund e krye, është
kjo poezi për fëmijërinë.
________________
1) Xheladin Mjeku, “Ninullat e lirisë”, shih: Skënder R.
Hoxha, Muza e Dushkajës (Qasje nga autorë shqiptarë krijimtarisë letrare
pesëdhjetëvjeçare të Hasan Hasanit), Faik Konica, Prishtinë, 2017, , f.363.
2) Riza Grejçevci, “Princesha Erjonë e Shalës Dodonë”, shih:
Skënder R. Hoxha, Muza e Dushkajës (Qasje nga autorë shqiptarë krijimtarisë
letrare pesëdhjetëvjeçare të Hasan Hasanit), Faik Konica, Prishtinë, 2017,
shkrimi i, f. 356.