| E enjte, 30.04.2020, 02:06 PM |
HOMAZH
Vlera njerëzore që
nuk shuhen kurrë
Nderim
për “Mësuesin e Merituar” Ali Brahimi
Nga
Fran Gjoka, Lezhë
Jeta
është e ndërtuar e tillë, që ka një fillim edhe një mbarim. E gjithkush në këtë
jetë, me mundësitë që i krijohen dëshiron që të bëj gjëra të tilla që të mbetën
në jetë, që t`i shërbejnë njerëzve, t`i shërbejnë ecjes përpara për të mirën e
fëmijëve, nipërmve dhe mbesave,brezave që vijnë. Aq më tepër që kjo merr më
shumë vlerë në sistemin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku ke nxjerrë
prej duarve të tua breza të tërë nxënësish, që do të vazhdojnë rrugën e jetës
me ritëm,me dashuri për të mirën dhe drejtësinë dhe me dëshirën që shërbesa e
tyre të jetë fisnike dhe e dashur për gjithkënd. Vjen një cast që jeta
ndërpritet krejt, duke lënë pas te të dashurit dhe të njohurit dhembje dhe lot,
por dhe kujtime të mira dhe të paharruara.Kujtime që mbetën nga brezi në brez
dhe kujtohen vazhdimisht, madje brezat i referohen si shembuj dhe modele sesi
duhet të ecet në jetë.Kështu, mësuesi i merituar dhe i respektuar Ali Brahimi,
ndërroi jetë pak ditë më parë në qytetin
e Lezhës. Një lajm që na hidhëroi pa masë, teksa e sillja ndërmend emrin dhe
veprën e tij,përkushtimin në vite për t`i shërbyer jetës dhe brezit të ri,
fëmijëve.
Atë
mëngjes, sapo mora lajmin, ashtu i dhembshur siç isha, gjëja e parë që bëra
ishte telefonata në familjen e profesor Aliut, për t'i shprehur ngushëllimet e
rastit. Por ajo ishte pak, fare pak nga sa dëshiroja. Dhe do të doja të
ndodhesha aty, për të hedhur një grusht dhe mbi varrin e profesor Aliut dhe
mikut e shokut tim, këtij fizikanti të njohur me emër jo vetëm në rrethin e
Lezhës, por dhe në shkallë kombëtare, për t'i dhënë lamtumirën e fundit e për
të ndarë dhimbjen me kolegët e miqtë e tij të shumtë. Por, në kushtet që
ndodhem, si të gjithë, i izoluar ajo mbeti vetëm nje dëshirë e një brengë.
Aliu
u lind në fshatin Mabë të Zadrimes në vitin 1945. Shkollen fillore e mbaroi në
fshatin e tij të lindjes. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, mbaroi arsimin e
lartë në Universitetin Shtetëror të Tiranës për fizike me rezultate të
shkëlqyera. Punoi mësues e drejtor shkolle në Gjadër dhe për disa vite edhe
zv/drejtor në shkollen e mesme pa shkëputje nga puna dhe në të mesmen e
përgjithshme Lezhë derisa doli në pension.
E
kam njohur Aliun si mësues e drejtues të pasionuar në lëndën e fizikes, si
edukator e familjar i palodhur, si burrë me vlera të padiskutueshme
intelektuale, si njeri, prandaj e kujtojmë me respekt e mall.
I
rritur në një familje me prindër punëtorë, të thjeshtë, por të ndershëm dhe me
traditë të shkëlqyera arsimdashëse ai u
formua si fizikant, mësues i ardhshëm për të mësuar e edukuar breza. Përgjatë
gjithë kohës 40-vjeçare, brezat e mësuesve që punuan me të, panë tek ai të përsonifikuar modelin dhe figuren e një
mësuesi dhe edukatori të vertetë e të palodhur në shërbim të dijes. Ishte
kënaqesi edhe privilegj jo vetem të punoje, por edhe thjeshtë të bisedoje me
të, sepse çdo fjalë e tij të bindte, çdo mendim i tij kishte peshë, të
impononte respekt dhe vlera njerëzore, sidomos kur fliste me pasion dhe dëshirë
për profesionin e nderuar të mësuesit, për vështiresitë e punës me nxënësit,
sfidat që e prisnin për të ardhmen, përpjekjet për të edukuar tek ata dashurinë
për lëndën e fizikës. Fliste me pasion, me deshirë me atë zërin e tij të ëmbël,
me përgjërimin ëngjëllor për t'i sherbyer përgaditjes sa më mirë brezave,
edukimit dhe vlerave njerëzore.
Aliu
për më shumë se 40-vjet u dallua për zotërimin shkencor të lëndës së fizikës,
për mënyrën praktike të dhënies dhe të kontrollit të njohurive, për kërkesë
të lartë shkencore ndaj nxënësve. Duke
qënë një njohës i shkëlqyer në fushën e kërkimit shkencor, gjithnjë ecte me
mendimin se gjërat “Që prekën me dorë e shihen me sy”, përvetësohen më mirë më
lehtë dhe më shpejt nga nxënësit. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që ai
ndërtonte hera-herës mjete me vlera njohëse didaktike e përgjithsuese, si dhe
laboratorë të fizikës, kryesisht me mjete rrethanore dhe duke kërkuar ndihmen e
miqve dhe shokëve në ish-ndërmarrjet shtetërore të sistemit të kaluar. Për hir
të së vërtetës, duhet të theksojmë se njerëz të tillë, që shkrijnë jetën e tyre
për hir të mësimit dhe të edukimit janë të rrallë në shkollat tona, por mësues
Aliu me punën e tij 40-vjeçare plot pasion, me rezlutatetet arritura në
proçesin mësimor u bë shembull pozitiv, jo vetëm në rrethin e Lezhës, por dhe
në atë Kombëtar.
Ai
është vlerësuar me dekorata e tituj të shumtë pune, ku vlen të theksohet dhënia
e titullit të lartë "Mesues i Merituar” me motivacion: “Për punë këmbëngulëse,
të ndërgjegjshme dhe kontribut në fushën e arsimit". Ndonëse kishte vite
në pension, ai përsëri bënte jetë aktive, bashkëpunonte me shoqata mjedisore
dhe të tjera dhe, ajo që ishte më e rëndësishme, nxiste të rinjtë për të mësuar
kompjuterin dhe për të përvetësuar teknologjinë e re të informimit dhe të
komunikimit. Ka ish-nxënës të tij, tani intelektualë të spikatur në fusha të
ndryshme të jetës e shoqërisë, që me nostalgji tregojnë: "Aliu asnjëherë
nuk u pa apo nuk u ndje duke u ankuar, dhe pse tashmë, siç dihet, sistemi i
atëhershëm ishte mjaft i vështirë. Mësuesinë e donte dhe e kishte shumë për
zemër".
Tek
profesor Aliu pamë të përsonifikuar për 40 vjet modelin dhe figuren e një
edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të dijes dhe shoqërisë. Ai
qëndroi në krye të mësuesve pasionantë, që mësimdhënien e konsideronte të
shenjtë dhe nuk dinte kurrë ç'është lodhja. Ishte mjeshtër i rrallë i fjalës,
komunikues efektiv elekuent, mbrojtës i flaktë i fjalës së lirë dhe mbi të
gjitha një metodist i shkëlqyer.
Lumturia
e tij nuk kishte cak, këtë lumturi ia sillte ngrohtësia bashkëshortore,
respekti dhe dashuria e pafundme e dy vajzave të tij, Bleda dhe Anisa. Këto
elemente njerëzore ia zbutnin disi dhimbjet, ia largonin me shpresën sëmundjen
që po i acarohej nga dita në ditë. Menduam dhe besuam se Aliu do të shërohej,
por nuk ndodhi kështu, ku në mënyrë të njëhershme u shkëput nga jeta, duke lënë
një boshllek të madh në familje, te vëllai, Agimi, te nipat e mbesat e tij, një
dhembje me përmasat e një peshë plumbi
në krahëror.
Ndërrimi
i jetës së profesor Aliut, tek te gjithë ata që e njohen, sidomos për
familjarët e të afërmit, ish-kolegët dhe ish-nxënësit e tij, sollen një trazim
të madh shpirti e keqardhje, por emri dhe kontributi i Ali Brahimit do të
mbetët përjetësisht në memoriet e tyre, si një ndër emrat e nderuar e të
respektuar. Ky nderim është një respekt, që profesor Aliu për sa qe gjallë e
kultivoi dhe e la për të gjithë ne. Përjetësisht mirënjohje misionar i arsimit
lezhjan e Kombëtar Ali Brahimi!