| E enjte, 07.05.2020, 03:33 PM |
Kalorësi i hyjnizuar i Dardanisë
Nga
Haxhi MEHMETAJ
Gjatë
punimeve bujqësore brenda mureve rrethuese të qytetit të antik të Ulpianës
(gjendet 8 km larg Prishtinës), në jugperëndim të tij u zbulua një stelë
mermeri më epitaf, e cila ka vlerë jashtëzakonisht të madhe për njohje të kulteve,
të antroponimisë dhe artit të Ulpianës në veçanti dhe të Dardanisë në
përgjithësi (fig.1). Stela është e dëmtuar pjesërisht në të gjitha anët. Është
përmasash 70 x40 x 25cm. Ka trajtë pesëkëndëshi. Përbehet nga edikula dhe fusha
mbishkrimore. Në edikulë është skalitur portreti i kalorësit duke kalëruar. Ai
është veshur më një këmishë të shkurtër, sipëri së cilës ka hedhur klamidën e
cila e stilizuar në trajtë të tri flatrave valëvitet mbi shpinë.
Kalorësi
është i armatosur dhe i kthyer frontalisht. Më dorën e djathtë të ngritur lartë
mbanë heshtën e përgatitur për sulm, ndërsa në brez e ka venë thikën. Kali
është dhënë në pozicioni vrapimi dhe pajisur më takëmin e tij, shalë dhe frerë.
Në profil nën barkun e kalit është skalitur qeni i gjahut i cili shoqëron të
zotin poashtu i dhënë në pozicion vrapimi. Cilat janë figurat tjera që
shoqëronin kalorësin, derri i egër apo ndonjë figurë tjetër, për shkak të
dëmtimit të stelës është vështirë të dihet. Megjithatë mbi këmben e majtë të
përparme të kalit vërejmë kokën e gjarprit.
Në
fushën mbishkrimore (30 x 21 x 10cm) është skalitur epitafi i shkruar më
shkronja të mëdha dhe të hijeshuara me serife në disa rreshta. Lartësia e
shkronjave 2 - 4cm. Liguaturat në përdorim në rreshtin e katërt AV dhe në
rreshtin e pestë LI. Shkurtesat janë ndarë me shenja pikësimi në formë të
shigjetës. Ruhen të plotë tre rreshta. Ndërsa janë dëmtuar pjesë të rreshtit të
katërt dhe te pestë.
Epitafi
: FL.PAETINUS/VIX.ANN. XV./H.S.E./FLAVI. LYCA.../CORNELI...
Lexohet:
T. Fl(avius) Paetinus / Vix(it) Ann(is) XV/ H(ic) S(itus) E(st) /Flavi
Lyca(i)/Cornel(ia?)...
Mbishkrimi
dëshmon që djaloshit T. Flav Petinit të vdekur në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare
përmendoren ia ngritën i ati, me gjasë nëna Cornelia dhe ndonjë anëtar tjetër i
familjes. Cilat ishin të bëmat e djaloshit për t'u përjetësuar në mermer,
mbrojta e nderit të familjes apo lufta kundër armikut. Këtë nuk e jep
mbishkrimi. Gentilici Flavius i shkruar dy herë, se pari në cilësinë e nomenit
dhe se dyti në cilësinë e pranomenit është tregues që të paret e djaloshit, të
drejtën e qytetarisë së lirë, të Perandorisë Romake e kishin fituar në fund të
shek. I pas Krishtit, gjatë sundimit të dinastisë së Flavëve. Ndërsa monumenti
sipas stilit të germave do vendosur në fillim të shek. III pas Kr.
Bartësit
e mbishkrimit ishin më origjinë ilire. Këtë e përligj nomeni i antroponimisë
ilire Lycus, i dhëne në trajtën
Lycai. Ky emër në Ilirinë Veriore
dëshmohet në trajtat Liccaius, Liccai, Liccaius, Licco etj., ndërsa në Dardani
në trajtën Lucus (Lucae) dhe Licco (Licconis).
Kulti
i kalorëseve shfaqet qysh në epokën parahistorike, ndërsa adhurim më të madh
gjënë në antikitet. Jam i mendimit që kalorësi i Ulpianës paraqet heroin e
hyjnizuar sipas shembullit dhe kuptimit të hyjit dardan Tato. Monumentet i
hyjit Tato më ikonografi kalorësi është dëshmuar në Bulesavc të Vranjës (Serbi
e sotme) dhe në mbishkrimin e një altari votiv në qytezën dardane të Kleçkës së
Malishevës (Kosovë). Adhurohej si perëndi i stërgjyshërve, pajtor i shtëpisë, i
vatrës dhe i fisit.