Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hilmi Saraçi: Kush ishte Selatin Gërxhaliu (?)

| E enjte, 30.04.2020, 11:55 AM |


Kush ishte Selatin Gërxhaliu (?)

(Këtë pjesë e nxora nga libri im “Masakrat serbe në komunën e Vushtrrisë (1998-1999)” për të shprehur shëmbjen dhe për të  përkujtuar  vrasjen makabre, kriminale të familjes  së Selatin Gërxhaliut dhe të gjithë të tjerëve që ranë dhe u masakruan me 2  dhe 31 maj 1999 në Martinaj (Studime) të Vushtrrisë. Ky muaj  mbetet i shënuar në historinë tonë kombëtare si muaji traxhik dhe më trishtues për familjen e Selatinit i cili u vra dhe u masakrua me krejt familjen 12 antarshe  nga kriminelët serbë dhe për popullatën e kësaj ane  dhe të mbarë Kosovës...)

Nga Hilmi Saraçi

...Selatin Gërxhaliu ishte një punëtor i mirë dhe një aktivist i shquar. Herët kishte filluar ta ndihmojë UÇK-në dhe të punojë me zell dhe dashuri deri në çastet e fundit të jetës. Selatini në kohën më të vështirë me kalin dhe qerren e tij qarkullonte në hapësirën ku zhvillohej lufta dhe me një guxim të rrallë depërtonte në zonat ku luftonin luftëtarët e lirisë dhe kështu bënte furnizimin e tyre me ushqim, armatim dhe ndihmonte të plagosurit, duke i bartur në vendshërimet e veçanta. Kontributi i tij në këtë drejtim ishte i madh… Kriminelët serbë herët e kishin përcjellë veprimtarinë e tij, prandaj e vrasin dhe e masakrojnë me tërë familjen… Nëna e Gëzimes, me renë e Xhemailit, Nexhminë dhe me Salih Gërxhaliun, shkojnë në orën 8,30 në shtëpinë e Selatinit dhe kuptojnë vrasjen dhe masakrën e bërë.

Ishte skenë trishtuese, tregojnë Gëzimja, Nexhmija dhe Sali Gërxhaliu. Dhoma ishte e thyer dhe e shkatërruar. Fëmijët kishin mbetur njëri mbi tjetrin. Gjaku e kishte mbuluar trupin e tyre të njomë. Muberaja dhe Safeti kishin mbetur nën jargon të vrarë. Ishin përpjekur ta mëshehin trupin e tyre të vogël. Ndërsa, në qoshen e dhomës, afër derës, ishin të masakruar Muharremi dhe Mexhidi. Dera e thyer dhe muri i dhomës, i shtëpisë, ishin stërpikur me gjak. Lodrat dhe çanta me libra të fëmijëve, shkollarëve të vegjël ishin coptuar, ishin ngjyrosur me gjakun tyre. Nën kraharorin e nënës, Sabahudini i vogël ishte afruar, kishte kërkuar ndihmë, mbështetje, e kishte shtrënguar, me duar të vogla nënën… Ishte tmerr i paparë. Familja e tërë e Selatinit ishte vrarë dhe masakruar…