Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eksperimenti Kosova - Kthim në kolonializëm''

| E hene, 27.10.2008, 03:14 PM |


" Eksperimenti Kosova - Kthim në kolonializëm''
 
Deutsche Welle


Hannes Hofbauer mendon se me Kosovën është shënuar kthimi në kolonializëm. Plani i Ahtisaarit, parasheh pavarësinë e kontrolluar, që do të thotë se legjislativi dhe ekzekutivi në Kosovë ndodhen në duart e të huajve.

Shkrimi i ligjeve, administrata politike, ekzekutivi policor dhe ai ushtarak kanë hapur një fushë eksperimentale për institucionet evropianoperëndimore dhe amerikanoveriore, mendon Hannes Hoffbauer. Parlamenti i Prishtinës shpalli pavarësinë e Kosovës dhe shteti i 47-të i Evropës ndau jo vetëm Serbinë por edhe komunitetin ndërkombëtar. Ata që janë kundër i kthehen të drejtës së popujve, ata që janë pro të drejtës për vetëvendosje kombëtare. Si rast precedent i zhvendosjes së kufijve, zhvillimet në Kosovë shënojnë kthesë ligjore dhe politike në historinë evropiane të pasluftës. Njohja dhe mosnjohja ka shpurë në përceptimin e dyfishtë të një ekzistence shtetërore. Kosova fillon një epokë të re si “shtet i dështuar”.Deutsche Welle: Zoti Hofbauer! Ju e keni titulluar librin tuaj “Eksperimenti Kosova- Kthim në kolonializëm” Sipas mendimit tuaj, kush eksperimenton në Kosovë?

Hannes Hofbauer: Eksperimenti është duke u bërë kryesisht nga institucionet e mëdha perëndimore, si për shembull OKB dhe Nato e BE. Teza ime është se eksperimenti është duke u zhvilluar në drejtim të kthimit të Kosovës në shtet me pavarësi të kontrolluar, siç thuhet edhe zyrtarisht, pra duke mos i dhënë Kosovës pavarësinë e vërtetë, por duke ngritur atje një sistem sipas modeleve të protektoratit ose të kolonializimit.

Deutsche Welle: Cilat interesa ndiqen atëherë në Kosovë?


Hannes Hofbauer: Në radhë të parë interesa gjeostrategjike. Nuk duhet harruar për shembull se Camp Boldsteel është kampi më i madh amerikan jashtë territoreve të SHBA-ve. Nuk duhet harruar që Kosova është një shtet që ndodhet midis Gjermanisë, Italisë dhe Lindjes së Mesme, qendër e interesave ushtarake dhe politike amerikane. Por pas statusit kolonial të Kosovës unë do të shihja edhe interesa ekonomike, nëse për shembull kihen parasysh lëndët e para në Trepçe dhe qymyret në Kosovë, pra interesa që kanë pozicionime ekonomike.

Deutsche Welle: Ju shkruani në librin tuaj se “Kosova fillon një epokë të re si shtet i dështuar”. Mendoni se ky eksperimenti për të cilin flisni ju ka dështuar?


Hannes Hofbauer: Koncepti im i eksperimentit është se perëndimi përpiqet ta pozicionojë Kosovën si një vend që është nën protektoratin e tij, dhe kjo nuk duket të ketë dështuar. Ajo që ka dështuar është dëshira për pavarësi. Kjo shihet edhe në faktin që aktualisht dy reprezentantë të lartë të OKB-së dhe BE-së janë autoritete politike më të larta se administrata lokale, pra si UNMIK ashtu edhe EULEX- ICO, kanë në fund të fundit edhe zyrtarisht më shumë të drejtë fjale në Kosovë, se sa parlamenti apo presidenti, pra institucioneve të zgjedhura kosovare. Prandaj unë do e quaja këtë eksperiment shumë të çuditshëm. Por për interesat e perëndimit ai është një eksperiment i nevojshëm, për interesat eKosovës, unë do të thoja se nuk është shumë interesant.

Deutsche Welle: A janë tezat tuaja me orientim të majtë?

Hannes Hofbauer: Majtas ose djathtas, unë do të thoja se është një mënyrë social-historike ose ekonomiko-historike e vështrimit të gjërave. Për mua e rëndësishme është të thuash se me planin e Ahtisaarit, i cili nuk u votua nga OKB-ja, por në të vërtetë ka dhënë bazën e kushtetutës së Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë, fjalën në Kosovë nuk e morrën politikanët lokalë, ose populli por e morrën interesat e jashtme dhe funksionarët që vijnë nga jashtë, që janë me mijra në Kosovë. Siç e dini mijra njerëz të UNMIK-ut, EU-së, EULEX-it, ICO, OJQ-ve vijnë vërdallë në Kosovë, marrin rroga të majme, paguajnë sekretarë, përkthyes, kopshtarë, vila, dhe në të vërtetë kjo strukturë vendos në Kosovë, edhe nga pikëpamja ekonomike.

Dërgoi për ZSh z. Abdullah Prapashtica