| E enjte, 07.05.2020, 03:53 PM |
Lexova një libër që më mrekulloi
Nga
Meri Lalaj
Kur
e pyesja shokun tim të klasës në gjimnaz, Kristaq Nanushin: me çfarë po
merresh? Ai më përgjigjej thjesht: me Bendo Shapërdanin… Dhe mbeti ngulur për
një kohë të gjatë atje, në Sallën e Studimit, në Bibliotekën Kombëtare.
Kristaq
Nanushi ka shkruar dhe botuar disa libra, mund të përmend: “Legjendat e
Liknidës”, “Legjendat e Enkelanës”, “Pogradeci, vendlindja ime”, “Pogradeci në
shtypin e viteve (Bibliografi). Gjithashtu ai ka shkruar disa skenarë për
dokumentarë dhe filma artistikë si edhe ka botuar në gazetën “Drita” dhe
revistën “Nëntori” shumë artikuj kritikë para dhe pas viteve ’90-të.
Kujtova
se ky do të ishte një libër me të dhëna historike për këtë kapedan madhështor
dhe fare pak të njohur, ndonëse lexova titullin “Bendo Shapërdani në kohë
orëliga” dhe poshtë tij shënohej roman.
Në
kopertinën e shpalosur në të dy anët shohim një luftë të atyre viteve.
Kopertina është punuar mjeshtërisht nga piktori i talentuar pogradecar Anastas
Kostandini (Taso). Në faqet e para të librit ndodhet portreti burrëror i Bendo
Shapërdanit me sytë e tij që rrezatojnë mirësi dhe trimëri punuar nga piktori
Gentian Tola. Kështu fillova ta lexoj dhe nuk u ndala deri në fund këtij romani
që më këndelli dhe më emocionoi fort.
Emrin
e Bendo Shapërdanit e kam dëgjuar që në vogëli, në qytetin tim të lindjes,
Pogradec, madje mbaj mend edhe vargjet:
More
Bendo Shapërdani,
Në
Stamboll të vajti nami!
N’atë
Starovë të shkretë,
Turq,
o të zinj më s’mbettë!
Dy
janë arsyet për të cilat u mrekullova me këtë libër: E para, brezi im dhe
brezat më tej e kanë mësuar historinë e kombit të përçudnuar, u janë thurur
lavde njerëzve që nuk e kanë merituar aspak, me një fjalë kriminelëve dhe
shkatërrimtarëve. Le të kujtoj anadollakun injorant të Shqipërisë së Mesme
Haxhi Qamili, i cili donte ta kthente mbrapsht rrotën e historisë me bëmat dhe
zullumet e tij. Apo Shahin Matraku e më vonë nipi i tij Kajo Babjeni, që i
përkasin zonës juglindore, fshatrave të Korçës dhe Pogradecit. Dikur Shahin
Matrakun e mbanin si një Robin Hood shqiptar, që gjasme ndihmonte të varfërit,
madje për këtë është shfrytëzuar edhe piktura e piktorit Spiro Xega “Shahin
Matraku dhe çeta e tij”. Për fat të mirë
para nja tre vitesh lexova librin e piktorit dhe kritikut të veçantë të artit,
të ndjerit tashmë Gëzim Qëndro “Heronjtë janë të uritur”, që analizonte
hollësisht jo vetëm pikturën e Spiro Xegës, por edhe ngjarjet lidhur me të,
duke qëmtuar në Bibliotekën Kombëtare deri ditarin dhe shkrimet e Gjergj
Qiriazit, i cili u zu rob nga Shahin Matraku, u zvarrit si peng gjashtë muaj
radhazi shpellë më shpellë derisa u sëmur për vdekje. Mendoni për shkakun e një
xhahili dhe një katili humbëm Gjergj Qiriazin, mëmëdhetarin e shquar!
Ne
dinim emrat e këtyre hajdutëve pa din e iman dhe nuk dinim emrat e Suli
Starovës dhe Bendo Shapërdanit. Kristaqi e ka lexuar këngën e Bendos që në
librin e klasës së pestë. Më vonë bashkë me kompozitorin Kristaq Koci e
përgatitën këngën dhe e paraqitën në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në
vitin 1973. Më vonë shkroi një legjendë
në njërin nga librat e tij.
Së
pari, kënga për Bendo Shapërdanin është botuar në librin e Thimi Mitkos “Bleta
Shqiptare” në vitin 1878. Në vitin 1929 Mitrush Kuteli botoi në Rumani një
rrëfenjë lidhur me këtë temë, ndërsa në vitin 1980, Sterjo Spasse botoi një
novelë. Tani Kristaq Nanushi na dhuron një vepër të mirëfilltë artistike nga
përmbajtja dhe bukuria. Vendosja e ngjarjeve të romanit i takon fundviteve të
shekullit të 18-të. Dua të kujtoj se shumë kryengritje po tronditnin
Perandorinë Osmane në atë kohë në Ballkan dhe Shqipëri. Për fat të mirë këto
javët e fundit lexova edhe librin “Katër Burrat” shkruar nga Doktor Fedhon
Meksi dhe mësova shumë për figurën e Mahmut Pashë Bushatit, por sidomos për Ali
Pashë Tepelenën (që e njihnim thjesht si mizor, në të vërtetë ai ka qenë njeri
që donte me doemos përparimin e kombit tonë)..
E
solla në vëmendje këtë libër historik për faktin se ngjarjet në romanin “Bendo
Shapërdani në kohë orëliga” zhvillohen në të njëjtën periudhë kohore në të
cilën sundonin Mahmut Pashë Bushati në veri dhe Ali Pashë Tepelena në jug.
Heronjtë kryesorë dhe luftarakë të romanit Bendo Shapërdani dhe Suli Starova
janë mbartës të shpirtit trimëror dhe atdhedashës të popullit shqiptar. Të dy
trimat me shembullin e tyre frymëzuan mijëra burra për të luftuar armikun.
Autori
i përshkruan shumë bukur me ngjyra të ndezura ambientet orientale në sarajet e
Ahmet Pashait dhe në Kalanë e Ohrit. Njerëzit që i shërbejnë këtij Pashai kanë
në gjak ligësinë, grabitjen, kurthet, spiunimet, pabesinë…Jam habitur kur kam ndjekur
zhvillimet e betejave ndërmjet turqve dhe çetave të Bendos dhe Sulit, autori të
duket sikur ndodhet vetë në sheshbetejë dhe drejton sulmin tok me trimat. Sepse
Kristaq Nanushi para se të ulej e të shkruante romanin ka shkelur me këmbë çdo
vis që e përshkruan në këtë libër. Ngjajnë si teatër vendet ku zhvillohen
betejat: Fusha e Starovës, Pylli i Gështenjave, Tushemishti, Shën Naumi dhe,
matanë liqenit, Ohër, Strugë, Manastir.
Përveç
sfondit historik që përmenda më lart, autori na përshkruan bukuritë e rralla
magjepsëse të Liqenit të Ohrit (Liknidës), të fshatrave rreth e rrotull tij.
Përshkrimet janë aq të bukura me drurët në lulëzim, me lulet e malit lloj-lloj,
me zogjtë që ia marrin këngës dhe më duket sikur autori ka mbledhur anës së
gjolit guriçka të vockëla, copëza kristali
e me to porsi një piktor i mirëfilltë ka krijuar një mozaik të
mrekullueshëm të jetës në ato vite me të gjitha ngjyrat e mundshme. Kështu ka
përshkruar jo vetëm natyrën, mjediset ku jetojnë njerëzit e thjeshtë në ato
peizazhe aq të bukura, por edhe psikologjinë dhe mendësinë e atyre njerëzve të
asaj kohe.
Kristaq
Nanushi na tregon se është mjeshtër i vërtetë në rrëfimin e ngjarjeve të
romanit, ai e ka kapur fort për brirësh çdo situatë të krijuar pa u bërë i
mërzitshëm për lexuesin. Takimet e Bendos me zotërinjtë Asllan Hysa dhe Namik
Mane, burra shumë të kulturuar, që punojnë mësues në Manastir dhe që e duan
Shqipërinë të lirë, fjalimet që u mbajnë fshatarëve në kazanë e Starovës ngrenë
peshë zemrat e tyre dhe marrin hov për ta luftuar hasmin me çdo kusht. Gjithë
kjo frymë luftarake i paraprin Rilindjes sonë Kombëtare që do përndritej pak
dekada më vonë .
Paralelisht
epikës së luftës ballore midis ushtrive turke, që thuhej se ishin 40 mijë
ushtarë nën komandën e Ahmet pashait dhe fshatarëve kryengritës që
vullnetarisht mblidheshin nën komandën e Sulit dhe Bendos epiciteti ishte i
madh ndonëse prapa linin jetimëri dhe therori. Zulmi dhe lavdia e tyre ishte aq
e jashtëzakonshme saqë nami shkoi deri në Stamboll dhe e pati trazuar fort
sulltanin dhe administratën e tij, ndaj vinin urdhërat e sulltanit njëri pas
tjetrit për ta kapur gjallë ose vdekur Bendon. Në mos, pashait të Ohrit i duhej
të çonte kokën e tij në Stamboll. Luftimet në roman janë përshkallëzuar në
mënyrë bindëse dhe logjike, ku furia e ngjarjeve ngre lart tek lexuesi dallgët
e emocioneve.
Një
linjë e rëndësishme e subjektit janë kuvendet që kapedanët mbajnë në Namazgjah
të Starovës. Aty vihet re fryma luftarake patriotike, dashuria për liri dhe
dëshira për t’u bashkuar në një luftë të përbashkët. Përtej kësaj njohim
strukturën feudalo-ushtarake të Perandorisë Turke në vendet që ajo pushtonte.
Një
linjë shumë e rëndësishme është ajo e idilit të dashurisë së Bendo Shapërdanit
me vajzën maqedonase Veselina, të cilën ai e thërret shqip Vesa. Si prozë poetike tingëllojnë fjalët që
shkëmbejnë me njëri tjetrin dy të dashuruarit, Bendo dhe Vesa, pastaj vizita e
tyre në Kishën e Shën Naumit dhe biseda me priftin e mençur. Kjo kishë ka qenë
një thesar i çmuar ku ruheshin libra dhe stili i të shkruarit të këtij libri
është tejet i veçantë: gjuha është afër së folurës në fundshekullin 18-të, një
gjuhë e zhdërvjellët me një frazeologji të pasur, përdoren fjalë të vjetra,
autori e kërkon fjalën të jetë sa më e bukur dhe në vendin e duhur. Ky autor
përpiqet që fjalët e rëndomta, të zakonshme, t’i lartësojë dhe të bëjë art.
Arsyeja
e dytë, që më mrekulloi në këtë libër është pikërisht fjala shqipe, ajo e
shenjta me të cilën jemi mëkuar që në djep. Mund të jap shembuj, sepse duke lexuar
librin nënvizova disa syresh, që e lartësojnë gjuhën tonë të bukur: (orëliga,
tremë, këndëllente, muziktarët, hajet, humbellat e mendimeve, këmbëshkallët,
gjumëprishur, dredhullonte dritë, vorbullonin kujtimet, kokëngriturve,
rrahmendur, terrnate, tejqyrën, syçapluar, gërrmëremi, zhurmërimë, urtak,
ftujak, mbushullimë, tufëlonin, u lektisën, pispunët, pisjeta e të tjera) Për mendimin tim,
këtij personazhi historik, autori jo thjesht i ka hequr pluhurin e harresës, por p ka dhënë një dritë
rrezëllitëse e kuptimplote për të gjitha kohët. Momenti më i dhimbshëm është
vrasja me tradhti e Bendos. Atij ia presin kokën, por ai nuk bie. Këtu ngrihet
legjenda. Edhe pse pa kokë, ai vazhdon luftën me armiqtë duke shkulur lisat aty
pranë dhe duke i hedhur mbi ta. Një skenë sureale që monumentalizon heroin e
pamposhtur. Ndaj për të populli ka ngritur atë këngë që është ndër më të
bukurat e epikës folklorike kombëtare.
Romani
“Bendo Shapërdani në kohë orëliga” mendoj, është shumë i përshtatshëm, madje i
gatshëm për t’u bërë film.
Lexuesi,
sidomos ai pogradecar, do të ishte i dëshiruar që nga dora e këtij shkrimtari
të shihnim vepra të tjera të realizuara kaq bukur.