| E shtune, 09.05.2020, 03:55 PM |
Në karantinë
Nga Dea
Halimi
Çdo
gjë në këtë shkrim është e lidhur me pjesën e errët e të ndritur të dashurisë,
me mendimet për jetën dhe për vdekjen për çudi në këtë kohë të Pandemisë Covid
-19. Shkollat i kanë mbyllur mësonjëtoret. Brenda tyre tashmë jeton qetësi e
vdekur. Shkollat pa zërin e hareshëm të atyre që mësojnë aty nuk ka domethënie.
Mësimin megjithatë e ndjekim nga distanca, vetëm kjo gjë nuk e krijon lumturinë
e zërit të arsimtarit, të shoqes apo shokut të klasës… Mendimet ikin pjesë-pjesë në detaje të
ndryshme të jetës, ndërsa rri me bërryla në parvaz të dritares së dhomës dhe
faqet i kam të lëshuara në shuplaka. Gjithçka lidhet me lulen dhe pranverën, me
degëzat në gjethim të pemës, me rrëfimet dhe fshehtësitë që i ka në vete secila
rrugë, secila shtëpi, secila dritare, secila portë… përmes së cilës me ikin e
më zgjojnë kujtime zërat e tyre që s`janë më e gjithnjë e flasin gjithësinë e
përjetshme të qytetit të Prishtinës. E dëgjoj papritur, në këtë mbrëmje të
Pandemisë Covid -19, zërin e gjyshit tek e përshkruan qytetin që nuk e njoh të
tillë. Ja, sesi rrjedh i akorduar zëri.”Qyteti qe i vogël. E përshkonin në dy
krahët e vet dy rrjedha të ujit. Rrugicat në kalldrëme iknin nëpërmjet zemrës
së secilës tërësi të madhe apo të vogël të qytetit…” Kryeqyteti tashmë është
zgjeruar. Natyrisht dhe me djersën e gjyshit e të babait dhe me përpjekjen e
atyre që krijojnë çdo gjë për historinë. Është Universiteti, Instituti
Albanologjik, ai i Historisë, Instituti i Shëndetësisë, Instituti i
Arkeologjisë, Instituti i Drejtësisë, Instituti Për Mbrojtjen e Natyrës e me
radhë. Ai qyteti i vogël, me rrugë në kalldrëme tashmë është shndërruar në një
Metropol të bukur, të shkruar me të gjitha ngjyrat e ylberit, me 30, 087 nxënës
të fillores, me 11, 159 nxënës në shkolla të mesme dhe me
dhjetëra mijëra studentë, të cilët mësojnë të kryejnë fakultetet e të
përgatiten të ecin në sferat e ndryshme të punës e të jetës. Ai qyteti i
gjyshit tim, me dy parqe të bukura, ai i Qytetit e parku i Taukbahçes… Qyteti
im më pret dhe mua, ndërsa “Rri n` shpi” e pres të dalë prej karantinës dhe ta dërgoj dashurinë,
përjetimet dhe çdo që më lidh më kryeqytetin,
ta shpreh përmes tregimit “Në
karantinë” dhe në këtë rrjedhë, ndërsa Kosova po përballet me përhapjen e
Koronavirusit dhe njerëzit gjenden në izolim në shtëpitë e tyre, është menduar
një mundësi të kalohet më mirë koha. Natyrisht duke lexuar dhe libra e duke shkruar ndonjë tregim.