| E marte, 12.05.2020, 01:30 PM |
Një përgjigje cinike e kryeministrit Rama
Nga Prof. Dr.
Eshref Ymeri
Në
intervistën që gazetari Çim Peka i mori Kryeministrit Rama nga studioja e
kanalit televiziv “Syri tv” më 07 maj
2020, mes shumë pyetjeve që i drejtoi, më bëri shumë përshtypje përgjigjja ndaj
pyetjes së parafundit. Këtu po e riprodhoj të plotë pyetjen e Çim Pekës dhe
përgjigjen e Ramës.
Çim Peka: Për pak muaj Shqipëria i
afrohet asaj që konsiderohet kohë zgjedhjesh, edhe në kohë normale. Deri në
këto momente që po flasim, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, duke përfshirë
edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë bërë të qartë se do të jenë bashkë.
Kush do të jetë aleati i Edi Ramës nga partitë e mëdha, duke qenë se blloku
opozitar tashmë është i qartë? A keni parti që mund të pranojë të jetë aleate
me ju pas kësaj qeverisjeje tetëvjeçare?
Kryeministri Rama: Po, patjetër. Partinë më të
madhe shqiptare që është partia socialiste dhe partinë e partive që është
populli shqiptar. Mjafton populli shqiptar, nuk ka nevojë për parti të tjera
për të mundur këta.
Me sa
duket, Rama qenka i bindur plotësisht se populli shqiptar na qenka aleati më
besnik i tij, prandaj në zgjedhjet e vitit 2021 ai është i bindur për fitoren e
padiskutueshme të partisë socialiste, edhe pas tetë vjet qeverisjeje. Por kjo
përgjigje fsheh edhe diçka tjetër: Rama e konsideruaka popullin si “pronën” e
vet, tamam si diktatori Enver Hoxha.
Rama
“ka të drejtë” t’i përgjigjet Çim Pekës në atë mënyrë. Sepsegjatë qeverisjes së
tij ai “rriti çdo vit” rrogat dhe pensionet, “u rrit” mirëqenia e popullit,
çmimet “nuk patën” luhatje dhe shumë njerëz, numri i të cilëve iu afrua shifrës
gjysmë milioni, “të entuziazmuar” nga standardi i jetesës që “u siguroi”
qeverisja e Ramës, për kënaqësinë e tyre, që prej vitit 2013, por sidomos pas
vitit 2015, u dyndën “si turistë të ngazëlluar” drejt vendeve perëndimore, për “t’u
çlodhur” gjatë atyre anëve. Por,
çuditërisht, “kënaqësia” e tyre në ato vende po vazhon aq gjatë, saqë asnjëri
prej tyre s’ka dëshirë të rikthehet më në atdheun amë.
Humorist
i hollë ky kryeministri Rama! Siç duket, shumicën e popullit shqiptar e
kundruaka që nga “kalaja” e Surelit, si puna e shportës së karavidheve të
Bllokut kriminal në kohën e diktaturës komuniste, ku krerët komunistë bënin
jetë luksoze nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës dhe as që e
çanin kokën për mjerimin e popullit shqiptar përtej caqeve të atij Blloku.
Me sa
duket, epiteti “Skënderbej” që i ka
vënë një vartësja e tij kryeservile, ka bërë që t’i hipë hunda në lis.
Me sa
duket, fjalët e asaj gruas vlonjate me dy djem jetimë që pati deklaruar:“edhe pa bukë po të mbetem, për partinë
socialiste do të votoj”, Rama i ka interpretuar si fjalë të mbarë popullit
shqiptar.
Me sa
duket, një këngëtar lab, adhurues i jashtëzakonshëm i kriminelit Enver Hoxha,
ka ndikuar aq shumë në psikologjinë e Ramës, saqë këtij i ka hyrë vetja keq në
qejf. Madje i ka hyrë deri në atë shkallë, saqë t’i deklarojë gazetarit Çim
Peka se populli shqiptar na qenka “partia
e partive” në mbështetje të plotë të tij. Një vlerësim i tillë i Ramës për
popullin shqiptar nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një cinizëm i
kulluar.
Ja
çfarë deklaroi dhe si i këndoi kryeministrit Rama ai këngëtari lab, në fushatën
e zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit 2019:
“Golik Ali Jaupi ishte këngëtari që hapi dje fushatën e Edi
Ramës në Tepelenë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit (të shfuqizuara nga
presidenti). Goliku kujtoi përpara kryeministrit Rama edhe kohën kur këndonte
për diktatorin famëkeq Enver Hoxha.
“Këndova atëherë përpara komandatit të asaj
kohe (Enver Hoxhës), sot kam ardhur për këtë komandat këtu (Edi Ramën)”, - tha
Goliku, përpara se t’ia merrte këngës përpara kryeministrit dhe kandidatit të
PS për Telepenën, Tërmet Peçi.
Kënga për Ramën
Mirë se erdhe Edi Rama/Ku nuk të ka shkuar fama/
Në Amerikë te Obama/Ti je burrë që
s’do reklama/Sot kjo kala me bedena,/të thotë mirë se erdhe Tepelena/Po të pyeç popullsinë/Thonë të gjithë duam Edvinë/Ja e bënë ti Shqipërinë/Ja të tërë ramë në greminë/Je i madh, je burrë shteti,/të njeh globi, gjithë mileti/Përkrah Gramozi, Tërmeti,/ ndriçohet si meteor deti/Ti e ke mendjen të artë,/lum ne që të kemi fat/Më datën 30 qershor,/ do ti marrç frenat në dorë/Kryeministri madhor,/rrofsh sa mali Tomorr/Sot kala me bedena,/ të thotë rroftë gjithë
Tepelena(Citohet sipas: “I ka kënduar Enver Hoxhës, tani Edi Ramës: Ja
e bënë ti Shqipërinë, ja të tërë ramë në greminë”. Faqja e
internetit “top-channel.tv”. 24
qershor 2019).
Një
këngë të tillë, të përshkuar nga një afsh dashurie të jashtëzakonshme për
Ramën, këngëtari lab Jaup Goliku nuk ia kishte kushtuar as diktatorit Enver
Hoxha.
Që ky këngëtar nxjerr nga pena vargjet Po të pyeçpopullsinë/Thonë të gjithë duam Edvinë/Ja
e bënë ti Shqipërinë/Ja të tërë ramë në greminë, në këtë mes
nuk ka asgjë për t’u habitur, se servilizmi i tij është i kultivuar për
udhëheqës të formatit të Enver Hoxhës dhe të Edvin Ramës. Por kur një
intelektual me gramë të madhe, si kryeministri Rama, deklaron se partia e partive është populli shqiptar, aleati
i tij në zgjedhjet e ardhshme, kjo të bën të dyshosh se këtu kemi të bëjmë me
një njeri që ose vuan nga afshi i tmerrshëm për pushtet, ose ka probleme
shëndetësore dhe duhet të kurohet.
Pas
përgjigjes së ngrefosur ndaj pyetjes së Çim Pekës, në internet lexova një
tjetër informacion po të datës 07 maj, një informacion ky aspak ngushëllues për
kryeministrin Rama:
“Avokati Zaçe Islami ka
folur në lidhje me protestën e zhvilluar paraditen e sotme në sheshin
“Skënderbej”, në të cilën u demonstrua dhuna policore, ku disa protestues që po
protestonin paqësisht dhe duke ruajtur distancën sociale, u shoqëruan me forcë në
rajon nga uniformat blu… Ai theksoi se kryeministrin Rama do ta mbysin të
varfrit me pështymë, ndërsa e krahasoi kreun e qeverisë me personazhin e njohur
të rrugëve të Tiranës, Ver Llapa”(Citohet sipas:“Ramën do ta mbysin të varfrit me pështymë”, avokati: Është bërë si Ver
Llapa, ngeli duke dalë në Tv!”. Faqja e internetit “joqalbania.com”. 07 maj 2020).
Një
javë pas zgjedhjeve të 23 qeshorit 2013, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier
des Balkans”(Korrieri i Ballkanit),
Rama pati deklaruar se “synon të bëjë
politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).
Me qeverisjen e deritanishme, Rama e ka vërtetuar se ka lënë
dhe do të lërë emër në histori. Por ajo që të befason në pikësynimin e tij të
ethshëm për arritjen e një objektivi të tillë, është urrejtja proverbiale që ai
ushqen për doktor Berishën, çka e dëshmoi shkoqur fare edhe në intervistën me
gazetarin Çim Peka. Me këtë urrejtje të papërmbajtur për doktor Berishën, Rama
më sjell në kujtesë një aforizëm të shkëlqyer të filozofit dhe të sociologut
gjerman Xhorxh Zimel (Georg Simmel- 1858-1918), i cili vlerësohet si njëri nga përfaqësuesit e
vonshëm të “filozofisë së jetës”. Ai thotë:
“Ndjesinë
e fajit tonë që e përjetojmë fshehurazi brenda vetvetes, ne e maskojmë
paraprakisht me urrejtje, e cila e lehtëson fajin që mundohemi t’ia veshim
tjetrit”.
Prandaj në mbyllje dëshiroj të theksoj se Rama vërtet ka
deklaruar se “synon të bëjë politikë për
të lënë një emër në histori”, por ka harruar të theksojë se çfarë emri
synon të lërë? Të mirë apo të keq. Se deri tani, krahu i peshores së emrit të
tij ka anuar jo nga e mira.