Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Enver Hasani

| E premte, 24.10.2008, 06:49 PM |


Enver Hasani
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

ENVER HASANI
 
Fillimi i viteve nëntëdhjetë Kosovën e gjen të pushtuar në çdo pjesë nga pushteti ushtarako-policor serb, ku secila shtresë e shoqërisë goditet në mënyrën e vet. Njerëz të përjashtuar nga puna, kuadra të larta akademike të mbyllura në shtëpi, nxënës që mësojnë nëpër podrume, studentë me studime të ndërprera. Gjithkah paperspektivë. Në vorbullën e këtij pushtimi ndodhet edhe studenti i makinerisë në Fakultetin Teknik të Prishtinës, Enver Hasani, banues në Prishtinë me familje, që prej vitesh kishin zbritur nga Strofci i Vushtrrisë. Si djalë më i madh në familje, ai merr heshturazi mbi vete  detyrat për mbijetesën e familjes, por kah t’ia nisë. Kosova e vogël dhe e pushtuar po rrëzbitej dita-ditës, e ku të gjendej punë për një djalosh që ishte mes studimeve dhe kërkimit për të punuar diçka, për ta fituar bukën e përditshme. Ai mendon gjatë për të dalë nga kjo udhë e pakrye, por që brenda nuk kishte zgjidhje. Vendos të dalë jashtë. Madje duke rrezikuar, pasi jo që nuk i jepej pasaporta, por kishte rrezik edhe të mobilizohej me dhunë në ushtrinë e shtetit pushtues. Rrëfimi i tij për marrjen e udhës së mërgimit është i veçantë dhe interesant, si janë po ashtu të veçanta e të dhimbshme mijëra përjetime të atyre që mësynë botën për kafshatën e gojës, për vete e për familjen.
“Para se të nisem nuk kisha pasaportë. Shkova dhe ia mora vajzës së dajës pasaportën personale. Kur i kumtova babës se nesër dua të nisem për në Gjermani, fillimisht më tha, me fat, por fjala tjetër rrodhi prej tij: a je tranue, a?! I thashë jo, por po e shoh që këtu po ngushtohet rrethi, u martova e u shtua familja, harxhime të mëdha në qytet e të ardhura fare. Por babai të gjitha i dinte, ndërsa zemra nuk i thoshte të nisesha. Nëna gjithë natën qau. Mua më vinte keq, por kisha vendosur. Të nesërmen, të shoqëruar me lot, më përcollën deri në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Prej aty në Shkup, pastaj nëpër Bullgari, Rumani, Hungari e në kufirin e Sllovakisë më zunë me dokumentin e falsifikuar të udhëtimit. Ishte një police që më zbriti nga autobusi duke më thënë se më vjen keq, por pasaporta është e falsifikuar dhe ju duhet të ndaleni. Në stacionin policor të postës kufitare sllovake, pritja pa ditur se çka do të bëhej me mua, që nga ora nëntë e mbrëmjes deri kah ora një. Dikur, i mërzitur në atë pritje, vendosa të provoj ikjen. I pyeta të më linin të dal përjashta për nevoja personale dhe nuk kundërshtuan. Ia dhashë vrapit nëpër terr dhe pata sukses. Ika. U nisa këmbë nga kufiri hungarezo-sllovak këmbë për të arritur në Bratisllavë në një largësi prej 35 kilometrash. Ishte ftohtë. Borë. Në fillim të ikjes rrija disa metra larg rrugës automobilistike dhe ashtu ecja paralel. Ecja nëpër natë. I vetmuar. Dkur kalova fare pranë rrugës automobilistike. Pak pa hyrë në Bratisllavë filluan të vijnë autobusët e Prishtinës. U ndal një autobus dhe më mori. Shoferi, Maliq Gjaka, më tha: Enver, a ti kështu këmbë, a? Po! ia ktheva. Ai më njihte se me djalin e tij kisha qenë shok klase në shkollë. Beso, sa nuk m’u ça gjoksi nga të ftohtit edhe pse isha i veshur mirë. I lidhja për trupi  duart e mia duke shtrënguar gjoksin dhe veç prisja kur po më pëlcet gjoksi, ndërsa nuk ndalesha nëpër borë e nëpër natë. Por deshi Zoti dhe Maliqi ma ndali autobusin, më uli ngat vetes dhe fillova të shkrihem ngadalë, ta marr veten dhe të ngrohem gradualisht deri në Pëllzen të Çekisë. Pasi mbërrimë aty, njerëzit që ndërmjetësonin në kalimin e kufirit për në Gjermani kërkonin nga 600 marka për person. Unë i kisha vetëm 200 marka në xhep. Por në disa momente, Zoti po të jepte forcë e po t’i çonte edhe ndihmësit. Si sot nuk e harroj një njeri, emrin e  ka  pasur Vehbi. Më pyeti si jam me shëndet, si e kam familjen e të tjera. Pa ashtu më tha nëse kam dëshirë të dal në Gjermani, sonte e nisim një grup. Po, - ia ktheva, - por me vete i kam veç 200 marka. Ai më tha se unë nuk kisha nevojë të paguaj fare. Edhe sot më vjen keq që nuk e njoh atë njeri, nuk e njoha as aty, pasi më vinte keq ta pyesja kur ai më njihte mirë. Ai ndoshta nuk e din se m’u ka gjendur në momentet më të vështira. Si thashë, një natë më parë kisha ecur këmbë, pa pushuar fare dhe, menjëherë natën tjetër, prej orës 20 në mbrëmje deri në 6 të mëngjesit u desh të ecim këmbë. Disa u ndalën rrugës se nuk mund të qëndronin ose kishin frikë. Në mëngjes shkelëm në tokën gjermane. Katundi i parë i Gjermanisë, në të cilin kam mbërri për herë të parë më 30 mars, quhej Stadler. Një kilometër larg kufirit, ka qenë një hajm refugjatësh. Aty kam rën për të fjetur pas gjithë asaj udhe sa kur më ka dalë gjumi pas dy ditëve e dy netëve, thashë me vete, po më del shpirti nga uria. Ma kanë pru një rriskë bukë sa e kam marrë pak veten. Pastaj fllova ta thërras një njeri që më kishte premtuar se sapo të shkel në Gjermani do të dalë të më marrë. Me të rashë në lidhje vetëm një herë dhe kur i tregova se ku jam, ma ktheu se për 40 minuta do të vijë të më marrë. Po çfarë 40 minutash?! Thirr e thirr e ai nuk paraqitej më. Herë më mbyllej telefoni e herë më thoshte një grua diçka gjermanisht që nuk e kuptoja fare, pos fjalës “policaj”. U bënë dy ditë e dy net e ai farë sebepi im nuk erdhi hiç. Mbeta si i humbur. Fati e kisha një numër telefoni të një kushëriri të gruas. Në ato momente thashë pse bre nuk e thërras këtë. E thirra dhe po i them, more burrë unë jam dhëndër i Novosellës e, na nuk njihemi, po kur na rrokë zori ne e gjejmë njëri-tjetrin. O dhëndër ma ktheu, edhe unë nuk po të njoh ty, por një shok ma ka marrë veturën pasi e ka gruan në momentet e lindjes, por ti mos u bën merak. Ja adresa ime, unë jam në Bamberg, merre një taksi dhe le të kushtojë sa të kushtojë, kur të vijsh këtu, unë e paguaj. O m’u ka nga sikur të ishte bota imja. Fillova të sillem nëpër atë katund ku mbeta si ta gjej një taksi, pasi as nuk dija ku ta kërkoj as nuk dija gjuhë. Aty në një skaj, e takova një bullgar me duar të zhlyera, me një veturë që mezi qëndronte mbi rrotat e veta. Thashë me vete, me të mund të merrem vesh, pasi bullgarishtja është e ngjashme me serbishten dhe ashtu doli. E shfaqa kërkesën time dhe ai m’i kërkoi 300 marka për shërbim. Ia ktheva se i kam vetëm 200 dhe ai pranoi. U nisa me të. Veç prisja kur po na lë vetura në rrugë. Isha i shqetësuar tej mase. Dhe kjo ndodhi. Kur mbërrim në Bamberg, vetura u ndal. Përsëri ai bullgari hyri nën të. Për mua sërish u shfaq pengesa. Por prapë fati i mirë. Një njeri sillej rreth nesh dhe na shikonte. Dikur më tha, mos je ti ai që më thirre. Po i thashë. Atëherë ia dhashë paratë e fundit bullgarit dhe hyra te mikpritësi i saponjohur  Sami Maxhuni. Pritjen e tij, vdes e nuk e harroj kurrë. E kishte gruan dhe një fëmijë. Sot vazhdimisht kam kontakte me të. Ai më ndihmoi që përmes një shoku të tij të paraqitesha në qendrën e azilit në Lebah, një qytezë te Shtutgarti. Prej aty më dërguan organet gjermane në Këln e pastaj në Heinsberg, ku jam edhe sot.
Sapo u sistemova në Heinsberg, fillova të krijoj shoqëri të re, të njihem me njerëzit që kishin të njëjtat halle dhe ashtu, si të gjithë të gjej punë nga pak. Normalisht që në ndërkohë i ndihmoja edhe familjes. Pas gjashtë muajve pasi i kam bërë qëndrim në Gjermani më ka lindur djali, Gentriti. Në fillim mendoja se do të kthehesha shpejt, pasi të punoja pak, po çfarë kthimi! Mezi arrija t’i ndihmoja pak a shumë familjes, të cilës vazhdimisht i ngushtohej rrethi i jetesës në atë Kosovë të robëruar. Pas dy viteve e gjysmë, kërkova nga organet gjermane të ma japin një dokument udhëtimi deri në Shqipëri dhe këtë ma bënë. Ilegalisht pastaj kalova nga Shqipëria në Mal të Zi, e prej andej në Kosovë. Djali im, Gentriti, ishte rritur e unë nuk e kisha parë fare! U ktheva sërish në Gjermani. Tek në vitin 1995 gjeta punë në ndërtimtari”. Kur ndërhyjmë të dimë nëse Enveri ka ditur apo jo të punojë në ndërtimtari, ai na flet:
“Gjatë pushimeve verore, disa nipa nga Obria, të cilët vazhdimisht punonin në Zagreb, më kishin marrë në punë për dy vjet radhazi. Kështu unë veç kisha përvojë në fushën e ndërtimtarisë. Kur ia nisa këtu punës, unë isha i përgatitur si murator. U punësova në një firmë ndërtimore, e ku i pëlqeva shefit si murator dhe, aty punova për katër vjet me radhë. Më vonë punova edhe në një firmë tjetër derisa më 2002 e hapa firmën time.” Derisa e pyesim si e hapi firmën dhe si e nisi punën, Enveri kujton: “Fillimisht firmën e hapa më këtë vëllain tim, Arbenin. Rasti ndodhi kështu. Punonim në një projekt të madh në qytetin Erkelnc, afër kufirit me Holandën. Aty një gjerman na përcillte vazhdimisht, sa filloi të bëhej i dyshimtë për ne, e që frikësonte mos është farë kontrolli a çka është ai njeri, ani që ne ishim zyrtarisht të punësuar. Pas gati një jave, derisa po priste në veturë, doli dhe më thirri t’i afrohesha. Më pyeti a je ti shefi i firmës? Jo, ia ktheva, vetëm parapunëtor. Atëherë ai më tha se qenka dëm që ti të mos e kesh firmën tënde. I shpjegova se punës nuk i frikësohem fare, por për shkaqe të njohjes së gjuhës dhe rregullave administrative, i frikësohem dokumentacionit. Ma dha vizitëkartën dhe më tha që t’i paraqitesha në byronë e tij, duke shprehur keqardhje pse punoja vetëm në cilësinë e punëtorit. Kur u takova me të, më njoftoi se  me firmën e tij, “Rademacher”, i ndërtonte diku rreth 50 shtëpi në vit. Më propozoi ta hapja firmën dhe atë në cilësinë GmbH.  Si ta hap firmën, i thashë, kur për një lloj të tillë firme nevojiten 25 mijë euro deponim në bankë. U gjenda para një situate pa zgjidhje. Në atë moment, më besoni, vetëm 20 euro i kisha në xhep. Si të kisha para, kur të gjitha i dërgonim në Kosovë, pos një pjese të vogël për nevojat e përditshme. Por ai zotëriu më tha të mos brengosem fare. Shtoi pastaj se ai m’i paguan këto para në konto, pastaj m’i jep edhe mjetet e punës, e që unë do t’ia ktheja gradualisht në formë të kredisë. Të them të drejtën atij ia pata parë hajrin, pasi ai, ma bleu kranin, konteinerin, busin e firmës e gjëra të tjera. Po ashtu ai më garantoi punë për tri vjet. Më siguroi se nëse kam mundësi edhe 50 shtëpi do të m’i jepte në vit për ndërtim. Njëkohësisht ma gjeti edhe mjeshtrin e autorizuar. Të them të drejtën, për tri vjet ia kam kthye mjetet e investuara për mua, pa e hetuar fare atë borxh. Pas tri vitesh ai e mbylli firmën, ndërsa unë vazhdova me timen, pasi tashmë kisha bërë përvojë dhe autoritet si ndërtimtar. Kisha krijuar lidhje edhe me arkitektë të shumtë, kështu që vështirësitë për të gjetur punë nuk i kisha të mëdha”.
                Ndërkaq vëllai  tjetër, Arsimi, në firmë inkuadrohet në vitin 2004 dhe prej atëherë, të tre vëllezërit punojnë bashkë. Po ashtu, ndërmarrja ndërtimore e Enver Hasanit, përkrah vëllezërve të tij Arsimit dhe Arbenit, ka edhe katër punëtorë të tjerë, prej tyre dy shqiptarë nga rrethina e Prishtinës dhe dy gjermanë vendës. Vëllezërit Hasani, që të tre, brenda një kohe të shkurtër kanë arritur që për vete të bëjnë shtëpi banimi në Gjermani, pra secili nga një shtëpi dhe banesa në Prishtinë, ku tash jetojnë prindërit e tyre, të cilët këta i vizitojnë shpesh, sa njëri sa tjetri. Ata janë të kënaqur me punën e tyre, iu gëzohen sukseseve dhe i çmojnë ato. Po ashtu, Enveri ka filluar ta ndërtojë edhe një shtëpi në fshatin Gllavotin të Vushtrrisë, aty ku më parë ka qenë familja e tij prindore e ku i ka edhe xhaxhallarët. Si thotë edhe vetë, këtë investim nuk e bën vetëm për vete. Edhe pse ndërtimi i një shtëpie ku rrallë do të shkohet në të është i kushtueshëm, e ka vlerën e vet. Së paku ta dinë fëmijët se kanë shtëpi në Kosovë, së paku të rrinë në pushime me rrethin e gjerë familjar, së paku ta dinë se prindërit e tyre e kanë kaluar fëmijërinë dhe rininë atje, e pse jo, në të ardhmen të lidhen me atë vend, atje ku i kanë rrënjët.
Firma ndërtimore e Enver Hasanit ka bërë shumë shtëpi të bukura  formash e stilesh të ndryshme arkitektonike në krahinën e Rajnës Veriperëndimore në Gjermani. Që nga shtëpitë për një familje e deri te ato që përfshijnë edhe mbi 15 familje. Tash është e angazhuar në ndërtimin e shtëpive për seniorët, një projekt i Caritas-it, që mundëson komoditet për pleqtë. Si rrëfejnë vëllezërit Hasani, puna e tyre nuk ka gjithmonë orar të kufizuar, por iu përshtatet rrethanave, afateve dhe shpesh përfundon para kontratave. Që nga angazhimi i tyre në fushën e ndërtimtarisë, jo rrallë, kanë nisur punën në orën shtatë të mëngjesit, për të vazhduar deri në orën 22 të mbrëmjes, madje shpesh edhe nën dritat e reflektorëve. Ndërtesat i bëjnë deri në realizimin final, pra me çelësa në dorë. Sidomos tash kur kanë marrë projektin e madh prej 15 banesave dhe shtatë bungallove, të cilat i kanë në realizim e sipër. Enveri falënderon një bashkëpunëtor të tij, z. Vilfried, i cili ia ka gjetur një parcelë toke për ta bërë një bungallo mostër, për të pasuar pastaj ndërtimi edhe i gjashtë të tjerave. Por jo vetëm kaq. Pas kontratave për shtatë bungallotë, interesimet për kontrata i kanë shprehur edhe 40 pronarë të ndryshëm, po për bungallo. Këto janë shtëpi pa barriera, me dyer të gjera mbi një metër, me një nivel, ku pleqtë mund të kalojnë me karroca ortopedike në çdo pjesë të shtëpisë, madje edhe në garazha dhe në kopsht. Lagjja është e qetë dhe aty nuk mund të blejë kush të dojë shtëpi, përpos pleqve të cilëve u duhet qetësia. Në këtë projekt Enveri e ka angazhuar edhe një firmë huazuese me pronar italian, por që aty punojnë edhe dy shqiptarë. Ai ka dëshirë që ku të mundet të angazhojë shqiptarë në punë, se çdo cent i fituar nga dora e shqiptarit, do të përdoret për ngritjen e ekonomisë kombëtare, qoftë në mërgim, qoftë në trojet etnike. Kur njeriu punon mirë dhe me korrektësi, ka punë. Vëllezërit Hasani këtë e dëshmojnë më së miri. Cilësia e punës së tyre ka bërë që ata të jenë të kërkuar, të kenë  oferta serioze, e pse jo, edhe fitim të mirë. Jo rrallë, objektet e kontratuara, ata jo që ia dorëzojnë pronarit në ditën e caktuar, por madje edhe një javë para kohës. E zgjasin orarin e punës për ta shkurtuar afatin e dorëzimit të çelësave.