Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Kalana: Shqiptar - ball' fisnikërie

| E merkure, 06.05.2020, 10:55 AM |


Luan Kalana

SHQIPTAR – BALL’ FISNIKËRIE

...portret poetik i Shqiptarit

-Rudhat e ballit - fytyrë fisnikërie,

shenjë horoskopi, moshë pjekurie,

brazda hallesh, lumenj djerse,

vija pentagrami, nota simfonie.

Rrudhat e shqiptarit, epitafë jete,

plagë, vuajtje e halle, dhimbje,

libra paqeje, jetë enciklopedi,

dramë pavdekësie, luftra për liri.

-Balli me rrudha, qëndresë burrërie

shqipe e shkruar në kuq e zi,

njolla gjaku rrathëve të trungjeve ,

pllakë gramafoni, himn për Shqipëri.

Balli me rrudha skalitur si gur,

trimat luftëtarë në shekuj,

rreshta me fjalë, libra, amaneti,

qëndisur si shqipja në flamur.

-Lermë t’i ledhatoj rrudhat në ballë,

reliev kështjellash, stoli Atdheu im,

male istikame, lumenj gjaku për liri,

hartë e shenjtë e Nënës Shqipëri.