| E enjte, 07.05.2020, 03:28 PM |
BABAI NUK E NDANTE SHIKIMIN NGA VARREZAT, OSE, SI NGELËN DUART E TIJ NË DUART E MIA...
-Fragment
i shkurtër nga libri, “NJERIU ‘PA’ VENDLINDJE”-
Nga
Sejdi BERISHA
Atë
ditë, në varrezat e xhamisë kishte kositur më shumë se ditëve të tjera dhe
sigurisht se ishte lodhur, të them nga puna e jo nga mosha që mbante mbi supet
e veta si një histori të trishtë, jo vetëm të vetën por edhe të kombit dhe të
atdheut. Por, si duket, kjo nuk i bënte përshtypje, ngase, ai e kishte një
dëshirë të pashpjeguar për t’i mirëmbajtur varrezat, gjë të cilën, shqiptarët,
mund të them lirisht se tradicionalisht nuk e kishin zakon, dhe mu për këtë,
nëpër kohë janë tretur gjurmët e varrezave si dëshmia dhe shenja më thelbësore
historike mbase edhe kombëtare dhe fetare! Por krahas mirëmbajtjes se
varrezave, barin e njomë që e kosiste, e shfrytëzonte për t’i ushqyer dy dhitë
që i mbanim për qumështin dhe kosin e familjes.
Kapërceva
murin e oborrit të xhamisë dhe iu afrova babait ku ishte duke pushuar. Kishte
qenë, siç themi ne, në kokërr të gjumit. Kujdesshëm e zgjova, por, edhe më
kujdesshëm, ai u kthye në anën tjetër duke mbledhur gjurin e këmbës së majtë
për t’u ngritur në këmbë.
-Ik!-më
tha. Mos ma kap dorën, se edhe do ditë do provoj të lëvizi e të ngritëm vetë në
këmbë...!
Nuk
fola. As ai nuk tha gjë. Gjithmonë ishte fjalëpakë. U nisëm për në shtëpi. Por,
posa mbërritëm, ai ia mësyri shtratit të vetë dhe sërish u shtri...! Nga pak,
edhe pse nuk dëshironte, i lëshonte disa gjëmime të thella, përmes të cilave më
bëhej se i numëronte kohërat dhe sfidat me të cilat ishte përballur dhe ishte
kacafytur...
Pas
disa orësh që kaluan, më shkoi mendja se do të ishte më mirë që ta dërgoja në
spital, edhe pse, ai kurrë dhe kurrë nuk e ka dëshiruar mjekun dhe as ilaçet, e
lëne më spitalin!
-Do
të shkojmë ke mjeku. Të shohim se çfarë po na thotë ai! -i thash prajshëm, duke
ia ledhatuar duart, që për mua ishin shumë të ngrohta dhe të ëmbla, mjaltë!
Më
shikoi e më shikoi me sy të mekur, dhe pas pak më tha:
-Po!
Po shkojmë...!
Deri
atje ecëm këmbë, sepse, nuk kishte taksi, besa edhe nuk kishim “lekë”. Pasi e
vizitoi mjeku, atëherë shef reparti ishte një mjeku, Iliq e quanin, më tha se
babai duhet të shtrihej në spital, sepse, lukthin e ka në gjendje shumë të
keqe. Tash, sërish ngadalë dhe kujdesshëm i tregova babait se pak ditë duhet të
qëndrojë në spital. E dija se nuk e donte spitalin...!
-A
bash duhet të qëndroj në spital, a?! -më pyeti me zë të ulët por pelin.
-Po!
-ia ktheva. Më mirë është të qëndrosh në spital, sepse, do pak shërim lukthi.
Uli kokën dhe nuk foli.
E
putha në të dy faqet asht e lëkurë, dhe pasi e vendosa në një dhomë ku kishte
shumë të sëmurë, isha si i djegur zemre e i thyer shpirti.
Prej asaj dite, babanë për çdo ditë e vizitoja në spital, kurse, ai tanimë kishte zënë shoqëri me shumë pacientë, dhe kjo ia lehtësonte mërzinë për sëmundjen dhe për jetën. Spitali i qytetit atëherë gjendej afër stacionit të trenit, ose te Ferovia, siç e quanin shumica e qytetarëve stacionin e trenit.
Është
interesant të theksoj, se, sa herë që shkoja në spital për ta rruar, drejtonte
shikimin kah unë dhe më thoshte: a po i rruan edhe këta dy shokët që i kam afër
me shtrat?... -ia puthja ballin dhe i thosha: me dëshirën më të madhe, o plaku
im!...
Mirëpo,
babai dot nuk e merrte veten, por, përkundrazi, sikur shëndeti prej ditës në
ditë i përkeqësohej. E, nga e tërë kjo, më i tmerrshmi dhe më trishtuesi ishte
rrëfimi i babait, atëherë kur pasi që ishte kthyer në shtëpi për festën e
Bajramit, u kthye sërish në spital. Duke u kthyer së bashku me te sërish në
spital, kaluam përkrah xhamisë. Tani, babai e mbante edhe shtagën kërrutë.
Prit, më tha, dhe u ndal para varrezave të xhamisë. Ma dha shtagën kërrutë, dhe
ngriti duart e u lut për shpirtin e të gjithë të vdekurve, që në periudha të
ndryshme kohore ishin varrosur këtu, në oborrin e xhamisë. Atëherë, vazhduam
rrugën për në spital.
Nuk
e ndante shikimin nga varrezat. I thash: hë, babë...?! Dhe, fjalët tjera nuk më
dolën as nga goja as nga zemra. Më shikoi dhe më tha:
-Eh,
more biri im... Ti e din se sa kam hequr në këtë jetë...?!!
Në
këtë moment, sikur para meje doli tërë jeta e tij, i cili asnjëherë nuk ishte
përkulur, por kishte qëndruar gjithnjë vertikalisht. Për atë, edhe unë këtë
fjalë “vertikalisht” shumë shpesh e përdori edhe në shkrimet e mia, sepse, më
ngjanë në atë lapidarin e pathyeshmërisë!
***
Dhe,
ashtu pa ndërruar asnjë fjalë, unë dhe babai arritëm në spital. E vendosa në
shtrat, por m’u duk se aty e lash mu si një pjesë të trupit tim, si një pjesë
të historisë së familjes dhe jo vetëm të familjes...! Nuk pat dëshirë të
shtrihej sërish në spital. Heshti, dhe shih, fshehtas e tradhtuan lotët, të
cilët mua më goditën edhe më shumë, ma lënduan edhe rrugëtimin tim rinor edhe
ashtu të ngarkuar me përplasje e trakullima jete dhe me vrushkuj rinie, të
cilat në moshë rinore lëndohen dhe vriten lehtë!
Pasi
u ktheva në shtëpi, tërë ditën dhe tërë natën shpirti nuk më rrinte i qetë. Nuk
mund u durova, dhe vendosa, shkova dhe e nxora plakun nga spitali. Kur i thash
se kisha ardhur për ta marrë dhe për të shkuar në shtëpi, m’i ledhatoi faqet
sikur kur fshihen lotët që përlajnë çdo gjë, si valët e detit kur çmenden, ato!
-Të
faleminderit, biri im! Tani ndjehem më mirë, vetëm se e kam një lutje...
-Thuaje,
babë!...
-Pasi
po dal nga spitali, a ke mundësi së t’i rruash edhe kësaj radhe këta dy shokët
e mi?!...
Pajisjet
e rrojës ia kisha lënë në syzën te krevati i tij, andaj, pa hamendje i thash:
-Po
si nuk bën, or plaku im!
M’u
falënderua sikur të isha i huaj, kurse, me dy shokët e dhomës në spital por
edhe me të sëmurit të tjerë që gjendeshin në dhomën e tij, u përshëndet si
mërgimtari në momentet kur do ta braktisë vendlindjen, i cili nuk di se a do të
kthehet më, dhe a do të takohet me anëtarët e familjes.
U
kthyem në shtëpi. Ai, tani e dëshironte vetëm shtratin. Dhe, afrohet shkurti i
vitit 1973! Plaku, tash ishte bërë pjesë e pandarë e shtratit, dhe kishte
dëshirë që gjithnjë t’i rrija pranë, por, nganjëherë duhej freskuar dhe
ndërruar shtrojën e shtratit. Kështu që, unë, për pak minuta e vendosja në
shtratin tjetër, trupin e tij që ishte i tëri vetëm kockë.
Njëherë,
me shumë kujdes e mora para duarsh dhe e vëna në shtratin tjetër vetëm për pak.
Kur e vendosa, ai, ia plasi vajit, mu si fëmijë. Desh sa nuk më dolën mentë.
Mendova se a mos e lëshova në shtrat pa kujdes dhe me rreptimë. Por, nuk ishte
ashtu. E vërteta ishte se eshtrat e tij i kishin grumbulluar dhembjet e gjithë
dynjasë!
E
pyeta me loçkë të zemrës se pse ia krisi vajit. Isha shumë kureshtarë që të
dija të vërtetën. Ai, prapë duke qarë, nuk e di se prej nga i vinin gjithë ata
lot nga trupi i tharë, më tha:
-Djali
im, pashë të Madhin Zot, të mos t’ju vjen mërzi nga unë dhe nga sëmurja ime...!
Kur
më tha kështu, e mora vesh shkakun e lotëve. Atëherë, desh sa nuk ia theva ato
kocka të mbetura në lëkurë, duke e përqafuar. I thash se edhe njëqind vjet të
tjera po të jetonte, ai, është pjesa më e dashur e shpirtit dhe e zemrës sime.
***
Kështu,
ditë pas dite, erdhi edhe ajo dita e enjte, ajo dita e pesëmbëdhjetë shkurtit
të vitit 1973. Gjithnjë rrija pranë babait. Ashtu kërkonte ai, dhe më tha që me
të dy duart e mia t’ia shtrëngoja duart e tija, me të cilat e kishte pedatur
tërë atë jetë, e kishte fituar bukën e familjes, e kishte ledhatuar dhe
madhështuar tokën, me të cilat ishte lutur për të mirën e njerëzimit, edhe të
kombit, për atdheun që asnjëherë nuk arriti ta shihte dhe përjetonte të lirë e
të buzëqeshur! Kërkonte edhe akull, sepse, trupi dhe shpirti i kishte marrë
flakë. Sikur i tëri digjej.
Akullin
e bluar, si kokrrizë, me lugë ia jepja kohë pas kohe dhe atë deri në orën
gjashtëmbëdhjetë(16:00), kur luga e fundit me akull i ngeli në gojë. Nuk mundi
ta flladiste edhe pak as lukthin, as zemrën, as shpirtin, dhe kështu, duart e
tij ngelën në duart e mia. Iku plaku im me shkrumbin dhe zjarrminë për
shumëçka, që është histori në vete kjo “përrallë” e jetës!
Në
ato çaste, edhe pse ishe muaji shkurt, një rrebesh shi i përcjellë me bubullima
të forta e përcolli në lartësi shpirtin e babëlokut tim! Ndoshta ndodhi kështu,
pse iku plaku im përgjithmonë nga jeta dhe ma la amanet veprën dhe jetën e
vetë, padyshim të madhërishme.
Është
interesant. Para se të vdiste, më kishte thënë: ruaje dhe kujdesu për nënën
tënde, sepse, ka hequr keq në këtë jetë, për t’iu rritur mirë, ndershëm dhe me
frymën e familjes e cila e do njeriun, e do kombin dhe tokën e vetë. Respektoji
motrat, dhe në rast nevoje, mbështeti aq sa ke mundësi, aq sa ke forcë
materiale... Por, edhe dashurinë prej tyre kurrë mos e braktis, sepse, edhe ato
kanë hequr dhe kanë vuajtur për ta ruajtur e kultivuar familjen me thelbin e
madhështisë njerëzore, me edukatën që reflekton vetëm fatbardhësi dhe
krenari...
Biri
im..., bashkëshorten tënde, duaje, ruaje, përkrahe dhe kujdesu fortë për te,
ngase, shumë na ka respektuar, kurse për mua është kujdesur si për fëmijën e
vetë...!