| E hene, 27.10.2008, 03:45 PM |
Vitrina e librave
RECENSION
Nga Ramadan Musliu, prof
NË BOTËN E NDJENJAVE SUBLIME
Lirisht mund të thuhet se në shpirtin e çdo njeriu fle talenti latent i poetit dhe se në rrethanat e caktuara objektive apo edhe subjektive, domethënë gjendjës së subjektit, mund të veprojë një agjens apo një stimuls i jashtem për ta zgjuar ate latenten kreative të artit, që pas kësaj të shpërthejnë impulset e brendshme, të aktivizohet imagjinata dhe aq më parë kërshëria për ta zotëruar një botë matanë pervojës senzorale. Ajo shqisa e fshehur e krijuesit e nxitë subjektin nga idealiteti, nga persosmëria, nga prirja për zotërimin e mjeteve shprehëse, nga perfeksionimi i teknikave. Ka shumë poetë me talent që nuk e kanë “dhuntinë e kerkimit” per të hulumtuar teknika, për ta persosur metedologjine e shfaqjes poetike aq sa krijimi i tyre mbetet në nivelin e një “bruto poezie”, poezi që ka emocion, që ka ide, që është aktive imagjinativisht dhe emocionalisht, e që operon me mjete klasike. Ky tip i poezisë nuk mëton lartësitë, nuk imponon klishetë, mirëpo është një këngëtim i veçuar, këngëtim për hirë të prirjes së poetit që të mendojë përmes vargjeve dhe figurave poetike, që mendimin poetik dhe emocionin e ngjizur me plot trazime ta shfaqë me një ritem specifik, me një tingull që e ka ngjyren e shpirtit të poetit. Këta poetë nuk i kushtojnë ndonjë rëndësi të veçantë asaj se si do t’i pranojë mjedisi letrar, por më shumë brengosen për nivelin e sinqeritetit, për nivelin e vizionit personal të shprehur përmes vargjeve. Prandaj këto poezi shquhen për një përjetim të sinqertë, për shprehjen e drejtëpërdrejtë, pothuajse kolokviale, sikurse edhe për përafrimet që i kanë me modelet orale poetike.
Pikërisht të gjitha këto tipare i ndeshim tek permbledhja poetike “Krenaria dhe pikëllimi” të Adem Berishës, krijimet poetike te të cilit përmbajnë edhe agjensin që e ka nxitur krijuesin potencial të jetë aktiv në gjenerimin e gjendjeve poetike, kurse imagjinaten e tij qe të merret me përpunimin artistik të motiveve nga trivialiteti i përditshmërisë, sikurse edhe paradigmat poetike formale që janë përafrime me modelet e poezisë orale.
Së pari, cili është aiagjensi që ka ardhur nga realiteti i përditshëm dhe ka trazuar shpirtin poetik, i cili ka filluar të derdhë magmen poetike?
Agjensi që e ka nxitur të derdhë vrushkujt poetik në vargje është momenti historik, çasti fatlum i historisë që po e sendërton ëndrren e tij personale dhe ëndrren e shqiptarëve si kolektivitet, ardhjen e lirisë dhe arrtitjen e pavarësisë, si një ideal jo vetëm politik, por edhe etik i poetit por edhe veshtrimi kritik i disa vetive njerëzore dhe fenomeneve e dukurive të papelqyeshme shoqërore duke mos lënë anash edhe krenarinë që ndien me të mirat e atdheut të tij dhe vlerat tjera pozitive nder të cilat rradhitë edhe fëmijt si engjuj.
Po qe se ndalemi tek referencialiteti dhe kuptimet që burojnë nga kjo kategori poezishë, do të shohim atë mrekullinë e imperativit kategorik kantian, madheshtinë e ndjenjave të brendshme dhe njejtësimin e tyre me ligjet kozmike, njejtësim që kësaj poezie i jep një hapësirë të gjerë kuptimi.
“Kur zoti bëri boten
me plot mrekulli,
i fali kësaj të veçanten
që quhej Iliri.
I fali tokë e det
dhe shumë begati,
i fali edhe një kalá
që sot e quajnë Shqipëri.”
(. . .)(“Kur zoti bëri boten”)
Poeti në ekstazë nuk gjen kohë për të zgjedhë metafora, për të zgjedhë figura e trope që do rrezatojnë referenca të largëta apo të afërta, nuanca ngjyrash dhe ndjeshmëri të stërholluar, por gjenë shprehjen e drejtëpërdretjtë që do ta konkretizojë idenë dhe idealin e tij të gjakuar. Po qe se do të bëhej fjalë për diçka ireale, diçka që parandjehet në vizionin autorial, atëherë kuptimi dhe ideja do të fshiheshin në figura, në mjegullen emocionale, në lojën e imagjinatës, në zikzaket gjuhësore dhe tingëllimin e bukur. Autori qëllimisht insiston në një “bruto poezi”, poezi që shqipton ngazëllimin e brendshem për idealin e prekshëm:
“Fëmijtë e vendit tim
janë fytyrëqeshur e të dlirë,
në gjithë rruzullin tokësor
nuk ka fëmijë më të mirë.
Janë plot shend e verë
me faqet kuq si molla,
janë të shenjtë si engjuj
bukuri nga ta merr shkolla.
Bukuri ka edhe rruga
kur këta e pershkojnë,
këta s'dijnë të urrejnë
por vetëm të dashurojnë.”
( “FËMIJËT E VENDIT TIM” )
Duke gjakuar një shprehje të drejtpërdrejtë autori sikur na thotë se për synim ka të komunikojë me lexuesin, të dialogojë me te, të ndertojë një vizion kongruent me lexuesit, sepse i njejti ideal, e njejta përepjekje duhet të ketë edhe gjuhen e njejtë. I dhënë pas këtij lloji të komunikativitetit të shprehjës poetike, gjithnjë duke i qendruar besnik modelit të poezisë orale, autori sikur i përafrohet poezisë korrensponduese me atë për gjeneratat më të vogla, por duke mos harruar se
poezia e tij e gjendjeve ekstatike është një lloj kënge, një lloj tingulli që buron nga zemra.
Nuk është e habitshme pse poezia “Dasma e lirisë” mund të konsiderohet
se është thjeshtë një këngë epiko-lirike, një këngë që për nga thekset e saj himnike, por edhe me nuancime të herë pas hershme melankolike, sikur na e kujton poezinë e Pashko Vasës “O moj Shqipni”
“Eu sa leu dielli o mbi at kodër
u hap lajmi-o n’Shkup e n’Shkodër
nga Evropa e n’Amerikë,
nga Azia në Afrikë,
prej andej n’Australi
se n’Kosovë ka një risi
i madh e i vogel o janë bë një
eu kanë nisë luften o për Liri.
Eu n’Dukagjin t’Binak Alisë,
u lidh Besa e shqiptarisë,
me ia këthye pushken Serbisë,
për t’a mbrojtë pragun e sh’pisë
si luaj djemtë e Lirisë
të betuar n’besë të Zotit
si në kohen e Kastriotit
si ç’vepruan të parët e motit”
(. . .Dasma e lirisë )
Modelet orale të selitura brenda vargjeve të këtij autori me shumë përgjasime me idetë rilindase sikur na kujtojnë një vazhdimësi, një përpjekje që trashëgëmia jonë dhe ideali jonë të ketë rrënjë historike dhe si i tillë të na obligojë për një pikëpamje etike që duhet të jetë orinetuese në jetën e mëtejme në pushtimin e hapësirave të lirisë konkrete.
Duke kaluar nga shkalla e idealitetit dhe realizimit të idealit, do të thosha edhe politik, autori zbret në tokë, zbret në realitet. Mirëpo, në një mal dëshprimi gjithnjë del diçka që i jep kuptim vazhdimsisë së jetës dhe autori vazhdimisht e mban gjallë atë zjarrin promethean, vleren e sakrificës, të cilen herë e gjen tek dëshmorët, tek heroinat duke zënë në gojë Shotë Galicen, Xhevë Lladrofcin etj, herë tek mantelbardhat, herë tek gjeneratat e reja që duhet ta marrin mbi vete barren e historisë.
Mirëpo në këtë cikël, krahas glorifikimit të veprave të vyera, siç është sakrifiimi i femrës shqiptare gjatë historisë dhe në aktualitet, poeti ndesh edhe gjërat e shemtuara, të cilave përpiqet t’ua heqë masken, t’ua çjerrë lustren shkëlqyese të gënjeshtrës:
“E thjeshtë e primitive,
pikëpamjet arkaike,
e tëra është destruktive,
këtë kurr s’mund ta bësh mike.
Të miren nuk e njeh si të mirë
dhe nuk di ta vlerësojë,
ate e këthen me të keqe,
ç’dreq kështu e mësoi ?!
Gjuhen e ka gjarpër
e turirin si derr,
diten nuk e njeh si ditë
e drita i duket terr.”
(...LEDHATIA E DJALLIT)
Është i njohur fakti se dhëmbja e madhe shpesh arrin të nxjerrë poezi të bukur, sikurse që është rasti me librin “Lum Lumi” të Ali Podrimjes. Diçka e ngjashme ndodh edhe me autorin e këtyre poezive. Ai arrin të ngrihet mbi dhëmbjen përmes krijimit poetik, duke derdhur dhëmbjen në një sublimat lirik.
Dhe në fund fare, pas një ekskursi nëpër vargjet e librit të Adem Berishës, mund të themi se lexuesi ndahet me mbresa të nduarnduarta, por më e fuqishmja është ajo se i bëhët që ka shëtitur nëpër një botë në radhë të parë emocionesh. Për këtë poezi, duke bërë analogji me “pyllin e simboleve” të poezive të Bodlerit, mund të themi se këtu kemi të bëjmë me një “pyll ndjenjash”, ku më e fuqishmja është ekstaza për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij, Kosovës martire.
------------------------
Adem Berisha
(Nga pëmbledhja në dorëshkrim)
GJAKU QË NUK THAHET
Çka s’ka ndodhur n histori
asnjëherë tek popujt tjerë,
kishte ndodhë në Jugosllavi
në dyzetepestën në pranverë.
Mijëra burra e djem të rinj
kishin marrë rugën e tmerrit,
për të shkuar në Mal të Zi
që të përjetojnë vuajtjet e ferrit.
Si në Tivar e Dubrovnik,
në Dallmaci e në Trogir,
përballë kishin një armik
si fatzinj po edhe martirë.
Pesëmijë shqiptarë u vranë
faqe e zezë i ra Malit të Zi,
ujëvare gjaku tanaet u bënë
e dyshemetë liqej prej tij.
Kur jua prenin duar e këmbë
djemve të rinj pa i ra brisk fytyrës,
si kasapër kur presin gjanaë
gjaku rridhte si lumë këlcyrës[1]
Vrasje , therje e helmime
e shumëçka që kurrë s’shtë parë,
mbi këtë popull u bënë shumë krime
për të vemin faj pse janë shqiptarë.
Kush këto fakte i shtrëmbëron,
e në mulli të hasmit do të çojë ujë,
tragjeditë kush minimizon
prej tij o zot të gjithëve na ruaj.
Do pirraka e do spirraka
historianë vetes i thonë,
veprave të tyre iu daltë flaka
dreqi e dittë se për kë punojn.
Por gjaku ujë kurrë nuk bëhet
as nuk humbët për jetë e mot,
është një gjak që kurrë nuk thahet
i këtij populli që s’shtë pa zot.
I KAM LAKMI
/Azem Hajdinit-Xani, në
ditëlindjen e 84-të: 15.07.2008/
Njeriu jeton sa vepra e tij
e kujtimi për të nuk zhbëhet kurrë,
kur lë gjurmë në histori,
lind si engjëll e vdes si burrë.
Të vish nga çerdhja e shqipeve të malit,
nga Drenica jonë kreshnike,
të luftosh përkrah Sabanit
është një vepër heroike.
Një Tivar famëkeq të mposhtësh
që për shumëkë ishte fat i zi,
përballë bishave të mos gjhnjëzohesh
e të mbiejtosh është mrekulli.
Kush shumë sfida i tejkalon
faqebardhë mbtesh përhera,
gjithë shoqëria të admiron
si njeri që ka shumëvlera.
Burri i burrave Azem Xani
lind e rritë në polacin trim,
një mrekulli atdheut i fali
thellë ka hy në shpirtin tim.
Vepra e tij është e përmotshme
brezat këtë do ta ruajnë përhera,
si feniks do të ripëtrihesh
që të ju prijë në vlera tjera.
Udhërrëfyes është për rininë
qe atdheun më shumë të dojë,
sa më shumë të çmojë lirinë,
kurrë asgjë të mos e sfidojë.
Në këto pak vargje të radhitura
shumëçka mbeti e thënë,
por, shumë më shumë flasin veprat
vetë Azemi që na ka dhënë.
MLLEFI I SHKËLQËSISË
Pse qanë toka pash besën e zotit
a ka dikush për të më treguar?
pse i vie erë e flakës barotit
kush në tokë të djegur e kish shëndrruar?!
Qe prej shekujsh të historisë
kurr ky vend dritë nuk ka parë,
si rrjedhojë e pafytyrësisë
në gjashtë shtete e kishin ndarë.
Pse u desh kaq kohë të kalonte
e prapë këto troje të mos bashkohen,
kush është ai që nuk do të thoshte:
padrejtësitë gjithë nuk durohen.
Kush e ndau këtë tokë shqiptare
borxh të pa shlyer i ka përendisë,
le të shpëlajë disi këtë marre
le t’i këthej të veten shqiptarisë!
Edhe At Gjergji kish protestuar
për këtë krim të panjerëzisë,
kur Evropës iu kish drejtuar
me këto fjalë të vetë shkelqësisë:
“Uh ! Europë, ti kurva e motit,
qi i rae mohit besës e Zotit,
po, a ky â sheji i qytetnisë :
me dá tokën e Shqipnisë
për me mbajtë këlyshët e Rusisë ?”.
NDARJE QË SHËMTON
Atëherë, Zoti nuk të fali të gjymtuar
por të stolisi si një krijesë hyjnore
që i tëri të jetosh i bashkuar
shpinë për shpine e kapur dorë për dore.
Por, diçka e trishtë shpirtrat trazon e
si ëndërr e keqe, diç të mirë nuk thotë,
forcërisht në gjoks zemrat shtrëngon
e fytyrat engjëllore don të lajë në lotë.
Të kishin larguar nga logu i kuvendit
e për ty, së prapmi pa ty flitej,
të bënë edhe tabu të kohës e vendit
e flamurin të ndaluan të valëvitej.
Të vranë, të dogjën, të sakatuan...
kushdo që zgjohej më i pari,
si bishat pamëshirshëm të copëtuan
vetëm pse kishe mish e gjak shqiptari.
Ndalem, mendoj dhe pyes vetën
mbase , nuk jam duke kuptuar ?!
si të tjerët pse të mos e kesh jetën
vallë, edhe me këtë duhet pajtuar?!
Jo, jo! shëmtimin nuk ke për të duruar
e përbindësha nuk do të lejosh këtupari,
si vëllezër e motra keni për të bashkëjetuar
Ti, Ibri, Buna dhe Vjosa e Vardari.
Dhe, ky vend prapë do të bëhet ILIRI
e me ty më kurrë nuk do të abuzohet,
do të jetosh me dinjitet e krenari
në trojet e tuaja ku lirshëm do të frymohet.
Të jetosh i denjë si e gjithë njerëzia
këtu ku me shekuj ke varret e të parëve,
për çka e di qartë edhe parahistoria
ç’ prej se këtu nuk vinte erë e barbarëve.
Në këtë tokë që Zoti e kishte krijuar
e për Zot të sajë vetëm ty të caktoi,
këtë tokë të shenjtë e të bekuar
që ndër shekuj me ty bashkëjetoi.
Kush misionin e shenjtë nuk ndihmon
që penën e pushkën tok t’i bashkojë
e At-Mëmëdheut veten nuk i kushton
përjetësisht kjo tokë do të mallkojë.
A KA?-A KA ZOT?!
Të dalësh në qytet për të hequr pak mërzi
askush nuk të flet, sikur të gjithë mbajnë zi.
Fytyra të zymta sheh të sillen verdallë,
shpirtërat qetësi nuk kanë, përse vallë?!
Një zë të bëhet se dëgjon disi si pa pritë:
nuk don për të parë, a të janë verbuar sytë?
a nuk sheh qytetin si duket i shkretë?!
thua se njeri i gjallë në te nuk ka mbetë!
Tmerri të kaplon, me zë ke për të kja
kur sheh shkolla e spitale të rëna nën shkja,
profi sharraxhi e mjeku të bëhet hamall
kjo më nuk durohet, zemrës flaka do t’i dalë.
Disa fytyra të zeza me mustaqe të mëdha
rrugëve patrullojnë, njeriut pa i përngja.
Nuk mund t’i kuptosh, flasin një gjuhë tjetër
vetes do t’i thoshe: u këthye kohë e vjetër?!
A thua? qenka këthyer koha e barbarëve
gjakun që iu kishin pirë prindërve e të parëve,
edhe tokën në zjarr që e kishin shkrumbuar
mushkëri e zemra nënash, që kishin pervëluar.
Oooo zot! edhe unë bertita me sa kisha fuqi
këthe derrat nga kanë ardhur, atje në Serbi.
Jo, por, Serbia dikur ka qenë Iliri
këthe bishat e Karpateve, atje në Rusi.
[1] Këlcyrës- grykës së malit.