| E premte, 01.05.2020, 10:30 AM |
Ruhu nga Xhaxhiu
Nga
Edison Ypi
E
ashtuquajtura intervistë televizive që përsëritet pafund natë e ditë në të
gjitha studiot televizive është katandisur për të qarë. Ka gjithçka. Pyetës, të
pyetur, llomotitje, filmime, drita, ngjyra, dekore, sigla. Por mungon kryesori.
Ai për të cilin televizioni ekziston. Ai pa të cilin televizioni vdes. Mungon
shikuesi, ndjekësi, i interesuari. Mungon ai i cili sapo ja ka hedhur sytë
spirrës verbale së quajtur "intervistë" ka ndërruar me vrap kanal.
Ose, në mungesë të ndonjë kanali tjetër me kakë rrjedhëse më pak kutërbuese,
preferon teknologjinë e para një shekulli, atë të fillimeve të Çaplinit, pra
figurës i ka hequr zërin, televizorin e ka heshtur, dhe po merret me diçka
shumë më të dobishme se televizioni, edukimin e gruas dhe kalamajve përmes
rrahjes.
I
vetmi që klishenë kriminale të televizionit mburracak e ka sfiduar, i vetmi që
shtegun e daljes nga bataku labirintik i televizionit me të ftuar dhe pa publik
e ka gjetur, është Xhaxhiu.
Je
politikan, studjues, shkrimtar, poet, valltar, instrumentist, dhe Xhaxhiu të ka
ftuar në studio për një intervistë.
Ruaju,
bëj kujdes, ji vigjilent.
Xhaxhiu
të punon qindin, Xhaxhiu të heq tabanin, Xhaxhiu ta luan tepelekun.
Xhaxhiu
të bën diçka që Xherxhnski, Gëbelsi, Koçi Xoxja, ajka e ekspertëve hitlerianë
gestapoistë të monitorimit dhe manipulimit të opinionit, SS-ët më të thekur të
kampeve të çfarrosjes dhe krematoriumeve, të gjithë ministrat e propagandës të
të gjitha diktaturave, përfshi ata kubanezë dhe koreano-veriore, bashkë me
prokurorët, gjykatësit, hetuesit, operativët, të mbledhur të gjithë bashkë kokë
më kokë nuk do ta bënin dot.
Pa
të thënë asnjë fjalë, vetëm duke të parë në mënyrë psikanalitike në sy, Xhaxhiu
t'i ka përcaktuar të gjitha; tepricën e uthit në stomak, qëndrueshmërinë e
kockave, numurin e syzeve, sasinë e dyllin në vesh, përqindjen e kolesterolit,
çrregullimet mendore, masën e budallallëkut, gradën e kalbëzimit të trurit.
Fill pas kësaj Xhaxhiu kalon në fazën tjetër. Ta gjen dhe ta thotë çfarë
cilësimesh të ekzaltojnë më tepër; "gjigand", "gjenial",
"madhështor", "fenomenal", "legjendë", apo
"korife". Edhepse gjithmonë e ke ditur çfarë kollosi je, hutohesh
paksa nga njëri, disa, apo batareja e superlativave të mësipërme. Por e merr
veten shpejt. Kupton se përderisa ato cilësime nuk po t'i bën dokushdo por
Xhaxhiu dora vetë, ti ato atribute i ke, ata tituj i meriton. Shtylla kurrizore
të dridhet, truri të nxehet, mishi të fërgëllon, gjaku të zjen, sytë të
shkrepëtijnë, veshët të oshëtijnë, ke rënë në jerm, në delir, në trans, po
provon një orgazëm pa penetrim që s'e kishe provuar kurrë më parë. Dhe nis e
ndizesh e derdhesh e lagesh e bëhesh qull në një lumë të pandërprerë
budallallëqesh që i sjell në studio si sjell lumi kërcunjtë nga malet. E
ç'rëndësi ka se atypëraty ti s'kupton asgjë. E kujt i plasi se vetëm pas nja
tre muajsh ti nis e dyshon se Xhaxhiu të talli.
Tallja
pra tallja, tallja është ajo që praktikon Xhaxhiu që të ftuarit t'ja zbrazi
barkun dhe zorrët t'ja bëjë kukurrec.
Tablonë
madhështore me të ftuarin prezent që vazhdon të dërdëllisë duke mos kuptuar se
Xhaxhiu po e tall, ndërkohë që publiku edhepse është larg talljen e Xhaxhiut e
kupton dhe e aprovon të tërën dhe qesh, këtë mpleksje gjeniale të
kohë-hapësirës i vetmi në botë që ka inteligjencën, imagjinatën, energjinë,
aftësinë, talentin, guximin, ta ideojë dhe zbatojë është Xhaxhiu.
I
talluri aty, tallja tek publiku, kjo ndarje e hatashme, kjo çvendosje e
përbindëshme, ky delokalizim i talljes i realizuar prej Xhaxhiut me
gjakftohtësinë e një vrasësi, vendosmërinë e një kasapi dhe precizionin e një
kompjuteri, është një metodë paksa e egër. Por aspak për faj të Xhaxhiut. Për
faj të budallenjve që bredhin studio më studio të cilëve Xhaxhiu u demaskon
shejtanbudallallëkun për t'i dhënë rolin dhe rëndësinë e duhur publikut.
Përdorimi
me nikoqirllëk i budallallëkut të kallaballëkut, pra i lëndës së parë që
gjindet pa asnjë mundim në sasira të pafundme dhe me kosto zero sidomos ndër
shqiptarë, në kushtet e pamundësisë për të zgjedhur ndonjërën nga rrugët e
shumta të Zotit, e kombinuar kjo me kalimin për vetëm pak çaste nëpër një
rrugicë të djallit, është një gjetje fantastike merita e së cilës i takon
Xhaxhiut.
Ta
pranosh ftesën e Xhaxhiut është të shkosh me këmbët e tua në thertore, në murin
e pushkatimit, në gijotinë, pa urdhër arresti, pa vendim gjyqi, pa kapuç sipër
kokës, pa xhelat, pa trung.
Ruhu
nga Xhaxhiu.
Xhaxhiu
të kafshon si fik, të qëron si mollë, të thyen si arrë, të shtrydh si limon.
Si
ja ka arritur Xhaxhiu që talljen ta shndrrojë në mjet vdekjeprurës më efikas se
përqafimi i ariut, puthja e ujkut, pickimi i gjarpërit, këtë askush nuk e di.
Ndoshta ngaqë Xhaxhiu zotësinë për të tallur 1 budalla në funksion të ruajtjes
së shëndetit psiqik të gjithë të tjerëve e ka ngritur në Art.