| E shtune, 02.05.2020, 05:01 PM |
Tri gabimet intelektuale të Blerim Rekës
Nga
Blerim Latifi
E
lexova një koment të Blerim Rekës mbi vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Në pak paragrafë, që përmban teksti i tij, doktori shkupjan i drejtësisë bën
tri gabime esenciale intelektuale.
Gabimi i parë: Kushtetuta nuk është
roman, thotë Reka. Teza e tij, qartësisht, ka konotacion pezhorativ për
letërsinë. Demek, sipas logjikës së tij, interpretimi letrar është çështje
joserioze, ndërsa interpretimi i kushtetutës është shkencë precize. Ky mendim
diletant nuk thotë asgjë për letërsinë, por thotë shumë për autorin e tij. Një
intelektual që flet në mënyrë të tillë për letërsinë, s'bën gjë tjetër veçse na
tregon se ka defekte serioze në formimin e tij kulturor.
Gabimi i dytë: Gjykata kushtetuese nuk
e interpreton atë që ka dashur të thotë autori i kushtetutës, por vetëm atë çka
thotë teksti në letër i kushtetutës, thotë Reka. Si jurist Reka do duhej të
dinte se që nga Monteskjeja dhe Etërit Themelues të Kushtetutës së SHBA-s,
bëhet dallimi midis letrës së ligjeve dhe shpirtit të ligjeve. Interpretimi
literal i tekstit të kushtetutës nuk është i gjithë interpretimi i saj. Ai
bëhet i plotë kur bëhet edhe interpretimi i frymës(shpirtit) së kushtetutës, e
me këtë term duhet kuptuar qëllimet dhe vlerat politike për të cilat është
shkruar kushtetuta. Pra, intepretimi i kushtetutës nuk është kurrë puro teknik.
Vendimi i djeshëm i Gjykatës kushtetuese për pezullimin e dekretit të
presidentit, duket qartë se respekton këto dy dimensione të intepretimit
kushtetues. Ligji i Gjykatës Kushtetuese, në nenin 27 të tij, thotë se kjo
gjykatë vendos masa të përkohshme pezullimi "ndaj një çështjeje që është
objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe
ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është
në interes publik". Rrezikimi i interesit publik nuk mund të përcaktohet
vetëm me letrën e kushtetutës. Është i nevojshëm edhe shpirti i saj. Siguria e
popullit është ligji më i lartë i shtetit dhe intepretimi i kushtetutës i
bindet këtij parimi.
Gabimi i tretë: Reka na fton që për të
kuptuar argumentin e tij duhet që të lexojmë Hans Kelsenin, të cilin Reka e
quan "baba i konstitucionalizmit". Po ta bënte këtë gabim një student
drejtësie i vitit të parë, do të arsyetohej disi, por kur e bën një doktor i
jurisprudencës, vërtet duhet të na vij keq për të. Kelseni është jurist i vonë
dhe kushdo që ka lexuar ndonjë tekst serioz në fushën e filozofisë të së
drejtës, e merr vesh se konstitucionalizmi në mendimin juridik perëndimor
fillon me Platonin dhe Aristotelin. Platoni në veprën e tij "Ligjet"
shkruan se begatia e shoqërisë njerëzore mund të jetësohet vetëm atëherë ligjet
janë mbi të gjithë. Ai e definonte rendin kushtetues si një rend ku ligji është
padron i pushtetit dhe pushteti shërbëtor i tij. Pas Platonit, Aristoteli, në
librin "Politika", thotë decidivisht se sundimi i ligji është më i
pëlqyeshmi se sundimi i individëve. Në ato që Aristoteli i quan "regjime
të drejta politike", ai e konsideron "Politenë" apo rendin
kushtetues, si formën më të avancuar të këtyre regjimeve. Në epokën moderne
është Xhon Loku, filozofi anglez, ai që vuri themelet e konstitucionalizmit
liberal, në veprën e tij "Traktati i dytë mbi qeverinë civile", më
shumë se dy shekuj para Kelsenit. Vetë Kelseni hyri në jurisprudencë përmes
filozofisë politike, problemi themelor i të cilës, nga Platoni tek John Rawls,
është problemi i drejtësisë. Punimi i disertacionit i Kelsenit ishte një studim
mbi filozofinë politike të Dante Aligierit, poetit të madh të Mesjetës, i cili
teoritizonte për shtetin sekular të ndarë nga religjioni. "Teoria e pastër
e ligjit" e Kelsenit është zhvilluar nën ndikimin e "normativizmit të
pastër" të Imanuel Kantit. Ligji suprem, thotë Kanti, është një normë
universale e pastër, në kuptimin se vendoset nga arsyeja e pa ndikuar nga
interesat e ndryshme. Carl Schmitt, rivali teorik i Kelsenit, e thotë diku se
"kur juristët fillojnë me mendu, bëhen filozofë". Blerim Reka duhet
të filloj që të mendoj.