| E diele, 03.05.2020, 07:27 PM |
Sula
Nga
Edison Ypi
Në
kafenenë e një lavazhi buzë autostradës, ulur, vetëm, kafe, cigare, rrathë
tymi, muri përballë. Kështu e njoha Sulën e rreptë me sytë me shkëndija. Sula
është trembëdhjetë vjeç. Sula ka zbritur nga Kuksi. Sula nuk kishte lindur në
dhjetor të nëntëdhjetës. Sula ka bërë pesë klasë shkollë. Sula është fukara.
Sula është fëmijë i gjashtë. Sula ka baba të verbuar nga një shpërthim në
minierë. Sula është ngjizur nga baba i verbër. Sula është bir i pasionit të
errësirës. Sula ka vëllezër e motra shumë, asnjë në punë. Sula, babai i Sulës,
nëna e Sulës, vëllezërit e Sulës, motrat e Sulës, kanë ndërtuar një barrakë të
vogël buzë autostradës. Sula nuk di ç’bëhet në qytet, nëpër shkolla, nëpër
libra, nëpër disko, nëpër gazeta, nëpër televizora. S’e ha meraku Sulën për të
tilla. Ka halle Sula. Sula nuk rri kot. Sula punon gjithë ditën. Sula nuk e
njeh lodhjen. Sula mban gjallë jetën duke vrarë vdekjen. Sula u bën bunkerëve
atë që bombat nuk ua bëjnë dot; u heq hekurin. Me hekurin e bunkerave të
vdekjes Sula fiton 1 euro në ditë. Sula punon, fiton, jeton, mendon, ëndërron,
në një kilometër autostradë. Ç’nuk i shohin sytë e ç’nuk i dëgjojnë veshët
vogëlushit të mprehtë, fukarait, punëtorit të palodhur Sulë. Ja banditi me
makinë tek po vjen me dyqind në orë. Dje një makinë shtypi dikend duke
kapërxyer murin e autostradës. Tre qen shqyen makinat në atë kilometrin e
autostradës ku Sula mbijeton. Tre ditë ndenjën mishrat e shqyer të qenve mbi
asfalt derisa i shplau shiu. Sula sheh me çudi si një plakë që e ka shtëpinë
andej dhe kullotat këndej autostradës po mëson lopët të kalojnë mbikalimin.
Sula tmerrohet kur sheh një hallexhi që ka hipur mbi murin ndarës të
autostradës me një frigorifer dhe po pret një rast fatlum për t’u hedhur matanë
pa përfunduar nën rrotat e ndonjë Benzi. Sula e di çfarë bëhet brenda hoteleve
aty pranë, por Sula nuk bëzan, Sula nuk flet. Sula vetëm shikon, vetëm dëgjon,
vetëm punon, vetëm vrenjtet, vetëm mendon. Sula i sheh dhe i njeh të gjithë
fluturimthi; familjarin që vete në plazh, mafjozin me makinë të shtrenjtë,
italianin a gjermanin që nguten për në aeroport, kosovarin nga targa,
fillestarin që e nget makinën me dredha. Nga të gjitha këto Sula edhe zbavitet,
por më tepër kalitet, rritet. Kur po çarmatoste një bunker vdekjeje për t’i
marrë hekurin, Sulën e preku një nga ato makinat e shpejta. E preku dhe iku.
Prej disa ditësh Sula po rri në shtëpi. Njërin vesh e ka të zënë me pambuk.
Njërin sy pothuajse të mbyllur. Tjetrin sy të ënjtur. Buza i ka ikur pak
mënjanë. Por nuk epet, nuk ligshtohet Sula. Sula nuk është ngordhalaq. Sula nuk
është qaraman. Sula veç trimërohet, veç burrërohet. Horra, morra, hajduta,
kodosha, minj burokrata, pis analista, bosh opinionista, budallenj ministra,
shtazë deputeta, ruhuni nga Sula. Mos thoni nuk e dinim kur tua çajë fytin.
Biçak të mprehtë Sulë. Hajt, fillo Sulë. Hiqe pambukun nga veshi, dhe sokëlli'.
Hape syrin e mbyllur, dhe shkrepëti. Drejto buzën, dhe buçit. Nuk ka burrë me
të ndalë ty Sulë. Nuk ka mur që nuk shemb ti Sulë. Nuk ka beton që nuk
shkatërron ti Sulë. Nuk ka mal që nuk sheshon ti Sulë. Nuk ka të zezë që nuk e
zbardh ti Sulë. Zoti të ndihmoftë Sulë.